Odë përkujtimore në Tiranë për Astrit Deharin

November 8, 2018 16:56

Odë përkujtimore në Tiranë për Astrit Deharin

Xhevdet Shehu

“Njëzet e tetë vite më parë unë protestoja kundër regjimit të Millosheviçit në Prishtinë për lirinë e Kosovës, e cila ishte në robëri. Astritin e kisha në bark. Kur ai lindi thashë “ky djalë ende pa lindur, ende pa e parë dritën e diellit, nënën dhe babën, mori pjesë nëpër protesta. Jeta e tij e shkurtër tregoi se ai kishte lindur për të protestuar kundër padrejtësive… Kur u nda nga jeta ishte 26 vjeç dhe e vdiqën pse protestoi…”.

Ky ishte vetëm një fragment nga fjalët e nënës së Astrit Deharit, Xhemile Dehari, në odën përkujtimore që u mbajt pardje në Tiranë, në dy-vjetorin e vdekjes së aktivistit të njohur të Vetëvendosjes.

Nuk ka asnjë moralizim në këto fjalë. Është shpirti i një nëne që fliste. Një nëne që i ka humbur të dy djemtë, Arbnorin dhe Astritin në lëvizjen për liri dhe drejtësi shoqërore. Nëse në vitin 1990 Xhemilja protestonte kundër padrejtësive dhe shtypjes serbe, në vitin 2016, i biri i saj, Astriti e dha jetën nga “të vetët” nga regjimi i Prishtinës, pse ishte në radhët e parë të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ishte një tubim mjaft prekës në sallën Black , me një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve të Tiranës dhe aktivistëve të Vetëvendosjes në Tiranë. Pjesëmarrja e dy prindërve të Astritit, Avniut dhe Xhemiles dhe sidomos fjalët e tyre i emocionuan të pranishmit. Moderimi elokuent nga ana e Elvis Hoxhës bëri që ajo odë të të vlerësohej maksimalisht…

Në tubim morën pjesë edhe dy deputetë të Vetëvendosjes, Liburn Aliu anëtar i kryesisë së VV si dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku, nënkryetare e VV, të cilët sollën kujtimet e tyre për rolin e rëndësishëm të Astrit Deharit, për idealizmin dhe kontributin e madh që ai dha për demokracinë në Kosovë.

***

Më 5 nëntor 2016, në rrethana ende të paqarta vdiq në burgun e Prizrenit, Astrit Dehari, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Nuk e kam patur fatin ta njoh personalisht këtë aktivist të shquar, por përshtypja që bëri vdekja e tij në burgun e Prizrenit ishte e jashtëzakonshme. Jo vetëm se ishte i ri, vetëm 26 vjeç, jo vetëm se ishte në përfundim të studimeve për mjekësi dhe sot do të ishte një mjek i shkëlqyer në Kosovë, por mbi të gjitha për idealizmin e tij, pikërisht për ato vlera më së shumti sot të munguara ndër shqiptarët, si në Shqipëri,por edhe në Kosovë e Maqedoni.

Prandaj, thirra në ndihmë Akademikun Rexhep Qosja, i cili ka bërë përshkrimin më të plotë të portretit dhe vlerave që solli Astrit Dehari në konceptin e lëvizjes për çështjen kombëtare. Në atë shkrim sa të mrekullueshëm, aq dhe të pikëllueshëm, Prof. Qosja shkruan: “Astrit Deharin shteti e vrau jo me një po me disa nga këto mënyra vrastare! Dhe e vrau me disa nga këto mënyra sepse Astrit Dehari ishte me karakter e me bindje i panënshtruar para pushtetit dhunëtar! Dhe e vrau sepse ky shtet donte të vriste Opozitën dhe sepse ky shtet donte të vriste Lëvizjen Vetëvendosje! Dhe e vrau duke e burgosur me katër shokë dhe me një shoqe, duke i akuzuar të të gjashtët si terroristë që, u tha me gojët e me shkrimet e pushtetarëve, që u tha zyrtarisht e privatisht prej tyre, se deshën të vrisnin Kuvendin e Kosovës, deshën të vrisnin Kuvendin e Kosovës duke vrarë dy a tri tulla a xhama të këtij Kuvendi, prej sallave të të cilit lirinë dhe pavarësinë e Kosovës po e predikojnë dhe po e ‘mbrojnë’ edhe një numër i atyre që sot perceptohen shumë papranueshëm e padurueshëm prej popullit”.

E çfarë mund t’u shtoj fjalëve të Prof. Rexhepit?

Por dua të theksoj se vlera e takimit përkujtimor të pardjeshëm në Tiranë për Astrit Deharin kishte një domethënie shumë të rëndësishme, e cila qëndron në thelbin e devizës dhe ekzistencës së Vetëvendosjes: Kombi shqiptar është një dhe i nderon bijtë e tij njëlloj si në Prishtinë, në Tiranë e kudo. Pra është njëjtësia e Kombit ajo që na bashkon dhe na bën ta ndjejmë dhimbjen njëlloj për ata që na paraprijnë me guximin për idetë dhe aktivizimin e tyre.

November 8, 2018 16:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*