Oferta e re e Pica Light: Ju sjell në shtëpi vetëm gjysmën e picës, gjysmën e ha shpërndarësi

July 8, 2018 22:31

Oferta e re e Pica Light: Ju sjell në shtëpi vetëm gjysmën e picës, gjysmën e ha shpërndarësi

TIRANË – Konkurrenca e shfrenuar e biznesit të sjelljes së ushqimeve të gatshme në shtëpi, kombinuar me nevojën gjithnjë e më të madhe për të frenuar obezitetin që pikërisht këto ushqime shkaktojnë, i ka mbajtur gjithnjë të dyzuar konsumatorët shqiptarë.

Nuk është sekret se për shumë amvisa shqiptare, herë pas herë është shumë joshëse ideja që të mos gatuajnë një vakt, por të porosisin diçka të gatshme: Pica, tepsi me pilaf, sufllaqe, pula të pjekura etj. Por nga ana tjetër ato alarmohen për shijen e parezitueshme të këtyre ushqimeve dhe rrjedhimisht, konsumimin e tepruar të tyre.

Gojët e Liga njoftojnë se një dritare në këtë paradoks të tregut të lirë, e njëherësh një zgjidhje për konfliktin e brendshëm, dyzimin dhe dilemat morale të amvisave, ka gjetur piceria Pica Light. Për sqarim, nuk është se ky biznes ofron pica të lehta, me përbërës subkalorikë apo ushqime me zëvendësues të shpifur si soja, mielli pa gluten etj.

“Jo vëlla”, saktëson pronari i lokalit, 47 vjeçari Lirim Pjergulli, “brumi është brumë, djathi është djathë dhe proshuta është proshutë. O hidhe siç duhet hedhur, ose lërë fare se nuk je për atë punë”.

Po atëherë cili është sekreti i suksesit të tij?

“Shumë e thjeshtë”, thotë Pjergulli, “pica që ne bëjmë është bombë, me të gjithë përbësit brenda, si çdo picë që ka respekt për veten. Por ama, duhet pranuar se psikologjikisht, konsumatori do ta mbarojë ushqimin e shijshëm medoemos, edhe kur ndihet i ngopur. Këtu ndërhyjmë ne: Ja heqim këtë mundësi nga dora. Ne i çojmë porositësit në shtëpi vetëm gjysmën e picës, sepse gjysmën tjetër e ka ngrënë rrugës shpërndarësi i picës. Kështu, edhe konsumatori nuk dihej në faj, e pastaj të fillojë jo dieta, jo palestër, jo vrap nga ai pellgu me ujë të ndenjur etj; edhe ne fitojmë diçka, sepse shpërndarësit nuk ja paguajmë rrogën e plotë. Kuptohet, ai ka ngrënë sa është shqepur”.

Ky stil i ri i biznesit ushqimor ka nisur të kopjohet edhe nga konkurrentët e Pica Light.

Nuk është më çudi këto javët e muajt e fundit, që në dyert e shtëpive shqiptare të përfundojnë sanduiçë të kafshuar, sufllaqe që u mungojnë patatet ose mishi, gjysma e çereqe pulash të sakatuara rrugës.

“Sigurisht, ka lindur një problem i ri”, thotë duke kruar kokën Lirim Pjergulli, “tani, ka filluar të bëhet keq për shpërndarës, pasi dikush rri një muaj në punë dhe ikën. Nuk kanë dhe faj, se u shkon kolesteroli në qiell”.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike anti-kolesterol

Novatori kulinar Lirim Pjergulli

Novatori kulinar Lirim Pjergulli

July 8, 2018 22:31
Komento

1 Koment

  1. Ladi July 10, 16:43

    Po ça pica lajt ore vlla, kjo eshte ajo qe ben perdite qeveria: te merr te teren dhe sjell gjysmen dhe me pak. Dhe te mendosh sa keq kane qene te tjerat para saj!!!!!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*