Oketa: Një pjesë e drejtuesve të opozitës i trembet reformës në drejtësi

February 8, 2016 14:05

Oketa: Një pjesë e drejtuesve të opozitës i trembet reformës në drejtësi

Reforma në drejtësi dhe ngritja e një sistemi të vërtetë drejtësie në vend, më shumë sesa mungesa e besimit reciprok mes palëve, tremb një pjesë të drejtuesve të opozitës sesa vetë mazhorancën.

Deklarata vjen nga sekretari i përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, i cili në një intervistë për gazetën “Shqip” thekson se pikërisht kjo pjesë e drejtuesve aktualë të opozitës ka më shumë arsye për t’iu trembur drejtësisë së vërtetë dhe për këtë arsye ngërçin e krijuar në realizimin e kësaj reforme. Ai e shikon më shumë si një justifikim për të vonuar në kohë procesin.

“Ajo që nuk më pëlqen në gjithë këtë debat, është fakti që politika nëpërmjet propagandës mediatike ka arritur ta shpërngulë të gjithë përgjegjësinë për mosfunksionimin siç duhet të shtetit shqiptar, te drejtësia, kur në fakt përgjegjësia më e madhe është e vetë politikanëve, të cilët kanë drejtuar apo drejtojnë mazhorancën apo opozitën.

Janë vetë ata që kanë bërë gjithçka për të krijuar një sistem drejtësie të varur politikisht dhe të korruptuar financiarisht, me qëllim për ta shantazhuar dhe përdorur më lehtë. Të shpresojmë se kjo reformë do t’i japë fund një raporti të tillë politikë – drejtësi”, theksoi Oketa.
Ndërkohë, në lidhje me situatën në të cilën gjendet sot drejtësia, ish-ministri i Mbrojtjes fajëson klasën politike, e cila qëllimisht ka ndryshuar balancat demokratike të institucioneve. Dhe për zgjidhjen e ngërçit për reformën, Oketa i sugjeron mazhorancës qeverisëse që të bëjë të gjitha përpjekjet për të dialoguar me opozitën, për t’i krijuar asaj të gjitha garancitë që kjo reformë nuk do të keqpërdoret dhe pse jo për të krijuar një model tjetër të marrëdhënieve mazhorancë-opozitë.

Ndërkohë, lidhur me reformën zgjedhore, numri dy i FRD-së i bashkohet qëndrimit të partive të tjera të vogla, të cilat kërkojnë lista të hapura të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, krijimin e një sistemi proporcional me korrektim kombëtar, si dhe komisionerë të pavarur nga politika.

Ndërsa lidhur me koalicionet, Oketa shprehet se nëse do të ketë një vendimmarrje për t’u bashkuar në një formacion politik, atëherë aleanca e ardhshme do të ngrihet mbi bazën e parimeve dhe jo të një analize matematikore. /Dita/

 

 

February 8, 2016 14:05
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*