Operator privat për ngritjen e sistemit të monitorimit të lojrave të fatit

September 15, 2016 11:32

Operator privat për ngritjen e sistemit të monitorimit të lojrave të fatit

Ngritja e Sistemit Qendror për monitorimin on -line të lojrave të fatit në vend do t’i besohet një operatori privat.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e radhës vendimin për “Përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin qendror të monitorimit on line (SQMO) dhe të autoritetit përgjegjës për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes”.

Sipas vendimit, operatori, që ndërton këtë sistem, kryen edhe procesin e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tij duke garantuar procesin e monitorimit on­line të të dhënave që do të përdoren nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit (AMLF). Operatori merr vlerën e investimit nga tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licensuara të lojrave të fatit për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e sistemit.

Operatori ka si detyrim të garantojë mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e sistemit nga çdo defekt në Sistemin Qendror të Monitorimit On­line. Ndërkaq vendimi citon se ministria e Financave është autoriteti publik, që shpall hapjen e garës për përzgjedhjen e operatorit që do të ndërtojë sistemin, e cila e shpall atë jo më vonë se 45 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Po ashtu, ministria e Financave miraton kriteret e vlerësimit të garës, dokumentet standarde të procedurës konkurruese, strukturën e Komisionit të Ngritjes së Sistemit Qendror të Monitorimit On­line të lojërave të fatit. Në dokumentet standarde të procedurës konkurruese jepet informacion që ka lidhje me objektin dhe llojin e procedurës konkurruese, përfshirë informacione të përgjithshme dhe specifike.

Subjekti i shpallur fitues duhet të parashikojë dhe të realizojë investime për krijimin e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line SQMO dhe të ruajtjes së informacionit, me qëllim mundësimin e ofrimit të shërbimit pa ndërprerje dhe parandalimin e humbjes ose shkatërrimit aksidental të të dhënave.

Tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit përmban vlerën fikse për çdo pajisje/lojë fati për mirëmbajtjen e sistemit si dhe vlerën në përqindje mbi të ardhurat bruto nga lojërat e fatit për shlyerjen e investimit dhe për ngritjen e përditësimin e sistemit SQMO. Formula, e cila do të shërbejë përllogaritjen e tarifës, do të jetë pjesë e dokumenteve standarde të tenderit.

September 15, 2016 11:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*