Opozita denoncon vjedhjen e organizuar nga mbifaturimi i qytetarëve

Genc Kondi November 7, 2012 12:36

Opozita denoncon vjedhjen e organizuar nga mbifaturimi i qytetarëve

Deputeti i Partisë Socialiste Arben Ahmetaj ka vijuar dje denoncimet për keqmenaxhimin e sektorit të energjisë elektrike dhe dështimin e privatizimit të shpërndarjes së tij. Ai e ka quajtur madje si piramidë tsë re atë që ka ngritur pushteti i Sali Berishës nëpërmjet privatizimit më të rëndësishëm të bërë nga shteti shqiptar.

 

Kapitali i shoqërisë dikur publike është pothuaj zeruar. Por, veç kësaj, ka ndodhur edhe një abuzim tjetër, të njohur për të gjithë shqiptarët, ai i faturave abuzive. Përveç rritjes së çmimit me 200 %, sot ka një barrë akoma më të rëndë mbi konsumatorët shqiptarë, tha Ahmetaj.

 

Sipas tij, së pari vlen të përmendet se ka një mospërputhje alarmante në këtë fakt. CEZ Shpërndarja ka faturuar të gjithë konsumatorët për 4.25 milionë MWh – ndërsa energjia e matur është vetëm 3.6 milionë MWh. Ky ndryshim prej 17.8% në terma realë është më shumë se 6 miliardë lekë në vit – mbi 62 milionë dollarë në vit. Kjo është një shkelje masive mbi të gjithë konsumatorët.

 

Përvec kësaj një problem madhor për konsumatorët, sidomos shtresat më në nevojë, është edhe faturimi i gabuar, përsëri në masë, nëpër faturat individuale të energjisë, deklaroi ai.

 

Deputeti i opozitës ka sjellë dy fatura, ku shihet se si kompania CEZ ka faturuar mbi tarifën e shpallur me ligj – ku është shkelur kufiri ligjor duke e faturuar konsumatorin me më shumë sesa është çmimi i vendosur me ligj. Aty është faturuar me çmimin maksimal (atë që aplikohet për harxhimin mbi 300 KËh) edhe një harxhim poshtë kësaj mase. Në këtë rast kemi me mbifaturim me 290 dhe 406 lekë respektivisht, për një faturë mujore. Kjo diferencë abuzive duhet t’u ishte kthyer të gjithë konsumatorëve dhe të ishte bërë fakt publik prej qeverisë, por në fakt është përdorur parimi “të ecë ku të ecë.”

 

Është thënë këto ditë se qeveria shqiptare mund të detyrohet që të marrë sërish kontrollin e operatorit të shpërndarjes. Në këtë rast fajtori do të merrte përsipër fajin, pasi është qeveria shqiptare ajo që e ka çuar situatën në këtë pikë kritike, me mungesën e monitorimit, mbrojtjes së qytetarëve dhe me keqmenaxhimin e saj në çdo stad të këtij dështimi madhor. Për këtë do të duhej edhe një analizë e thellë për dështimin e qeverisë në privatizimin më të madh të kryer prej qeverisë deri tani, tha Ahmetaj, duke përfunduar se e gjithë kjo është një ogur i keq për të gjitha privatizimet e tjera, më të vogla.

Genc Kondi November 7, 2012 12:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*