Opozita me plot energji negative. Pozita e gufosur!

Arben Duka September 22, 2015 01:57

Opozita me plot energji negative. Pozita e gufosur!

Kuvendi vazhdon,
të jetë krye tema,
tamam si stadium,
për ndeshje me dema!

Tash ai është bërë,
si një farë gogoli,
dhe unë s’pres aty,
të jetë një si Noli!

Nuk shoh asgjëkund,
të ketë pak madem,
një Hasan Prishtina,
një Avni Rustem!

Ky Kuvend gjithë vendin,
keq na e baltosi,
nuk pres një Luigj,
nuk shoh një Hilë Mosi!

Është pa dyshim,
një grupim i gjorë,
njëqind injorantë,
zgjedhur si me dorë!

Parlamenti i Parë,
ka qenë shumë sharmant,
nuk kishte për be,
asnjë injorant!

Sot pas njëqind vjetësh,
ulërimë është gjendja,
nuk ka një Ndre Mjedë,
që ndriste nga mendja!

Si të mos kalojë,
në fazë njeriu,
kur gjysmën e kohës,
e ha xha Saliu!

Vite edhe vite,
ai na është gjendur,
po tani ka sosur,
një plak krejt i çmendur!

Ai s’mbaron kurrë,
fjalën kur e nis,
dhe gjithë Shqipërinë,
e bën fare pis!

Për pozitën Sala,
është halli i hallit,
sepse ka akoma,
energjitë e djallit!

Saliun e dimë,
që vërvit shigjetat,
po s’ia beson kush,
as dhe të vërtetat!

Po ai s’çan kokën,
sallën e ndez flakë,
sepse ka përballë,
një tufë me guakë!

Saliu gjëmon,
dhe ndizet i tëri,
po mavrive tanë,
u ka ikur zëri!

Dhe pse mund të jetë,
një burrë i urryer,
ai opozitën,
po e bën shkëlqyer!

Saliu dhe hahet,
dhe pse ju thinj koka,
por është kujë kur flet,
mbi një orë dhe Noka!

Hajde se ç’krijesë,
ka ujdisur Zoti,
në gjithë Planetin,
më krye idioti!

O mor socialistë,
si s’u përpin toka,
kur u vë përpara,
edhe një si Noka!

Opozita shan,
shan e shan pasosur,
dhe sot ka përballë,
një tufë të gufosur!

“Janë të moderuar,
edhe flasin pak!”
Jo-mor jo them unë,
janë frikacakë!

Ndaj në pikën zero,
sot kanë arritur,
janë frikacakë,
edhe të paditur!

Arben Duka September 22, 2015 01:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*