“Orët” e bjeshkëve të Pukës

September 3, 2017 11:48

“Orët” e bjeshkëve të Pukës

 

Nga Ndue Dedaj

Malet kanë orët e tyre. Ashtu si dhe shtëpia. Njeriu. Një nga urimet e malësorëve ka qenë: “e paç orën çuet”! Në Iballë ende tregohet për orën e malit të Shllumit, që lahej në Drin e veronte në kreshta. Por, pas rrënimit dhe rrëmetit të tranzicionit, a po “zgjohen” përsëri orët e bjeshkëve tona?

Vitet e fundit kemi shkelur në shumë prej tyre. Nga Valbona në Kelmend. Nga Kunorë Dardha në Shishtavec. Nga Munella në Kala të Dodës. Nga Gryka e Rugovës në Malin e Sharrit. Nga Lura në malet e Krujës. Nga Vela në Llogara. Ato kanë filluar të zgjohen pas sëpatës shfarosëse të dhjetëvjeçarëve të fundit. E, megjithëse ka zgjim aty-këtu, ende bjeshkët sikur kredhen në një qetësi olimpike. Një heshtje që nuk do ta donim. Pyllin vërtet nuk e “trazon” më sëpata e sharra, por as dhitë e egra, që ua kanë prishur habitatin ku kërcenin e mrizonin.

Pylli nuk është më ai i dikurshmi, i vërteti, me masive drurësh të lartë, pishe dhe ahu, me fërshfërimën e gjetheve, jehonën e sharrave, si në romanet e novelat e Dritëro Agollit, Vito Koçit, etj.

Për syrin e vizitorit që vjen në këto bjeshkë për here të parë mund të jenë të hijshme ato “livadhet” masive me mbulesë bimore të blertë, por jo për pylltarët dhe druvarët që nuk e mendojnë pyllin si një fotografi të bukur, por si një hambar nga i cili mund të marrësh “bereqet”, nga lënda drusore për industrinë te frutat ekzotike të pyllit! Sepse në pyll çdo gjë është bio. Nuk mund t’i bësh një gjilpërë me hormone pyllit, si trangujve, domateve e bostanit në serrat e Lushnjës a diku tjetër.

Pylli ka gjuhën e tij të fshehtë dhe atë nuk mund ta kuptosh duke e soditur si kalimtar, por ne në udhëtimin tone nëpër pyjet e Pukës, këto ditë, kishim si udhërrëfyes inxhnierin pyjor Mark Zefi, nga Rrësheni, prej 20 vitesh emigrant në Itali, por që siç thotë ai me një gjuhë poetike, ka ardhur në gjurmë të kujtimeve të veta. Ai e njeh pëllëmbë për pëllëmbë këtë vend, njerëzit dhe shtëpitë, pasi ka shërbyer për 13 vite në NPD-në e Fushë-Arrëzit, si njëri nga specialistët dhe drejtuesit e saj, shef cilësie e zëvendësdrejtor, duke shkruar me kurajë dhe në shtypin e kohës kundër burokracisë që bëhej pengesë për transportin e lëndës drusore nga pylli. Inxhinierin e tërheq çdo detaj që ka të bëjë më natyrën, ujin, barishtet, lulet, drurët pyjorë, gështenjat e përziera me pishat, etj. Nuk mund ta pranojë njeriu i drurëve këtë realitet të shituar të këtyre bjeshkëve, nga Kryeziu në Iballe, pasi, thotë ai, duhen dhjetëvjeçarë që pylli të shkojë aty ku ka qenë.

Nuk është thjeshtë nostalgjia e një ndërmarrjeje shfrytëzim – përpunim druri me 1500 punëtorë, si ajo e Fushë-Arrëzit, mbase më e madhja në Ballkan, me stabilimente e sektorë të shumtë në të katër anët, nga Kaçinari, Krrabi, Kunorë- Dardha, Tuçi, Livadh-Hamzi, Tërbuni, Munella, Kryeziu, Qafë-Mali, Sapaçi, etj. Prodhoheshin atëherë trupa për industrinë e ndërtimit, për fabrikën e letrës, shtylla miniere, shtylla të stazhionuara për linjat telefonike, traversa për hekurudhat, dru zjarri, kurse nga përpunimi i drurit dilnin dërrasat, mobiliet, rimesoja, rrëshira, esanca e pishës, kollofoni, terpentina, etj. Por asnjëherë nuk u vendos një raport i drejtë mes prerjeve dhe rritjes së drurëve.

Duket ideale, por nëse pyllit do t’i jepej drejtësi, aq sa nxjerr prej tij, aq dhe duhet të “fusësh”, duke mos mbetur një raport gjithnjë i zhdrejtë, pa folur për periudhën e tranzicionit kur gjithçka pritej pa mëshirë dhe asgjë nuk rritej.

I kërkojmë bashkudhëtarit tone nëpër pyjet e Pukës të na tregojë për përvojën italiane në administrimin e pyjeve dhe ai flet me fakte se si është krijuar atje kultura e pyllit. Në Itali ka organizma të posaçme shtetërore, qëe monitorojnë pyllin në vijimësi, cilët drurë janë mplakur e duhen prerë e cilët duhen rritur. Mendohet përpara për zëvendësimin se sa për prerjen.

Është e tepërt të thuhet se atje kujdesi ndaj pyllit është proverbial, si në të gjithë Evropën, askush nuk e prek një filiz. Pylli është simbol. Pylli është ekonomi. Dhe miku ynë e rrotullon bisedën 360 gradë për te pyjet tona dhe veçanërisht ato të Pukës, që janë dashuria e tij e vjetër.

Puka është kampione në shkallë vendi për pyjet. Rreth 82 mijë ha pyje e kullota administrohen sot nga dy bashkitë (Pukë e Fushë-Arrëz), afërsisht në sipërfaqe të barabarta.

Pas katastrofës pyjore, për rivitalizimin e pyjeve organet e pushtetit vendor bashkëpunojnë me ato rajonale e kombëtare dhe shoqatat e zhvillimit rural lidhur me fushatat njohëse dhe grantet konkuruese për zhvillimin dhe ruajtjen e pyjeve, ku janë zbatuar dhe projekte të shërbimeve mjedisore të Ministrisë së Mjedisit, agjencive të zhvillimit bujqësor e malor, etj. Nuk është aspak e lehtë ta shkëpusësh njeriun nga grabitja e pyllit, paçka se moratorium dhjetëvjeçar i pyjeve e ka ndalur jo pak dorën mbi pyjet dhe gjuetinë e paligjshme.

Duhet krijuar një ndërgjegje e re për pasuritë pyjore, natyrore, gjithë visarin e florës dhe faunës. Mali i Munellës është një nga më të pasurit e këtij rajoni, për më tepër që është zona e vetme në Shqipëri ku mbijeton rrëqebulli i Ballkanit.

Dy vite më parë nga shoqata PPNEA, që kujdeset për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedist natyror në Shqipëri, u dha lajmi shqetësues për vrasjen e një këlyshi rrëqebulli nga një bari i vogël i zonës, pa e ditur se çfarë kafshe ishte, në një kohë kur sipas shoqatës së sipërthënë, popullata e kësaj kafshe të rrallë është mjaft e vogël, vetëm 4-6 individë të rritur. Janë vënë kamera në Munellë për të ndjekur lëvizjet e rrëqebullit dhe mbrojtjen e tij, gjë që do të thotë se po ecim drejt botës së qytetëruar, ku kujdesi për kafshët është “njerëzor”, veçse “kamera” e duhur janë sytë e të gjithë neve, kujdesi i krejt komunitetit, një për një, për ta mbajtur pyllin në habitatin e vet bujar.

Siç nuk ka ekonomi në këto anë pa pyjet dhe mineralet, nuk ka as turizëm pa drurët, krojet, natyrën e gjallë. Pukjanët të ftojnë të vesh atje për mrekullinë natyrore të pafundme nga Fani i Madh në lumin Drin – ajrin e pastër, klimën kurative, bukuritë mahnitëse mes përrenjsh, lumenjsh, liqenesh, bimësh mjekësore si qershigla, jetësuar këto me kuzhinën tradicionale, kullat bujtina, fjetinat (resortet) alpine, etj. Janë tema që kemi dëgjuar të fliten herë pas here në forumet pukjane, nga kryebashkiaku Gjon Gjoni, si dhe Arian Ndoja, Tonin Alia, Lazër Mëhilli e veprimtarë të tjerë të “Sofrës Pukjane”, nga TV Puka dhe gazetari i palodhur i këtyre anëve Armir Mehja.

-Mos e kërko ruajtjen e pyllit vetëm atje ku janë pishat e ahet, por te pragu i shtëpisë tënde, thotë inxhinier Marku, se po e çove gazin dhe në skajet më të largëta për ngrohje e gatim, atëherë pylli shpëton nga prerja e druve të zjarrit. Nuk mund ta kesh luksin e përjetshëm të ngrohjes me dru të rrëmbyer nga pylli, jo vetëm se ato një ditë mbarojnë.

Shpëtimin e pyjeve ai e sheh te privatizimi i tyre, kështu pylli do të kishte zot, duke mos qenë më i të gjithëve dhe i askujt. Për shtimin e pyllit janë të gjitha mënyrat, sidomos mbjellja e fidanëve, por jo duke i “përzier” ato, në kuptimin që nuk mund të mbjellësh pishë të butë deti në Lurë, si në Divjakë …

Edhe një problem tjetër po kaq i mprehtë. Ndërtohen rrugë, hidrocentrale, miniera, ujësjellës, ndërtesa turistike, hapen gurore, që prishin gjithë atë sipërfaqe pyjore dhe në fund vendi lihet ashtu, pa u risjellë në identitet. Ky është një krim ekologjik, për të cilin shteti nuk ndërhyn pranë kompanive, duke i penalizuar ato me gjoba të majme, sipas ligjit. Puka është kryetreva e pyjeve shqiptare. Dikur kemi shkruar se askund më mirë se atje nuk do të ishte selia e Ministrisë së Mjedisit (Pyjeve) …

 

 

September 3, 2017 11:48
Komento

2 Komente

  1. MH September 3, 17:01

    Ndjeva kenaqesi shpirtrore nga ky artikull informues.
    Ma ne fund njeriu po ven dore ne ringjalljen e pyjeve ne vend.
    Pa dashje qe nuk mund ti ikesh faktit,shkruna:
    Ndërmarrjeje shfrytëzim – përpunim druri me 1500 punëtorë, si ajo e Fushë-Arrëzit, mbase më e madhja në Ballkan.I perket kohes se monizmit.
    Tranzicioni e shkrumoci.Sot duhet pranuar me hire me pahire “privatizimi” i pyjeve asht i domosdoshem.Mbyllja e keti shkrimi e hedh posht iden e privatizimit me kohen monizmit.Ku Shpëtimin e pyjeve ai e sheh te privatizimi i tyre, kështu pylli do të kishte zot, duke mos qenë më i të gjithëve dhe i askujt.
    Kur ishte i te gjitheve nuk guxonte njeri te damtonte qofte dhe nji filize.Tranzicioni shkrumoci jo filizet por gjigendet qe riprodhonin vetveten.Po te mos kryhesh ky shkatrrim sot nuk do kishim kete shkrim qe na gezon shpirtin per rikrijimin e pyjeve.
    Kodrat e rrencit ne shkoder,qe kur isha femij kishte vetem shkurre dellinje dhe komplet i shkret.Monizmi i te gjitheve dhe i askujt per nji dhjetvjecar e mbushi plot pisha.Ku kishe kenaqesi te udhetoje ne ate rruge nga ura e Kirit deri ne fshatin rrence tek Uzina e hidrocentraleve ndertuar ne truellin e Shuk Radojes nen aromen karateristike te pishave.Sot ma keq se dikur me dellinja si ta kishin rrue ne brisk rroje,tolle.
    Oh sa gjynahe ka me thes ky tranzicioni per interresin e mbijeteses se keti populli.Te kryera nga vet ky popull me perfitim te lirise se cthurun.

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D. September 4, 23:06

    Na Kanada,
    – Per nje peme prere dhe ne obor te shtepise pa leje, denohesh rende.
    I nderuari Ndue Dedaj, ju shkruaj,se dua t’iu falenderoj.
    Aktualisht ndodhem ne Kanada-“Mbretni e pyjeve” Boterore besoj, si ne Amazona e rjedhjet e Kongos,(ne s’gaboj c’kam mesuar sot e70 vjet para ne shkolla,vec c’po shikoj rugeve te emigracionit). Jua permeda keto se e para gje qe kam vene re ketu ne Kanada,mbi te gjitha eshte mbrojtia e mjedisit,me kryesore te cdo peme drusore.(frutoret po e po).
    Nuk mund te presish asnje filis peme,as ne mjediset e oborit te shtepise tende,apo te rucicespa leje nga
    organet kopetente,me dokumenta te rregullta.Deri per nje renje peme,u denua,nje miku yne,(mes Torontos qytet me 4,5 milion banore),nuk e njihte kete ligj,kur preu ne mes te oborit te shtepise nje pene shume vjecare,(si dushku yne),”MONBLAN” thirret ketu.Ja ky eshte shteti ligjor, miqte e mij.
    Ju kini shume te drejte sa ai miku PUKIAN,ardhur me aqe mallengjim e dhimbie per vendlindien,ku sakatohen jo vetem pyjet.E pergezoj.
    Atdhetari po atdhetar.
    -Faleminderit miq e,ju degjofshin;se pari ligjvenesit…

    Toronto04-09-2017 Guri Naimit D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*