Organizata “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, bëma heroike pas një emri me konotacion negativ

December 3, 2017 11:07

Organizata “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, bëma heroike pas një emri me konotacion negativ

 

Fan Noli: “Për emrin e Shqipërisë, në e kini në dorë, ndërrojeni atë emër të tmerruar”!

Nga Nuri Dragoj

Në orën 23 të datës 27 prill, në një kënd të sheshit të vogël të kryeqytetit, në drejtim të Kus Babasë u takuan dy persona. I pari, që ishte në pritje, një burrë shtatlartë dhe mjekër të dëndur, i zgjati një letër tjetrit, duke i thënë: Drejt bazës! Nesër do të fillojnë veprimet konkrete.

Pasi u largua disa metra, nën dritëzën e hënës, personi që mori letrën u përpoq ta lexonte, por ishte e vështirë. Gjithsesi ai mundi të dallonte emrat: Esat Toptani, Haxhi Qamili, Servet Laçe, Namik Terziu… Më poshtë vazhdonin emra të tjerë dhe në fund shkruhej: Organizata “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”.

Dukej se personi që mbante në dorë letrën ishte thjesht një korrier. Ai po e transportonte atë drejt bazës. Shtëpia ku mbërriti kishte brenda pak orendi, por shumë njerëz. Korrieri ia dha letrën në dorë Astrit Kondurit, njeriut që dukej se po priste hapat e lajmëtarit, duke pirë cigare në korridor. Kur hyri brenda, personat që ishin ulur në dy mindere u çuan në këmbë. Ai lexoi me radhë emrat.

Në fund të ligjëratës së tij tha: “Të gjithë këta persona janë tradhtarë dhe duhen eliminuar deri të mërkurën tjetër”!

Njëri prej të pranishmëve, pasi lexoi listën me kujdes nën dritën e një llambe vajguri, u shpreh: Duhet të shtojmë edhe emra të tjerë…”. Të gjithë ata që kanë bërë tradhti ndaj këtij vendi, duhet të marrin dënimin që u takon. Ndërsa një tjetër anëtarë ishte i mendimit të tregoheshin më të kujdesshëm. Dy-tre emra duheshin hequr, sepse, sipas tij, ishin bashkuar rastësisht me keqdashësit e Shqipërisë. Mbase e kishin kryer një veprim të tillë nën kërcënim, – tha ai. Ne nuk jemi organizatë terroriste, por duke ndëshkuar të ligjtë synojmë paqen kombëtare. Tani për tani, vetëm kjo gjë është në dorën tonë. Këtu nuk ka gjykata që të peshojnë bëmat e njerëzve. E keqja duhet të marrë përgjigje në çdo kohë, veçse duhet t’i ndajmë mirë të ligjtë e Shqipërisë nga të pafajshmit. Edhe ata që vihen në shërbim nën presion duhen dalluar nga njerëzit politik e të paguar. Prandaj nga kjo listë duhet të heqim edhe ca të tjerë, sot nuk ka gjumë. Do t’i shoshisim një e nga një të gjithë emrat. Të tjerët miratuan me kokë dhe secili prej tyre bëri nga një propozim, se cili prej emrave të listës duhej hequr ose rishikuar.

Tri ditë më vonë njoftohej se në pika të ndryshme të zonës së Toskërisë ishin gjendur tri kufoma të vrarësh. Njëri ishte qëlluar me plumb në pjesën prapa veshit; një tjetër poshtë syrit të majtë dhe i treti, ndoshta ngaqë kishte tentuar të ikte, e kishin qëlluar pas kokës. Kjo tregonte, se ky grupim kishte snajper të mirë. Ajo që ishte e përbashkët për të tre të vrarët kishte të bënte me faktin se të treve u kishin varur me pe të bardhë nga një letër ku shkruhej: “Kështu do e pësojnë të gjithë tradhtarët”!

Njerëzit e thjeshtë që shihnin të vrarët bisedonin me njëri- tjetrin duke thënë se e kishin patur hak plumbin. Njërin prej tyre e akuzonin se kishte bashkëpunuar me forcat andarte greke. Tjetri kishte vrarë pas shpine një patriotë dhe kishte kohë që ishte vënë në kërkim. I treti akuzohej si spiun i serbëve. Kjo ishte e vetmja mënyrë me të cilën kryeqyteti mund të ndahej me tradhtinë. Me këtë veprim jepej paralajmërimi se ky qytet nuk do të njehsohej asnjëherë me bashkëpunëtorët e okupatorëve dhe armiqve të Shqipërisë.

Në fakt, kjo shoqëri ishte krijuar me kohë dhe roli i saj bëhej veçanërisht i rëndësishëm në momentet e vështira të kombit shqiptar. Ajo bazohej mbi themelin e tri shtyllave, që ishin: shpirti, trupi dhe mendja. Anëtarët e saj duhet të kishin shpirt patriotik, mendje të kthjellët dhe trup për t’u bërë ballë vështirësive. Vula e shoqërisë ishte në formë të rrumbullaktë, ku shkruhej “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”. Brenda saj vendoseshin këto shenja: bombë, kamë dhe kobure. Nën to ndodhej shkronja ”Q”. Në të majtë të saj, numri 18 dhe në djathtë, numri 78. Kjo përcaktonte datën e krijimit të kësaj shoqërie, 18 qershor 1878.  Pra, ajo ishte themeluar gati një javë pas Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Qendra e shoqërisë do të ishte në Shqipëri, por pa u përcaktuar asnjëherë saktësisht vendqëndrimi. Ajo do të punonte për qytetërim, lulëzim dhe shpëtim të kombit shqiptar. Në çdo sanxhak, kaza dhe nahije, mund të krijoheshin degë të saj. Çdo degë qeverisej nga një pleqësi e përbërë prej tre vetësh. Në shoqëri mund të hynte çdo shqiptar besnik. Ai paraqitej te udhërrëfyesi, i cili zgjidhej nga pleqësia. Formula e betimit ishte: “Unë, shqiptar, bir shqiptari, që jam nga gjaku i prindërve tanë, duke dëshiruar fatbardhësinë e shqiptarit, po hyj me gjithë zemër, brenda në “Shoqërinë e Zezë për Shpëtim”. Dhe, duke qënë nën hije të atij besimi të shenjtë, po jap besën, duke thënë tri herë: Besë, Besë, Besë! Dhe, po vë dorën mbi këtë libër të shenjtëruar, duke bërë BE, që do të jem shok besnik dhe shërbëtor përjetë i shoqërisë”.

Pas kësaj, personi merrte numrin personal dhe shkonte në çetë.  Komiteti Qëndror i çetës udhëzonte se kryetari duhej të ishte person që njihte mirë doket dhe zakonet e vendit. Nuk duhej të mbante anësi. Ai duhej të mbronte çetën nga çdo rrezik dhe të kujdesej për anëtarët e saj lidhur me nevojat që mund të kishin për hutë, opinga, rroba, guna etj. Të mbante shënim shpenzimet e bëra dhe të jepte llogari për to në komitet. Anëtari i çetës që pajisej me armë, ishte i detyruar ta dorëzonte atë në rast se kishte mbaruar detyrën. Çetat nuk kishin të drejtë të punonin për çështje vetiake. Ato duhej të ndiqnin çdo lloj propagande të huaj, greke, bullgare, serbe apo vllahe. Kur një anëtarë tradhtonte idealet e çetës, duhej të dënohej sipas fajit, me vrasje ose me pagë.

Shoqëria u riorganizua pikërisht në Manastir, po me atë emër. Madje punoi për organizimin e kryengritjes kundër osmane të vitit 1911 në Shqipërinë e Jugut, duke ndihmuar në dërgimin e forcave vullnetare në ndihmë të malësorëve kryengritës. Dha kontribut edhe për organizmin e kryengritjes së përgjithshme. Ajo koordinonte veprimtarinë e saj me shoqëritë jashtë vendit. Në kohën e fillimit të luftërave ballkanike u deklaroi Fuqive të Mëdha, se shqiptarët kishin rrëmbyer armët, jo për t’i zgjatur jetën perandorisë turke, por për t’i dalë zot tërësisë tokësore të Shqipërisë.

“Shoqëria e Zezë për Shpëtim” e kishte shtrirë veprimtarinë në një varg qytetesh si Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Manastir, Shkup, etj. Programi i saj, në thelbin e vet kërkonte bashkimin e vilajeteve të Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe Manastirit nën një qeveri autonome, administratë shqiptare, parlament të veçantë, shërbim ushtarak në vend etj. Si mjet për realizimin e atij programi, shoqëria konsideronte kryengritjen e armatosur.

Në fillimet e veta, qëllimi i asaj shoqërie ishte çlirimi i kombit shqiptar nga shtypja shekullore osmane. Gjithçka bëhej nëpërmjet atentateve dhe planeve për rezistencë frontale në të gjithë vendin. Disa krerë të kësaj shoqërie kishin marrë pjesë edhe në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, por tani kur zhgënjimi po zëvendësonte shpresën, autoriteti i shoqërisë po rivendosej prapë.

Emri “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” në realitet, ishte rikrijimi i “Dorës së Zezë”. Për këtë arsye edhe më vonë betimi i anëtarëve që hynin në të bëhej mbi simbolet e shoqërisë: thikës (kamës), revoles dhe bombës. Prandaj edhe disa atdhetarë të dalluar shqiptarë nuk ishin dakord me emrin e kësaj shoqërie nën argumentin se me një emërtim të tillë, ajo mund të komprometohej në botën e kulturuar.

Themistokli Gërmenji

Në vitin 1913 riorganizimi i kësaj shoqërie u kthye në domosdoshmëri për të sulmuar të keqen dhe për të goditur eksponentët që tradhtonin interesat kombëtare. Sipas studiuesit Nebi Dervishi, për momentin kjo ishte hapësira afatshkurtër e kësaj shoqërie. Ndërsa strategjia finale ishte bashkimi i katër vilajeteve shqiptare. Themistokli Gërmenji, pronar i hotelit “Liria”, ku u mbajt Kongresi i Alfabetit më 1908, ishte marrë me riorganizimin e kësaj shoqërie. Ai do të shkonte nga Manastiri në Bukuresht, ku u takua me Thoma Avramin, Pandeli Çalen e të tjerë. Ata u pajtuan me propozimin e tij dhe i dhanë “lejen”, që ai të kthehej në Manastir për të krijuar çeta të armatosura, ashtu siç parashikonte edhe programi i kësaj shoqërie.

Programi i saj do të botohej në Shtypshkronjën e Familjes Qirjazi të Manastirit. Në të deklarohej qëllimi i shoqërisë që do të ishte çlirimi i popullit shqiptar nga sundimi shumë shekullor osman, përmes luftës së armatosur. E quajtura “Shoqëria e zezë për shpëtim”, në pamjen e parë dukej rebele dhe vrastare. Por në fakt, ajo kishte rregulla fikse dhe ishte e kujdesshme për mbarëvajtjen e vet. Madje rregullorja e saj përbëhej nga 47 nene. Nyja e dytë e quante shoqërinë si një familje ku qendra me degët e saj përmblidhte të gjithë anëtarët “në një qark të shenjtë, të nderçëm, që përgatit lindjen e diellit të lirisë”. Në nenin 4 thuhej se “Qendra, punon brenda në Shqipëri, me ballë të hapur, me fuqi të plotë, për shpëtim të kombit e për sigurimin e rrojtjes në mes të Shqipërisë”.

Anëtarët që pranoheshin në “Shoqërinë e Zezë për Shpëtim”, zgjidheshin me virtyte të larta morale. Nga formula e betimit kuptohej, se ai që hynte nuk kishte të drejtë të largohej më pa një miratim të drejtuesve dhe për arsye madhore. Çdo largim konsiderohej si tradhti dhe personi dënohej ose pushkatohej.

Në vitin 1912 një fraksion i saj, siç njoftonte përfaqësuesi konsullor austro-hungarez në Manastir, Bornemizha, ishte shkëputur prej elementëve të moderuar për t’iu përveshur përgatitjes së kryengritjes së armatosur, sidomos në Shqipërinë Jugore e deri në Shqipërinë e Mesme. Për këtë qëllim punuan degët e Shoqërisë të ngritura në vilajetet e Manastirit dhe të Janinës, si në Korçë, Janinë, Gjirokastër, Vlorë, Filat, Delvinë, Përmet dhe deri në Elbasan, Tiranë, Shkodër, Ohër, Strugë, Dibër, Shkup… Në atë shoqëri militonin njerëz paqësorë dhe humanë. Secili prej tyre ose shumica e krerëve të kësaj organizate e kishin të qartë se rruga e vetme për shpëtimin e Shqipërisë ishte organizimi i kryengritjes së madhe.

Betimi

Në “Shoqërinë e Zezë për Shpëtim” nuk mund të hynte cilido. Anëtarët zgjidheshin midis njerëzve që shquheshin me veti të larta atdhetare e morale. Pranimi i anëtarëve të rinj bëhej në këtë mënyrë:

“Unë, (Filan Fistëku), shqiptar e bir shqiptari, duke dëshiruar fatbardhësinë e shqiptarit, po hy me gjithë zemër brënda në Shoqërinë e Zezë për Shpëtim dhe po jap Besë se do të jem besnik dhe shërbëtor i përjetshëm i shoqërisë”.

Siç shihet nga formulimi i “Besës” ose teksti i “Betimit” anëtari i pranuar nuk kishte më të drejtë të largohet prej saj. Largimi merrej si tradhti dhe për këtë jepej dënimi i rëndë. Zakonisht vendimet për tradhti merreshin nga qendra, por në raste të jashtëzakonshme mund të vendoste edhe kryesia e sanxhakut ose kazasë.

 “Një emër i zgjedhur ligsht”…

Emri “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” në realitet, ishte rikrijimi i “Dorës së Zezë”. Për këtë arsye edhe më vonë betimi i anëtarëve që hynin në të bëhej mbi simbolet e shoqërisë: thikës (kamës), revoles dhe bombës. Prandaj edhe disa atdhetarë të dalluar shqiptarë nuk ishin dakord me emrin e kësaj shoqërie nën argumentin se me një emërtim të tillë, ajo mund të komprometohej në botën e kulturuar.

Në pamjen e parë, ajo shoqëri atdhetare me pikësynime patriotike, për shkak të emrit të saj keqkuptohej si një grupim terrorist, kur nuk ishte e tillë. Madje, në mesin e atdhetarëve më të shquar, që nuk pajtohej me këtë emërtim, ka qenë edhe Fan S. Noli.

Ai i shkruante Nikolla Ivanajt: “Epmëni lejen t’ju thom që emri i komitetit “Shoqëria e Zezë” është zgjedhur shumë ligsht. Siç e dini fort mirë “Dora e Zezë” në Itali quhet një shoqëri kusarësh… Shikoni me mend, sa përshtypje të ligë do të bëjë Europa me një emër kaq të palumur… Për emrin e Shqipërisë, në e kini në dorë, ndërrojeni atë emër të tmerruar”.

 

December 3, 2017 11:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*