Origjinaliteti i një studiuesi

April 20, 2017 15:01

Origjinaliteti i një studiuesi

 

Prof. Pirro Miso është njё prej pёrfaqёsuesve më në zë nё fushёn e etnomuzikologjisё, etnoorganologjisё dhe arkivistikёs shqiptare

 Fitim Çaushi

Duke lexuar botimet e etnomuzikologut dhe etnoorganologut, prof. dr. Pirro Miso, Anëtar i Shoqatës Botërore të Etnomuzikologjisë, përjetova fëmijërinë time, brenda së cilës kanë zhurmuar tinguj të larmishëm, që nga shushurima e gjetheve në fllade pranverore apo furtunat e dimrit të egërsuar, e gjer tek cicërimat e pastra të zogjve. Një larmi tingujsh që nuk mund të mos më magjepsnin me elementet e para estetike.

Brenda këtij perceptimi estetik, tingujt dhe zhurmat e natyrës përpunoheshin artistikisht duke pasuruar aspektin shpirtëror, të cilat, së bashku me shokët, më nxitnin të vrapoja te mjetet tingëlluese: gurët, copa druri, brirët e kafshëve, te dega e shelgut dhe lofatës, tek bisku i tërshërës së egër, tek druri i piksit, tek lëkurët, që s’janë veçse mbeturina kulturash të epokave parahistorike si pararendëse të veglave muzikore. Qëndrimi emocional i çdo fëmije gjatë përgatitjes së instrumentit muzikor, ishte dëshmi e ndërgjegjes estetike të zhvilluar. Jo rrallë duke përgatitur pipëzën e një trumbete nga druri i cërmës, këndonim: Currubaba bishkore / Ja dil, ja mos dil / Sa të piqet një ve / Veja shpejt u poq / Currubaba drang u hoq / I friva sa kish lezet / Sa e vura në trumbet.

Në këtë fushë, të instrumenteve muzikorë të popullit shqiptar, ka hulumtuar punonjësi i Institutit të Kulturës Popullore prej 40 vjetësh, prof. dr. Pirro Miso, së bashku me profesorin e tij të nderuar, nga i cili ka mësuar shumë, Ramadan Sokolin. Prof. Pirro Miso, në vitin 1964 themelon dhe drejton degёn e instrumenteve popullore pranё Institutit tё Arteve, dhe në vitet 1971-75 formon dhe drejton Qendrën e Restaurimit të Instrumenteve të vjetër, ku dizenjon dhe realizon prodhimin industrial të instrumenteve folklorik. Në vitin 1975 ka filluar punën në Institutin e Kulturës Popullore, ku do të zhvillojë një veprimtari shkencore me një produkt që do të mbetet vlerë e pakontestueshme në thesarin kulturor kombëtar.

Me kompetencën e tij profesionale prezantohet si njё prej pёrfaqёsuesve më në zë nё fushёn e etnomuzikologjisё, etnoorganologjisё dhe arkivistikёs shqiptare. Ai është shquar për shkallёn e lartё tё njohjes sё terrenit, pёrmes ekspeditave tё shumta kёrkimore, si dhe themelimin e koleksionit tё instrumenteve popullorё sё bashku me skicotekёn teknike, artistike dhe fototekёn.

Deri në vitin 1980, botimet rreth instrumenteve popullore shqiptare, kanë qenë në fazën e mbledhjes dhe trajtimit në aspektin organografik, pra vetëm përshkrimorë. Me një veprimtari të dendur shkencore, Prof. Pirro Miso ka botuar në organet shkencore, brenda dhe jashtë vendit një numër të madh studimesh si: “Organologjia shqiptare: studime, kërkime perspektiva”,“Tipologjia e instrumenteve aerofonë me gjuhës rrahëse: ndërtimi dhe ekzekutimi muzikor”, “Format e polifonisë instrumentale në Shqipëri dhe marrëdhëniet e saj me polifoninë vokale”, “Këngët epike legjendare në Shqipëri”, “Muzika popullore shqiptare”,“Formacionet Instrumentale Popullore qytetare në 200 vjetëshin e fundit”, “Ikonografia e kishës ortodokse shqiptare dokumentuese e traditës instrumentale në Shqipëri”, “Format gjenetike të polifonisë instrumentale në Shqipëri dhe marrëdhëniet e saj me polifoninë vokale”, “Arritjet e organologjise shqiptare”, “Përpjekje për klasifikimin e muzikës popullore shqiptare mbi bazën e llojeve (zhanreve) dhe terminologjisë muzikore popullore shqiptare“. “Ruajtja, përdorimi dhe riaktivizimi i instrumenteve popullorë tradicionalë”, “Sharkia dhe funksionet muzikore të saj”, “Roli dhe funksionet etnoartistike të lahutës”, “Ritmi dhe metri në veglat kordofone”. “Veçori të formës dhe përmbajtjes artistike në muzikën popullore instrumentale të trevave veriore të vendit”,“Format e polifonisë instrumentale në Shqipëri dhe marrëdhëniet e saj me polifoninë vokale”, dhe dhjetëra studime të botuara në revista shkencore brenda e jashtë vendit. Këto studime e ngritën këtë fushë studimore në nivelet e organologjisë europiane dhe më tej. Me kontributin e prof. Misos, Etnoorganologjia shqiptare u trajtua si një fushë studimore multidisiplinare.

Pirro Miso

Puna shumëvjeçare kërkimore shkencore në terren, i ka krijuar mundësinë për të identifikuar materiale etnomuzikologjike. Këto i përmbledh në botime të plota antologjike për muzikën popullore, dhe muzikën popullore instrumentale, me transkriptime muzikore te veglave aerofone, kordofone dhe formacioneve instrumentale, si dhe idiofone e membranofone ne funksione shoqëruese: “Truall me këngë” dhe “Muzikë popullore instrumentale”. Në to janë përmbledhur vlera të rralla kulturore, si dëshmi e shpirtit krijues dhe ndërgjegjes së lartë estetike të popullit ton.

Pas këtyre botimeve prof. Miso boton dy monografi: “Veglat Muzikore të Popullit Shqiptar”, vëllim integral me bashkautor R. Sokolin, i cili përfshin rezultate studimore në hapësirën kohore 3000 vjeçare; duke parashtruar përfundime në fushë të etimologjisë, terminologjisë dhe detaje në fushë të teknologjisë. Kjo u botua edhe në italisht. Në të janë përfshirë të gjitha veglat muzikore që ishin dhe vazhdojnë të jenë në praktikën kulturore muzikore shqiptare.

Kemi një studim të thelluar në probleme të shumanshme etnomuzikologjike. Ai parashtron veçanërisht për herë të parë çështje të gjenezës, të emërtimeve, organologjisë, mundësive interpretuese, formacioneve tradicionale instrumentale etj. Ky studim përmbledh gjithë pasurinë organologjike të trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, me të gjitha karakteristikat themelore, të objekteve etnoorganologjike, por edhe si materiale muzikore. Me këtë studim gjithë përfshirës dhe shterues, prof. Miso dëshmoi siguri shkencore dhe standard ndërkombëtar. Ky botim e vendosi denjësisht etnoorganologjinë dhe etnomuzikologjinë shqiptare përballë homologëve të saj në vendet e tjera.

Një ndër muzikologët më të shquar shqiptarë, Rexhep Munishi, në gazetën “KOHA”, Prishtinë, më 24 shtator 2005, ka shkruar: “Në hapësirat tona, janë një numër studiuesish të përkushtuar dhe të ngritur profesionalisht që lirisht mund të barabiten me nivelin e arritjeve botërore. Për shkak të punëve specifike që bëjnë, ata qëndrojnë larg syve të opinionit të gjerë. I tillë edhe Pirro Miso, Etnomuzikolog, më saktësisht etnoorganolog.”

E këtij karakteri shkencor është edhe monografia: “Instrumentet Kordofonë në Hapësirën shqiptare”. Në këtë studim prof. Miso, e trajton praninë e instrumenteve muzikore në jetën e popullit, si objekt social-kulturor, që i përmbush kërkesat estetike e sociologjike të njeriut në mjedise të caktuara. Ai trajton probleme me rëndësi për etnomuzikologjinë si: funksioni dhe repertori etnomuzikor, veglat kordofone në formacionet tradicionale dhe zhvillimi i tyre historik, tiparet muzikore dhe teknologjia e prodhimit të instrumenteve. Me kompetencë dhe njohuri të thella dhe të sakta shkencore, jepen analizat e ritmit, formës, dhe gjuhës muzikore.

Në shkrimin “Modulacion mikrotonal apo transport”, Prof. Sokol Shupo shkruan: “Në të vërtetë, përveç ndonjë përpjekjeje të veçuar si ajo e Pirro Misos, i cili duke përllogaritur largësinë mes perdeve të instrumenteve kordofonë dhe të brimave të instrumenteve të frymës, arriti të zbulojë një “botë” tjetër të marrëdhënieve tingullore në muzikën folklorike dhe popullore, etnomuzikologjia shqiptare nuk është marrë fare me këtë dukuri”.

Pavarësisht kësaj, prof. Miso përcaktoi fizionominë e instrumenteve muzikorë përmes metodave analitike të cilat bënë të mundur identifikimin e aspekteve dhe veçorive të gjuhës muzikore, ç’ka solli si rrjedhojë diferencimin e dukshëm nga instrumentet muzikorë të fqinjëve apo të vendeve nga ku mendohej origjina. Për herë të parë integroi disiplinën studimore të teknologjisë studimore si dhe atë të konstruksioneve, të cilat i dhanë studimeve të etnoorganologjisë shqiptare mundësinë e riprodhimit dhe të rekreativitetit (ringjalljes) për instrumentet e mënjanuar nga praktika muzikore. Në të gjitha botimet e tij prof. Miso ka kryer punë me kritere të larta profesionale dhe dobi të jashtëzakonshme për pasurinë e instrumenteve muzikor tradicional shqiptar.

Pirro Miso ka siguruar një standard ndërkombëtar në studimet e tij, prof. dr. Shaban Sinani në reçensën e tij më 25 maj 2005, ka shkruar: “Me këtë monografi, sipas mendimit tim, P. Miso promovohet si organologu më i arrirë i shkencës shqiptare.”

Veç të tjerash, prof. Pirro Miso ka meritë në fushën e linguistikës. Ai e ngriti fushën studimore të etnoorganologjisë shqiptare me sendërtimet profesionale, duke saktësuar organologjikisht përmbajtjen kuptimore të termave leksikorë, arritje që përmirësuan ndjeshëm standardet gjuhësore në nivelet më të larta, duke eliminuar gabimet e përfshira edhe në fjalorët, ku instrumentet muzikorë identifikoheshin si objekte tingullore, pa sendërtimet profesionale. Prof. Miso ringjalli disa nga instrumentet muzikore të harrur në praktikat muzikor duke pasuruar fondin e koleksioneve të instrumenteve të traditës 5000 vjeçare, që aktualisht konsiderohen si ndër traditat më të vjetra e më të pasura europiane.

Në këtë kuadër qysh në 1976 ka shtruar problemin e riaktivizimit të disa prej veglave të hershme në praktikën e muzikës sonë popullore, si dhe ruajtjes dhe të zhvillimit të traditës në sferën e muzikës popullore instrumentale. Iniciativa për të zbuluar instrumente popullore të lënë në harresë, nisi në rrethin e Lezhës, me riaktivizimin e një vegle mjaft të hershme të quajtur “poçi” që përdorej për shoqërimin e valleve e të këngëve të kësaj treve. Kjo praktikë muzikore u pasurua gjithashtu me riaktivizimin në festival të një instrumenti aerofon të quajtur “bilbili me pistion”, e cila në vend të vrimave ka piston të lëvizshëm që shërben për ndryshimin e toneve të tij. Kjo vegël njihet si lojë argëtuese e fëmijëve, ndërsa në formacionin instrumental, ansambli folklorik i Lezhës, e përdori për krijimin e disa efekteve të veçanta nëpërmjet fishkëllimave dhe glisandrove.

Prof. Miso ka pasur vazhdimisht një angazhim serioz për ta modernizuar metodologjinë e studimeve përmes dixhitalizimit të materialeve të arkivuara, në ISKP, konkretisht Digitalizimin e Arkivit Muzikor, Dixhitalizimin e kulturës folklorike shqiptare, Dixhitalizimi i arkivit zanor të Institutit të Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Prof. Sokol Shupon dhe Prof. Ditrih Shyler, Drejtor i Fonoarkivit të Vjenës Austri.

Pjesëmarrja në takime të shumta profesionale dhe shkencore në hapësirat shqiptare dhe ndërkombëtare, i dha atij mundësinë të shpaloste botën e pasur shpirtërore të një populli autokton që ka jetuar historikisht në këto troje.

Përveç punës shkencore, prof. Pirro Miso ka kryer edhe detyra ndërmjetëse:

-Hartues dhe Sekretar shkencor në “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” botim i parë i vitit 1995 dhe i dytë në vitin 2010, ku ka trajtuar 65 terma në fushën e Etnomuzikologjisë dhe Etnoorganologjisë shqiptare. Harton dhe kryeson projektin madhor në integrimin e traditës 3000 vjeçare të Shqipërisë në muzeun e parë dhe më të madh në botë të instrumenteve muzikore.

Është pjesëtar i grupeve kërkimore studimore: Anëtar i Forumit internacional të Etnomuzikologjisë, Anëtar i Këshillit Europian të Muzikologjisë, Anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Kulturës Popullore, Anëtar i shoqatës “GALPIN” (Angli).

Akademia e Santa Cecilias ka botuar në revistën vjetore të saj, punime shkencore të prof. Pirro Miso, të cilin e konsideron si ndër emrat më prestigjioz të etnomuzikologjisë botërore. Qendra Ndёrkombёtare e Biografive nё Kembrixh-Angli, e cilёson Pirro Misën si njё ndёr studiuesit mё tё shquar botëror tё vitit 2004.

Prof. Rexhep Munishi ka shkruar: “Duhet të pranojmë faktin se Pirro Miso renditet në radhën e studiuesve të merituar në fushën e etnomuzikologjisë shqiptare.”

Sikundër shihet, kontributet shkencore të profesor Pirro Misos në fushën e Etnomuzikologjisë, kanë pasuruar kulturën kombëtare shqiptare dhe e vendosin atë, në lartësinë e njerëzve me vepra të mëdha, dhe me heshtje fisnike.

April 20, 2017 15:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*