OSBE kërkon rikthimin e kufizimit të pronësisë në media

September 7, 2019 16:10

OSBE kërkon rikthimin e kufizimit të pronësisë në media

Nga Gjergj Erebara

 

Misioni i vrojtimit të zgjedhjeve të 30 qershorit të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike i kërkoi autoriteteve shqiptare të rivendosin kufizimet ligjore në pronësinë e medias si dhe të garantojnë pavarësinë editoriale të transmetuesit publik duke mos lejuar zgjedhjen në poste drejtuese të saj të personave me “lidhje të dukshme politike”.

Raporti mban një kapitull të veçantë për rolin e medias gjatë fushatës zgjedhore dhe ka vërejtje të shumta për sjelljen e politikanëve ndaj medias.

Ai kritikon në veçanti prodhimin e materjaleve mediatike nga ana e vetë partive politike, mungesën e raportimit të pavarur mediatik nga aktivitetet e fushatës si dhe raportimin pozitiv ndaj Partisë Socialiste të mediave kryesore në vend, Top Channel dhe TV Klan.

Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit mbart 20 rekomandime për që autoritetet shqiptare duhet të zbatojnë “krahas rekomandimeve të pazbatuara nga zgjedhjet e kaluara” me synim që vendi të ketë zgjedhje në përputhje me standardet demokratike.

Nga këto 20 rekomandime, pesë i përkasin fushës së medias.

Rekomandimi i parë kërkon që pavarësia e rregullatorit të zgjedhjeve audiovizuale dhe të transmetuesit publik TVSH duhet “të fuqizohen përmes masave të shmangies së konfliktit të interesit”.

Sipas ODIHR, “pozicionet e larta menaxhuese në televizionin publik nuk duhet të lihen në duart e njerëzve me anëtarësi të qartë politike”.

“Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së Thoma Gëllçi është ish kryeredaktor i gazetës Zëri i Popullit të Partisë Socialiste dhe ka shërbyer si drejtues i Departamentit të Informacionit në shumë qeveri të PS-së,” – thuhet në raport. “Varësia nga buxheti i shtetit dhe politizimi i menaxhmentit të RTSH-së ngre shqetësime mbi mungesën e paanësisë së transmetuesit publik”.

Raporti vëren më tutje se ligji për mediat audiovizive duhet të amendohet për të “kufizuar në mënyrë efektive pronësinë e medias” në sektorin e transmetimeve audiovizuale.

Shqipëria ka pasur deri në vitin 2016 një kufizim ligjor të njohur si neni 62, në të cilin asnjë individ apo kompani nuk lejohej të kishte nën pronësi më shumë se sa 40% të një televizioni kombëtar ndërsa ata që kanë aksione në një televizion kombëtar nuk kanë të drejtë të kenë më shumë se sa 20% aksione në një televizion vendor.

Në maj 2015, deputeti socialist Taulant Balla propozoi një ligj për amendimin e nenit 62 të ligjit të medias audiovizive me synimin për të hequr të gjitha kufizimet në pronësi.

Por “Amendamenti Balla” shkaktoi opozitë të ashpër nga Bashkimi Europian dhe OSBE. Pas protestave nga bashkësia e zhvillimit të medias ndaj Amendamentit Balla, pronarët e medias ankimuan nenin 62/3 në Gjykatën Kushtetuese, e cila në maj 2016 vendosi në favor të tyre dhe e hoqi nenin nga ligji si antikushtetues.

Që nga ajo kohë, pronësia në media është përqendruar më tej.

Larmishmëria e pronësisë së medias shihet si parakusht për larmishmërinë e këndvështrimeve të prezantuara në këto media ndërsa ekzistenca e medias së pavarur përbën një kusht për pasjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Raporti i OSBE vëren se një pjesë e madhe e asaj që shqiptarët panë gjatë zgjedhjeve si informacion nga fushata, ishte në fakt materjal propagandistik i prezantuar nga partitë politike dhe i transmetuar në media pa u etiketuar si materjal propagandistik.

Raporti vëren me shqetësim se qeveria e kryeministrit Edi Rama bombardon median me materjale të përgatitura prej saj ndërsa gazetarëve u mohohet mundësia për të ndjekur aktivitetet politike dhe për të raportuar në mënyrë të pavarur nga këto aktivitete.

“Praktika e kufizimit të aksesit të medias në aktivitetet publike të organizuara nga zyrtarët e shtetit dhe partitë politike kufizuan aftësinë e votuesve për të siguruar informacion objektiv gjatë fushatës elektorale. Kjo sfidoi edhe të drejtën themelore të medias për të marrë informacion dhe për të plotësuar rolin e tyre mbikëqyrës me efekt që llogaridhënia e zyrtarëve të shtetit ndaj publikut është kufizuar,” thuhet në raport.

 

*****

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë

September 7, 2019 16:10
Komento

2 Komente

  1. Gazepi Tari September 8, 13:44

    Jepi ditëzeza se tani ke shancin të japësh e para shembullin personal. Dil nga oborri dhe jepi akses e përparësi zërit të lirë e të pavarur të qytetarit dhe jo bagëtisë së trashë të tredhur qysh në djep.

    Respekt për Gjergjin. Për mua nga të paktit që e meriton titullin gazetar.

    Reply to this comment
    • Shkrim mashtrues - As qe permend mediat genjeshtare dhe mashtruese te PD/LSI-se September 8, 18:33

      Keto jane vrejtje koti. Sepse opozita nuk mori pjese ne zgjedhje dhe media pro pozites as qe kish nevoje per propagande sepse nuk kishte kundershtar. Asnje kritike ndaj genjeshtrave pa fund ne mediat e opozites (PD dhe LSI-se). Erebara sulmon vetem poziten dhe le jashte opoziten dhe mashtrimet dhe fake news qe po cmendin shqiptaret cdhe hukiganeve te tij cdo dite. Cdo flale e Bashes eshte nje genjeshter, por jo duhet te sulmohet Balla. Cdo fjale e Monikes, Vasilit dhe Berishes jane genjeshtra te pasterta. Mediat e tyre genjejne per dite me diell. Por jo, ato nuk kane faj. Madje u duhet lene dore e lire mashtrimit dhe genjeshtres. Cambridge Analytica, nje kompani kriminale, qe ka ndihmuar PD-ne me genjeshtra gjate fushatave dhe i ka mesuar se si te genjejne as qe permendet. Keto verejtje as qe kane interes apo vlere sepse opozita as qe mori pjese ne zgjedhje dhe komentet negative as qe kane kuptim. Jane me teper fakte te rreme te mbledhura nga OSBE ne takimet me grupet opozitare. Kush i ka ndaluar gazetaret qe te shkojne ne aktivitette te PS-se? Duket absurde! TVSH-ne nuk e sheh njeri. Eshte nje televizion publik qe nuk ka asnje influence ne popull apo tek votuesit. Ndersa TV Klan, News 24, TOP Channel e mbushin publikun me mashtrime dh egenjeshtra te percudnuara kunder PS-se dhe ne dobi te PD-se dhe LSI-se.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*