Otranto, një Vlorë tjetër matanë detit

Ylli POLVINA April 27, 2014 11:39

Otranto, një Vlorë tjetër matanë detit

Duhet të shkosh në qytetin Otranto të kuptosh më mirë përse ngushtica e famshme prej 71 kilometrash, e cila ndan dy brigjet (atë italian dhe shqiptar) dhe dy detet (Adriatikun nga Joni), ka një peshë të florinjtë gjeostrategjike. Në Romë strategët e ushtrisë, por përherë edhe të politikës, duke ia njohur këtë vlerë nuk deklarojnë se “çelësi” i saj është qyteti italian Otranto, por shqiptojnë palëkundshëm: është Vlora shqiptare. Kur je këtu, në Vlorë, nuk të bie ndërmend Otranto. E shumta kujtohesh për Brindisin. Në Otranto përkundrazi, Vlorën e ke si të mbirë në sy dhe në mendje. Kjo vihet re tek të gjitha banorët vendas, por edhe në dëshmitë e shumta dokumentare. Këtu nuk është fjala për të kaluarën e afërt, ndeshjet mes austro-hungarezëve dhe italianëve për ta marrë nën kontroll Shqipërinë në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë. As kur në gjirin e Vlorës, në vitet pesëdhjetë të njëqindvjeçarit të shkuar, u vendos baza më e madhe detare e Traktatit të Varshavës në Mesdhe. Mund të shtyhesh në kohë edhe më thellë, atje ku edhe shekulli i katërmbëdhjetë lëshon dëshmi të tilla. Vlora dhe Shqipëria në qytetin e Otrantos janë fare afër, ndihen si të jenë pjesë e kujtesës së tij historike, pse jo edhe e jetës së tanishme. Ka një hotel, në mes të pjesës së vjetër, i cili quhet “Albania”. Ka edhe një gjysmë lagje, sërish aty, e cila thirret me emrin e Pellazgëve. Prania shqiptare në të të tundon. Ta njohësh nga afër ofron shumë të papritura, madje zbulime. Vizita ime e parë në këtë qytet qe bërë në fund të dimrit të vitit 1998, shkurt. Pastaj asnjë rrethanë nuk e kishte favorizuar një rikthim të dytë. Kjo ndodhi vetëm para dy vjetësh, ndërsa isha i ftuar nga Universiteti i Salentos dhe Bashkia e Otrantos për të marrë pjesë në një konferencë me titullin “Ëndrra italiane”. Mbahej me rastin e 20 vjetorit të zbarkimit masiv të refugjatëve shqiptarë në brigjet e vendit fqinj. Ndryshe prej herës së parë, e cila qe thjesht një pasdite e ngutshme, fjetja e pastaj të nesërmen largimi para se të vinte dreka, në këtë rast të dytë zotëroja dyfishin e kohës si edhe një njohje shumë më të thellë të historisë së trevave të Pulies. Veçanërisht të asaj që këtu italianët e thërresin Toka e Otrantos. Toka e Otrantos mban një thesar të madh: me qindra familje arbërore të emigruara gjatë pushtimit osman. E kaluan detin dhe u vendosën këtu me shumicë, jo vetëm pas vdekjes së Skënderbeut, por edhe më parë e më pas. Në krahinat që përbëjnë atë, nga qyteti i Barit, në Leçe sidomos, në Brindisi e Otranto, e deri në portin e madh të Tarantos, ndodhen gjurmët e shumicës së familjeve fisnike të krishtera, të princërve, dukëve, kontëve dhe baronëve shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë. Ndryshe nga vendbanimet e arbëreshëve në Itali, fshatra e qyteza të vetmuara që në fillim të jetës së tyre dhe për këtë arsye edhe të favorizuara për të mbijetuar deri në ditët tona, tek Toka e Otrantos të tilla qendra banimi janë shumë të pakta e pothuaj në fikjen e tyre me etni shqiptare. Por duke mos u dalluar dot mbi sipërfaqen e tokës, bashkëkombësit tanë të disa shekujve më parë ndodhen “nën të”, në varreza dhe librat e kishave, ku të gjithë, brezi pas brezi, janë regjistruar në lindje dhe në vdekje. Gjurmët e tyre janë të fiksuar në dokumentet e arkivave, në emrat e vendeve, të rrugëve, në studimet e dijetarëve italianë të kësaj treve. Sepse dija tashmë shumë prej kësaj pranie të jashtëzakonshme, ndërkohë që mjaft herë isha kthyer e rikthyer në pothuaj të gjithë hapësirën e Tokës së Otrantos, ardhja ime e dytë në qytetin e vogël të Otrantos nuk mund të mos e shfrytëzoja për t’i depërtuar më në thellësi, të paktën, një ngjarjeje, të cilën mjaft bashkatdhetarë nuk e dinë: ky qytet në verë të vitit 1480 u pushtua nga osmanët dhe komandant i trupave turke ka qenë një shqiptar. Domethënë, ndërsa Gjergj Kastrioti dhe fisnikët e tjerë arbërorë, Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Balshajt, Dukagjinët, Spanët, Zaharitë etj. prej të paktën viteve tridhjetë të njëqindvjeçarit të katërmbëdhjetë e sidomos në çerek shekullin e epopesë së qëndresës 1443-1468, që lidhet me emrin e Skënderbeut, luftuan me shpirt të madh sakrifice të bëheshin mur mbrojtës për Italinë dhe të gjithë Evropën e krishterë, në të kundërt veproi një shqiptar tjetër, bashkëkohës i tyre: Gjedik Ahmet Pasha, për të cilin do të flasim një herë tjetër. Ky e sulmoi Italinë dhe Evropën. E kreu në të pushtimin e copës të parë të tokës, kapi plasdarmin prej të cilit armata osmane do të përparonte drejt Napolit, mbretërisë së krishterë të Aragonasve dhe menjëherë në drejtim të Romës, selisë qendrore të besimtarëve katolikë, por edhe institucioni i parë i përfaqësimit të Evropës. Gjediku do t’ia dilte ëndrrës së të gjithë sulltanëve: do t’i shkelte këmba në Itali. Ndërkaq e bëri këtë duke ngritur një mal të tërë me kufoma e eshtra të tyre. Ishin popullsi civile. Ua mori jetën vetëm se pasi u bëri thirrje të ndërronin fenë, nga të krishterë të shndërroheshin në myslimanë, ata nuk pranuan. Në vitin 1481 koalicioni italian, në përbërje të të të cilit si forcë kryesore ishte djali i Skënderbeut çliruan Otranton. Kjo ishte “dhurata“ tjetër e Gjon Kastriotit, birit të Skënderbeut: shpëtimin edhe njëherë tjetër të Evropës. Kjo është një pjesë e historisë me qytetin fqinj të përtej detit, të cilin, po “u ngjite një çikë në majë të gishtave” e sheh nga brigjet e Vlorës. 

 

 

Ylli POLVINA April 27, 2014 11:39
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*