“Pa vetëkënaqësi drejt integrimit”

May 8, 2018 11:31

“Pa vetëkënaqësi drejt integrimit”

Entela Resuli

Prej disa ditësh Shqipëria mori rekomandimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Qeveria u shfaq optimiste për këtë gjë, ndërsa të tjerët janë skeptikë se çfarë do të ndodhë me vendin tonë në muajin qershor, por edhe më vonë.

Për të kuptuar se çfarë po ndodh me Shqipërinë, çfarë duhet të presim nga BE, roli i Reformës në Drejtësi dhe pikat e dobëta të vendit tonë, ne kemi folur me Dr. Valbona Zenelin.

Ajo është profesore e studimeve të sigurisë dhe drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”. Intervista e saj sot në Dita reflekton pozicionin e Zenelit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin e Qendrës Marshall, apo Qeverive të ShBA dhe Gjermanisë.

Valbona, faleminderit për këtë bisedë. Ju ndodheni aktualisht në Gjermani ku punoni prej 7 vitesh në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë George C. Marshall, një institucion i qeverisë amerikane dhe asaj gjermane. Kam ndjekur edhe nga një dalje e juaj publike para disa muajsh në Tiranë se gjithashtu jeni e angazhuar me  një projekt të Institutit të Sigurisë së Bashkimit Europian që po studion skenaret e ndryshme të së ardhmes së Ballkanit.

Ju falenderoj për këtë intervistë, është kënaqësi e imja. E vërtetë, përveç fokusit të vazhdueshëm që Marshall Center ka pasur ndër vite për zhvillimet demokratike në Ballkan, si edhe forcimit e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon përmes demokracisë dhe dialogut, muajt e fundit kam pasur kënaqësinë të jem pjesë e një grupi të vogël ekspertësh që ka punuar në lidhje me një raport që do të publikohet së shpejti , BalkanFutures “E ardhmja e Ballkanit”. Më lini të theksoj se në këtë intervistë do të shpreh mendimet e mia personale si studiuese.

-Në muajin prill Federica Mogherini rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Europian. Si e vlerësoni këtë moment?

Sigurisht, vendimi që Komisioni Europian dha në datë 17 prill për të rekomanduar hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Shqipërinë është shumë i rëndësishëm, edhe sepse për herë të parë, ky është një vendim i pakushtëzuar. Dhe ky pakushtëzim nuk do të thotë që i ulet rëndësia e reformave në pesë prioritetet kyçe të BE-së (korrupsioni, krimi i organizuar, gjyqësori, reformat administrative, dhe të drejtat e njeriut), përkundrazi, duhet treguar një vullnet e përkushtim më i madh i zbatimit të tyre në rastin e hapjeve të negociatave.

Ky vendim u parapri nga Strategjia e Komisionit Europian për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, e botuar në shkurt të 2018, e cila paraqet vërtet një dritare të re mundësie për të ardhmen e rajonit. Ajo që është e rëndësishme është që strategjia paraqet një kthesë pozitive në pikëpamjet e Komisionit Europian për sa i përket integrimit të rajonit.

Vjen 4 vjet pas një lloj “moratoriumi zgjerimi” dhe do të thoja pa frikë se Strategjia për Ballkanin Perëndimor është dokumenti më optimist për zgjerimin, që prej Samitit të Selanikut në vitin 2003. Sigurisht, duhet të kuptojmë se kjo iniciativë erdhi edhe si pasojë e një numri incidentesh të ndodhura në Ballkan në vitet e fundit (të lidhura me situatat e brendshme politike por edhe me ndikimet malinje nga jashtë), të cilat përcollën mesazhin e duhur në BE, se lënia e rajonit jashtë strukturave Euro-Atlantike mund të përbënte rreziqe për sigurinë e Europës. Kjo strategji sinjalizoi një rritje të përgjegjshmërisë në Bruksel në lidhje me rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor, si edhe domosdoshmërinë e përcaktimit të hapave dhe të rrugës për integrimin e tij të plotë në BE.

Komisionerja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e ka afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në edhe si prioritetin kryesor të mandatit të saj, gjë kjo shumë e rëndësishme.

-Kur pritet të merret vendimi dhe a rrezikojmë një shtyrje në kohë?

Pyetja është a do ta pranojë Këshilli këtë rekomandim të Komisionit, kur kërkohet një votë unanime nga të 28 anëtarët që Shqipëria të hapë negociatat? Nuk është e nevojshme që unë të përsëris atë që është parë dhe është thënë në shtyp, se ka disa vende që janë skeptike ndaj hapjes së negociatave në këtë fazë.

Dhe këto paraqesin jo vetëm skepticizmin e qeverive të tyre, por më tepër perceptimet e popullsisë së tyre, ku më tepër se gjysma e të anketuarve është kundër çdo zgjerimi të mëtejshëm të BE-së. Ky perceptim negativ i shumicës së popullsisë në BE ka të bëjë me eksperiencat jo pozitive të zgjerimit në vitet e shkuara, por edhe me sfidat që qytetarët europianë po përballen çdo ditë, të cilat shkaktojnë tek këta të fundit frikë për të ardhmen. Një nga frikërat e reja në rritje është edhe shfaqja e demokracive joliberale në vendet e reja të BE-së, e prandaj ekziston një konsensus në Europën Perëndimore se vendet kandidate duhet të implementojnë reformat e rëndësishme para hyrjes në BE, duke pasur kështu demokraci të konsoliduara. Ky është edhe një mësim që BE ka marrë nga zgjerimet e mëparshme, se kondicionaliteti funksionon më mirë para anëtarësimit.

Po të shikojmë pas në kohë kemi disa raste të tilla kur rekomandimet e Komisionit nuk janë përkrahur nga Këshilli, si p.sh megjithë rekomandimin pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në 2013, Këshilli ia dha pas një viti, në 2014. Një vendim i tillë negativ u mor në vitin 2016, pas një rekomandimi me kushte nga Komisioni për të hapur negociatat atë vit, i cili nuk u pranua nga Këshilli.

Shpresoj të konfirmohet rekomandimi i Komisionit, por ndoshta kësaj radhe mund të kemi hapje të kushtëzuar negociatash, ose premtim për hapje në dhjetor.

Unë personalisht mendoj se nuk duhet ta lidhim procesin e integrimit me data të caktuara (të cilat në raste negative do të sillnin skepticizëm në popull dhe lodhje nga reformat në institucione), por me rezultate në prioritetet kyçe. Ajo çka kërkojnë partnerët europianë për të përkrahur integrimin e Shqipërisë në BE, nuk mendoj se është e ndryshme nga ajo që kërkojnë shqiptarët e thjeshtë: shtet ligjor, luftë kundër korrupsionit, zhvillim ekonomik, mundësi pune e prosperiteti, sistem edukimi e shëndetësor të ditëve të sotme.

-Çfarë do të thotë hapje negociatash, cilat janë përftimet tona, por dhe detyrimet që do të kemi ndaj BE?

Mendoj se duhet një komunikim më i mirë me publikun për sa i përket informimit të drejtë të tyre. Hapja e negociatave do të ishte sigurisht një hap i rëndësishëm politik, por mbi të gjitha do të forconte procesin e llogaridhënies së qeverisë shqiptare në lidhje me premtimet edhe reformat e ndërmarra në pikat kryesore. Pra, hapja e negociatave do të ishte shumë e rëndësishme për implementimin e reformave të nisura, pa bërë kompromise për forcimin e sistemit të së drejtës.

 -Në Shqipëri ka një pritshmëri të madhe ndaj integrimit të vendit, madje politika gjatë gjithë ligjëratave të saj e ka si pikë kryesore këtë temë. Por në këtë situatë që gjendet Bashkimi evropian a ia vlen të hysh në një familje nga e cila shumë duan të ikin?

Shpesh kur diskutoj me kolegët them që avantazhi kryesor që ka Ballkani Perëndimor është që është pjesë gjeografike, historike, dhe shpresoj edhe politike në të ardhmen e BE-së. Nuk ka alternativa të tjera për vendet e Ballkanit Perëndimor, çdo lloj aludimi apo “kërcënimi” për rrugë të tjera nuk sjell asnjë benefit, nuk përshpejton rrugën për në BE, përkundrazi madje na bën më pak të besueshëm në sytë e partnerëve dhe aleatëve tanë perëndimore.

-Janë të shumtë ata që nuk e dinë çfarë na pret nëse hyjmë në BE. Mund të sqaroni për një publik të painformuar se cilat do të jenë detyrimet tona?

Nuk do të hyj në detaje të detyrimeve tona, por do të thoja që detyrimet kryesore janë shteti ligjor dhe institucione të forta, politikanë të përgjegjshëm e llogaridhënës, e procese transparente. Sigurisht nuk do të jemi Gjermani ditën pasi do të hyjmë në BE, por procesi i përafrimit do të jetë shumë më i shpejtë dhe i suksesshëm.

-Në këto kushte, pse është më mirë për ne që të jemi pjesë e BE-së?

Besoj se populli shqiptar e ka marrë vendimin e tij për të qenë pjesë e BE-së që në fillim të viteve ’90 kur thërriste “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. E kjo për fat të mirë nuk ka ndryshuar…Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende në rajon sipas Barometrit të Ballkanit Perëndimor, ku shumica e popullsisë e shikojnë të ardhmen e vendit në BE.

Një Shqipëri në BE do të krijonte siguri politike dhe institucionale për investitorët seriozë të huaj, të cilët janë thelbësorë në zhvillimin ekonomik të vendit. Fatkeqësisht, investimet e huaja direkte janë shumë të ulëta, dhe shkojnë drejt sektorëve që nuk sjellin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, apo shtytje të bizneseve vendase dhe rritje të kapaciteteve njerëzore dhe teknologjike. Raporti më i fundit i Bankës Botërore për investimet e huaja globale, tregon se sipas 750 drejtuesve të kompanive multinacionale, për më shumë se 95 për qind të tyre, ndikuesi kryesor për investime të huaja është sistemi ligjor i drejtë dhe klima e shëndetshme e biznesit të vendit pritës.

Gjithashtu fondet e ristrukturimit që jep BE janë shumë të rëndësishme në forcimin e institucioneve dhe krijimin e ambientit konkurrues të biznesit. Vetëm disa ditë më parë BE mori vendimin që të rrisë fondet totale të ristrukturimit për 2021-2027 nga 1.1 bilionë euro, në 1.3 bilionë.  Por kushti kryesor është se këto fonde do të lidhen me një mekanizëm të ri që ka të bëjë me zbatimin e ligjit.

-Thuhet se nisja e Reformës në Drejtësi është pika kyçe që ka ndikuar në momentin e rekomandimit. Sa e vërtetë është kjo dhe cilat janë pikat e dobëta të Shqipërisë sa i përket integrimit evropian?

Është e vërtetë përderisa jo vetëm Brukseli, por edhe të gjitha kryeqytetet perëndimore, përfshirë Ëashingtonin po e kërkojnë këtë nga Shqipëria. Një gjyqësor i drejtë, efektiv dhe i pakorruptuar është baza për luftën kundër korrupsionit dhe për shtetin e drejtë ligjor. Kjo nuk duhet të keqkuptohet që vetëm sistemi gjyqësor qenka i korruptuar në Shqipëri, por pastrimi i tij është baza për çdo strategji serioze në luftën kundër korrupsionit. Për këtë arsye, procesi i vetingut është thelbësor, dhe megjithë rezistencën politike, kohët e fundit është parë të fillojë të funksionojë. E mbi të gjitha një veting i suksesshëm në drejtësi do t’i hapte rrugën një vetingu të domosdoshëm në politikë. Vetëm kjo gjë do t’i jepte shpresën shqiptarëve që gjërat do ndryshojnë për mirë e do t’u jepte të rinjve iniciativat për të punuar e jetuar në vendin e tyre.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara mbeten thellësisht të angazhuara në Shqipëri, si në të gjithë Ballkanin, me një vëmendje të veçantë për forcimin e institucioneve demokratike, në mënyrë që qeveritë të adresojnë me efiçiencë nevojat e qytetarëve. Para së gjithash nevoja e reformës në drejtësi është nevojë e qytetarëve shqiptarë.

Por, nga ana tjetër, nuk mendoj se reforma në drejtësi do të kishte filluar pa mbështetjen e fortë dhe shtytjen e SHBA. Kjo ishte dhe një nga ato raste që na treguan më së miri që SHBA dhe BE janë në unison dhe veprojnë në sinkron për sa i përket reformave demokratike në Ballkan, e venë re në Shqipëri nga angazhimi i përbashkët i Ambasadorit Amerikan Donald Lu dhe Ambasadores së BE, Romana Vlahutin. Nëse kjo reformë do të jetë e suksesshme siç pritet, dhe unë e shpresoj shumë, mendoj se do të merret në të ardhmen si shembull për vendet e tjera të rajonit.

-Shqipëria mbetet një vend problematik në lidhje me korrupsionin e nivelit të lartë, ku shumë zyrtarë të lartë ende nuk janë hetuar apo arrestuar. A është e vërtetë që Brukseli kërkon “peshq të mëdhenj”?

Për këtë duhet të pyesni Brukselin…por nuk mendoj se ka “peshq të mëdhenj apo peshq të vegjël” në një sistem ku korrupsioni është fatkeqësisht normë. Ajo çka Brukseli, SHBA, dhe vetë shqiptarët duan është angazhim serioz dhe të vazhdueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqiptarët duan një sistem ku nuk ka më të barabartë (të privilegjuar) midis të barabartëve…Kjo është edhe çka Brukseli dhe SHBA kërkojnë.

-Shpesh thuhet se Shqipëria do të ketë fatin e Turqisë për një zvarritje pa fund, edhe për shkak se jemi vende myslimane. Sa qëndron kjo tezë që jo rrallë hidhet edhe në media…

Teori konspirative dhe “heqje përgjegjësish” ka pasur e do këtë gjithmonë.

-Më këto ritme, a mund të bëni një parashikimi se kur mund të bëhet Shqipëria pjesë e Bashkimit Europian?

Një shprehje e famshme amerikane thotë “ nuk bëj asnjëherë parashikime, sidomos për të ardhmen”. Sigurisht që Shqipëria do të bëhet një ditë pjesë e BE-së, kjo është e sigurt sepse kjo është dëshira e të rinjve shqiptare. Shpejtësia varet krejtësisht nga ne. Mendoj se 2025 është së tepërmi optimist edhe për Malin e Zi dhe Serbinë, sidomos kjo e fundit me të gjitha çështjet që duhet të zgjidhë me Kosovën.

Shqipëria i ka të gjitha shanset të jetë “rising star”, që shikohej në rajon vite më parë…është brenda kapacitetit të shqiptarëve, por politika duhet të bëjë më shumë.

Me një kolegun tim kroat kemi shkruar një artikull të gjatë para disa viteve ku analizonim proceset integruese të Shqipërisë dhe Kroacisë, e një nga përfundimet ishte se megjithëse të dyja vendet u bënë anëtare të NATO-s në një ditë, diferenca më e madhe në integrimin në BE ishte konfliktualiteti i brendshëm politik në Shqipëri. E pra, ndoshta duhet ta nisim nga aty, si të gjejmë rrugën dhe dialogun politik për të qenë seriozë në reformat e ndërmarra dhe premtimet e dhëna popullit shqiptar dhe partnerëve tanë që na kanë mbështetur gjithmonë. Mendoj se nuk duhet ta “humbin trenin” kësaj radhe. Topi është në anën tonë…duhet të kapim optimizmin e tanishëm që ekziston në BE në lidhje me zgjerimin, që të tregojmë se dimë të bëjmë detyrat tona të shtëpisë para se të jemi vonë. Për këtë duhet edhe një strategji e mirë komunikuese me vendet dhe popullsinë europiane….janë ata që ne duhet të bindim…jo vetëm Brukselin.

 

 

May 8, 2018 11:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*