(Pa)drejtësia e dënimit me vdekje (Në vijim të një debati në DITA)

Redjan Shabani July 6, 2015 14:22

(Pa)drejtësia e dënimit me vdekje (Në vijim të një debati në DITA)

Dikur pashë në Paris një ekzekutim me gijotinë përpara mijëra spektatorëve; e dija shumë mirë se bëhëj fjalë për një kriminel të rrezikshëm; i njihja edhe arsyetimet që dijetarët kishin lënë me shkrim përgjatë shekujve në favor të dënimit me vdekje; por në momentin kur koka u shkëput nga trupi dhashë një britmë dhe kuptova, jo me mendje, jo me zemër, por me të gjithë qenien time, se ato arsyetime në dukje racionale që kisha dëgjuar në favor të dënimit me vdekje ishin fatalisht të gabuara. Sado i madh të jetë numri i personave të mbledhur për të kryer një vrasje dhe çfarëdo emri ti japin atij akti, vrasja është mëkati më i rëndë, dhe përpara syve të mi po kryhej pikërisht ky mëkat”/Leon Tolstoi (1828 – 1910)

 

Shpeshherë kur ndodhin ngjarje të rënda, pashmangshmërisht ndizet debati i dënimit me vdekje si i vetmi ilaç për të frenuar kriminalitetin. Vihet re sidoqoftë një fenomen interesant; nëse deri dje evokohej dënimi me vdekje për çfarëdolloj vrasjeje relativisht makabre, tanimë, kur viktimat janë shqiptarë, ndoshta nga përditshmëria e këtyre krimeve, nuk përmendet më dënimi kapital.

Vrasja e egër e dy turistëve çekë të dashuruar aq shumë me vendin tonë sa për ironinë e zezë të fatit humbën edhe jetën, e ka rindezur frymën pro dënimit me vdekje. Në disa raste edhe kritikohet vendimi i dikurshëm i fshirjes nga kodi penal i këtij dënimi, fshirje që i është servirur opinionit publik si e imponuar nga vendet perëndimore. Në po të njëjtat raste zbulon nostalgji për ligje primordiale si Kanuni i Lek Dukagjinit, që duhet pranuar se për kohën e vetë ka qenë modern, por në ditët e sotme i është bërë argument për mijëra vrasje mizore. Nuk mungojnë as citimet e kohës së Pushtetit Popullor, por e drejta penale e asaj kohe dhe e të gjithë normave të mëparshme që prej lindjes së njerëzimit udhëhiqeshin nga fryma “i fajshëm deri sa të provohet e kundërta”. Një nga arritjet më të mëdha të vendeve perëndimore është parimi i kundërt: “I pafajshëm deri në provën e kundërt”. Fajësinë e individit e ka për atribut vetëm sistemi gjyqësor ta përcaktojë. Nëse gabimisht dikush është gjykuar deri gradën më të lartë duke shpallur ligjërisht fajtor, sërish ekzistojnë instrumente që vënë drejtësinë në vend, nëse ekzistojnë elementë të arsyeshëm për rigjykim. Por kjo gjë mund të bëhet vetëm nëse individi ligjërisht fajtor është i gjallë. Një i dënuar gabimisht me vdekje nuk do të mund ta fitonte pafajësinë; pafajësia post mortem nuk do ta zhbënte padrejtësinë që sistemi, pra shoqëria, bëri duke e vrarë. A nuk do të ishim edhe ne po aq vrasës?

Në favor të dënimit me vdekje nuk mungon as përmendja si shembulli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “vendi më demokratik në botë që e ka ruajtur dënimin me vdekje”. Kjo fraza e fundit, në pamje të parë, shëmbëllen si një argument i fortë, por po ta analizojmë më në thellësi nuk qëndron. Së pari, që prej vitit 1973 janë 154 persona në 26 shtete të SHBA-ve, të dënuar me vdekje por që më vonë kanë rezultuar të jenë të pafajshëm. Së dyti, jo të gjitha shtetet e federatës kanë në fuqi dënimin me vdekje; 21 prej tyre e kanë fshirë dhe disa të tjera kanë miratuar një moratorium për pezullimin e përkohshëm. Shembulli më pikant është shteti i Ilinoisit, guvernatori i të cilit në vitin 2001 fshihu dënimet me vdekje mbasi rezultoi se gjysma e të dënuarve ishin të pafajshëm ose fajtorë për krime më të lehta. Së treti, SHBA ka një indeks vrasjesh të qëllimshme afro 5 vrasje për 100.000 banor, shifër shumë e madhe në krahasim me vendet evropiane, që nuk e kalojnë vlerën 2.5 (përjashtim bën Shqipëria që gjendet në një nivel me SHBA-në). A thua se shtetet që kanë fshirë dënimin me vdekje kanë më pak demokraci se të tjerat? Kundër-shembull demokracie janë skenat e vrasjeve dhe keqtrajtimeve të afro-amerikanëve që së fundmi jemi protagonistë me zë dhe figurë. Interesante të vëresh se ato shtete që i kanë të theksuar ndjenjat antidemokratike të racizmit apo ksenofobisë, janë po të njëjtat që ruajnë me fanatizëm dënimin me vdekje.

Të gjithë e mbajmë mend Andrea Breivikun që vrau plot 77 persona. A e meritonte ai dënimin me vdekje? Shumëkush do të thoshte po. Megjithatë, meqenëse Norvegjia e ka fshirë dënimin me vdekje, dhe jo vetëm, por ka fshirë edhe burgimin e përjetshëm, ai u dënua me vetëm 21 vjet heqje lirie. A e bën kjo histori Norvegjinë më pak demokratike nga SHBA? Përkundrazi, Norvegjia është një nga shtetet më demokratike dhe sociale të kohëve të sotme.

Sidoqoftë argumentet e mësipërme nuk shuajnë debatin nëse e vërteta ligjore përkon me të vërtetën absolute, pra vrasësi njihet shumë mirë si rasti i Breivikut. A duhet që shoqëria të mbajë gjallë këtë individ të parikuperueshëm deri sa natyra të vendosë për vdekjen e tij? Kësaj pyetjeje është vështirë t’i përgjigjesh. Ama një gjë është e sigurt, shteti si forma më e lartë e organizimit të shoqërisë ka për detyrë t’u dhurojë individëve një jetë të denjë, të begatë dhe të plotë për këdo, pavarësisht përkatësive etnike, ideologjike apo racore. Nëse një shoqëri e tillë realizohet të jemi të bindur se nuk do të ketë më trogloditë që vrasin për të rrëmbyer disa të holla apo të marrë që mendojnë se mund të ngrenë dorën kundër policisë. Nëse dikush do të kryente këto lloj krimesh s’do të ishte gjë tjetër veçse një i sëmurë mendor. Prandaj para se të rendim kush të hedh gurin i pari, le të ndalemi një çast tek arsyet e largëta që e shpunë në kryerjen e atij krimi.

Redjan Shabani July 6, 2015 14:22
Komento

12 Komente

  1. Kopaçe July 6, 16:22

    Te kthehet denimi me vdekje . I pari te “inaguroj” Sali Ram Berisha.

    Reply to this comment
  2. protesilahu July 6, 16:25

    Zoti analist e moralist,jemi shtet e popull i varfer,e nuk kemi kellqe te mbajme me tere te mirat,gjithe kriminelet e lindur e te palindur,referendumi eshte menyra me demokratike per te shprehur deshiren e cdo individi,duke i shpjeguar edhe koston reale qe ka nje i burgosur,e qe do te paguhet po nga populli.Do ishte me e udhes qe cdo te burgosur,ta mbante me shpenzime familja e tij,njelloj sic paguan taksa per shendetin,duke perfshire edhe ryshfetin,kush nuk ka te ardhura ose abandonohet nga familja,te nxjerre vete buken duke punuar.

    Reply to this comment
  3. Has tan July 6, 16:51

    Ore une dakord jam per denimin me vdekje, por doja te dija diçka, Gjin Gjoni do kete ne dore jeten e shqiptareve??

    Reply to this comment
    • Saimir July 6, 18:13

      Vetem kjo fraza jote mjafton per te mos rikthyer ne fuqi ligjin me vdekje. Akoma nuk e kupton njerezia se problemi jane gjykatat qe japin denimet dhe jo denimi ne vetevete.

      Reply to this comment
  4. fteri July 6, 19:12

    PO DENIMIT ME VDEKJE###############################################

    Reply to this comment
  5. kruja July 6, 19:36

    Ka nje problem te “vogel” ne kete denimi me vdekje , zakonisht ato qe e “hane ” ose egzekutohen jane peshqit e vegjel (sado i madh qe te jete krimi i kryer nga ata) , nderkohe qe mafiozet , kriminelet me para ne pergjithesi jovetem qe nuk egzekutohen , por dalin te pafajshem me para, me avokate e “yçkla ” te tjera qe i gjene ligjit .Kujtoni u egzekutuan ata vellezerit ne Fier ne fillim te demokracise , por qe duken si amatore ne krahasim me ata qe sot shetisin me makina te shtrejta dhe bile jane edhe “persona te nderuar , bisnesmene” Prandaj jo denimit me vdekje , por sigurise se vuajtjes se denimit .Me nje fjale nese denohesh 25 vjet , te dalesh nga burgu diten e pare te vitit te 26-te . E jo te denohesh me burgim te perjetshem dhe pas pak vitesh ta shohesh perjashta duke kercenuar viktimen .Megjithate ka krim e krim , siç duhet te kete denim e denim

    Reply to this comment
  6. padrino July 6, 19:46

    Për realitetin, dhe mentalitetin e shqiptarit, dënimi kapital, është ilaç i pazëvendësueshëm për shoqërinë shqiptare.

    Reply to this comment
  7. kruja July 6, 21:18

    Nuk ka te beje fort me mentalitetin se zakonisht ai qe ben nje krim (jo dosmosdoshmerisht vrasje) nuk e mendon fare se do te kapet .Qte e mendojne njerezit me kulture ose me sakte te qete te rregullt dhe normal , dhe ata e njohin friken e ligjit , dhe normalisht atyre nuk ke pse ti vesh fare roje dhe per ata mjofton edhe ideja se do ti therrase polici . Problemi eshte se me “yçklat ” ata me te shkathetit ose e thene ne forme banale “shkerdhatat ” do ta gjejne menyren e daljes pa lagur .Ndersa viktimat do te jene gjithmone , ndonje fakir , qe pavaresiht nga krimi ikryer , ne nje fare menyre eshte edhe vete viktime e rrethanava .Per kete jam per sigurine absolute te kryerjes se denimit kur ai jepet (mendoni personi qe vrau çeket do te ishte akoma ne burg edhe me denimn qe i ishte dhene me dhjete vjet , qe perveçse do te shpetonte çeket e shkrete , do te shpetonte edhe veten nga krimi dhe turpi ne na vendosi te gjitheve ) . Prandaj siguria e vuajtjes se denimit dhe jo denimi me vdekje .

    Reply to this comment
  8. Niu July 7, 02:07

    z. Shabani, une jam i mendimit se jeni kontraditor ne ate qe shprehni. Numeroni rastet qe jane te denuar padrejtesisht dhe ne fund permendni Norvegjine qe e denoi vetem 21 vjet burg vrasesin e 77 vetave ndermjet te cileve edhe nje kosovare. Per rastin e norvegjezit ai duhej te denohej me vdekje sepse nuk mund te behej gabim ne gjykim, dhe e pranoi vete qe e beri krimin. Denimi me 21 vjet te tij nuk tregon emancipim apo demokraci. Ky eshte nje veprim i turpeshem i atij shteti.Pra per rastet estreme qe jane 100 perqind te faktuara duhet te ekzistoje denimi me vdekje. Per rastet e tjera qe lindin interpretime nuk duhet aplikuar denimi me vdekje, keshtu qe nuk len shteg per gabime.

    Reply to this comment
    • Saimir July 7, 10:26

      Nuk ka asnje kontradikte. çeshtja eshte se nuk mund te permendet SHBA si shembull demokracie qe mban denimin me vdekje. Ai denim mund te jete frutdhenes ne SHBA por per arsye te tjera qe nuk kane lidhje me demokracine.

      Edhe rasti i Norvegjise, turpi i denimit te Breivik me 21 vjet nuk e ben vendin me pak demokratik nga ç’ka qene. Ndoshta duhet te reflektojne dhe te rikthejne burgimin e perjetshem, por sidoqofte ata ngelen shume me demoratik social nga SHBA e shume vende europiane.

      Ti thua se duhet te denojme me vdekje kur jemi te bindur 100%. Po kush eshte qe krijon bindjen? Une dhe ti nuk mund te marrim vendime perderisa nuk jemi pjese e procesit te denimit. Pra jane gjykatresit ata qe vendosin. Tani mendo pak une ose ti qe gabimisht ndodhemi ne karriken e te pandehurit dhe perballe Gjin Gjoni si gjyqtar.

      Reply to this comment
      • Niku July 7, 11:06

        Rasti i norvegjezit nuk ka nevoje per gjyqtar Gjin Gjonin se ai vrau 77 veta, dhe e dinte qe do te denohej aq pak prandaj guxoi te bente masakren. Tani ai kalon vitet duke pare televizor. Shikojeni realitetin si eshte dhe mos u perpiqni te dukeni moderne dhe demokrate me zor. Duhet te punoje llogjika dhe jo pasionet.

        Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim