PADREJTËSIA / Qytetari nuk e kupton pse të gjithë e kanë me të, kur dihet që fajin e ka Saliu

August 21, 2019 21:02

PADREJTËSIA / Qytetari nuk e kupton pse të gjithë e kanë me të, kur dihet që fajin e ka Saliu

VLORË – Një zhgënjim dramatik dhe goditje të madhe shpirtërore pësoi javën e kaluar qytetari shqiptar Spiro Karathanasi, i njohur gjithashtu nga policitë e Europës edhe me emrat sezonalë Azem Bajoneta, Bektash Çaprazi dhe Gentian Susta.

I ndodhur për pushime në jug të vendit, ai ngeli i shokuar nga injoranca e oficerëve të policisë, që ishin fiksuar pas njollave të gjakut në gomat e makinës së tij dhe nuk e kuptonin se fajin e ka Saliu.

Ç’është më e keqja, kalimtarë sipërfaqësorë dhe të painformuar shfaqën më shumë merak për dy çiklistët e plagosur që ai i kishte prekur disi me Porsche-n e tij, sesa për faktin që Ligji 7501 i miratuar nga reaksioni demokrat në fillim të viteve 90-të, e ka shkatërruar këtë vend.

“Vërtet do merreni me dy pocaqi që u del pak gjak? Nuk e kuptoni që Saliu e ka lënë këtë vend 30 vjet prapa?”, reagoi i indinjuar Spiro, dokumentet e të cilit tregonin se atë çast ai quhej Vangjel Cjapi.

Burimet në vendngjarje bëjnë me dije se pavarësisht protestave të shoferit të indinjuar, uniformat blu shfaqën një interes të çuditshëm për dy pako me pluhur të bardhë që u gjetën në kroskotin e makinës.

“Po lërini ore pakot, mos u merrni me gjëra anësore: Unë po ju them që lufta civile që nxiti ai maskara në 97-ën e çoi këtë vend 100 vjet prapa, dëgjoni apo jo?”, reagoi Vangjeli, teksa policët bënë një verifikim dhe zbuluan se ai ishte i kërkuar në trembëdhjetë shtete.

Ndërsa po i viheshin prangat, ai u kërkoi oficerëve të policisë t’i binin një numri telefoni në celularin e tij, duke i porositur:

 “Jeni në rrugë të gabuar! Tërheqja e opozitës nga institucionet kushtetuese nën urdhrat e Saliut po i bën edhe një herë gropën Shqipërisë, ndërsa ju shtyni kohën duke marrë në qafë njerëzit e ndershëm!”       

“Mos u bëni vegël e atij fashisti,” shtoi Spiro Vangjel Bektashi. Atë moment policët morën urdhër telefonik ta lironin qytetarin, sepse ai ishte fitues i tre koncesioneve dhe gëzonte statusin e investitorit strategjik.

“Ja, këto janë pasojat pasi Saliu ka 30 vjet që po helmon klimën e biznesit,” deklaroi viktima, duke fërkuar kyçet e duarve nga prangat 30 sekondëshe teksa uniformat blu po i kërkonin falje.

“Ahh Sali Sali, ç’i bëre këtij vendi,” psherëtiu Spiro Karathanasi. Pastaj, i trishtuar që ky vend me kaq shumë resurse ka mbetur kaq prapa, i hypi makinës, xhiroi gomat dhe u largua.

SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike e bindur që fajin do ta ketë Saliu edhe pas 30 vjetësh. Pthuuu!

August 21, 2019 21:02
Komento

4 Komente

  1. Pesa Spathi August 24, 12:45

    Kjo tregon qe muri eshte ne vend, koke ne vend vetem se jane edhe nja-dy a tri qe thone se nuk e kane provuar akoma. (mqs e ka fajin saliu dmth.)

    Reply to this comment
  2. Mala September 7, 14:25

    Faji,deshtimi e shemtia ka vetem nje burim; te Salihu dhe klani I tij, familjar e klanor politik genejshtar,vrastar e demsjelles per shtetin dhe popullin shqiptar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*