Pagat e mjekëve dhe infermierëve do rriten edhe në 2018-n

March 8, 2018 19:37

Pagat e mjekëve dhe infermierëve do rriten edhe në 2018-n

Rritja e pagave për mjekët edhe infermierët do të vijojë edhe përgjatë 2018-s. Konfirmimi është bërë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në takimin e zhvilluar sot me rastin e “8 Marsit”, me mjekët dhe infermierët e urgjencave mjekësore nga e gjithë Shqipëria.

Ndonëse nuk ka raportuar shifra konkrete se sa do jetë rritja, ministrja ka theksuar se mbështetja e qeverisë për stafin mjekësor do të jetë maksimale, ku krahas rritjes së pagave, do të vijojë puna edhe për përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha qendrat mjekësore dhe spitalet e vendit.

“Zemra ma donte të ishim të gjitha bashkë sot, të 12 mijë e 47 punonjëset gra të sistemit tonë shëndetësor për t’u përulur përballë punës tuaj. Ju meritoni më të mirën dhe me shumë përulësi ju them se mbështetja ime personale, por mbi të gjitha e qeverisë shqiptare nuk do të mungojë. Ne do të vijojmë të përmirësojmë kushtet e punës në qendrat tona shëndetësore, në spitalet tona, që ju ta kryeni më mirë profesionin tuaj. Do të vijojmë me politikën e rritjes së pagave edhe në vitin 2018 për personelin mjekë dhe infermierë”, deklaroi ministrja Manastirliu.

Gjithashtu ministrja tha se që nga viti 2019 do të plotësohen nevojat me mjekë specialistë në shumë spitale të vendit ku ka mungesa të theksuara të tyre.

“Një ditë më parë takova brezin e parë të specializantëve që pritet të diplomohen në vitin 2019, shumica prej tyre vajza dhe gra, që kanë vendosur të shërbejnë në spitalet ku ka nevojë për mjekë të specializuar. Disa prej tyre punojnë edhe në sektorin privat aktualisht, por kur i pyeta nëse do të duan të punojnë në spitalet rajonale në përfundim të specialiteteve, nuk kishin dyshime që do bënin këtë zgjedhje”, tha Manastirliu.

Gjatë këtij aktiviteti janë ndarë edhe disa çmime mirënjohje për mjeket dhe infermieret e vitit, të cilat i janë dedikuar këtij profesioni me përkushtim e sakrifica. U nderua me çmimin e mirënjohjes, Liridona Cani, infermiere në qendrën shëndetësore “Ostren” në Bulqizë, Dr. Zana Hoxha, mjeke gastrohepatologe në Spitalin e Shkodrës, Dr. Gjyzede Zalla, pediatre në Spitalin e Durrësit, Sadete Gjeçi, infermiere e urgjencës në Spitalin Universitar të Traumës dhe Prof. Eli Foto, Shefe e Shërbimit infektiv në QSUT.

p.k/dita 

March 8, 2018 19:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*