Pajisja e dyshimtë/ Zbardhet dëshmia e inxhinierit italian, nuk tregon eprorët

December 5, 2017 11:38

Pajisja e dyshimtë/ Zbardhet dëshmia e inxhinierit italian, nuk tregon eprorët

Zbulohen detaje nga bllokimi në Pikën Kufitare të Portit të Durrësit te një pajisjeje elektronike, që dyshohet se shërben për përgjime të telefonave, ndërsa posedues i saj është një italian që po tentonte të largohej nga Shqipëria.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit shtetasit me iniciale G.I., 47 vjeç, iu gjet një aparaturë elektronike e dyshimtë, e cila është dërguar për ekzaminim në laboratorin shkencor.

Shtetasi italian, i cili shoqërohej nga një grua, do të hetohet në gjendje të lirë.

Gjatë kalimit në Pikën Kufitare, policia zbuloi pajisjen e dyshimtë dhe shoqëroi në komisariat dy shtetasit italianë, 47-vjeçarin dhe shoqëruesen e tij. Pas marrjes në pyetje, ai është shprehur se është inxhinier uji, ndërsa kjo pajisje shërben për të matur cilësinë e ujit.

“Kam ardhur në Shqipëri pak ditë më parë dhe po largohem për në vendin tim. Kam ardhur bashkë me zonjën (shoqëruesen), pasi do të negocionim me një firmë uji të pijshëm. Unë jam inxhinier ujërash dhe kjo pajisje nuk është ashtu si mendoni ju (për përgjime), por shërben për matjen e cilësisë së ujit. Merreni dhe verifikojeni. Është thjesht një pajisje që më shërben për profesionin tim që është inxhinier ujërash. Nuk kam të drejtë të jap më shumë shpjegime. Nuk ka rëndësi kush janë eprorët e mi. Siç ju thashë, jam inxhinier dhe kjo që po më ndodh këtu nuk është aspak normale. Nëse nuk njihni aparatet e matjes së cilësisë së ujit, ky është problemi juaj. Unë dua të largohem menjëherë nga Shqipëria, pasi bashkë me kolegen time jemi shumë të irrituar me situatën e krijuar”, është shprehur për ekspertët e policisë 47-vjeçari.

Ndërkohë që policia vijon hetimet për pajisjen qe aktualisht është dërguar për ekspertizë në laboratorin shkencor, italiani po hetohet në gjendje të lirë. Hetuesit dyshojnë se deklarimet e tij janë të rreme, pasi pajisja duket që kryen shërbime të tjera elektronike që nuk kanë lidhje me cilësinë e ujit.

Burime nga Policia thanë se 47-vjeçari kishte disa ditë që qëndronte në qytetin e Durrësit, por ka qenë kontradiktor në tregimin e tij para oficerëve të Policisë.

“Nëpërmjet sistemit TIMS kemi zbuluar se ata kishin ardhur pak ditë më parë në vendin tonë nëpërmjet pikës kufitare të portit të Durrësit. Kemi dyshime se italiani po fsheh diçka, pasi pajisja duket qartë se nuk ka funksion matjen e cilësisë së ujit. Pajisjen elektronike e kemi çuar për ekspertizë në laboratorin shkencor, i cili do të zbulojë funksionin e saj. Paraprakisht dyshojmë se është një pajisje përgjimi, por sikurse theksova, do të jetë laboratori shkencor ai që do të tregojë se për çfarë shërben realisht kjo pajisje elektronike. Ndërkohë po mbajmë nën monitorim dhe po hetojmë në gjendje të lirë 47-vjeçarin nga Italia”, sqaruan burime nga grupi hetimor.

Aktualisht, Policia dhe Prokuroria po kërkojnë informacione nga Italia për shtetasin e kapur në Portin e Durrësit me pajisjen e dyshimtë.

Nga të dhënat e para, sipas Policisë, ai rezulton person i paskeduar nga Policia italiane dhe nuk është në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Mësohet se ai nuk ka pranuar të tregojë se nga cili autoritet publik apo agjenci private është kontraktuar për të ofruar shërbimet e tij.

December 5, 2017 11:38
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*