Pajtim Bello: Kryehajdutët po thërrasin: Kapeni hajdutin!

March 2, 2015 10:00

Pajtim Bello: Kryehajdutët po thërrasin: Kapeni hajdutin!

Çfarë po ndodh me shlyerjen e faturave abuzive të energjisë elektrike dhe cila është arsyeja që opozita ankohet dhe akuzon qeverinë se po grabit qytetarët. Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës të OST-së, ish-zëvendësministri i Industrisë dhe Energjetikës, Pajtim Bello, sqaron në këtë intervistë historinë e faturave abuzive të trashëguara nga qeveria e Berishës, ashtu siç është trashëguar dhe fatura e mos pagimit të dëmshpërblimeve nga përmbytjet e viteve 2010-2012. Pse e konsideron ai këtë një fushatë demagogjikë të PD-së në pragun e fushatës për zgjedhjet vendore të 21 qershorit dhe për çfarë e kritikon qeverinë Rama me këtë rast.

– Zoti Bello, ditët e fundit kemi parë që opozita po akuzon Qeverinë dhe OSHEE se po mbledhin lekët e faturave abuzive që u janë prerë qytetarëve prej OSHEE?

– Nuk është hera e parë që ndodh kështu me këtë opozitë. Por këtë radhë kemi të bëjmë me një intensifikim të fushatës demagogjike të PD-së në prag-fushatën elektorale. Kjo sjellje e opozitës është tipike si klithma e hajdutit që thërret kapeni hajdutin, duke akuzuar padrejtësisht të tjerët. Faturat abuzive janë prerë prej Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, pra kur Kryeministër ishte Sali Berisha dhe ministër Lulzim Basha, të cilët sot bërtasin për fatura abuzive. Pra, OSHEE sot dhe Qeveria Rama po fshijnë faturat abuzive të Sali Berishës e të Lulzim Bashës, ndërkohë që po reformojnë tërësisht tregun e energjisë elektrike në funksion të tregut, qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të Shqipërisë. Sjellja e Opozitës është sa anarkiste edhe e turpshme, sepse ka arritur deri sa të bëjë thirrje për të mos paguar energjinë elektrike të konsumuar! Opozita ka tentuar të përshkallëzojë sjelljen deri në veprime destruktive, ashtu siç ka bërë edhe herë të tjera…

– Meqenëse dolët në temën e sjelljes destruktive, kemi parë njerëz të protestojnë për fatura abuzive të energjisë elektrike ashtu si edhe për mospagim të dëmshpërblimeve nga përmbytjet e viteve 2010-2012. Ju mendoni se kemi të bëjmë me një orkestrim dhe dirigjim prej opozitës?

– Pa dyshim. Opozita e sotme mbasi i krijoi problemet kur ishte në qeverisje, i la litarë nëpër këmbët e Qeverisë Rama dhe tani kërkon që ta bëjë përgjegjëse këtë për malin me probleme që la në trashëgim. Ndërkohë Qeveria Rama aq shumë sa punon për të shlyer borxhet dhe detyrimet e Qeverisë Berisha, nuk po bën sa duhet dhe vlen për të dëshiruar për mosveprim, në sqarimin e opinionit për çfarë ka ndodhur gjatë qeverisjes së Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.

– Me këtë që sapo thatë, ju duket sikur mendoni se Qeveria duhet të imitojë opozitën, pra të merret me propagandë dhe veprimtari mediatike?

– Absolutisht nuk mendoj kështu. Së pari, Qeveria duhet të merret me prioritetet e programit të vet, gjë që është duke e bërë dita-ditës dhe intensivisht. Së dyti, Qeveria jo vetëm për të mbrojtur punën dhe nderin e vet, por për të kryer detyrimin kushtetues, duhet të sqarojë atë katrahurë që kanë shkaktuar paraardhësit e saj, pra qeveritarët dhe nëpunësit e djeshëm, të cilët sot po kthehen nga të akuzuar në akuzatorë.

– A mund të jini më konkretë në këtë çështje zoti Bello?

– Patjetër. Për çdo faturë abuzive të energjisë elektrike të lëshuar, dihet koha e lëshimit të saj, ka një person përgjegjës që ka lëshuar faturën, ka vendim të ERE për anulim apo shqyrtim të faturës dhe prej 7 vitesh nën qeverisjen Berisha-Basha nuk u ndërmor asnjë veprim procedurial e ligjor. Ata nuk e kanë bërë këtë sepse iu interesonte dhe kjo është një histori më vete! Por qeverisja e sotme me strukturat e veta duhet të bëjë publike kohën, vendin dhe personin që ka lëshuar faturën abuzive dhe pa mëdyshje të marrë masat ndëshkuese ndaj shkaktarëve, ashtu si janë parashikuar në legjislacion. Pra rregullimi i padrejtësive duhet të shkojë deri në fund si procedurë dhe si përgjegjësi.

– Po për rastin e dëmshpërblimit nga përmbytjet 2010-2012. Edhe kjo është një faturë e rëndë e trashëguar nga qeverisja e kaluar, apo jo?

– Unë e kam thënë edhe më parë. Dihet kur, si dhe kush i shkaktoi përmbytjet. Ndërkohë dihet fakti që ish-Kryeministri Sali Berisha premtoi se do shpërblente dëmin deri në qindarkën e fundit. Tashmë kuptojmë që dëmshpërblimi nuk është bërë dhe, për ironi, shohim të dëmtuarit që të kërcënojnë Qeverinë Rama për kryerjen e dëmshpërblimeve!…

– Për çfarë ironie flisni kur banorët realisht janë dëmtuar?!

– Përmbytja dhe dëmet kanë ndodhur realisht. Ironia është se të dëmtuarit nuk e kanë adresuar përgjegjësinë ndaj ish Qeverisë Berisha as kur ndodhi fenomeni dhe as sot. Kanë të drejtë të kërkojnë që dëmshpërblimi të ekzekutohet nga Qeveria e sotme, por së pari të adresojnë ku dhe kush është fajtori dhe, së dyti, nuk mund t’i bllokosh rrugët sot, kur nuk i bllokove dje kur ndodhi padrejtësia. Duket ironike të kërcënosh një Qeveri që po paguan qindra miliona euro borxhe e dëmshpërblime prej ish Qeverisë Berisha, për të mos thënë se në fushatën e zgjedhjeve vendore mund të shohim banorët në mitingjet e Bashës dhe pastaj në bllokimin e rrugëve për pagesën e dëmshpërblimeve. Unë u shpreha se kjo është ironike por, në fund të fundit, si veprim qytetar nuk ka hije fisnikërie që të përkëdhelësh atë që të bën dëmin dhe të shpotitësh atë që të ndihmon me aq dhe si mundet. Ajo që qeverisja e sotme nuk po bën, është se banorëve të përmbytur duhet t’iu bëjë publike veprimet dhe mosveprimet e qeverisë së asaj kohe për t’i shpëtuar e dëmshpërblyer. Në buxhetet e viteve 2011, 2012 dhe 2013 fondet për dëmshpërblim ishin zero. Qeveria Berisha bëri një veprim abuziv kur shumën e pagesës për dëmshpërblim ia kaloi KESH sh.a. me një Vendim të Këshillit të Ministrave. Ky ishte veprim abuziv, turpërues për banorët e përmbytur dhe aspak i ligjshëm. Pra Sali Berisha dhe Lulzim Basha lanë duart me ujin e pistë të përmbytjeve dhe iu thanë qytetarëve se KESH sh.a. nuk ka lekë që t’i dëmshpërblejë! Qeveria e sotme, këtë akt të turpshëm e të paligjshëm duhet t’ua bëjë të ditur të dëmtuarve dhe të nëpërkëmburve dhe të nxjerrë përgjegjësitë për ata qeveritarë e nëpunës që e gatuan këtë Vendim Qeverie.

– Përse ngulni këmbë tek nxjerrja e përgjegjësisë? Kini merak përse nuk janë ndëshkuar disa nëpunës apo çfarë?

– Nuk është thjesht çështje e përgjegjësisë së disa nëpunësve apo politikanëve. Kjo është detyrim i qeverisjes sot që t’iu sqarojë qytetarëve çfarë ka ndodhur. Nga ana tjetër është domosdoshmëri për të rregulluar punën në të ardhmen. Mosnjohja e përgjegjësive është pothuajse mosrregullim i procedurave, i rregulloreve, vendimeve e ligjeve për të ardhmen. Pra, si të thuash, gjithmonë do të ngremë ngrehina mbi plehra dhe kjo nuk është premtuese.

– Zoti Bello, ndaj jush, prej opozitës, medias së ngjyrosur po dhe prej disa politikanëve të mazhorancës, janë artikuluar akuza mbi klane nepotike në administratën publike. Ju a do të komentoni rreth tyre?

– Do të bëj komentet e mia. Nuk jam nxituar dhe as do të nxitohem sepse nuk jam i shqetësuar shumë. Kjo sepse ata që quhen politikanë janë thjesht të strehuar e të përdorur në politikë, ata që quhen gazetarë janë të punësuar e të përdorur për interesa të ndryshme. Të gjitha palët në thelb kanë të përbashkët atë që duan të nxijnë qeverinë dhe krijojnë sfond për të rritur besueshmërinë e kritikave të tyre. Furtuna ka të bëjë me interesa politike të opozitës dhe interesa të ndryshme të palëve të përfshira në këtë lloj inkuizicioni. Gjithsesi besoj se nuk është momenti për t’u shprehur. Le t’ia lemë të ardhmes së afërt, kur mbase do të jetë më e dobishme të ballafaqohemi e të shkëmbejmë ide e mendime rreth këtyre historive…

Intervistoi: Xhevdet Shehu

March 2, 2015 10:00
Komento

3 Komente

  1. Tarabosh March 2, 14:30

    Po, a ka me hajdut e te pafytyre se ty mor Pajtim Bello?!

    Reply to this comment
  2. Pajtuf March 2, 14:48

    Zoti Bello, harrove kohen kur ti na kishe lene pa dita, gumezhinin me hare dhe gezim gjeneratoret neper Tirane, gumezhinin sepse i kishe vjedhur ti me shoke fondet per dritat.
    Kete transparence bej ti dhe Qeveria sot, nga 1997 deri sot, kjo do ishte transparenca e vertete.

    Reply to this comment
  3. lejleku March 2, 15:43

    Z Bello,eshte ekspert i fushes se vet dhe nje politikan i arsyeshem .
    Nese mund t`i ngarkohen faje per te tjeret kjo nuk duhet t`i ngarkohet me te padrejte.
    Persa thote per problemet qe ngre per ate qe i ka vuajtur ne kurriz jane mese te drejta ato qe thote.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*