Pak dritë kundër “makinës së përbaltjes

June 3, 2018 10:55

Pak dritë kundër “makinës së përbaltjes

 

Prof. Dr. Shaban Sinani

Bedri Islami, autori i librit “I vërteti”, që i kushtohet veprimtarit të ilegales së vjetër shqiptare në ish-Jugosllavi Ali Ahmeti, ka vite që shkruan: publicistikë, letërsi, libra jetëshkrimorë, monografi kushtuar protagonistëve të luftës së fundme çlirimtare shqiptare; të asaj lufte që i mundësoi popullit të mos i skuqet fytyra duke pritur jubileun e 100-vjetorin e njohjes së shtetit të tij të parë.

Libri i Bedri Islamit është shkruajtur me përgjegjësinë e një dëshmitari, që ka drojë se historia mund t’u ikë duarsh njerëzve, të kthehet në rrëfenjë, të përqeshet, të kryqëzohet, të zhvleftësohet, të përbaltet.

Qëkurse filozofi bashkëkohës Francis Fukuyama shkroi librin “The End of History” – “Fundi i historisë”, jo vetëm ndër shqiptarët, por edhe në botën e madhe rretheqark dyshimi se njerëzimi nuk është më në gjendje të shkruajë faqe të reja të jetëshkrimit të vet u përhap në mënyrë epidemike, gati-gati si një hakmarrje ndaj së shkuarës, që kishte prodhuar aq shumë luftëra, revolucione, epope, heroizëm. Nuk është hera e parë që bota rrotullohet në të njëjtin cikël: prej heroikës në dramatikën dhe prej dramatikës në humor, përqeshje, karikaturë. Por njerëzimit, për t’i alternuar këto faza, i janë dashur shekuj ndërmjet. Ndërsa shqiptarëve me sa duket nuk u mjaftojnë as dekadat për të filluar varrosjen për së gjalli të historisë. Kjo ndodhi me një shpejtësi marramendëse ndër shqiptarët e dalë prej ish-Jugosllavisë së tretë: pikërisht në kohën kur pritej monumentalizimi i së shkuarës, ndodhi demonizimi i saj, sikurse u dëshmua dhe me përbaltjen e pamëshirshme të Ali Ahmetit dhe bashkëluftëtarëve të tij; përbaltje që u ndërtua me të njëjtën makineri që shqiptarët shumë shpesh kanë njollosur më me zell njëri-tjetrin se kundërshtarin.

Duke e pasë njohur Ali Ahmetin qysh në fillimin e viteve 1990, në kohën kur lufta çlirimtare ishte më shumë një vullnet i mirë se një mundësi, nisa ta lexoj librin e Bedri Islamit me një bindje se më shumë do të përfitoja prej leximit si tekst letrar se prej leximit si letërsi dëshmuese. Por vetëm pak faqe më mjaftuan për të kuptuar se ajo që dija unë për Abazin ishte shumë pak krahasimisht me pjesën e nëntëshme të ngjarjeve.

Jashtë çdo dyshimi, vlera e këtij libri qëndron para së gjithash në atë dritë që autori hedh kundrejt “makinës së përbaltjes”, duke rindërtuar situatat e jetuara nga ai vetë, duke hapur disa dritare të rëndësishme prej burimeve arkivore të organizimit ilegal të shqiptarëve në ish-Jugosllavi e në Perëndim, në radhë të parë të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe të organizmave që dolën një pas një prej saj.

Me këtë rast bëhet e qartë se mungesa e një historie stabilizuese të kësaj organizate; për më tepër, mungesa e një historie të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të UÇK-së tjetër, përbën një përgjegjësi të pakryer të dijetarëve dhe të protagonistëve të veprimeve të saj. Bedri Islami, me librat e tij, është duke e shlyer më së miri përgjegjësinë e vet, si krijues, por edhe si njeriu që drejtoi në periudhën më të ndërlikuar Lëvizjen Popullore të Kosovës: në periudhën kur ajo duhej të luante aktin përfundimtar dhe më serioz të saj, si frymëzuesje politike e lëvizjes së qëndresës; dhe njëherësh të përballonte dhe sfidat e brendshme, rrezikun e çintegrimit, për shkak të ambicieve krejt të natyrshme që lindin kur vjen koha për kthimin e veprimit për shtet në veprim për pushtet.

Duke e lexuar librin e Bedri Islamit, si një prej atyre njerëzve që nuk u kanë besuar aspak efekteve të “makinerisë së përbaltjes”, më lindën shumë pyetje, që kanë të bëjnë, më shumë se me tekstin vetë, me kontekstin historik. Janë të gjitha pyetje që, duke mbetur ende pa përgjigje; për më tepër, duke mos qenë ende angazhim i askujt; shumë shpejt, nën misterin e së fshehtës, mund të inkurajojnë përfytyrime gjithfarëshe, mund të kthejnë historinë vetë në “urban legend”, “urban tale”, apo “contemporary legend”, si forma moderne të folklorit, që, të krijuara në shekullin e 21-të, i mbitheksojnë një populli kujtesën gojore dhe ahistorizmin. Sidomos kur pikërisht në kohën kur historia duhet të nderohet, i bëhen antentate.

Me sa duket, kjo ka të bëjë me diçka më të thellë se ngatërresat ndërshqiptare të dy dekadave të fundme: ka të bëjë me psikozat etnike dhe komplekset historike, që i mundojnë popujt kë më shumë e kë më pak me lëngime shumëfarëshe, që albanologu i mirënjohur Milan pl. Šufflay i quante “duševne bolesni”. Përbaltja ndërshqiptare gjithnjë e më shumë po e errëson atë nder që i bënë historisë kombëtare brezat e qëndresës vullnetare në dekadën e fundme të shekullit të kaluar, ata breza që i shpëtuan fytyrën po- pullit shqiptar, duke i mundësuar marrjen e fatit të vet në dorë dhe garantimin e këtij fati prej aleatësh strategjikë, që jo njëherë kanë qenë përkrah tij. Ali Ahmeti dhe pasuesit e tij bënë që shqiptarët: autori i kë- tyre radhëve, Bedri Islami vetë, njeriu që ishte rritur me “Lahutën e Malcis” dhe e kishte mallkuar Europën me të njëjtën mospërmbajtje si Fishta vetë, të ndalej pak në vargjet e idhëta të poetit të epopesë historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sepse Europa e sotme nuk ishte më ajo “… e motit”, por qortuesja e padrejtësisë, rivendosësja e rendit të ri gjeopolitik në Ballkan. Kjo do të thotë se ata ndryshuan njëqind vjet fat historik. E ndryshuan ata, se po të ishte për bisedime e “dogovor-e”, po e shohim edhe sot se sa vlejnë.

“Makina e përbaltjes” do të vazhdojë të prodhojë armiq midis shqiptarëve dhe prej shqiptarëve, sepse kjo për fat të keq, është mënyrë jetese ndër mjediset tona. Vetëdija në përgjithësi paraur- bane që sundon ende edhe në qendrat metropolitane; nacionalizmi negativ (unë jam më i mirë sepse ky tjetri ka qenë spiun); djallëzimi i kundërshtarit, në përgjithësi të jetuarit me “hate speech”, të jetuarit me mëritë mesjetare të historisë dhe me urrejtjen tipike të historisë së luftës së ftohtë; përbëjnë gjinikuesit e përbaltjes, njëherësh dhe të robërisë intelektuale tipike ballkanike kundrejt mendësisë europiane të ndërtuar mbi konceptin më të ri të sociologjisë politike, mbi konceptin e empatisë.

Do të dëshiroja ta besoja vërtetësisht pohimin e Arbën Xhaferrit, një prej intelektualëve të matur ndër shqiptarët në Maqedoni, se ‘zenitizmi antieuropeist” i fillimshekullit të 20-të shqiptarët nuk i preku, përkundër fqinjëve veriorë, që me kulturën e tyre fshatare deshën të sfidojnë “le siecle europèene des lumière”. Por është keq për teoritë kur realiteti provon përditë mbijetesën e politikave etnografike, ku nuk mungojnë kryemëvetësia, bajraktarizmi, vetëdija postosmane e vilajetit. Dëshmia e Bedri Islamit është e rëndësishme jo për Ali Ahmetin, Fazli Veliun, Musa Xhaferrin dhe të tjerë veprimtarë parësorë të ilegales shqiptare. Dëshmia e tij e fiton vlerën nëse do të trondisë sadopak vetëdijen shqiptare, duke i ftuar lexuesit të mendojnë me kryet e tyre, t’u besojnë fakteve para predikimeve; të mbrojnë historinë e tyre para historisë së botës; të ndërtojnë fat të përbashkët me njëri-tjetrin para se të rreshto- hen politikisht ku të gjejnë mandate.

Unë besoj se ky libër do të nxisë historianët të hartojnë projekte kërkimore-shkencore për të mos mbetur për një kohë të gjatë vetëm me “Kosova – një histori e shkurtër” të Noel Malcolm (së paku, shqiptarët e Kosovës një referencë ngushëlluese e kanë). Brezit që bëri luftën i takon ta shkruajë në mënyrën e vet këtë histori. Studiues e protagonistë sa nuk është vonë mund të bashkëpunojnë për të fotografuar kohën dhe për të memorizuar të vërtetën. Kjo është një detyrë nga më të vështirat, jo vetëm sepse burimet dokumentare të ilegales shqiptare – ajo pjesë që ka shpëtuar – janë të shpërndara duar-duar (ndër të tjera një pjesë e arkivit të LPK-së gjendet në ruajtje në arkivat e Shqipërisë shtetërore); por mbi të gjitha sepse ka prej atyre dokumenteve që edhe sot mund të implikonin individë e palë për marrje përgjegjësie historike në mënyrë jopublike; siç ka dhe shumë burime që janë zhdukur për shkak të rrezikut që bartnin, për shkak të pësimeve të luftëtarëve dhe për shkaqe të tjera.

Jam i sigurt, bie fjala, se sot për sot nuk do të mund të shërbeheshin, për shkak të pengesave ligjore, verbalet e bisedimeve të përfaqësisë së parë të LPRK-së me ish-presidentin R. Alia (1991); sikurse nuk do të shërbeheshin as burimet arkivore për marrëveshjet e propozuara në po atë vit e në të njëjtën zyrë nga prof. Ali Aliu, bisedime prej të cilave dolën disa nisma të rëndësishme, të cilat, në kohën e duhur, do të bëjnë të ditur se, ashtu si ilegalja ka ditur të mendojë dhe për paqen, sikurse shkruan B. Islami; ashtu dhe krahu tjetër bënte përgatitjet e veta për një çast kur mund të duheshin armët e ushtria dhe të ndryshohej edhe vija. Si dëshmitar i këtyre ngjarjeve për shkak të detyrës, ashtu si Bedri Is- lami në momente kyçe të ilegales, në kohën e përshtatshme do të mundohem të bëj të njëjtën gjë si Bedri Islami në librin e tij “I vërteti”.

Vetë autori i këtij libri, duke folur për misionin dërmjetësues të njërit prej bashkëluftëtarit të tij, na bën të ditur se në kohë lufte, pavarësisht polemikave dhe mospajtimeve në vijë, palët më se një herë kanë jo aq larg marrëveshjes. Por nuk është rasti këtu për vështrime të tilla prapavajtëse.

Në përfundim vlen të mbitheksohet se në krahun që bëri luftën qendron jo vetëm e drejta historike, por edhe e drejta morale. Fitorja e tyre trimëroi popullin, por trimëroi dhe përfituesit prej fitoreve – kjo është më e mira dhe më e rrezikshmja e të qeverisurit me votë – por kjo trimëri të kujton parodizimin që F. Konitza provoi t’ua propozonte shqiptarëve si himn kombëtar: “Ne jemi trima / Dhe dalim nga vrima / Zëri i atdheut / kur na thërret”. Trima të tillë, që nuk e kanë parë kurrë rrezikun e jetës me sy, që i urrejnë armët në emër të Zotit dhe të Europës, makinën e përbaltjes, megjithatë, dinë ta përdorin për mrekulli.

June 3, 2018 10:55