Paketa e re fiskale, jo ulje taksash, vetëm thjeshtim procedurash

June 7, 2016 11:04

Paketa e re fiskale, jo ulje taksash, vetëm thjeshtim procedurash

Drafti i ri i ligjit për paketën fiskale 2017 ka mbërritur për konsultim me grupet e interesit. Pritet që ky draft të marrë formë ligjore në muajin korrik të këtij viti. Komentet e marra deri tani nga biznesi janë të shumta, por në asnjë prej tyre nuk është parashikuar ulje taksash nga ministria e linjës.

Ajo çfarë është parashikuar në draftin fillestar ka të bëjë me lehtësimin e procedurave për biznesin. Më saktë janë 358 propozime, komente dhe sugjerime të biznesit, të cilat në total kërkojnë ndryshimin e 60 procedurave.

Deri tani, financat kanë draftuar 11 procedura të thjeshtuara që lidhen me kalimin e strukturës së Apelimit Tatimor dhe të Avokatit të Tatimpaguesit në varësi të financave; rritjen e transparencës; lejimin e çdo biznesi, pa u kufizuar nga numri i faturave me TVSH, të printojë vetë faturën tatimore kompjuterike; lehtësimin e procedurave të çregjistrimit dhe shkurtimin e afateve, kryerjen e kontrolleve me plan dhe duke njoftuar 45 ditë përpara bizneset etj.

 

Thjeshtim dhe shkurtim procedurash

Ndryshimet ligjore synojnë thjeshtimin, qartësimin dhe shkurtimin e procedurave të ndryshme tatimore, të faturimit, çregjistrimit, vlerësimit, kontrollit tatimor, që do të tentohet të arrihet përmes:

-Qartësimit të disa elementeve që kanë të bëjnë me marrjen e akteve tatimore dhe llogaritjen e afateve përkatëse, përmbajtjen e njoftim-vlerësimit, publikimin dhe transparencën në llogaritjen e kamatëvonesave që aplikon administrata tatimore për një detyrim tatimor.

-Lehtësimit në procedurën e çregjistrimit të biznesit, duke bërë transparent procesin midis tatimpaguesit/QKB-së ose gjykatës dhe organit tatimor, duke shkurtuar afatin e kësaj procedure.

-Reduktimit të kostove për biznesin dhe përmirësimin e njërit prej indikatorëve “Të bërit biznes në Shqipëri” nëpërmjet lejimit të çdo biznesi, pa u kufizuar nga numri i faturave me TVSH, të printojë vetë faturën tatimore kompjuterike.

-Korrigjimit nga ana e administratës tatimore dhe jo nëpërmjet procedurës së ankimit për sa i përket dënimeve për shkak të ngarkimit gabimisht të një përgjegjësie tatimore të gabuar në sistem, jo në përputhje me ligjin.

 

Përmirësimi i procedurave të apelimit

Në rregullimet e fundit ligjore, financat synojnë sigurimin e pavarësisë dhe rritjen e garancisë për procesin e apelimit tatimor, përmes veprimeve të mëposhtme:

-Pavarësia e vendimeve të apelimit tatimor do të sigurohet nëpërmjet funksionimit të kësaj njësie si strukturë e pavarur pranë Ministrisë së Financave;

-Zbatimi funksional dhe efektiv i së drejtës për t’u ankuar, ulja e kostove të biznesit dhe përmbushja e një kërkese të përsëritur, për të zbatuar vendimin e Drejtorisë së Apelimit Tatimor për ankimin administrativ, në rastin kur ai është në favor të tatimpaguesit, pa e zgjatur pafundësisht procesin duke apeluar në mënyrë fiktive.

-Për të siguruar paanshmërinë dhe transparencën për apelimet e detyrimeve tatimore, vlera e të cilave është e konsiderueshme mbi një vlerë e cila do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, pranë Ministrisë së Financave ngrihet Bordi i Shqyrtimit të Apelimeve Tatimore.

Zgjatet afati i vetëkorrigjimit në 5 vjet

Ndryshimet ligjore synojnë përqasjen drejt vetëpërmbushjes dhe vetëdeklarimit, përmirësimin e procesit të vlerësimit, kontrollit tatimor dhe rikonceptimin e mundësisë për marrëveshje të pagesës me këste në raste të mungesës së likuiditeteve nga biznesi. Konkretisht:

-Zgjatja e afatit nga 12 muaj në 60 muaj pa aplikuar penalitete, të së drejtës së tatimpaguesit për vetëkorrigjim të deklaratës tatimore, duke e njehsuar kështu me afatin e parashkrimit;

-Forcimi i partneritetit me biznesin, duke përmirësuar afatet, kohëzgjatjen e kontrollit, procedurat e kontrollit dhe rikontrollit tatimor, gjithashtu vendimmarrje me bazë të gjerë për rezultatet e kontrollit tatimor, duke rritur transparencën dhe duke ulur mundësinë për abuzim nga administrata tatimore, nëpërmjet vendimeve kolegjiale.

-Synohet të rritet transparenca në rikontrolle, duke dhënë arsye ligjore të detajuara dhe të argumentuara përse kryhet rikontrolli dhe këto arsye do t’i bëhen me dije edhe tatimpaguesit.

-Njoftimi i tatimpaguesit 45 ditë përpara fillimit të kontrollit, duke i dhënë mundësinë të vetëkorrigjohet brenda këtij afati, duke përfituar uljen e dënimeve të aplikueshme nga 100% në 30% dhe aplikimi i kamatëvonesave fillon nga periudha kur vetëkorrigjohet, jo nga periudha së cilës i përket detyrimi siç do të ishte nëse ky detyrim konstatohej nga kontrolli.

-Rritje e rolit të Avokatit të Tatimpaguesve dhe konsiderimin në perspektivë të krijimit të një organi të pavarur të Avokatit të Biznesit.

-Mundësi për të lidhur marrëveshje pagese me këste deri në 2 herë, si dhe heqja e detyrimit për të llogaritur kamatëvonesë përgjatë afatit që shtrihet marrëveshja, kamatëvonesa të cilat aplikohen aktualisht pavarësisht marrëveshjes së pagesës me këste.

-E drejta e administratës tatimore për të çuar shoqërinë në procedurën e falimentit do të ushtrohet në përputhje me ligjin “Për falimentimin”; Administrata tatimore lidhur me këtë proces ndaj tatimpaguesit, sipas këtij ligji, gëzon vetëm të drejtat që ka çdo kreditor tjetër.

June 7, 2016 11:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*