Palo gazetares nuk i skuqet faqja

February 16, 2016 13:10

Palo gazetares nuk i skuqet faqja

 

Sipas burimeve të sigurta për Gojët e Liga, analistja online Matilda Llagëmi, 27 vjeçe, çuditërisht nuk ndihet e turpëruar nga etiketimi që i bën vetes si “eksperte e kulturës pop”.

Llagëmi, që harxhon 10 orë çdo ditë duke lexuar nëpër sajte interneti lart e poshtë botës të rejat e fundit nga bota e spektaklit, muzikës e kinemasë, dhe pastaj i komenton veprimtaritë e vipave në sajtin e saj, nuk dëshmon asnjë shenjë vetëurrejtje apo auto-poshtërimi për mënyrën sesi i harxhon vitet më të mira të jetës, e aq më pak t’i jetë shpifur vetja për këtë arsye.

“Konkretisht, mua më pëlqen të ndjek të rejat e fundit të kulturës pop dhe t’i komentoj ato me me një zë të freskët, të zhdërvjellët në gazetarinë online”, thotë Llagëmi, që sipas Gojëve të Liga, ende ka guximin ta shohë veten në pasqyrë çdo ditë.

Vetëm këtë javë, ajo pohon pa iu dridhur qerpiku se ka trajtuar me kurajo divorcin e dy çifteve të famshme hollivudiane, ka ngritur pikëpyetje mbi gjoksin e Çiljetës dhe ka shkruar një koment mbi punën më të fundit të aktorit francez Zhan Reno.

“Zhani nuk po sjell më diçka të re në rolet e tij. Ndoshta ka ardhur koha që ai të tërhiqet”, ka shkruar 27 vjeçarja, pa pikën e turpit që shtyn ditët duke sharë njerëz të talentuar që as i ka takuar, e as ka për t’i takuar ndonjëherë në jetën e saj mizerabël.

Llagëmi ndoqi për dy vjet fakultetin e gazetarisë në Tiranë, pastaj u hodh në atë që e quan “botën e gazetarisë freelance”, çka në fakt është marrja e dynjasë nëpër gojë gjithë ditën e perëndisë.

“Kush është ky Kuentin Tarantino, mor zotëri, që kërkon vëmendjen e gjithë mediave mbi të?”, komentoi pa iu skuqur faqja në blogun e vet, vajza që tërë jetën e vet profesionale e ka shpenzuar para një kompjuteri, pa takuar e pa njohur asnjë nga personazhet vendase e të huaja që përmend në shkrimet e saj.

“Së fundi”, thotë sharlatania që nuk i dridhet qerpiku, “jam duke përgatitur artikullin “10 gjërat që urrej në festivalet shqiptare të këngës”, i cili do botohet njëherësh në tre suplementet më të mëdha të së shtunës”.

Kuptohet, ajo nuk përmendi që u ka kërkuar para disa këngëtarëve që të mos i shajë në artikullin e vet.

February 16, 2016 13:10
Komento

6 Komente

  1. sopiqoti February 16, 14:23

    NGA MBIU KJO KOKOROCKE MENDJE FYELL ?

    Reply to this comment
  2. gjermani i fundit February 16, 15:23

    çfare ke dashur te thuash mo gojelige? As shaka dhe as ironi. Futjakots qenke edhe ti!

    Reply to this comment
  3. Shyqo February 16, 18:43

    kam pershtypjen, o jermën, se shaka vertet nuk eshte po ironi eshte. Se esht shpikur zanati i ri i pocaqive qe komentojne e shkruajne si ema e zeqos maje kumbulles, pa njohur, pa takuar e pa ditur asgje.

    Reply to this comment
    • gjermani i fundit February 16, 21:30

      Po si mendon ti o Sheqo, nje gazete me 40 faqe e 2 gazetare, a nuk i mbush faqet me llogje interneti? Keta edhe drone te jene s’mund te gjenden kudo.Nje gazetar njesh ka shkruar keshtu; gjysmen e gjerave e dime nga ata qe i kane me te degjuar, gjysmen tjeter deshirojme te na besojne se e kemi pare vete.

      Reply to this comment
  4. Jps February 16, 20:36

    A s ka noj te re nga Jessica ? -Asgje nuk ka bere ajo pale gazetare.Te lesh Xhessoken jashte vemendjes eshte kriminale.

    Reply to this comment
  5. Lili February 17, 00:01

    Problemi nuk eshte kjo Paulo gazetat online qe merret vetem me gossip! Po jane gazetat ‘serioze’ qe po bejne te njeten gje!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*