Marifetet e “hoxhë” Fatmirit? Njihni fallxhoret Zoica dhe Pranvera

March 28, 2018 13:09

Marifetet e “hoxhë” Fatmirit? Njihni fallxhoret Zoica dhe Pranvera

Ditën e djeshme në media u publikua rasti i një të ashtuquajturi “hoxhë”, i cili pretendonte se nxirrte xhindet nga njeriu, por ndërkohë prekte femrat në vende intime.

“Hoxhët” e vetëshpallur apo fallxhoret janë një fenomen që ka përmasa të frikshme në vend edhe pse mbajnë një profil diskret.

Edhe në rastet kur nuk shfaqen me abuzime seksuale ata përfitojnë shuma monetare në mënyrë të padrejtë.

Për këtë fenomen tragji-komik DITA ka bërë një hetim gjatë të cilit njohëm Zoicën dhe Pranverën, dy fallxhoret që bëjnë “magji”.

Viktimat e tyre janë njerëzit e dëshpëruar që mund të kenë një dilemë në jetën e tyre të përditshme apo qoftë edhe një pasiguri.

Dy fallxhoret tona pretendojnë se me anë të filxhanit, por edhe me anë të leximit të dorës mund të parashikojnë të ardhmen.

Ndërsa ushtrimi i magjisë sipas tyre ka të tjera kritere: mjafton një fotografi.

Atyre u janë prezantuar dy situata të paqena. Por “magjistaret” bien fare lehtë brenda, flasin për to njësoj sikur rrethanat të jenë reale. Duket qartë që u intereson vetëm pagesa.

Dita e 1

Fallxhorja me emrin Zoica gjendet në rrugën “Siri Kodra,” dhe e ushtron prej vitesh “profesionin” e saj në një kioskë e cila në pamje të parë duket e braktisur. Në fillimet e saj shiste artikuj konsumi.

Gazetarja është shtirë si një vajzë e cila gjendet momentalisht në një marrëdhënie dashurie, por pëlqen njëkohësisht dhe dikë tjetër.

E vërteta është që gazetarja nuk gjendet e përfshirë në asnjë marrëdhënie dashurie.

Le të shohim sesa e aftë do të jetë ajo në sajë të aftësive parashikuese për ta kuptuar të vërtetën.

Kanë kaluar 5 minuta që nga kthimi i filxhanit

———–

Fallxhorja: -Ke ra njëçik e mërzitur, pak fjalë, e mërzitur dhe melankolike…

Gazetarja: -Natyra ime kjo…

Fallxhorja: -Natyra ëëë… Po rrugë? Ku mendon ti të shkosh?

Gazetarja: -Nuk e di…

Fallxhorja: -Dëgjo! Mu mos më thuaj që nuk do bësh rrugë, veç filxhani mu nuk më rre. Le të më rrejë cilido… Ti je e lidhur? Je e dashuruar? Apo e fejuar?

Gazetarja: -E lidhur.

Fallxhorja: -Ok, tani të shikojmë. Seç të pret një tavolinë një mashkull tjetër. Ka dal nga krahu tjetër, iku ky.  Qejf ke sa s’ka, të pëlqen mooo sa s’ka, por ku e ke të pamundur rri në vend e numëro. Kush nga ana e shoqërisë ta ka prezantuar?

Gazetarja: -Asnjë, jemi njohur vet nga rastësia.

Fallxhorja: – Vetë, rastësi… Do bësh llafe me shokun tat, po do jetë një çik i stresuar, një çik i ngarkuar dhe nëqoftëse është në shkollë do ketë probleme me provimet, dhe nëqoftëse është në punë, do ketë probleme me punën…. Por del që, s’ka ç’i bën gomarit dhe i bie samarit. Dy herë do të të shkruajë. Dhe në këtë energji negative që do të te japi nga komunikimi, nga fundi i vitit, festat të ballafaqojnë në tavolinë me dikë tjetër…. Do ulesh, do flasësh, do bëni muhabet por jo deri tek pragu i ndjenjës, por tek komunikimi komod. Ti do e kuptosh që atij ia ka qejfi pavarësisht se kontakt fizik nuk do keni.

Dita e 2

Kësaj rradhe nuk do të shkojmë tek fallxhorja, por fallxhorja do të mbërrijë tek ne. Përmes një numri telefoni, Pranvera është lehtësisht e arritshme. Ajo jeton në Tepelenë, por sipas saj problemet e klientëve janë edhe problemet e saj.

Kështu, Pranvera të mbërrin në shtëpi dhe të lexon të ardhmen në duar. Madje, pretendon se bën edhe magji nëpërmjet fotografisë. Kësaj radhe kemi ndryshuar totalisht skenarin. Gazetarja është paraqitur si motra e një vajze e cila është e lidhur me një djalë aspak pozitiv, dhe për këtë arsye kërkon ta ndajë motrën nga i dashuri.

E vërteta: Motra as që ekziston.

————

Pranvera: -Ma thuj içik emrin

Gazetarja: -Mira…

Pranvera: -Emrin e motrës…

Gazetarja: -Anxhela

Pranvera: – Kjo…kjo te ruhet pak kjo…se e shikoj që do ketë pak probleme…tek kockat

Gazetarja: – Edhe unë kështu jam me shëndet.

Pranvera: -Ato këmbët e viçit, a ia jepni dot?

Gazetarja: -Po mi, si jo…

Fallxhorja: -T’ia ziesh pak. Zieja ato dhe të pi tre gota në ditë. Shtrydhja me limon dhe dëng e dëng e dëng…se ka nevojë njëçik për kalcium ajo.

Gazetarja: -Po, po…ja bëj unë, pa merak!

Fallxhorja: -Duhet patjetër, ka probleme ktu kjo. Shtylla kurrizore domethënë…mund të ketë një venë, rruazë…

Gazetarja: -E mbase…

Fallxhorja: -Nga rruaza i ka ardhur komplet asaj… Po çift më bie tani o… Çift e ke tani.

Gazetarja: -Ne presim që të ndahet nga ai, por nuk e dimë nëqoftëse do ndahet.

Fallxhorja: -Mua ndarje tani për tani nuk më bie. Tani ti e do që të ndahet apo të mos ndahet?

Gazetarja: -As që bëhet fjalë, të ndahet sa më shpejt…

Fallxhorja: -Po ashtu, që ta ndaj unë, direkt tani. Mos thuaj më.

Gazetarja: -Po pra…atë duam ndarjen, ndarjen e asaj.

Fallxhorja: -Më nxirr një fotografi të çupës tani…

Gazetarja: – Ajo do të ndahet, por puna është që ai djali i ka bërë magji, prandaj.

Fallxhorja: -Atë të them, t’ia fus unë apo…

Gazetarja: -Po, po vazhdo…

Fallxhorja: -Nxirre fotografinë pra o…

Pasi shikon fotografinë, Pranvera fillon të lëshojë pasthirrma dhe tinguj të çuditshëm, duke pretenduar se ka kontakte me shpirtrat e botës së përtejme, dhe se ky është rituali i domosdoshëm për të shkaktuar ndarjen e çiftit. Nëpër pasthirrma dëgjohet të thërrasë “Asha”…

Ndërkohë i drejtohet gazetares dhe i thotë:

-Kur të këputesh më thuaj…

Këto persona që pretendojnë se shikojnë të ardhmen dhe se mund të zgjidhin problemet tuaja, nuk janë asgjë tjetër përveçse mashtrues që kërkojnë të përftojnë para më anë të rrugëve të tilla. Shumat monetare nga ç’duket përafrojnë me njëra-tjetrën. Përgjithësisht për leximin e filxhanit ato kërkojnë 5-10 mijë lekë të vjetra, ndërsa për bërjen e magjive nga 50-100 mijë lekë të vjetra.

s.a/dita

March 28, 2018 13:09
Komento

5 Komente

  1. gjeo-analisti-zvicer. March 28, 13:30

    Duhet ikur nga keto lavire qe mashtrojn publikun me rrena e genjeshtra,se askujte nuk i ndihmojn.
    a,kujdes ne hoxha e imam se mqshtrojn shume keq,dhe marrin ne qaf shume pacienta,ku ne munges dignostike nga dr dhe retmani efikas semundja behet fatale.
    a,gazeta e gjenves le matin ka shkruar para 13 viteve,se vetem ne geneve jane 70 sursier,fallxhore te rrezikshme.

    Reply to this comment
  2. Paul Tedeschini March 28, 13:46

    Nuk krahasohet hoxha me fallxhoret Zoica dhe Pranvera.

    HOXHA BAN KRIM PENAL te ABUZIMIT SEKSUAL.

    Per kete abuzim seksual duhet te ndiqet nga vete prokuroria dhe te denohet me burg, por mbasi asht hoxhe, nuk duhet te ndiqet nga prokuroria.

    Reply to this comment
  3. enverdjali March 28, 14:34

    Une them qe si denim me ja kput ko…et Hoxhe Efeniut.

    Reply to this comment
  4. Thanasi qe ta plasi March 28, 15:21

    Nuk dua ta besoj qe ka akoma njerez qe mund te genjehen nga keto mostra. Paskemi qene popull budall.

    Reply to this comment
  5. Kris 1 March 28, 18:25

    Me vjen keq per gazetaren qe eshte akoma e palidhur

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*