Panairi i librit në Fier, Skënderbeu në fokus

May 11, 2018 09:23

Panairi i librit në Fier, Skënderbeu në fokus

Ndryshe nga Panairi i nëntorit në Tiranë, në panairin kombëtar të  librit në Fier nuk rendin të zënë radhë mediat për ta ushqyer veten një javë e lajme të gatshme, as nuk zënë radhë shkrimtarët e vetëshpallur bestseller, që me sa të munden uzurpojnë ekranet e televizioneve qendrore për të treguar “vlera” të paprovuara artistike

Në këtë panair, që rrjedh fare natyrshëm e pa sforco të këtyre cirkuseve midis shitjes së vetëvetes dhe imponimit të librit, promovohet shëndetshëm vlera e veçantë artistike.

Kjo e provua edhe dje në hapjen e Panairit të pestë të Librit në këtë qytet. Rreth 100 botues nga krejt treva shipfolëse, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi u bënë bashkë për librin. Këtij aktiviteti me përmasa, që çdo vit e më shumë po shkruan një traditë të mirë e origjinale, iu bashkuan dhjetëra profesorë e personalitete me emër të letrave shqipe, si dhe intelektualë libradashës.

Në fjalën e  saj drejtuesja e panairit, Majlinda Rama u shpreh se qëllimi i këtij aktiviteti ka qenë sjellja e librit të printuar pranë lexuesit, duke nënvizuar se lexuesi feirakë është një lexues i kultivuar.

“Jemi sot në edicionin e pestë të panairit dhe me bindje e them se kemi për çfarë të krenohemi si qytet. Ky qytet paraprin, udhëheq dhe jep modelin më të mirë se si duhet të promovohet libri dhe se si duhet të nxitet leximi. Këto dy hallka kryesor që janë larg dëshirës për fasada boshe, krijojnë simbiozën e mirë të gdhendjes së dashurisë për librin. Ne ndihemi të lumtur që  kemi dhënë librit të printuar vendin e merituar dhe le të nis nga Fieri politika me serioze e leximit”, ka thënë midis të tjerash Rama, e cila la të nënkuptohet se gjithçka që bëhet përtej këtij qyteti, sidomos në metropol, janë aktivitete propagandistike për qëllime imazhi.

Në katër ditët e panairit, që mbështetet edhe Ministria e Kulturës dhe Bashkia e qytetit, janë parashikuar disa konferenca shkencore. Sot e çeli siparin e aktiviteteve konferenca me temë: “Figura e Skënderbeut mes historisë dhe letërsisë”, ku u hodh dritë mbi figurën e heroit se si ai është sjellë në literaturën shqipe dhe si janë shfrytëzuar detaje mbi aktin heroik të tij, po ashtu u diskutua gjatë trajtimi që i bëhet Skënderbeut në literaturën turke, ndërsa do të diskutohej gjatë edhe për hipoteza lidhur me martesën e Skënderbeut, një çështje që realisht duket se ka ngjallur polemika. Martesa në manastirin e Ardenicës ishte njëra nga hipotezat që , po ashtu ngjalli diskutime të shumta nga të pranishmit.

Panairi i librit mban brenda tij rreth 5 mijë tituj librash ndër të cilët 1.5 mijë janë tituj të rinj që paraqiten për herë të parë në Fier. Si çdo vit, janë katër çmime të mëdha letrare që jepen një ditë para mbylljes së kësaj ngjarjeje të rëndësishme për librin në vend. Panairi ka një axhendë të ngjeshur aktivitetesh me shumë prezantime e promovime autorësh. Edhe në këtë panair pritet të marrin pjesë rreth 40mijë vizitorë të cilët në katër ditë e kthejnë qendrën e qytetit në pelegrinazh për librin.

e.k/Dita

May 11, 2018 09:23
Komento

1 Koment

  1. JU LUMTE FIERI - JENI ME TE MIRET May 11, 16:25

    SUPER
    I KUSHTONI ME SHUME AKTIVITET LITERATURES
    NE JETEN TUAJ
    INJEKTOHENI ATE PASION KE NXENSIT E RINIA
    SE SHQIPTARET MUNDET TE ARRIJNE GJITHCKA
    E BEJNE PSE JO MREKULLIRA
    SI NE CDO FUSHE TJETER TE JETES NE BOTE

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*