“Panairi i Punës 2016” në dy ditë u vizitua nga 55,000 persona dhe pati 11,200 aplikime për punë

April 30, 2016 16:00

“Panairi i Punës 2016” në dy ditë u vizitua nga 55,000 persona dhe pati 11,200 aplikime për punë

Panairi i Punës 2016 në vetëm dy ditët e para të tij mundësoi 11,200 aplikime për punë, ndërkohë që u vizitua nga më shumë se 55,000 persona. Këto shifra i bënë të ditur sot Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, gjatë një konference të përbashkët për mediat. Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i Bashkisë, theksoi se të dhënat paraprake të të interesuarve për punë në këtë panair tregojnë se sa i nevojshëm është kualifikimi i krahut të punës.

“Shifrat e panairit tregojnë të dhëna shumë interesante. Kompania “Conad” kishte ofruar 6 vende pune, duke qenë se kërkoheshin aftësi bazike, për ato pozicione kishte 200 aplikantë. Ndërkohë që kompania e TAP-it ka ofruar 1200 vende pune dhe ka marrë vetëm 700 aplikime. Unë nuk besoj se ka një provë më të mirë sesa këto 2 shifra të asaj që ka qenë motoja e të gjithë panairit që: “vende pune ka, kemi nevojë për profesionistë”, tha Mazniku.

Ai shtoi se “Panairi i Punës 2016” mundësoi afrimin e kërkesës me ofertën e tregut të punës. Sipas tij, Bashkia e Tiranës me kantieret e punës që ka hapur në gjithë territorin e saj ka mundësuar edhe hapjen e qindra vendeve të punës. “Ajo që po bëhet në të gjithë Shqipërinë nëpërmjet investimeve publike është një mënyrë sesi shteti po investon edhe në hapjen e vendeve të punës. Punimet në sheshin ‘Skënderbej’, që do të fillojnë së shpejti do të krijojnë më shumë se 900 vende pune. Këtu nuk janë llogaritur vendet e punës sekondare, siç mund të jenë gurëprerësit, që mund të jenë Tropojë, Korçë apo në Librazhd, apo ata që do të merren me transportin e pemëve nga gjithë Shqipëria”, tha Mazniku.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se nëpërmjet këtij panairi, me ofrimin e 8 mijë vendeve të punës nga 130 kompani, u konfirmua edhe një herë ndryshimi i konceptit thelbësor që shteti duhet të ketë në raport me tregun e punës, jo si një aktor pasiv, që shikon tregun sesi ndodh në vetvete, por si një aktor aktiv, i cili ndërvepron, ndërlidh punëdhënësin me punëmarrësin.

Ndërkohë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi e quajti të suksesshëm këtë panair, ndërsa theksoi se gjatë tij u evidentua edhe një herë fakti se punëmarrësit janë të interesuar kryesisht për krah pune të kualifikuar. “Ky ishte një panair që gumëzhin nga prania e jashtëzakonshme e njerëzve që kërkojnë një punë të denjë e qindra bizneseve që ofrojnë një punë të denjë. Në këtë panair morën pjesë 130 kompani, sipërmarrje nga më të suksesshmet, në asnjë tendë nuk pati produkte por kërkesë për punësim. Janë 8 mijë vende pune që presin. Ne nuk kërkuam të zbukurojmë realitetin, por në çdo fjalë që thamë janë fjalë të një kërkese të vazhdueshme për të rritur kualifikimet”, u shpreh ministri Klosi në fjalën e tij.

Ne Panairin e Punës 2016, morën pjese 120 kompani, të cilat ofruan përafërsisht 8000 vende të lira pune. Panairi ngjalli një interes të madh te qytetarët dhe në dy ditë atë e vizituan më shumë se 50 mijë individë. Ndërkohë që aplikuan dhe u intervistuan në ambientet e Pallatit të Kongreseve, 11.200 individë të cilët janë përzgjedhur që në ditët në vijim të zhvillojnë intervista më të detajuara pranë ambienteve të kompanive pjesëmarrëse.

April 30, 2016 16:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*