Panama Papers: “GFI” mori 1 mln euro transferta nga Zvicra

April 7, 2016 11:54

Panama Papers: “GFI” mori 1 mln euro transferta nga Zvicra

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe policia dorëzuan në prokurori dosjen e kompanisë koncesionare të markimit të karburanteve “GFI”. Brenda një kohe të shkurtër kjo kompani ka marrë disa transferta me vlerë 1 milion euro, si dhe disa pagesa me vlera më të vogla për shërbime konsulence në Shqipëri.

Një ditë pasi prokuroria njoftoi se po sheh mundësinë e verifikimeve për kompaninë “GFI” dhe një biznesmen shqiptar të përmendur në dosjen “Panama Papers” ka reaguar policia dhe drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave.

Kompania në fjalë ka një kontratë koncesionare me shtetin shqiptar për markimin e karburanteve për një periudhë prej 10 vitesh, me një vlerë prej 150 milionë eurosh.

Por përtej transfertave bankare me qëllim të deklaruar, kjo kompani sipas policisë rezulton të ketë përfituar disa transferta nga jashtë.

Dy prej tyre kapin vlerën e 1 milion eurove dhe janë realizuar në vitin 2014.

Paratë mësohet se kanë ardhur nga Zvicra për llogari të “GFI Albania”.

Nuk dihet ende përshkrimi i këtyre pagesave, por burime të policisë konfirmojnë se veç transfertave 1 milion euro ka edhe pagesa më të vogla që gjithashtu kanë ardhur nga jashtë.

Këto pagesa kanë qenë kryesisht për konsulencë apo shërbime juridike në Shqipëri.

Por duke qenë se në skenë doli emri i një shtetasi shqiptar, Ismail Mulleti, ortak me një shtetas tjetër që ka kompani në Panama, autoritetet shqiptare kanë nisur hetimet për pastrim parash.

Këto dyshime përforcohen edhe më shumë për faktin se nuk dihet ende pronësia e kompanisë “GFI” që përfiton 150 milionë euro nga shteti shqiptar, në kuadër të koncesionit të markimit të karburanteve.

Sipas të dhënave zyrtare në regjistrimin e biznesit në Shqipëri rezulton se GFI Albania është themeluar në prill të vitit 2013 nga dy kompani të huaja, njëra me seli në Kanada e tjetra nga Zvicër.

Global Fluids International SA dhe Petroleum Consulting Partners AG (PCP), fillimisht kishin aksionerë me përqindje thuajse të barabartë mes tyre, por në vitin 2015 Global Fluids International shet pjesën më të madhe të aksioneve te Petroleum Consulting Partners, duke mbajtur vetëm 0.7 për qind të aksioneve.

Sipas të dhënave, rezulton se Petroleum Consulting Partners është me seli në Zvicër dhe përfaqësohet nga një drejtor, i cili gjithashtu ka të drejtë firme edhe për mbi 30 kompani të tjera.

Por nga ana tjetër rezulton se Petroleum Consulting Partners është në pronësi të një kompanie tjetër me seli në Panama, e cila dyshohet se mund të jetë krijuar nga Ismail Mulleti dhe ortaku i tij, i cili ka qenë disa herë në Shqipëri si përfaqësuesi i Petroleum Consulting Partners.

Vetë Mulleti është larguar nga Shqipëria që prej 14 marsit dhe nuk dihet vendndodhja e tij, ndërsa prokuroria thotë se po verifikon të dhënat e publikuara për rastin e Shqipërisë.

“Po bashkëpunohet me institucionet e tjera ligjzbatuese për të qartësuar situatën mbi përfshirjen e mundshme në çështjen “Panama Papers” të kompanive apo shtetasve shqiptarë e të huaj që ushtrojnë veprimtari tregtare në territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha një ditë më parë zyrtarisht prokuroria.

Sipas informacioneve të deritanishme, mendohet që disa kompani shqiptare dhe disa individë janë përfitues nga lëvizjet e dyshimta financiare nëpërmjet firmës ligjore “Mossack Fonseca”, të regjistruar në Panama.

Deri më tani, referuar një gazete izraelite, një prej kompanive që operojnë në Shqipëri dhe që lidhet me skandalin e Panamasë është një subjekt tregtar që ushtron aktivitetin në fushën e hidrokarbureve. MAPO

 

April 7, 2016 11:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*