PANDEMIA / Studimi: 99% e shqiptarëve besojnë se gjithë të tjerët duhet të vënë maskën

July 14, 2020 17:53

PANDEMIA / Studimi: 99% e shqiptarëve besojnë se gjithë të tjerët duhet të vënë maskën

TIRANË – Në mënyrë gati unanime, gati 99 përqind e shqiptarëve janë pro përdorimit të maskës dhe larjes së shpeshtë të duarve nga të tjerët.

Të dhënat e studimit të fundit inkurajues të Institutit “Shëndet xha Beqo” lidhur me situatën e pandemisë koronavirusiane në vend, tregojnë një nivel të lartë ndërgjegjësimi të popullatës, mbi masat mbrojtëse që të tjerët duhet të marrin për të parandaluar përhapjen e infektimeve.

Sipas specialistes Rubeola Fruthi, anketimi i një kampioni prej 1000 qytetarësh të grupmoshave, gjinive dhe shtresave sociale të ndryshme, zbulon se 989 prej tyre janë të vendosur dhe të prerë se të tjerët duhet patjetër të mbajnë maskë mbrojtëse jo vetëm në mjedise të mbyllura e të populluara, por edhe jashtë.

“Është tregues i një shkalle të lartë qytetarie dhe kulture civike, fakti që një përqindje kaq e lartë është e ndërgjegjesuar mbi domosdoshmërinë e maskës dhe higjienës maksimale vetiake,” pohoi për mediat znj.Fruthi.

“Për mendimin tim, të dhëna të tilla nënkuptojnë se më në fund shoqëria shqiptare i ka dhënë fund tranzicionit dhe përfundimisht po hyn në një fazë post-tranzitore drejt stabilitetit demokratik e shoqëror. Pra, jemi tranzit drejt këtij niveli sipëror… si të thuash, po hyjmë në një tranzicion tjetër, por më të mirë, jo si ai i pari”.

Mjaft prej të anketuarve nuk e patën problem të identifikohen dhe të prononcohen për reporterin e Gojëve të Liga, Bruceloz Shyta.

Kështu, 55 vjeçari Njac Kërtolla nga Shkodra deklaroi se “shqyptarët duhet me hap syt e më u ba të mençëm. T’tan duhet me venos maskën per me pshtu nga i ky grip i poshtëm”. Vetë Njaci pohoi se ai e mban gjithmonë në xhepin e këmishës maskën e vet. “Nuk dal kurr pa mask nga shpia,” tha prerë ai.

Nga ana tjetër, 19 vjeçari Xume Bugaçja nga Elbasani i bëri thirrje gjithë brezit të tij që të tregohet i kujdesshëm.

“Dihet shkencërisht se mua koronavirusi nuk ka ç’më bën,” pohoi Xumja duke u kollitur paksa, “se ne të rinjve nuk na zë. Ose na zë pak dhe pastaj na lëshon. Por duhet të mendojmë për të moshuarit. Se ja, një kushëririn tim 34 vjeçar e kishte infektuar i vëllai 25 vjeç. Tani, ti do thuash, po mirë, 34 vjeç tjetri e ka shijuar jetën, i hëngri bukët e veta. Po gjithsesi gjynah”.

Edhe më i prerë për nevojën urgjente të vendosjes së maskës, ishte 43 vjeçari Malarik Gripi nga Divjaka. “Nuk ka asnjë justifikim. Gjendja po precipiton. Dal në pazar, shumë pak veta shoh me maskë. Shkoj në zyrat e bashkisë, askush me maskë. Kështu nuk ecet. Shtetit duhet të veprojë, madje edhe me dhunë po qe nevoja. Mirë unë se nuk mbaj maskë, sepse nuk i afrohem askujt. Po gjithë të tjerët ku i çon mushka?”

Specialistja Rubeola Fruthi pohon se anketa i ka bërë shumë përshtypje.

“Ne shqiptarët shajmë njëri-tjetrin dhe i nxjerrim bishta çdokujt. Të paktën kështu mendoja deri tani. Por nga të dhënat e këtij sondazhi, jam e bindur se popullata jonë më në fund është pjekur dhe ndërgjegjësuar. Kaq shumë jam entuziazmuar nga të dhënat, sa mendoj të organizojmë një tubim ku t’u kërkojmë gjithë të tjerëve të vënë maskën anti-Covid, si në vende të mbyllura, ashtu dhe në publik”.

 

——–

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike, vendosja e maskës jo

July 14, 2020 17:53
Komento

6 Komente

  1. Sallata jeshile July 14, 18:02

    Wow -i paska dhënë lajk lulushtyrdhja…!

    Reply to this comment
  2. Eglent July 15, 07:31

    Më pëlqeu shumë dhe desha ta ndaj me ju:

    Një ditë, një njeri pa Zotin teksa iu afrua me një valixhe dhe e kuptoi qe kishte vdekur. Zoti i tha: “Është koha që të shkosh”. Njeriu i habitur, e pyet: “Kaq shpejt? Kisha akoma shumë projekte…”. Zoti iu përgjigj: “Më vjen keq, por ora jote erdhi…”

    “Çfarë ka në valixhe?”, ia ktheu njeriu.
    “Gjëra që të përkasin ty”, i tha Zoti.
    “E ke fjalën për të mirat materiale dhe paratë e mia?”, vijoi njeriu.
    “Ato gjëra kurrë nuk kanë qenë të tuat, ato i përkisnin botës”, tha Zoti.
    “Mos vallë janë kujtimet e mia?”, pyeti njeriu.
    “Ato nuk të kanë perkatur kurrë ty, kujtimet ishin të kohës”, u përgjigj Zoti.

    -Mos janë talentet e mia?
    -Ato nuk ishin të tuat, i përkisnin rrethanave.
    -Atëherë në të janë miqtë e mi.
    -Ata kurrë nuk kanë qenë të tutë, i përkisnin udhëtimit.
    -Mos vallë më ke sjellë gruan dhe fëmijët e mi?
    -Ata nuk ishin të tutë, ata i përkisnin zemrës.
    -Mos ndoshta është trupi im?
    -Kurrë nuk ka qenë i yti, trupi i përket dheut.
    -Atëherë në valixhe është shpirti im.
    -Më vjen keq, kurrë ska qenë i yti. Shpirti jot më përket mua.

    Njeriu i acaruar, e shkelmoi valixhen e cila u hap dhe për habi ishte bosh fare. I prekur dhe me lot në sy tha: “Atëherë kurrë nuk paskam patur asgjë?” Zoti iu përgjigj: “Çdo çast që ke jetuar ka qenë i gjithi i joti, ekzistenca jote ka qenë një varg momentesh të gjitha të tuat.

    Mësimi:
    Ne këtë botë, e vetmja gjë që kemi është koha. Asgjë materiale nuk do të merni përtej, prandaj shijojeni jetën dhe mos lejoni që problemet dhe hallet t’ju pengojnë për të qenë të lumtur.

    Reply to this comment
    • anticensurë25642654 July 15, 18:57

      uau
      sa i mën4ur paska qënë zoti!!
      ja ka fut në çdo përgjigje,ska faj e ka besur i shkreti!!
      mësimi tënd është me të vërtetë më përputhje me mendimin dhe besimin tënd!!
      or lal,njeriu ka dy jetë për të jetuar!
      të dytën e fillon kur e kupton se ka vetëm një jetë të vetme!

      Reply to this comment
  3. anticensurë25642654 July 15, 18:42

    edhe shqipen e shkruani me google??
    ” larjes së shpeshtë të duarve nga të tjerët.”????????????
    për vete nuk duhet me i la??

    Reply to this comment
  4. anticensurë25642654 July 15, 18:43

    tasthi e pash se qeka gojët e liga!

    Reply to this comment
  5. Fatmir July 17, 18:26

    Sa banalitet!?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim