Pandi Kristo: Isha bashkëpunëtor i Koçi Xoxes dhe punonim për interesat e jugosllavëve

Kujtim Boriçi May 9, 2013 16:42

Pandi Kristo: Isha bashkëpunëtor i Koçi Xoxes dhe punonim për interesat e jugosllavëve

Ekskluzive / Seanca e 7-të e gjyqit të Koçi Xoxes. Dëshmitë e Pandi Kristos lidhur me aktivitetin kriminal në bashkëpunim me Koçi Xoxen në interes të jugosllavëve. Dëshmitë e specialistëve Demlush Thaçi dhe Lefter Goga për sabotimet e specialistëve jugosllavë në sektorin e naftës e hekurudhës dhe si i mbronin Xoxe e Kristo.

 

“Për eliminimin e Komandantit(Enver Hoxhës) përgatitëm prapaskenat e Plenumit të Beratit. Punonim për goditjen dhe ndëshkimin e specialistëve të ardhur nga Bashkimi Sovjetik dhe mbështesnim e mbronim specialistët jugosllavë”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Në seancën e 7-të të gjykimit, i pandehuri Pandi Kristo, i vënë përballë dokumenteve e dëshmive, pranon se është bashkëpunëtori më i afërt i Koçi Xoxes e kanë punuar së bashku dhe me pjesëtarët e tjerë të grupit që akuzohet për tradhti, në interes të jugosllavëve.

“Për eliminimin e Komandantit(Enver Hoxhës) përgatitëm prapaskenat e Plenumit të Beratit. Punonim për goditjen dhe ndëshkimin e specialistëve të ardhur nga Bashkimi Sovjetik dhe mbështesnim e mbronim specialistët jugosllavë”, pohon mes të tjerave Kristo në këtë seancë…

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -I pandehur Pandi, a ka pasur lidhje me jugosllavët Koçi Xoxe?

 

Pandi Kristo: -Po. Koçi ka pasur lidhje që kur erdhën ata këtu, që me Tempon, Velon, Gjergjën, etj… Por se ç’lidhje të veçantë ka pasur, nuk e di. Por di që ata kishin ardhur këtu si të dërguar të Partisë Komuniste të Jugosllavisë.

 

Prokurori: -Ti, me punën tënde, ke kontribuar që të bëhej Plenumi i 8-të?

 

Pandi Kristo: -Me punën time, sigurisht kam ndihmuar në bërjen e Plenumit të 8-të. Me pranimin e akuzave të jugosllavëve, jam bërë mbështetje e si më i influencuari nga Koçi Xoxe. Edhe unë, ashtu si Koçi Xoxe i kam shikuar punët me jugosllavët si dhe grindjet për punët e brendshme.

 

Prokurori: -Si ndodh që ti gjendesh në anën e Koçit dhe të jugosllavëve?

 

Pandi Kristo: -Në lidhje me gabimet e bëra që në Berat, u vura në pozita moskuptimi dhe kam qenë i influencuar nga Koçi, të cilin e njihja prej një kohe të gjatë. Këto gabime i kam bërë.

 

Prokurori: -Po gabime quhen këto që t’i vesh kazmën Partisë dhe Atdheut?

 

Pandi Kristo: -Gabime ose faje, gjyqi le t’i çmojë.

 

Prokurori: -Me këto që ke bërë ti i pandehur, a i ke dëmtuar interesat e Atdheut, Partisë dhe popullit?

 

Pandi Kristo: -Me këto gabime, kam dëmtuar interesat e Atdheut, Partisë dhe popullit.

 

Prokurori: -A kanë punuar të tjerë ashtu siç ke punuar dhe ti?

 

Pandi Kristo: -Kanë punuar Koçi Xoxe dhe Shulja si unë…

 

Prokurori: -Ti ke drejtuar të tjerë njerëz që të punojnë në interes të agjentëve jugosllavë dhe kundër Partisë, si e quan ti këtë?

 

Pandi Kristo: -Marrëdhëniet me Jugosllavinë i kisha konsideruar të sinqerta, si marrëdhënie ndërmjet dy Republikash ku kishin drejtimin Partitë Komuniste. Grindjet me ta unë nuk i kuptova siç i kuptoi Sekretari i përgjithshëm(Enver Hoxha). Në qoftë se do t’i kuptoja këto, nuk do i kisha bërë.

 

Prokurori: -Çfarë të ka thënë i pandehuri Koçi Xoxe pas ardhjes së letrave të V.K.P (b)?

 

Pandi Kristo: -Pas ardhjes së letrave të V.K.P (b), këto nuk u kënduan për të dytën herë në Byro. Më ka thënë Koçi veçan se ne nuk kemi bërë kaq shumë gabime të rënda siç kanë bërë jugosllavët. Këto Koçi m’i tha në Byro, por kur nuk kishte njeri tjetër aty. Më vonë më tha, në shtëpinë e tij, se Enveri po bisedon me shokë të tjerë për të na goditur ne, prandaj të bisedojmë edhe ne se si do e shtrojmë këtë çështje.

 

Prokurori: -Po si të tha Koçi në këtë rast?

 

Pandi Kristo: -Koçi më tha se si do ta shtroja unë. Unë i thashë se si do ta shtroja dhe ai më tha mirë. Në këtë kohë, Koçi ishte akoma për fraksion. Prandaj, në fund, pasi folën të gjithë edhe e dënuan çështjen e fraksionit, Koçi u lëkund se nuk mund të qëndronte vetë në këtë tezë.

 

Prokurori: -Po ti kur fole në Byro?

 

Pandi Kristo: -Unë fola i parafundit, ndërsa Koçi foli i fundit.

 

Prokurori: -A ke pasur raste të tjera që je solidarizuar me Koçin?

 

Pandi Kristo: -Po, në prapaskenën e Beratit u solidarizova me Koçi Xoxen…

 

Prokurori: -A ke marrë pjesë në këtë veprimtari kriminale ti i pandehur dhe a ke kryer ti vepra kriminale?

 

Pandi Kristo: -Koçi tek unë ka gjetur një mbështetës në të gjitha ato raste që kam pranuar tezat e tij të gabuara. Për të gjitha evenimentet me rëndësi që u përmendën këtu unë i kam pranuar dhe kam qenë mbështetës i të pandehurit Koçi Xoxe. Unë kujtoja se isha në rrugën e Partisë dhe pas ardhjes së letrave të V.K.P(b), doli se kjo rrugë ishte e gabuar. I lë të gjykojë drejtësia. Unë nuk kam pasur qëllim, por i tërhequr nga influencimi i trockistëve të Beogradit dhe i influencuar nga Koçi Xoxe, si dhe nga pikëpamjet e mia të gabuara dhe të ngushta.

 

Prokurori: -Nuk ke kryer ti ndonjë veprimtari kriminale?

 

Pandi kristo: -Unë nuk e kam quajtur veprimtari kriminale punën time. Në Berat kujtoja se bisedoja me dy anëtarë të komitetit Central dhe kujtoja se isha në vijën e Partisë.

 

Prokurori: -Po si e kuptoje ti se në Berat ishe në vijën e Partisë kur bisedoje fshehurazi udhëheqjes? Pastaj në revizionimin e Beratit nuk i pranon tezat e Sekretarit të Përgjithshëm dhe vazhdon të qëndrosh në pozitat e mëparshme?

 

Pandi Kristo: -Unë rashë në këto pozita nga influencimi i Koçi Xoxes dhe për këtë jam përgjegjës. Edhe në revizionimin  nuk i pranova tezat e Komandantit(Enver Hoxhës)…

 

Prokurori: -Kërkoj, shokë gjyqtarë, të thirren si dëshmitarë: Demlush Thaçi, Lefter Goga dhe Gaqo Nasto dhe të pyeten mbi orientimin që u ka dhënë i pandehuri Pandi Kristo mbi punën armiqësore e trockiste që është zhvilluar në komisionin e kontrollit. Ndryshe është në Komisionin e Kontrollit ku është hasur në rezistencën e bashkëpunëtorëve të të pandehurit Pandi dhe ndryshe ndodh në Ministrinë e Brendshme me Ndihmësministrat që kanë punuar me urdhrat e Koçi Xoxes. Këtu në Kontroll ka pasur rezistencë të madhe dhe shokët e atjeshëm kanë një sërë dokumentesh në dorë.

(U thirrën me radhë dëshmitarët e kërkuar nga akuza publike)

 

Demlush Thaçi(Dëshmitar. Lindur në vitin 1925 në Gjakovë, nëpunës): -Orientimin kryesor në Komisionin e Kontrollit ne e kishim nga i pandehuri Pandi Kristo që ta merrnim gjithë materialin nga Jugosllavia  dhe janë dërguar shokët, të cilët e kanë marrë. Nga shokët tanë janë konstatuar shumë të meta dhe këto mund të shikoheshin e të ndreqeshin shumë shpejt, por janë penguar në radhë të parë nga i pandehuri Pandi Kristo. Në lidhje me këto, shokë gjyqtarë, dua të theksoj dhe t’u paraqes një raport që kishim hartuar ne, në të cilin bëhej bilanci i një ndërmarrje e cila nuk kishte realizuar planin për shkak të mungesës së fijeve që nuk vinin nga Jugosllavia. Këtë gjë ne e kishim theksuar me forcë në atë raport, por i pandehuri Pandi Kristo, duke e hequr këtë observacionin tonë, na tha se nuk ishte e mundur që ne të akuzojmë jugosllavët për këto mungesa të kësaj ndërmarrje.

Një rast tjetër ka qenë ai i Selitës ku kisha vajtur me shokun Shahin Ruka. Atje konstatuam se jugosllavët, punëtorët tanë i trajtonin keq dhe ne për këtë njoftuam Pandin. Për këtë Pandi na ka folur një orë që të na bindte që nuk ka kuptim që të akuzojmë jugosllavët për këto gjëra. Gjithashtu për mungesat e mëdha që ishin konstatuar në Selitë si dhe për trajtimin jashtëzakonisht të keq që u bëhej punëtorëve atje, gazeta “Bashkimi” kishte shkruar një artikull shumë objektiv që i kritikonte këto. Por i pandehuri Pandi Kristo nuk e pëlqeu këtë gjë dhe më tha që të marr në telefon Sotir Papulin dhe thuaji se ç’janë këto marrëzira që shkruan.

Kur erdhi Komisioni i Kontrollit për shoqëritë shqiptaro-jugosllave nga Jugosllavia, i pandehuri Pandi Kristo tha se duhet të dalë nga ana jonë propozimi për të shkuar drejt Federatës dhe ne të mos shesim mend, por të marrim eksperiencën e tyre, se është fat i madh që kanë ardhur ata këtu.

Një herë tjetër, kur kisha shkuar me bë një kontroll në portin e Durrësit, pashë se jugosllavët kishin atje një stacion radiofonik në të cilin transmetohej në çdo mbrëmje. Unë thashë se duhet mbyllur ky stacion, por jugosllavët nuk pranuan. Dhe kur ja referova këtë çështje të pandehurit Pandi Kristo, ai më tha se kjo është me dijeninë e Byrosë.

 

Prokurori: -Po lidhur këto pyetjet, a është marrë eksperienca sovjetike…?

 

Demlush Thaçi: -Asnjë fije eksperience sovjetike nuk kemi marrë, megjithëse kishim mundësi ta merrnim këtë eksperiencë sepse kishim buletinët sovjetikë që mbaheshin të mbyllura dhe as i dinte njeri.

Nga poshtë ka ardhur rezistencë, por kjo nuk merrej parasysh fare. Më kujtohet një herë se në një raport që bënim ne ishin shkruar ndër të tjera edhe këto fjalë: “Komandanti ynë i ndritur”. Por i pandehuri Pandi Kristo na ka tërhequr vëmendjen duke thënë se ç’është kjo fjalë “e ndritur”, sepse në Shqipëri nuk kemi njerëz të ndritur.

 

Prokurori: -Po me kë takohej i pandehuri Pandi Kristo?

 

Demlush Thaçi: -I pandehuri Pandi Kristo kishte takime të shpeshta me jugosllavin Zllatiç. Të pandehurit vetëm sherrin i kemi parë, se për ndonjë punë të mirë nuk ka ndihmuar asnjëherë. Unë di se kur ka shkuar një komision për kontroll në Kuçovë, jugosllavët kanë thënë atje fjalë fyese për teknikët sovjetikë, duke thënë se nuk pinë ujë ata, etj… Dhe për këtë është njoftuar Pandi, por ai asnjë masë nuk ka marrë.

 

Pandi Kristo: -Nuk më kujtohet t’i kem thënë dëshmitarit ashtu siç thotë për ato raste. Më kujtohet ai rasti i një reportazhi në gazetën “Bashkimi”. Dhe ishte koha kur shqyrtoheshin akuzat jugosllave dhe unë e kam marrë vetë në telefon Sotir Papulin dhe nuk i kam thënë këtij.

 

Lefter Goga(Dëshmitar. Vjeç 28, nga Durrësi, nëpunës, banues në Tiranë): -Në Komisionin e Kontrollit, Pandi ka ardhur që në vitin 1946. Ky, që në fillim ka qenë për një orientim të organeve të kontrollit në forcimin e besimit tek jugosllavët, duke e ngritur vazhdimisht çështjen se pa jugosllavët ne nuk mund të kishim rezistencë. Dhe thoshte se Jugosllavia po bën sakrifica të mëdha duke na ndihmuar neve materialisht, politikisht dhe moralisht, megjithëse edhe vetë është në gjendje të keqe pasi është dëmtuar nga lufta. Kështu thoshte ky, sidomos nga fundi i vitit 1947 dhe fillimi i vitit 1948. I pandehuri Pandi Kristo ka pas takime të vazhdueshme me Ministrin e Jugosllavisë, Zllatiçin. Kur bisedonte me këta, i pandehuri na thoshte ne pastaj se sa mirë dhe drejt i shohin jugosllavët punët tona… Ndërsa Koçi Xoxe thoshte se nuk kemi se çfarë të marrim nga sovjetikët, pasi jugosllavët kanë njerëz të përgatitur dhe pasi e kanë marrë, e përpunojnë eksperiencën sovjetike…

Një herë i kemi bërë të pandehurit një memorie të argumentuar në të cilën i shpjegonim nevojën e suprimimit të Drejtorisë Qendrore të Komunikacioneve sepse ajo ishte kthyer në një organizim krejt burokratik dhe pengesë në punë. Por edhe këtë Pandi e hodhi poshtë duke thënë se pengesat dhe konfuzioni rridhnin nga paaftësia e kuadrove tona dhe jo nga organika e saj…

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshminë e Lefter Gogës: Si sabotonin jugosllavët në ndërtimin e hekurudhës e në sektorin e naftës dhe si mbroheshin ata nga Pandi Kristo e Koçi Xoxe.

-Pohimet e dëshmitarit Gaqo Nasto: Pandi Kristo na thoshte në Komisionin e Kontrollit se “kush dyshon tek jugosllavët, shpejt do të përfundojë në tradhtar”.

-Dëshminë e Pandi Kristos: Koçi Xoxe ishte kundër popullarizimit të Komandantit(Enver Hoxhës), e për këtë shkak, iu kundërvu për ta shmangur.

Kujtim Boriçi May 9, 2013 16:42
Komento

4 Komente

  1. Mark.uk May 9, 18:38

    Historin e partis se punes po na servisni.

    Reply to this comment
  2. Koz Dynjaja May 9, 23:10

    -lexo me vemendje , te nje gazete tjeter ishte per Beqir Ballukun dhe ushtaraket, ketu ishte me perpara per Kadri Hazbiun,,,,e shume tjere ,dalloi mbiemrat e hetuesve ,pjesemarrseve ne gjyq , trupin gjykues dhe keto mbiemra gjeji ku jane sot ! kete po tregon gazeta ,ose keshtu e shikoj une !

    Reply to this comment
  3. Vasil May 9, 23:56

    Ore po kur u be krim bashkepunimi me jugosllavet? A nuk ishin ata qe na themeluan PKSh, se po te qe per sovjetiket as do t’i kishte rene ne mendje. A ishte krim te beje si thosh Miladini me Dushanin? Ndoshta ishte dhe duhej te ishte se edhe ata kane vrare si edhe Enveri me Xoxen, por ne qofte se ne kodin penal te Republikes nuk ishte parashikur si krim bashkepunimi me jugosllavet dhe degjimi i keshillave te jugosllaveve, s’ka baze ligjore te denosh Xoxen me vdekje. Kjo seance gjyqi dukej me shume si nje mbledhje Byroje se sa nje seance gjyqesore.

    Reply to this comment
    • beni May 10, 06:22

      Jo vetem qe formuan PK por Tito ish nje politikan qe u perkrah nga vendet e perendimit,edhe pse Komunist!
      Vertet ky gyjq ishte si nje mbledhje e byros politike!
      Xoxe ka qen nje Ideator i nje Komunizmi liberal,qe shum nuk arin ta kuptojn,se vetem ideja e Xoxes do te bashkonte Kombin,por kur ne kete drame hyn si gjithmone Nacionalizmi Ekstrem,atehere nuk mundet te flitet per politike,por per lufte pushteti!
      Jugosllavia u zhvillua edhe pa Stalinin,bile me shum se sa kampet e tjera Sociali ste! Fuqia e saj ushtarake,ish nga me te fuqishmet ne ballkan,ku shum shtete i dhuruan te mira materiale nga frika e ndonje invazioni te mundshem!
      Vitet 68-90 ishin vitet e nje zhvillimi qe shum shtete perendimore e kishin zili,kurse tek ne ne Shqiperi vitet e egersise se ruajtjes se pushtetit diktatorial deri ne renim te plote te ekonomise 75-90!
      Kjo ishte fillozofia e Orientalizmit ne Shqipri,qe edhe sot i ka ngulur kthetrat ne lufte per pushtet!
      Problemi i Enverit me Jugosllavet,ka qene vetem e vetem se Nexhmija ish Dashnore e Miladin Popvicit dhe ne Kulturen Islame Enverit, Popvici i dukej si nje rival qe ja kish prishur Virgjerine gruas se tij!

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*