Pandi Kristo: Pas kontrollit të Partisë nëpërmjet Sigurimit, Xoxe mori nën komandë dhe Shtabin e Përgjitshëm

Kujtim Boriçi May 2, 2013 19:40

Pandi Kristo: Pas kontrollit të Partisë nëpërmjet Sigurimit, Xoxe mori nën komandë dhe Shtabin e Përgjitshëm

Ekskluzive / Seanca e VI-të e gjyqit kundër Koçi Xoxes. Dëshmitë e të pandehurit Pandi Kristo për metodat armiqësore që përdorte Koçi Xoxe për marrjen nën urdhra të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, pas vënies së Partisë nën kontrollin e Sigurimit. Debatet mes prokurorit Spahiu dhe të pandehurit Xoxe.

 

Koçi Xoxe: Nuk kisha besim tek Mehmet Shehu, Liri Belishova dhe Bedri Spahiu. I denoncova si armiq dhe pas vetëvrasjes së Nako Spiros, nisa goditjen dhe eliminimin e tyre nga funksionet drejtuese në Parti dhe në Ministrinë e Mbrojtjes!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Në seancën e gjashtë të gjyqit kundër tij e bashkëpunëtorëve të akuzuar për “Veprimtari armiqësore kundër Partisë e vendit”, ndonëse mohon shumë nga provat e akuzës, Koçi Xoxe vihet përballë deponimeve të të pandehurit Pandi Kristo e Nuri Huta. Në këto kushte, ai debaton ashpër me Prokurorin Spahiu, refuzon fillimisht të përgjigjet dhe më pas kërkon gjykim të hapur. “Nuk kisha besim tek Mehmet Shehu, Liri Belishova dhe Bedri Spahiu. I denoncova si armiq dhe pas vetëvrasjes së Nako Spiros, nisa goditjen dhe eliminimin e tyre nga funksionet drejtuese në Parti dhe në Ministrinë e Mbrojtjes!” – deklaron mes të tjerave në këtë seancë i pandehuri Xoxe…

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë me seancën, me pyetjet dhe shpjegimet e të pandehuri Koçi Xoxe… Vazhdojmë me atë që Koçi vuri Sigurimin në krye dhe mori gjithë shtetin… Kështu, funksioni i Drejtorisë së Personelit në qendër, mbetej vetëm formale, sepse përgjegjësi i kësaj drejtorie ishte dhe njëkohësisht anëtar i Drejtorisë së Kuadrit në aparatet e Komitetit Central, domethënë në dorën e Koçi Xoxes. Për punët e saj, Drejtoria e Personelit në qendër lidhej me Drejtorinë Politike dhe të dyja këto bashkë lidheshin me organet e Sigurimit dhe ai ishte në dorë të Koçi Xoxes. Pra, efektivisht, funksionet e tyre mbeteshin të lidhura ngushtë me ato të Koçi Xoxes. Mbetej pa prekur vetëm Shtabi në qendër dhe repartet ushtarake poshtë që nuk kanë ndonjë ndërhyrje për të lidhur direkt me Komandën e Përgjithshme. Çfarë keni për të thënë, i pandehur Pandi?

 

Pandi Kristo: -Po, në Drejtorinë e Kuadrit të Komandës së Përgjithshme, një anëtar i saj, bën pjesë në Drejtorinë e Kuadrit të Komitetit Central.

 

Prokurori: -Kemi pastaj lidhjen e Sigurimit të Ushtrisë me Sigurimin e  Ministrisë së Brendshme që drejtohet prej Koçi Xoxes. Pamë se informatat jepeshin nga Sigurimi dhe këto informata influenconin mbi ata(personat) që jepeshin. Po ju i pandehur Vaskë Koleci, çfarë keni për të thënë? A dërgoheshin informatat e Sigurimit të Ushtrisë dhe a influenconin këto?

 

Vaskë Koleci: -Po. Sigurimi i ushtrisë dërgonte informata që i dorëzoheshin Koçi Xoxes dhe këto informata influenconin.

 

Prokurori: -Shohim pra, kështu, Sigurimin e Ushtrisë të lidhur me Sigurimin që drejtonte i pandehuri koçi Xoxe.

 

Koçi Xoxe: -Shtabi i Komandës së Përgjithshme nuk ka të bëjë me aparatet e Komitetit Central. Drejtoria Politike ka lidhje me Komandën për gjithë punën politike. Edhe Sigurimi ka lidhje me Komandën për një periudhë të caktuar dhe për tërë gjendjen e kuadrit.

 

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Koçi Xoxe cili ishte Drejtor i Drejtorisë Politike dhe kush e propozoi këtë të bëhet Nënministër?

 

Koçi Xoxe: -Drejtor i Drejtorisë Politike ka qenë Kristo Themelko. Jugosllavët kanë kërkuar që ky të bëhet Nënministër.

 

Prokurori: -Të pyetet i pandehuri Pandi Kristo si u shtrua në Byro dhe kush do i kryente të gjitha punët e Ministrisë së Luftës.

 

Pandi Kristo: -Siç u shtrua në Byro, të gjitha punët do të kalonin në drejtimin e Nënministrit.

 

Prokurori: -Shihni, shokë gjyqtarë se si bëhet spostimi edhe në ushtri, se si efektivisht eliminohet dhe puna e Shtabit të Përgjithshëm dhe kalojnë punët në dorë të një tjetri dhe që shkojnë pastaj direkt tek Tito që donte të kishte në dorë dhe Shtabin e Përgjithshëm. Dhe që prandaj duhet të jetë një Nënministër që sposton Sekretarin e Përgjithshëm(Enver Hoxhën) nga detyra e Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura.

Nuk është i rastit fakti, që kur është Mehmet Shehu në krye të Shtatmadhorisë, atakohet si fraksionist dhe arrihet në eliminimin e  tij nga ushtria. Vini re se si në Drejtorinë Politike kemi këshilltarë jugosllavë dhe në Ministrinë e Brendshme kemi gjithashtu këshilltarë jugosllavë, tamam atje ku është Koçi Xoxe.

Banditi Koçi Xoxe kërkon që të zhvillohet gjykimi i tij me një pjesëmarrje më të gjerë dëgjimesh, por ne i themi këtij krimineli të regjur se këtu është në lojë prestigji i Gjykatave tona, është drejtësia jonë popullore që është marrë nëpër këmbë. Prandaj, me gjithë dëshirën e madhe për ta nxjerrë këtë proces të rëndësishëm para gjithë popullit shqiptar që e pret me padurim, nuk e bëjmë dot. Këtë, aq më tepër, nuk e bëjmë dot sepse banditi Koçi Xoxe me veprimtarinë e tij kriminale dhe të ndyrë ka bërë rrjetë spiunazhi në radhët e Partisë heroike Greke duke bashkëpunuar me trockistët jugosllavë dhe po ta dinte këtë reaksioni dhe sidomos ai grek, do të bëjë që të bërtasë me të madhe kundër vendit tonë reaksionari Tsaldaris.

 

Koçi Xoxe: -Për çështjen greke, është një shpifje, sepse unë, Koçi Xoxe, kam punuar më shumë se kushdo për partinë dhe popullin e Greqisë. Çfarë tha prokurori dje dhe sot, nuk i pranoj. Unë kam për të bërë vërejtje në lidhje me marrëdhëniet e mia personale me Rankoviçin, të cilat nuk kanë asnjë bazë dhe nuk janë ashtu. Ato kanë qenë marrëdhënie të rregullta dhe letrat e bëra kanë qenë në dijeninë e Sekretarit të Përgjithshëm. Për gjithçka që është bërë, ka qenë në dijeni Sekretari i përgjithshëm dhe për një pjesë më të rëndësishme, edhe një pjesë e Byrosë. Për sa i përket çështjes së brendshme të Partisë, unë e kam pranuar në hetuesi  edhe këtu në gjyq se në Berat  me Nakon kemi përgjegjësi për ato dhjetë ditë që nuk ja vumë në dijeni bisedimet që bëmë me Velimir Stojniç. Byroja dhe Komiteti Central i pranoi ato kritika të Velos. Me Sekretarin e Përgjithshëm kam qenë dakord se Nako Spiro ka qenë me të vërtetë prishës i unitetit të udhëheqjes. Unë insistoj këtu se ka qenë një bërthamë, embrion fraksioni që vazhdon edhe sot tek Mehmet Shehu e Liri Belishova, ndërsa pas Plenumit të XI-të edhe tek Bedri Spahiu. Sot, pra, unë realizoj se ka qenë me të vërtetë embrion fraksioni: Nako, Mehmet Shehu, Liria dhe më pas Bedri Spahiu. Gjithçka është përmendur në autokritikën time para Kongresit, më janë sugjeruar sepse për një kohë prej 15 ditësh para Kongresit kam qenë i bllokuar nga rojet e Mehmet Shehut. Edhe në burg më është propozuar të largohem dhe nuk e di në se ka qenë provokacion apo e vërtetë. Unë i kam dhënë tonin për çështjet e brendshme rezolucionit të VIII-të. Unë kam kundërshtuar ardhjen e Divizionit jugosllav, komandën un ike, Federatën. Nako është goditur prej meje fort për punët e brendshme dhe këto goditje 90% janë të drejta. Kurse për marrëdhëniet me jugosllavët, kishte ai të drejtë.  Planin që thotë Prokurori për udhëheqësit nuk e pranoj.

(Ju lexua të pandehurit një skicë e bërë nga shefi i Sigurimit të Tiranës Naum Bezhani, në të cilën përshkruhen ata persona që janë të dyshimtë. I pandehuri Xoxe nuk e pranon dhe thotë se nuk e ka parë)

 

Prokurori: -Po si nuk e ka parë i pandehuri këtë skicë? Kurse kjo, me shkresë përcjellëse, i është dërguar Ministrisë së Brendshme? Të na thotë i pandehuri a ka pas besim tek udhëheqësit?

 

Koçi Xoxe: -Tek të gjithë udhëheqësit unë kam pasur besim. Unë jam vënë në pozita provokacioni që kur jam arrestuar.

 

Prokurori: -Nga i pandehuri, shokë gjyqtarë, nuk mund të prisni respekt për gjyqin. Përkundrazi, ky mundohet me çdo mjet që ta sabotojë zhvillimin e këtij gjyqi. Dhe këto gjëra që thotë, u thanë dhe u përsëritën shumë herë me radhë.

 

Koçi Xoxe: -Në lidhje me dosjet që u treguan këtu, është bërë një shpërdorim i materialit. Të tilla emra, siç i përshkruan Prokurori, janë imagjinatë. Në çështjen e frymës së ‘Intelektualëve të sëmurë’, ka qenë e drejtë dhe mbetet e drejtë edhe sot. Survejim udhëheqësish dhe dosje për udhëheqësit të lidhur me grupe armiqsh nuk ka pasur. Spostimi i Pushtetit nuk ka ekzistuar. Ka ekzistuar vetëm në vitet 1945-1946 dhe është dobësi në organizimin e aparatit të pushtetit dhe kjo. Për arsye objektive dhe subjektive ka pasur forma organizimi të dobëta, antimarksiste që kanë pasur konsekuenca të rënda. Ka ndodhur që organet e Sigurimit tu kenë sugjeruar Gjykatave mbi rrezikshmërinë e të pandehurve të ndryshëm. Spostime me qëllim nuk ka pasur. Për çështje të qeverisë, asnjë send nuk kam marrë nga Pandi Kristo dhe Zihni Muço. Është e vërtetë që Pandin unë e kam propozuar për në Komisionin e Kontrollit si një shok të mirë. Në lidhje me çështjen e ushtrisë, kështu kanë qenë format e organizimit dhe i ka ditur të gjitha shoku Komandant. Unë nuk kam dhënë asnjë direktivë  që me sugjerimin e Sigurimit të bëhej rekrutimi i anëtarëve të Partisë në ushtri. Kurse për gradime, leje e të tjera, ka qenë e drejtë që Sigurimi të shfaqte mendimin e tij. Unë kërkoj që të merret një vendim që të gjykohem publikisht.

 

Prokurori: -Nuk e shoh të nevojshme të përgjigjem dhe një herë këtyre gjërave që u përsëritën shpesh në këtë gjyq. Vetëm dua të theksoj që të mbahet shënim se i pandehuri vetë i rikthye në çështjen e fraksionit në kokën e Partisë dhe e pranon edhe sot. Shikoni pra se me sa demagogji është paraqitur para aktiveve dhe Kongresit, se sa të drejtë ka pasur Kongresi mbi këtë bandit, duke mos e besuar në atë që thoshte në autokritikë.

Të thotë i pandehuri Pandi Kristo çfarë i ka thënë i pandehuri Koçi Xoxe pas ardhjes së letrave të  V.K.P.(b)?

 

Pandi Kristo: -Pas ardhjes së letrave të V.K.P.(b), Koçi Xoxe më ka thënë se ‘ne nuk kemi bërë kaq gabime’. Në Plenumin e XI-të, në aktive dhe në Kongres, Koçi Xoxe ka thënë se nuk ka ekzistuar fraksion.

 

Prokurori: -Po nuk është e rastit, shokë gjyqtarë, parulla e ngritur me forcë prej të pandehurit mbi ‘Intelektualët e sëmurë’ intelektualë borgjezë! Këto kanë qenë udhëzime të dhëna nga padronët e të pandehurit. Shihni se po ju lexoj një pjesë nga faqja 8 e librit të përkthyer të Vladimir Dedies të botuar këto kohët e fundit në Beograd. (Faqja 8 e daktilografuar e përkthimit) në të cilin ky shkrimtar jugosllav flet për planin tonë që ka qenë autokratik që përmend devijimet e intelektualëve në Komitetin tonë Central dhe që këto intelektualë nuk marshojnë në kuadrin e socializmit, por nga perëndimi… Të na thotë i pandehuri Nuri Huta çfarë ka biseduar me Gilasin?

 

Nuri Huta(I pandehur): -Gilasi më ka thënë se Sejfullai ka qëndrime oportuniste dhe antimarksiste, se në shtyp bëhet propagandë anti-sovjetike, botohen me shumë deklarata të  Çurçillit se sa të Stalinit. Më ka thënë për disa çështje të kufirit të Greqisë për të cilat tha se do të interesohet vetë. Unë ja thashë të gjitha këto koçi Xoxes dhe ai mbajti shënim. Dhe pasi unë do ja transmetoja Kiço Ngjelës, më porositi që mos ja referoja këtë gjë Kiço Ngjelës. Tha që mund t’i them Kiços vetëm për eksperiencën jugosllave, por ‘këto që të thashë, mos ja thuaj’.

 

Prokurori: -Kur të tha kështu Koçi Xoxe, ti nxore si deduksion që të mos ja thoshe vetëm Kiço Ngjelës apo çdo njeriu tjetër?

 

Nuri Huta: -Natyrisht unë kuptova se nuk duhej t’ia thosha asnjë njeriu.

 

Koço Xoxe: -Asgjë nuk i thashë Nuri Hutës për të mos ja thënë Kiço Ngjelës. Ato që më tha Nuriu, i shtrova në Byro.

(Prokurori lexoi një telegram të TANJUG-ut në lidhje me atë çfarë shkruante gazetë ‘Borba’ me gjyqin që zhvillohet këtu kundër banditit Koçi Xoxe. Ajo thotë po atë gjë që sostenon i pandehuri dhe po atë gjë që ka përmendur kohë më parë kur e shihte veten si zot i këtij vendi, përmend parullën e lëshuar prej këtij krimineli ‘mbi bërthamën proletare’).

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshmia e Majorit Bexhet Mema, Kryetar i Gjykatës së Korçës: Koçi Xoxe, urdhëroi që të dënonim me vdekje mësuesin Vasil Vaska që akuzohej për djegien e një shkolle.

-Dëshminë e ish-komandantit të batalionit Shaban Zereci: Me urdhër të Koçi Xoxes më kanë mbajtur 16 ditë të varur nga këmbët që të jepja dëshmi fiktive për oficerët madhorë Spiro Moisiu dhe Islam Radovicka.

-Dëshminë e të pandehurit Vaskë Koleci: Po, torturat çnjerëzore mbi të arrestuarit e të dënuarit në qeli, bëheshin me urdhër të Koçi Xoxes.

Kujtim Boriçi May 2, 2013 19:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*