Pandi Kristo: Si përvetësonim para në arkën e shtetit pa dokument me dijeni të Koçi Xoxes

Kujtim Boriçi May 11, 2013 16:19

Pandi Kristo: Si përvetësonim para në arkën e shtetit pa dokument me dijeni të Koçi Xoxes

Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes. Dëshmia e të pandehurit Pandi Kristo lidhur me abuzimet financiare, tërheqjen pa dokument në arkë e shumave të konsiderueshme të parave për vete dhe të pandehurin Koçi Xoxe e familjen e tij

 

Pandi Kristo: -Unë kam përvetësuar mbi 138.000 lekë. Dëftesa nuk kam lëshuar dhe as më janë ndalur nga rrogat. Unë dhe Nënministrat kemi tërhequr me firmë por pa lëshuar dëftesa shuma të konsiderueshme parash për vehte dhe për Koçi Xoxen e familjen e tij.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Në seancën e VIII-të të gjyqit kundër Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve të tij, i pandehuri Pandi Kristo deponon se ai, ashtu dhe Nënministrat e tjerë të Punëve të Brendshme, kanë tërhequra shuma të konsiderueshme të hollash për vete dhe për Koçi Xoxen e familjen e tij, pa asnjë dokument të ligjëruar. “Unë kam përvetësuar mbi 138.000 lekë. Dëftesa nuk kam lëshuar dhe as më janë ndaluar nga rrogat. Unë e Nënministrat kemi tërhequr me firmë por pa lëshuar dëftesa, shuma të konsiderueshme parash për vehte dhe për Koçi Xoxen e familjen e tij”, pohon mes të tjerave i pandehuri Pandi Kristo…

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Vazhdojmë seancën. I pandehur Pandi Kristo, çfarë konsideracionesh kishte Koçi Xoxe për udhëheqësit e Partisë dhe të Pushtetit?

 

Pandi Kristo: -Për disa udhëheqës të Partisë dhe të Pushtetit, Koçi Xoxe nuk ka pasur konsideracione të mira, si për shembull për Dr. Nishanin, Hasan Pulon, Qirjako Hariton, Koço Tashkon, e për të gjithë ato, për të cilët ka pasur dyshime. Për Bedri Spahiun ishin ato që u thanë, për Spiro Moisiun se kishte dalë në grupin e deputetëve, për Shefqet Peçin si i grupit të Kurveleshit në lidhje me Bedriun, për Tahir Kadarenë e Qazim Kondin po në këtë grup…

 

Prokurori: -Po për dosjet që ishin krijuar, çfarë di ti?

 

Pandi Kristo: -Për dosjet, as që kam ditur unë dhe këtu i pashë. Por siç thashë, konsideracionet kanë qenë për të gjithë ata që u janë hapur dosje.

 

Prokurori: -Kush i sillte në Byro informatat?

 

Pandi Kristo: -Informatat në Byro i sillnin Koçi dhe Nesti.

 

Prokurori: -Po ti a ke sjellë informata për ata që dyshoheshin?

 

Pandi Kristo: -Kur isha në Parti, kanë sjellë informata si për Shemsi Totozanin, Pajo Islamin e të tjerë që nuk i mbaj mend.

 

Prokurori: -Si ndodh që gjithë këta të kenë dosje në Sigurim?

 

Pandi Kristo: -Duket që Sigurimi i ka marrë informatat nga Partia që i ka vënë nën survejim këta njerëz.

 

Prokurori: -A ke pasur edhe ti ndonjë predispozicion kundër këtyre udhëheqësve që ishin vënë nën survejim?

 

Pandi Kristo: -Për Bedri Spahiun nuk kam pasur ndonjë predispozicion.  Po ashtu nuk kam pasur dhe për Spiro Kolekën, Medar Shtyllën e Gaqo Tashkon. Për Myslym Pezën kanë qenë ato konsideracione të grupit të deputetëve.

 

Prokurori: -A ke ndihmuar ti në spostimin e Pushtetit?

 

Pandi Kristo: -Nuk kam ndihmuar në spostimin e Pushtetit, por tezat e Koçit i kam përkrahur.

 

Prokurori: -A ke punuar dhe në Kryeministri ti?

 

Pandi Kristo: -Po, kam punuar.

 

Prokurori: -Me cilësinë tënde si kryetar i Komisionit të Kontrollit a e ke njoftuar në kohë për të gjitha çështjet e rëndësishme Kryeministrin?

 

Pandi Kristo: -Si kryetar i Komisionit të Kontrollit nuk e kam njoftuar në rregull Kryeministrinë.

 

Prokurori: -A nuk i quan tradhti ti aktet e sabotimeve që vërtetoheshin në vendin tonë në stil të gjerë?

 

Pandi Kristo: -Nuk i kam kuptuar si tradhti sabotimet.

 

Prokurori: -A ke përvetësuar të holla në arkën e Partisë?

 

Pandi Kristo: -Të hollat i kam marrë në arkën e Partisë duke u bazuar në ato bisedime që janë bërë një herë me një pjesë të Byrosë, me qëllim që të mos merrnim hua andej-këtej por të plotësonim nevojat duke marrë nga arka e Partisë. Këtë na e ka thënë edhe Komandanti(Enver Hoxha), ja ka thënë një herë edhe shokut Bedri se në rast nevoje mund të merrte…

 

Prokurori: -Po si shpjegohet që atje figurojnë vetëm emrat e Koçi Xoxes e Pandi Kristos?

 

Pandi Kristo: -Nuk them se kanë marrë dhe udhëheqës të tjerë, por di që kjo ka qenë e lejuar.

 

Prokurori: -Për të hollat që ke tërhequr a ke lëshuar dëftesa? Sa kanë qenë këto dhe a të janë ndaluar nga rroga?

 

Pandi Kristo: -Dëftesa nuk kam lëshuar dhe as më janë ndaluar nga rrogat. Shuma e tërhequr nga unë arrin në 138.000 lekë e ca.

 

Prokurori: -Ke pasur ti korrespondencë personale me Kardelin?

 

Pandi Kristo: -Kardeli vetëm një herë më ka dërguar letër, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Kontrollit që isha, në të cilën më njoftonte se po vjen një Komision nga Jugosllavia për të bërë një kontroll në bashkëpunim me ne në shoqëritë e përbashkëta shqiptaro-jugosllave.

 

Prokurori: -A e di ti së ç’është Kardeli? A e di ti se si zhvillohet korrespondenca midis shteteve?

 

Pandi Kristo: -Kardeli është Nënkryeministër dhe kryetar i Komisionit të Kontrollit në Jugosllavi dhe me këtë nuk kam pasur ndonjë korrespondencë. Kjo letër ka qenë e para dhe e fundit ku ai më kërkonte që ta ndihmonim komisionin që vinte. Dhe kjo ishte një çështje që i takonte Komisionit të Kontrollit.

 

Prokurori: -Po të tilla letra personale nga personalitete jugosllave vetëm Koçit dhe Pandit i vijnë dhe askujt tjetër. Dhe kjo shpjegohet me këtë se ata janë njerëz të grupit.

 

(Mbi këtë, Prokurori lexoi letrën që M. Kardeli i ka dërguar të pandehurit Pandi Kristo me të cilën i lutet që t’i japë Komisionit që vinte nga Jugosllavia, “gjithë ndihmën e duhur në punën e tij”.

 

Prokurori: -Kardeli e di që është e nevojshme përkrahja e Pandit dhe fakt është se pas kësaj letre, bëhen veprimet më kriminale, në vend që të vihen para përgjegjësisë jugosllavët që sabotonin me të dyja duart… Ja se çfarë thuhet në një pjesë të relacionit që ka bërë ky Komision: “Qeveria shqiptare, deri sot, nuk ka derdhur asnjë lek nga pjesa e kapitalit të saj. Për këtë, Nënministri i Financave Abdyl Këllezi në një konferencë të mbajtur në Ministrinë e Financave ka thënë, se kapitali shqiptar përfaqësohet nga kapitali material që ekzistonte në këto shoqëri dhe kjo është në kundërshtim me nenin 4 të akordit. Kjo është aprovuar nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e datës 25.II.1947”.

 

Kryetari(Frederik Nosi): -I pandehur Pandi Kristo, a e pranon ti procesin që është mbajtur në hetuesi?

 

Pandi Kristo: -Po, e pranoj.

 

Kryetari: -A ke gjë për mbrojtje?

 

Pandi Kristo: -Jo, nuk kam dëshmitarë.

(Gjithashtu, u pyet edhe avokati i tij mbrojtës. Edhe ai tha se nuk kanë dëshmitarë)

 

Vendim: -Pasi ora kaloi, audienca gjyqësore shtyhet për në datën 19.V.1949, ora 3 pas dreke. Tiranë më 18.V.1949. Firmosin Kryetari, sekretari dhe dy anëtarët)…

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Sot në datën 19.V.1949, fillon audienca e VIII-të e gjyqit… Vazhdojmë me pyetjen e të pandehurit Vaskë Koleci…

 

(Para se të fillojë nga procedimi i të pandehurit Vaskë Koleci, i pandehuri Koçi Xoxe tha se: Dua që të përgjigjem rreth ekspozesë që bëri Prokurori).

 

Kryetari: -Ti i pandehur Koçi Xoxe nuk deshe që të përgjigjesh vetë, prandaj do të vazhdojmë me pyetjen e të tjerëve dhe ty do të të jepet rasti të flasësh përsëri, pasi të përfundojmë pyetjen e të pandehurve të tjerë.

 

Koçi Xoxe: -Unë insistoj të përgjigjem sepse nuk më është kënduar dhe procesi hetimor, sepse kështu gjyqi bëhet formal.

 

Kryetari: -Do ta shohim edhe çështjen e procesit, por ti vetë nuk ke dashur të përgjigjesh dhe ofendove trupin gjykues. Megjithatë, përsëri do të jepet mundësia të flasësh sa të duash.

 

Prokurori: -Të mbahet shënim, shokë gjyqtarë, se i pandehuri Koçi Xoxe tha ‘është formal’. Duhet të shënohet kjo se do të shtohet në vokabolarin e trockistit me damkë Koçi Xoxe, sepse kjo do të mbetet në histori dhe nga ky proces do të dalë një eksperiencë e vlefshme për demaskimin dhe luftimin e trockizmit kudo dhe në çfarëdo forme që të shfaqet.

Të pyetet i pandehuri Vaskë Koleci, se a di gjë mbi një të quajturin Dali Zavalani që kishte ardhur nga Egjipti në Jugosllavi dhe që nuk u lejua të hyjë në Shqipëri?

 

Vaskë Koleci: -Nuk më kujtohet një emër i këtillë.

 

Prokurori: -Po i pandehuri Koçi Xoxe di gjë mbi këtë?

 

Koçi Xoxe: -Më kujtohet se Gaqo Tashko më ka folur për këtë dhe unë u interesova për t’u kthyer në Shqipëri. Por nuk e di se si u bë më vonë që nuk u lejua të vinte.

 

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci se kush e jepte orientimin e punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme?

 

Vaskë Koleci: -Orientimin e punës e ka dhënë ish-Ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, i cili ka qenë vazhdimisht në krye të detyrës.

 

Prokurori: -A u jepte udhëzime i pandehuri Koçi Xoxe?

 

Vaskë Koleci: -Po, në lidhje me format organizative na jepte udhëzime.

 

Prokurori: -A vihej në dijeni Koçi Xoxe për çdo punë të dikasterit?

 

Vaskë Koleci: -Në lidhje me punën, ai, i pandehuri Koçi Xoxe vazhdimisht është njoftuar me raport ose verbalisht.

 

Prokurori: -Ju e mbanit në korrent për çdo gjë. A u bënte observacion mbi punën tuaj dhe a ishte i kënaqur ai për punën që bënit ju?

 

Vaskë Koleci: -E mbanim në korrent për çdo gjë. Asnjëherë nuk na ka bërë observacione që të tregonte pakënaqësinë e tij për punën tonë.

 

Prokurori: -A ka pasur raste kur shokët poshtë bënin rezistencë për veprime të paligjshme që konstatonin?

 

Vaskë Koleci: -Më kujtohet se ka pasur raste që janë bërë veprime të kundërligjshme si në operacionet e ndjekjes dhe se shokë të seksioneve poshtë vinin në dukje veprime të parregullta të forcave të mbrojtjes që përdornin rrahjen, si për shembull në Kukës, në Peshkopi dhe në Mirditë… Për të gjitha këto është vënë në dijeni i pandehuri Koçi Xoxe.

 

Prokurori: -Janë marrë masa kundër atyre që shkelnin ligjin?

 

Vaskë Koleci: -Për kohën që kam qenë unë në Ministrinë e Brendshme nuk di të jetë marrë ndonjë masë. Dhe fakti që ato përsëriteshin, del që asnjëherë nuk janë marrë masa.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Akuza për të pandehurin Koçi Xoxe: Me urdhër të Koçi Xoxes u bë terror masiv e reprezalje në Shijak dhe u vranë 5 veta, pa pasur materiale për aktivitet të paligjshëm të tyre.

-Dëshmia e Vaskë Kolecit: Si dhunoi fizikisht Koçi Xoxe rreshterin e Mehmet Shehut pas vrasjes së shoferit të Mehmetit.

-Si u vranë me urdhër të Xoxes nëpërmjet skenarit të para përgatitur të “arratisjes nga burgu” të kolonelit gjerman Jager, Aristi Qendro, Andrea Zisi, Qamil Taho, Kel Çoba e Galip Hatibi.

Kujtim Boriçi May 11, 2013 16:19
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*