Papa i varfër

Nga Elton Xhanari March 17, 2013 16:03

Papa i varfër

Qarkullon legjenda se gjatë ceremonisë së prezantimit si Papë, Jorge Bergoglio refuzoi veshjen e kuqe me fije ari dhe gëzof hermelini, duke i thënë kardinalit përgjegjës: “Imzot, visheni ju po të dëshironi. Karnevalja ka përfunduar”.

 

Humori i mprehtë i Papa Francescos, tregon butësisht një fillim të ri për Kishën Katolike. Pas befasisë shokuese që prodhoi dorëheqja e gjermanit Jozef Ratzinger, 117 kardinalët e mbledhur në Kapelën Sistine, nën pikturat e përjetshme të Michelangelos, vendosën të zgjidhnin një udhëheqës ndryshe në formë dhe substancë. Jorge Mario Bergoglio shënon një pikë progresi domethënës për historinë e lashtë të Kishës Katolike.

 

Për herë të parë në pothuajse dy mijë vite histori, Papa katolik e ka prejardhjen nga jashtë kontinentit europian. Jorge Bergoglio, argjentinas me prindër italianë, ishte drejtuesi i kishës së një kryeqyteti të madh dhe plot kontradikta si ai i Buenos Airesit. “Vëllezërit kardinalë kishin për detyrë të zgjidhnin Peshkopin e Romës, dhe vajtën e gjetën pothuajse në fund të botës” – u shpreh Papa Francesco në daljen e parë publike, duke ironizuar mbi origjinën e vet. Më në fund Kisha Katolike hap dritaret duke lënë të hyjë një fllad që mban aromën e risisë dhe freskisë të një burri që, sado i moshuar duke pasur 76 pranvera mbi shpatulla, dëshmon me xhestet e veta thjeshtësi dhe mirësi.

 

Pikë së pari, në 800 vite që kanë kaluar nga vdekja e Shën Francescos nga Assisi, asnjë Papë nuk ka pasur kurajon për të zgjedhur emrin e shenjtorit që u zhvesh nga të gjitha parsuritë për të shërbyer të varfërit dhe Zotin. Së dyti Papa Bergoglio, jo vetëm është përfaqësuesi i krahut progresist të Kishës Katolike, jo vetëm ka qënë pranë popullit të mjerë, por personalisht ka zgjedhur të jetojë i zhveshur nga luksi dhe privilegji i të qënit Peshkop dhe Kardinal.

 

“Duhet të shmangim sëmundjen e një Kishe të ndrydhur në vetvete. Është e vërtetë që, nëse dalim në rrugë mund të ndodhin edhe aksidente. Por nëse Kisha qëndron e mbyllur, atëhere mplaket. Dhe midis një Kishe të aksidentuar apo një Kishe të sëmurë nga mplakja, preferoj padyshim të parën.” Me fjalë të thjeshta dhe të kuptueshme nga të gjithë, Papa Katolik i 266-të nuk pranon më që çobani të jetë sipër në kodër dhe delet poshtë në fushë, por më në fund shqipton haptazi idenë që priftërinjtë dhe besimtarët të jenë në të njëjtën vathë.

 

“Varfëria është një krim social, ndërkohë që puna dhe buka janë të drejta themelore të njeriut”, ka deklaruar ndër vite Papa Francesco i cili ka shkuar më tej duke diagnostikuar me saktësi shkakun e krizës ekonomike dhe sociale që “i ka rrënjët tek politikat neo-liberale që konsiderojnë përfitimet dhe ligjet e tregut si absolute, në dëm të njerëzve dhe popujve”.

 

Të enjten e shkuar, drejtuesit e Kishës Katolike zgjodhën pa mëdyshje një njeri modest në sjellje por me një karater të fortë. Një prift që ka qënë gjithmonë pranë të varfërve, jashtë lojrave dhe intrigave të Vatikanit dhe që pasurinë shpirtërore e ka konsideruar gjithmonë si parësore në jetën e një besimtari.

 

Me një kryq prej hekuri të varur mbi gjoks, duke refuzuar floririn e paraardhësve të vet, Papa Francesco, kërkoi mbrëmjen e pardjeshme bekimin e popullit, më para sesa ai të bekonte popullin. Për rreth 30 sekonda, më shumë se 150 mijë njerëz mbledhur në sheshin Shën Pjetër, u lutën në heshtje për liderin e tyre shpirtëror. Ishte një heshtje që premtonte thellësi dhe urtësi: larg pushtetit dhe politikës, pranë vujatjeve njerëzore.

Nga Elton Xhanari March 17, 2013 16:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*