Papa Ilia Zegali e shkroi me gjak pavdekësinë e tij

August 5, 2014 13:43

Papa Ilia Zegali e shkroi me gjak pavdekësinë e tij

Përgatiti Xhevdet Shehu

 Në këtë pjesë të dytë dhe të fundit të Papa Ilia Zegalit bëhet fjalë për kapitullin më të ndritur të jetës së tij si klerik dhe si luftëtar antifashist. Si u përfshi Papa Ilia në këtë luftë, ndikimi që pati në fshtrat e Myzeqesë, betejat ku mori pjesë dhe pse ballistët e kishin halë në sy këtë prift me yllin partizan në ballë. Shokët e tij të luftës si Spiro Moisiu, Ali Demi, Rauf Nallbani, Xhorxhi Robo, Petrit Hakani e të tjerë… Si arrestuan banditët e Hamit Matjanit dhe torturat që përdorën ndaj këtij luftëtari të shquar deri tek pushkatimi. Qëndresa e Papa Ilias dhe një amanet që ka lënë për djemtë e tij dhe pasardhësit. Paradoksi ‘demokratikas’ ndja këtij martiri të shquar të Myzeqesë…

 

Me pushkë krahut për liri

Sa dëgjoi për sulmin e Italisë fashiste në prill të vitit 1939,Ilia Zegali hodhi pushkën në krahj dhe në krye të një grupi fshatarësh, u nis drejt Lushnjës për t’u dalë përpara pushtuesve fashistë. Pa arritur mirë në Lushnjë, çdo gjë u mor vesh: Këmishëzinjtë kishin zbarkuar dhe kishin shpallur pushtimin e Shqipërisë. Kjo ngjarje u bë shkak që ai menjëherë të fillonte propagandën antifashiste. Rrobat e priftit, jo vetëm nuk e penguan, por e ndihmuan. I lidhur me militantë të tillë si Hasan Gina, Mehmet Alishehu, Lefter Kasneci e pjesëmarrës të tjerë të degës së grupit komunist të Shkodrës në Lushnjë, ai u bë edhe më i vetëdijshëm për luftën për liri. Takimi e bashkëpunimi me  militantin e shquar të luftës Temo Vasin, Hero i Popullit, ia kaliti më shumë këtë vetëdije.

Luftëtari i shquar Mehmet Alishehu, në kujtimet e tij shkruan: “Në fillim të muajit qershor të vitit 1939, bashkë me Lefter Kasnecin u vendosëm me punë në grupin e bonifikimit të kënetës së Thanës me qendër në Karbunarë e Çiflig të Ri. Si komunistë, morëm kontakt me Hasan Ginën, Uan Banon dhe me Vasil e Trifon Pukën. Atu u njohëm me Papa Ilia Zegalin… Ai ishte shumë entuziast dhe kurajoz për luftën që kishim nisur…”

Kështu, Papa Ilia e ktheu shtëpinë e shenjtë  në një vend propagande kundër pushtuesit.

Më 14 qershor 1942 takohet me Rauf Nallbanin e Neim Kuçin, të cilët i ftoi t’u flisnin hapur për luftën më shumë se 300 vetave që do të mblidheshin për festën e Rushajave. Foli aty dhe Papa Ilia i cili u tha besimtarëve se nuk ka qëllim më të shenjtë dhe punë më të mirë se të luftosh për liri dhe të punosh për mëmëdheun. Më 15 gusht ai organizoi shpërndarjen e trakteve e komunikatave në ditën e pazarit disa fshatra si në Zhelizhan, Toshkëz, Kasëmbejas etj. Me këtë detyrë ngarkoi edhe disa prej djemve e nipave të tij, si studentët e Normales së Elbasanit që ishin me pushime verore, si Themi Zegalin, Kozma Zegalin, Llazar Nushin e të tjerë si Nas Ferracakun, Jani Cikon, Vangjel Bushin e të tjerë.

Mirëpo, kjo bëri që pas asaj dite, Papa Ilia të vihej nën një syrvejim të rreptë…

 

Klerik dhe partizan trim

Më 20 mars 1943, Papa Ilia u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të nënprefekturës së Lushnjës, ndërkohë që ishte dhe ënatër i këtij këshilli në komunën e Fier-Sheganit. Kur lufta kishte marrë hov të madh dhe Papa Ilia ishte bërë i njohur si veprimtar aktiv i luftës për liri, prifti i Mazhajt, me rekomandim të celulës së Partisë, shkoi e u radhit në Çetën e Parë partizane të Myzeqesë. Pak më vonë çeta u kthye në batalion. Si partizan në këtë formacion Papa Ilia mori pjesë në një sërë luftimesh në Kolonjë, Bubullimë, Karbunarë, Darsi etj.Më 18 gusht ai mori pjesë në aksionin kundër ballistëve që drejtoheshin nga krimineli Hamit Matjani. Pastaj vazhduan luftimet në përbërje të Grupit të Parë Partizan të Myzeqesë në luftimet e Ngurrëzës, Fier-Sheganit, Divjakës e deri në Roskovec e Mallakastër. Në verën e vitit 1943 ai shoqëroi Ali Demin, Hero i Popullit, si dhe Mehmet Alishehun dhe Lefter Kasnecin. Në grup, me urdhër të Petrit Hakanit bënin pjesë edhe djemtë myzeqarë Themi Zegali, Llazar Nushi, Ramadan Idrizi e të tjerë. Në ngurrëz ata u takuan me drejtuesit kryesorë të batalionit Rrahman Ruçin, Xhorxhi Robon, Hasan Ginën e të tjerë. Po gëzimi më i madh për ta ishte takimi me shokun e tyre të vjetër Papa Ilian.

Po gjatë luftës Papa Ilia bashkëpunoi ngushtë me shokët e tij të armëve dhe të një ideali Spiro Moisiun, Lazar Bozon, Xhorxhi Robon, Neim Kuçin, Miti Bozon, Rauf Nallbanin, Petrit Hakanin, Jorgji Sotën, Halit Kaçanollin e të tjerë.

 

Një “peshqesh” nga Hamit Matjani

Gjatë operacionit gjermano-ballist në Myzeqe në vjeshtë të 43-shit, forcat partizane të Myzeqesë u vendosën në zonat malore të Skraparit dhe të Korçës. Gjatë një parakalimi në qytetin e çliruar të Beratit, grupit Partizan të Myzeqesë i printe me flamur në dorë Papa Ilia Zegali. Ai ishte me kokë të fashuar dhe me kamillaf me yll të kuq në ballë, me belxhikun e me gjerdanin e fishekëve krahëqafë, me dylbit e varura në gjoks e me nagantin në brez. Atë ditë partizanët u strehuan në shtëpitë e beratasve. Papa Ilia shkoi në shtëpinë e Vangjel Haxhistasës. Kur Vangjeli e pa me kokë të fashuar, u shtang dhe e pyeti: “Ç’është kështu?”. E kam peshqesh nga Hamit Matjani, ia ktheu Papa Ilia me buzën në gaz. Me këtë rast, Papa Ilia u mjekua atë natë nga Koli, djali i Vangjelit, i cili ishte mjek. Pasi qëndruan disa ditë në Berat, Papa Ilia urdhërohet nga komisari që të shkonte me shërbim të punonte e të vazhdonte luftën në zonën e Myzeqesë…

 

Arrestimi dhe masakrimi nga xhelatët e Hamit Matjanit

Papa Ilia, i hipur në një pajton, mori rrugën e kthimit për në Lushnjë, por… Ballistët kishin nxituar të zinin Urën e Kuçit ku do ta kalonte Papa Ilia. Pa zbritur mirë nga pajtoni, ballistët e kapën Papa Ilian dhe e lidhën e filluan ta rrihnin shtazërisht. Ashtu të lidhur e nisën për në burgun e Lushnjës. Arrestimin e Papa Ilias e mori vesh dhe Hamit Matjani. Ky urdhëroi xhelatin që ndaj këtij prifti të bëheshin torturat më të mëdha për ditë me radhë.  Papa Ilia binte në agoni dhe shpesh vinte në vete. Në një moment të tillë u ishte drejtuar shokëve të qelisë: “Kur të dilni që këtej tregojuni bijve të mi për qëndrimin që kam mbajtur… U thoni bijve të mi se kur vumë pushkën krahut nuk e llogaritëm më jetën. Llogaritëm vetëm Shqipërinë…” Dhe ai doli nga burgu me shpirt ndër dhëmbë. Po pa kaluar shumë kohë e arrestuan prapë…

 

Akti i fundit

Akti i fundit të jetës, që e futi dhe e la përjetë të pavdekur në histori, është nga të rrallët në Shqipëri. Me urdhër të kriminelit Hamit Matjani, ballistët e morën të lidhur Papa Ilian për ta poshtëruara nëpër Myzeqe. Ia filluan torturave sa pa dalë nga qyteti. I vunë mbi shpatulla arka me municion dhe e godisnin nga pas që të ecte më shpejt… Ec dhe torturo në sytë e fshatarëve… Kështu në Krutje të Poshtme, Bishqethëm, Lumth, Gorre, Rrapëz, Kolonjë, Bubullimë, Eskaj, Kamçisht, Kadipashaj, derisa më 26 prill 1944 e vranë në Ngurrëz të vogël, në zallin e lumit Seman. Para se ta vrisnin, kriminelët e goditën me qytën e pushkës dhe i nxorën njërin sy me bajonetë. Por nuk u mjaftuan me kaq. Pasi e vranë, ia lanë kufomën jashtë. Dhe nuk lejuan njeri për ta varrosur! Megjithatë, fshatarët, pa pyetur për rreziqet, e morën dhe e dërguan në shtëpi, ku i bënë të gjitha ceremonitë mortore. E futën dhe në kishë , pastaj e varrosën me të gjitha nderimet që meritonte.

 

 

Paradoksi në demokraci me Papa Ilian: Shkollës së Toshkëzit i hiqet emri i tij

Për të nderuar jetën, veprën dhe kontributin e këtij martiri për lirinë e Shqipërisë, Shkolla 9-vjeçare e Toshkëzit mbante prej shumë vitesh emrin e Papa Ilia Zegalit. Breza të tërë nxënësish kanë mësuar në bankat e asaj shkolle dhe kudo janë shprehur me krenari për këtë fakt dhe se e kanë mbajtur lart figurën e tij shumë të respektuar në të gjithë Myzeqenë. Mirëpo, një ditë të bukur ndodh paradoksi: demokratët berishistë që kishin fituar zgjedhjet vendore në atë komunë në vitin 2000, vendosën t’i heqin kësaj shkolle emrin e Papa Ilias! Ishte një akt i shëmtuar që në të vërtetë indinjoi nxënësit, mësuesit dhe njerëzit artdashës të kësaj treve. Ata e kuptuan se ky ishte atentati i radhës ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dëshmorëve të saj. Kështu pinjollët e bashkëpunëtorëve të fashistëve e vranë për së dyti Papa Ilia Zegalin, ashtu sikundër kanë rivrarë Heronjtë e Vigut, Dëshmorët e 4 Shkurtit etj.

 

 

Ngritja e shëndeteve me tri të shtëna naganti!

(Sipas kujtimeve të Gjergj Ziut nga Zhelizhani)

Papa Ilia ishte ftuar në një dasëm në fshatin Kozare të rrethit të Lushnjës. Në atë gëzim qe ftuar, veç shumë të tjerëve, edhe një bej i asaj ane. Mysafirët qenë ulur në të dy anët e qoshes, sipas sërës. Zakoni e desh, që në të dy cepat e odës, pranë oxhakut, të ishin ulur prifti dhe beu. I zoti i dasmës mbajti vendin midis dy qosheve të vatrës.

Ishte zakon që rakia shtrohej dhe vazhdonte disa orë. Dhe filluan rakia, këngët e vallet. Midis të gjithëve shquhej zëri i priftit. Bilbil e shkuar bilbilit. Ishte këngëtar i rrallë në Myzeqe. I rrallë edhe si valltar. Shumë nga të pranishmit në dasmë i luteshin që t’ia merrte i pari këngës. Dhe nuk ua prishte. Të tjerët i mbanin iso. Zjente oda nga këngët. Këndonin dhe pinin. Pinin dhe ngrinin dolli. Vetëm beu, i mbetur si cung, qëndronte sikur të mos ndodhej aty. Dëgjonte dhe kishte rënë në të thella… Në një çast ai futi dorën nxitimthi në xhepin ku mbante portofolin dhe kontrolloi shumën e parave që kishte. Kur u garantua, se kishte aq sa i duheshin, sa për të sfiduar këtë prift, mendoi që t’i punonte një rrengë këngëtarit me rraso. Dëshira ia donte që, kur të kryente gjestin denigrues, ç’ishin aty të gajaseshin së qeshuri.

Mbasi e kishte bluar mirë në kokë ç’kishte ndërmend të bënte, u ngrit në gjunjë dhe me zë urdhërues, thirri sazet që t’i afroheshin. Sapo vunë re shenjën që u bëri beu, sazexhinjtë nisën t’i bjenë një taksimi. Pasi u kënaq, u kërkoi muzikantëve që t’ia merrnin edhe një avazi të tjetër. Dhe, tepër xhumert, iu ngjiti në ballë secilit nga një napoleon. Pastaj mori faqoren dhe, duke u hedhur nga një vështrim të gjithëve, ngriti tre shëndete. Të parin, për nënprefektin; të dytin, për rrethkomandantin dhe të tretin për kryetarin e komunës. Të gjithë këta që iu ngrit shëndeti nuk gjëndeshin të pranishëm. Pasi mbaroi këto, iu drejtua Papa llias, duke e gjetur me ato shëndete.

Dasmorët i mbërthyen të gjithë sytë te prifti. Nuk donin të mbeste i fyer. Dikush aty pranë iu afrua pranë dhe, me zë të ulet, e pyeti në se do t’i duheshin para, sepse qe vërtet dorovi e rëndë. “Faleminderit! – i qe përgjigjur Papa Ilia. – Mos u bëj merak, se kam më shumë para se sa beu”.

Dhe menjëherë i drejtohet beut: “Ti që më gjete mua, të gjetët e mira! Këto tre shëndete që ngrite zotrote, si dhe dorovinë e sazeve unë do t’i bëj njëherësh. Po, të trija njëherësh, por … me të shtëna naganti”.

Ç’ishin aty mbetën të shtangur nga kjo Iloj përgjigjeje. Pa e zgjatur, prifti nxori grykën e kobures në penxhere dhe… bam, bam, bam. Beu mbeti i shtangur nga ky gjest, që donte të thoshte shumë në atë dasmë. Në qoftë se deri në ato çaste ai kishte menduar se e kishte sfiduar uratën, tani që ky i fundit ia kishte bërë bam, ndihej i mundur. Po, po, i mundur.

Pasi kishte zbrazur koburen, At Ilia u kthye me vështrim brenda odës, duke e vendosur koburen në brez. Ndërsa kishte ndjekur me sy tërë këto veprime, beu i kthehet të zotit të dasmës:

– Na ke thirrur në dasmë, o i zoti dasmës, prandaj na jep rehatin. Në këtë odë ose unë, ose Papa Ilia! A më kupton?! Këtu kam ardhur të të respektoj, të të nderoj, prandaj më respekto e më ndero!

I zoti i dasmës. ashtu qetë – qetë, iu përgjigj:

– Përderisa ju kam ftuar, të gjithëve ju kam miq. Siç ju kam nderuar, dëshira ma do që edhe ju të më nderoni…

Beu e dëgjonte tërë sy e vesh. Me sa kuptohej, kishte dashur një tjetër përgjigje. Dhe nuk e bën të gjatë. Ngrihet nga vendi tërë nerva dhe largohet nga dasma. Dasmorët e tjerë, që ishin ndjerë në bezdi nga prania e tij, lëvizën nga vendi si të lehtësuar nga një peshë.

Papa Ilia filloi nga romuzet, të cilat ishin në natyrën e tij.

– More, po na e shëmtoi qoshen beu!

Të tjerët nuk bën zë. Ndjehej një farë druajtje morale. Fshatarët që nuk i flitnin hapur beut kur ai ishte i pranishëm, nuk iu bëhej të tregonin “trimëri” kur ai ishte larguar. Por Papa Ilia e kishte njëlloj, si të ishte i pranishëm beu, si të mos ishte i pranishëm. Dhe vazhdoi:

– O i zoti i shtëpisë; njëri këtu thotë që në qoshe, në vend të beut të vendosim një shishe raki, po ti si thua?

I zoti i dasmës e dëgjoi romuzën, por nuk deshi që biseda të merrte rrjedhë humori. Në fund të fundit, ai kishte dashur, pa e kishte thirrur beun në dasmë. Kur pa që prifti kërkonte një lloj përgjigjeje, ia ktheu:

– Mirë nuk bëri që iku, se… helbete, dasëm është. Në dasëm, po si në dasëm: do të ketë muhabete lloj – lloj.

Ndërsa fliste kështu, dikush mori kapelen e beut, që ishte harruar varur në mur, e vendosi në qoshe dhe i vuri para një ranxhatë me raki. Ata që e panë këtë skenë vunë buzën në gaz. Pati edhe nga ata që qeshën me zë të lartë.

Ahengu vazhdoi gjatë. Dikur u ngrit në valle edhe prifti. Ky kërkoi që t’i vinte pas një i ftuar nga Dumreja. Ndërkohë, Papa Ilia porositi ustallarët që të merrnin muzikën e një valleje dumreçe. Dhe njerëzit, duke parë e duke dëgjuar, u kënaqën asaj nate gëzimi.

Njëri nga dasmorët, që ishte i matur në pije, i tha At Ilias:

– Tani ruhu nga beu, se është hakmarrës.

Prifti dëgjoi me vëmendje dhe pastaj, duke vënë dorën në kobure, qeshi.

– Nuk i kam faj. Fajin e pati vet. E patë? Deshi të më turpëronte me paret që kishte, por mbeti i turpëruar. Më nderoi kjo xhanania.

Dhe e ngriti lart koburen.

 

Arsimdashës dhe humanist si ai

Sipas kujtimeve të ish Kolonelit Josif Zegcili, nip i Papa Ilias

Mbasi mbarova mësimet në një shkollë të Beratit, ku dola me rezultate të shkëlqyera, më doli e drejta e studimeve të larta për në Itali. Mirëpo duheshin fonde monetare për të përballuar shpenzimet e udhëtimit për në vendin fqinj, duheshin lekë për të blerë rroba, lekë për të siguruar tekstet mësimore…

“Mos ke merak për shkollën që do të ndjekësh, -më tha një ditë Papa Ilia. – Do t’i gjejmë medoemos edhe lekët”.

Duke parë se dita për t’u nisur për në Itali po afrohej, Papa Ilia e kishte menduar një zgjidhje. Më çoi te një buall nga ata të shtëpisë sonë dhe m’u drejtua: “Kape nga litari, or bir, dhe tërhiqe!” Iu binda.

Zgjidha litarin e buallit nga një hu i ngulur diku pranë kasolles dhe, me anën e tij, tërhoqa kafshën e zezë. Dhe u nisëm nga Mazhaj atë ditë pazari e, ngadalë – ngadalë, arritëm në Lushnje. Tërë atë ditë qëndruam në sheshin e kafshëve, por …blerësit nuk jepnin pazar të mirë. Në fakt, gjithandej ishte fukarallëk i madh. Pasdite vonë e morëm buallin prej litari dhe u nisëm për t’u kthyer në shtëpi. Ndërsa ishim duke kaluar nëpër qytet, nga një kafene dikush na bënte shenjë me dorë. “Është një burrë shumë i shëndoshë që po na bën shenjë t’i afrohemi” i thashë Papa Ilias. Ky i fundit nguli sytë në atë drejtim që i bëra shenjë unë dhe, pas pak, u shkëput nga unë e u afrua drejt atij që na bënte me dorë. Pas pak, vura re që u takuan të dy. Papa Ilia u ul pranë atij që e pat thirrur. Kur vura re një gjë të tillë, tërhoqa buallin e u nisa edhe unë drejt asaj kafeneje. Diku e lidha në një pemë dhe iu afrova pranë njeriut të shëndoshë. Ky i fundit më ftoi t’i shkoja pranë. lu binda. Ngjita shkallët e shkova drejt njeriut të stërshëndoshë. Aty zura vend në një karrike pranë Papa Ilias. I panjohuri më hodhi një vështrim dashamirës dhe i bëri shenjë kamarierit që të më sillte diçka për të pirë. Aty dëgjova këtë bisedë:

– Përse qënke munduar këtej, Papa Ilia?

– Më ka ardhur gjemia në portin e Durrësit dhe unë nuk po mundem ta shkarkoj dot.

– Si, si?! Ty të ka ardhur gjemia?!

– Po. po; mua më ka ardhur gjemia, mirëpo …

Burri i shëndoshë lëvizi nga vendi, i bëri sërish shënjë kamarierit që t’i vinte pranë për t’i marrë edhe një tjetër porosi për mysafirët që i kishin ardhur, dhe iu kthye sërish Papa Ilias:

– Më fol më shkoqur, se nuk po të kuptoj.

Papa Ilia rrufiti kafenë dhe ia ktheu:

– Ky që shikon këtu, është nipi im. Ka mbaruar shkëlqyeshëm në Berat, kështu që shkolla i ka dhënë të drejtën për t’i ndjekur studimet e larta në Itali, mirëpo …

Burri i shëndetshëm dëgjoi me shumë vëmendje, vuri buzën në gaz, lëvizi pak nga vendi dhe iu drejtua Papa Ilias:

– Paske hak të jesh në hall. Tani po të besoj. Vërtet të paska ardhur gjemia në port. Por mos u mërzit; do të ndihmoj unë.

Dhe burri i stërshëndoshë futi dorën në xhep, nxori portofolin, e hapi dhe i dha Papa Ilias disa napolona.

– Urdhëro paret dhe zgjidh hallin! Buallin çoje në shtëpi, se të duhet për bujqësinë…

Papa Ilia mbeti disi i befasuar. I doli një zgjidhje tepër e papritur.

– Ju faleminderit! Por do t’jua kthej. Sa të shes ndonjë gjë, menjëherë do t’jua kthej…

Bashkëbiseduesi iu kthye menjëherë:

– Jua jap jo për t’m’i kthyer, por për të zgjidhur hallin. Unë e kuptoj se ç’do të thotë të dërgosh fëmijët në shkollë. Porosia ime është kjo: Djali të mësojë sa më shumë, sepse kështu do të ndërtojë të ardhmen e tij, do të ndihmojë të ardhmen tënde dhe do t’i kontribuojë edhe vendit.

Mbas një bisede shumë të ëmbël, ndërsa ishte duke perënduar dielli, u ngritëm nga vendi, u përshëndetëm me atë që na pati ftuar në atë kafene dhe u nisëm për në shtëpi. Rrugës mësova gjithçka.

–  Cili ishte ai burri i shëndoshë që na ftoi në kafene? – pyeta Papa Ilian.

Papa Ilia vuri buzën në gaz dhe, duke u kthyer nga unë, m’u përgjigj:

– Ai është Ahmet be Resuli. Siç e dëgjove edhe vet, nuk i kërkova asgjë. Vetëm i tregova hallin. Kur e mësoi atë, kur të pa edhe ty, siç e pe vetë, ai më dha lekët që na duhen për të dërguar ty në Itali. Tani je i kënaqur, or bir?

E dëgjoja me shumë dashuri dhe ende nuk më besohej se tashmë i kishim lekët që duheshin për t’u nisur unë në Itali. Xhaxhaj shiste buallin e punës vetëm e vetëm që unë të mbaroja studimet! Kur edhe kjo nuk u realizua, zgjidhja u gjet. E zgjidhi reputacioni i madh që gëzonte Papa Ilia te të gjithë. Papa Ilia ishte një klerik i atillë, që brenda botëkuptimit të tij fetar përfshihej aq mrekullisht fisnikëria njerëzore.

August 5, 2014 13:43
Komento

1 Koment

  1. Bedriu August 5, 23:19

    Zoti Xhevdet, nje shkrim interesant per kete figure kleriku, por mund t”ju them, se menyra se si e keni shkruar nuk eshte ne nivelin e shkrimit tuaj te yakoneshem. Dhe dua te theksoj se e pata veshtire ta gjej si shkrim [asi pashe titullin ne faqen e dites ketu ne internet. Mu desh te perdor google qe ta gjej si shkrim. Atje thuhej se ishte ne seksionin Dosier, ketu thote tek lajmet flash. Kur tek kryeja e faqes ketu ne internet nuk ka asnje tipar as por dosier, as kulture, dhe as lajme flash dhe shpesh eshte veshtire te gjesh artikuj/ Gjithashtu tipari Kerko, nuk funksionon.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim