Papa Ilia Zegali me yllin e kuq të partizanit në kamillaf

May 11, 2019 13:09

Papa Ilia Zegali me yllin e kuq të partizanit në kamillaf

Dhimitër Shtëmbari

Papa Ilia Zegali, një prej dinastisë së klerikëve të Mazhajt në rrethin e Lushnjes

Fshati Mazhaj i rrethit të Lushnjes ka pas qënë i përmëndur për një dinasti të tërë klerikësh atdhetarë ortodokës, që shërbyen deri edhe në forumet më të larta kishtare në Berat.

Edhe pse disa syresh ishin të arsimuar në gjuhën greke, meshtimin para besimtarëve në kishë e kryenin vetëm në gjuhën shqipe.

Njihen tashmë historikisht figurat e shquara klerikale të këtij fshati në dekada të ndryshme të shekujve XIX e XX, siç mund të përmënden Papa Mitrushi, Papa Josifi, Papa Anastasi, At Theodhori, Papa Thanasi, Papa Petroja, Papa Nikolli, ikonom Theodhori dhe i biri – Papa Ilia Zegali, personazhi i shkrimit tonë.

Ka edhe të tjerë klerikë të këtij fshati.

I betuar njëherësh për fe dhe për atdhe

I biri i Theodhori Zegalit (zëvendësmitropoliti i Myzeqesë së Madhe), Ilia Zegali është lindur në vitin 1893 në fshatin Mazhaj të rrethit të Lushnjes. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën greke, nga njëriu i fisit të vet, Thanas Nushi. Pak më pas u dërgua t’i ndiqte mësimet në shkollën e Manastirit të Ardenicës, ku mësues do të kishte Jani Mingën – Mësues i  Popullit.

Kohë më pas familja e dërgoi Ilian në Berat, ku do të vazhdonte gjysmëgjimnazin e këtij qyteti. Këtu do të kishte lidhje edhe me Babë Dudë Karbunarën. Ndërkohë që ishte nxënës në këtë qytet, në Lushnje i arrestohet i ati, ikonom Theodhori. Arrestohet, sepse e shfrytëzonte kishën jo vetëm për fe.

Edhe mbas daljes nga burgu, në vitet e mbas 1912 – s, ikonom Theodhoriu, nisur nga ideale atdhetare, vazhdoi ta mbante pushkën në krah, prandaj iu desh te futej e të nxirej disa herë nga burgu.

Aktiv në të gjitha kthesat historike të Myzeqesë

Sikundër i ati, edhe Ilia Zegali e vuri herët pushkën në krah. Me një “austriake” në krah, ai ka qënë një nga mbrojtësit e Kongresit të Lushnjes në janarin e vitit 1920. Së toku me trima të tjerë myzeqarë mori pjesë në Revolucionin Demokratiko – Borgjez të Qershorit të vitit 1924, që çoi në krijimin e Qeverisë së Nolit. Mbas përmbysjes së kësaj Qeverie prej forcave mercenare të Ahmet Zogut, Ilia u fsheh fshatrave të Myzeqesë për të mos u kapur.

Në vitin 1928, ndërkohë që i ati tashmë ishte mjaft i moshuar, Ilia kurorëzohet prift i fshatit të vet. Mbas pak kohe dërgohet famulltar në kishën e Fierit, ca më pas – prift në Manastirin e Shën Kollit në fshatin Mbyet të rrethit të Fierit. Ndërsa caktohej në këto kisha, mbas i shkonin të dhënat si njëri i rrezikshëm me veprimtarinë e vet. Eprorëve të vet në Fier i vinin “fakte”, se prifti i Mazhajt, bashkë me predikimin fetar bënte edhe politikë, politikë të rrezikshme për regjimin e kohës.

“Një prift që internohet në Shën Gjon të Elbasanit dhe përcillet me gjindarmë…”

Në Mbyet nuk do të qendronte gjatë, sepse ishte futur në listat e autoriteteve vendore si një element tepër i rrezikshëm. Madje, i tillë ishte edhe për disa nga kolegët e vet klerikë. E pushojnë nga detyra. Mirëpo, nuk u mjaftuan me kaq, por e internojnë në Manastirin e Shën Gjonit në Elbasan. Drejt këtij Manastiri e nisin të lidhur! Gazeta “”Vullneti” e Elbasanit e datës 4 nëntor 1930 do të botonte një shkrim me titullin sensacional: “Një prift që intermohet në Shën Gjon të Elbasanit dhe përcillet me gjindarmë”. Ndër të tjera, në këtë shkrim shënohej, se “Informohemi, se at Ilia Zegali, i biri i Theodhorit, famulltar i kishës së Fierit, është internuar në Shën Gjon të Elbasanit me urdhër, si duket, të imzotAgathangjeli, pa dijtë gja as Mitropolia e këtushme, as episkopi i Manastirit, por vetëm igumeni. Sikundër na tregon ky prift, ashtë përciell nga Fieri në Lushnje, prej Lushnje në Peqin me gjindarmë, gja që nuk bën përshtypje të mirë…”.

Artikulli i botuar nxiti kureshtjen e shumë besimtarëve. Këta të fundit iu gjendën menjëherë në kishë, ku vunë re se prifti që u kishte shkuar,  predikimin fetar e bënte jo thjesht mbi dogma, por mbi fakte konkrete. Ai shprehej, se njërëzit nuk do të mund të shpëtonin nga varfëria për shkak të një besimi fanatik, por do të mund të shpëtonin prej saj falë një besimi që do të mund të kishin te puna e ndershme për një jetë më të mirë.

Mbas disa kohësh në këtë Manastir, e dërgojnë sërish në Mbyet. Mbase ka nxënë, kishin menduar.

Ndëshkohej, se kishte caktuar roje të kishës një mysliman!

Mendonin se kishte vënë mend, por Papa Ilia Zegali nuk mund të ndryshonte rrugë. Vazhdonte të predikonte me sytë drejt tokës ku banonin dhe punonin njerëzit. Herë – herë nuk mund të mos shprehte ndonjë pakënaqësi edhe ndaj regjimit të kohës.

Në këto rrethana, eprori i vet kishtar i Fierit e thërret menjanë dhe i ve përpara disa akuza, mes të cilave edhe atë që kishte të bënte me caktimin e një myslimani roje të kishës. “Ç’do ky mysliman në oborrin e kishës sonë” – i qe drejtuar pyetja. “Edhe ky është rob i zotit” – ia pat kthyer Papa Ilia. “Ke vepruar kundër urdhërit kishtar” i ishte drejtuar sërish eprori i vet. “Jo, – i qe kthyer prifti nga Mazhaj, – atë e ka caktuar këshilli kishtar”. “Atëhere ke bërë një tjetër mëkatë, sepse ke mashtruar një këshill të tërë, prandaj do të dënohesh”.

Dhe sërish e kishin dërguar në Manastirin e Shën Gjonit në Elbasan. Muaj më pas, nga ky Manastir kthehet në vendlindje. Kur dëgjoi këtu për Lëvizjen e Fierit të gushtit të vitit 1935, së toku me ca bashkëfshatarë të vet u bashkohet kryengritësve, mirëpo… me shpartallimin e kësaj Kryengritjeje kapet dhe burgoset.

Prift në fshatin Perondi të Beratit

Mbasi doli nga burgu si pjesëtar i Kryengritjes së Fierit, Papa Ilia Zegali dërgohet në Perondi të rrethit të Beratit. Ndërkohë, dhespotit të Beratit i qe dërguar lajmi, se në Perondi është dërguar një klerikë harrakat, që nuk është në udhën e zotit, prandaj duhej mbajtur në mbikqyrje.

Me shkuarjen në Perondi, prifti nga Mazhaj nisi e vazhdoi të lidhë e të forcojë miqësi me fshatarë të shumtë, me të cilët qante hallet e fukarallekut.  Pa kaluar shumë muaj, dhespoti beratas i dha urdhër që të shkonte prift në vendlindjen e vet. Kështu, mbas mjaft vitesh Papa Ilia kthehet në Mazhaj, në kishën e Shën Mitrit, ndërkohë që i besohej edhe detyra e priftit të jashtëm në kishën e fshatit Rrupaj.

Tashmë prifti i Mazhajt do të vihej nën presionin e disa dashakeqësve vendas, që shikonin te i ardhuri rishtaz në kishë jo një prift si dosido, por një njëri të rrezikshëm. Menjëherë nisën të dërgojnë njoftime në Mitropolinë e Beratit, se Papa Ilia mban armë me vete, se futet në kishë me kobure, se më shumë mban fjalime politike, se sa këndon ungjillin…

Sidoqoftë, Papa Ilia vazhdonte në rrugën e nisur. Dhe prej tij dëgjonin të shprehej: Ajo që i pëlqen dhe i shërben masës së madhe të njerëzve, ajo është e bekuar edhe nga Perëndia. Po dole jashtë rrugës së njerëzve të ndershëm të popullit, shprehej ngaherë, ke dalë edhe prej udhës së zotit.

Në një rast i qe drejtuar dhespotit të Beratit, se në Ungjill nuk shkruhet asgjëkundi, se disa duhet të mos punojnë e të jetojnë nëpër shtëpi të mira, ndërsa shumë të tjerë duhet t’u rrjedhë djersa çurk në punë e të jetojnë në kasollet me kashtë…

Urim me tri të shtëna kobureje

Papa Ilia ftohej rregullisht nëpër gëzime që organizonin bashkëfshatarët, apo  banorët e atyre fshatrave rreth vendlindjes së tij.

Në fshatin Kozare të rrethit të Lushnjes dikush martonte djalin. Kishte ftuar mjaft miq e shokë. Kishte ftuar edhe Papa Ilian, siç kishte ftuar edhe një bej të atyre anëve.

Gjatë dasmës na ngrihet beu dhe, pasi shikon që portofolin e kishte me një shumë të madhe parash, mendoi ta sfidonte priftin, duke e bërë edhe objekt talljejeje e humori. I bërë çakërqef, beu i drejtohet priftit me tri shëndete me gotën plot. Prifti e dëgjoi me qetësi. Mbasi mbaroi beu dhe, kur të gjithë vazhdonin të shikonin priftin se si do të mund t’i përgjigjej, Papa Ilia, ashtu qetë – qetë, i drejtohet: “Ti që më gjete mua, të gjetë e mira! Por unë nuk do ta ngre me raki. Do ta ngre me…”

Dhe ngre diku rrason e zezë, nga nxjerë një kobure. “Do ta ngre me këtë, që ta marrë vesh jo vetëm konaku ku jemi, por tërë fshati”. I afrohet dritares, nxjerr dorën jashtë dhe ia shkrep tri herë.

Të gjithë kishin mbetur të shtangur. Askush nuk e pat pritur atë gjest. Në atë qetësi e pat marrë fjalën beu: “Për këtë më ke thirrur, o i zoti dasmës! Ne të vijmë të të nderojmë, ndërsa ti na fut në odë njërëz me kobure!”

Dhe ngrihet e largohet nga dasma.

Plumbat i nisa në qiell, o bej, – i qe drejtuar prifti, – ndërsa zhurmën e koburës ia bashkova këngës tonë.

 Një tregimth i “Kolonel bunkerit” të mirënjohur, të ndjerit Josif Zegali

Vite të shkuara kam pas dëgjuar një tregim shumë interesant prej Kolonelit të mirënjohur, të ndjerit Josif Zegali: Arsimin e mesëm e mbarova në Berat me rezultate të larta dhe, sipas një rregulli të vet shkollëss, më jepej e drejta që të vazhdoja arsimin e lartë në Itali. Shkova në shtëpi dhe tregova se çfarë më ishte thënë në shkollë. Më dëgjoi edhe xhaxhaj, Papa Ilia, dhe pash që u ndje tepër i gëzuar. “Do të të dërgojmë në Itali për të vazhduar shkollën” – m’u drejtua.

Mirëpo ishim të varfër, – më pat treguar Kolonel Josifi . Xhaxhaj (Papa Ilia) merr njërin ka të shtëpisë dhe, së bashku me mua, nisemi e mbrrijmë në Lushnje për ta shitur. Tërë ditën në Pazar, por… askush nuk dha ndonjë pazar me interes! Aty nga darka marrim kaun me vete dhe nisemi për në shtëpi. Ndërsa ecnim në mes të qytetit, dikush, nga sipër atje ku rrinte, na bën me dorë. Ishte një burrë shumë i bëshëm. Xhaxhaj më la kaun dhe u nis drejt tij. “Nga ke qënë Papa Ilia? – i qe drejtuar ai burri i shëndoshë. “Më ka ardhur gjemia në port, por unë nuk kam me se ta shkarkoj”  – i ishte drejtuar Papa Ilia. “Fol më shkoqur” – i kishte thënë tjetri. “Nipit tim i ka dalë bursa për në Itali, por unë… nuk kam me se ta dërgoj”. “Ashtu?! Urdhëro!”

Dhe ai burri i shëndoshë i kishte dhënë disa napolona. Papa Ilia i kishte marrë, e kishte falënderuar dhe qe larguar.

Ai burri i shëndoshë ishte Ahmet bej Resuli. Dhe Josifit iu bë mbarë për në Itali.

Me pushkën krahut shtigjeve të lirisë

Ndërsa ishte prift në vendlindjen e vet, Papa Ilia i ftonte bashkëfshatarët e vet që të ishin antifashistë aktivë. Dhe nuk mungonte të bënte fjalë për një gjë të tillë edhe gjatë predikimeve fetare.

Në një rast, me porosi të drejtuesve lushnjarë të Luftës, priti në kishë militantët e shquar Naim Kuçi e Rauf Nallbani. Ditën e Rushajave, mbasi u foli besimtarëve me gjuhë fetare, i porositi që të bënin durim për të dëgjuar dy shokë të mirë. Dhe ftoi të futeshin në kishë dy militantët e ardhur. Në çast futet Rauf Nallbani dhe nis të flasë me gjuhën e arsyes. U tregoi se ishte nisur një luftë e drejtë nga shqiptarët, që e bekonte edhe Perëndia. Ju keni dëgjuar për Myslim Pezën, – u qe drejtuar besimtarëve. – Ai është djalë Shehu, por pushkën e ka vënë krahut për të çliruar Atdheun…

Kishte folur edhe militanti tjetër i shquar, Naim Kuçi: E cili zot na këshillon që të qendrojmë kokëulur dhe në zgjedhë të pushtuesve të huaj?!

Pak ditë më pas ia behën karabinierët fashistë dhe e arrestuan Papa Ilian për gjestin që kishte kryer në kishë. Ishte presioni i fshatit. që këtë prift ta linin  të lirë. Tamam në këtë kohë, në mars të vitit 1943, prifti i Mazhajt organizon rininë për të hapur depot e drithit në Mazhaj e, një ditë më pas, edhe në Rrupaj.

Dhe drithi iu shpërnda fshatarëve të varfër.

Rreshtave të batalionit,  me yllin e kuq të partizanit në kamillaf

 Më 20 mars të vitit 1943 Papa Ilia Zegali, në një mbledhje të organizuar në Krutje, zgjidhet anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të rrethit të Lushnjes.

Në mesin e prilit të vitit 1943 prifti i Mazhajt përfshihet në radhët e Batalionit të parë Partizan të Myzeqesë. I veshur prift, me yllin e kuq të partizanit në kamillaf, së bashku me shokët do të ishte pjesëmarrës në mjaft përpjekje të organizuara kundër fashistëve italianë.

Teksa luftonte më 18 gusht të vitit 1943 në fshatin Garunjas si luftëtar i Batalionit Partizan, Papa Ilia plagoset, por nuk jepet. Sakaq, këtu vritet për të mos vdekur kurrë partizani trim nga Biçakaj, Muharrem Zeqo.

Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Papa Ilia kishte krijuar miqësi të ngushtë dhe bashkëpunonte me figura të shquara të kohës, si me Spiro Moisiun, Temo Vasin, Llazar Bozon, Hasan Ginën, Xhorxhi Robon, Petrit Hakanin, Jorgji Sotën, Miti Bozon, Rauf Nallbanin, Neim Kuçin e me plot të tjerë.

Në shtator të vitit 1943 Papa Ilia përfshihet në Grupin e parë Partizan të Myzeqesë. Tashmë ai do të ishte luftëtar aktiv me pushkën krahut edhe jashtë trevës së Myzeqesë.

Ndërsa ishte në Berat, komisari i Batalionit e këshillon që të kthehej në vendlindje, sepse edhe këtu do të mund t’i shërbente çështjes së luftës për çlirim.

Dhe prifti e pranoi sugjerimin që i bëhej.

Mbas shumë torturave, ballistët e pushkatojnë

Teksa kthehej për në vendlindje, pikërisht te Ura e Kuçit ballistët i zenë pritë dhe e kapin. Ashtu të lidhur këmbë e duar, e dërgojnë në burgun e Lushnjes. Hamit Matjani pat urdhëruar që ndaj këtij kleriku të bëheshin torturat më turpëruese dhe më të dëmshme.

Siç pat treguar ish partizani Xhaf Zela, Papa Ilian e patën lidhur fort mbas një karrike, këmbët ia patën lidhur posht saj, ndërsa krahët – në shpinoren e saj dhe kishin vazhduar t’ia shkulnin qimet e mjekrës një e nga një! Më pas e patën futur në qeli dhe, nga aty, kokën ia kishin nxjerrë, përmes një penxhereje, në koridor. Këtu i varnin në qafë pesha të ndryshme! Ishte një torturë e paimagjinueshme për ne të burgosurit.

Po me urdhër të Hamit Matjanit Papa Ilian e vunë përpara dhe e lëvizën fshatrave, duke e torturuar, për t’i futur frikën popullit. Nisur nga Lushnja, e  lëvizën fshatrave Bishqethëm, Lumth, Gorre, Rrapëz, Kolonjë, Bubullimë, Eskaj, Kamçisht, Kadipashaj, derisa më 26 prill të vitit 1944, pra 75 vjet më parë, e pushkatuan në fshatin Ngurrëz e Vogël të rrethit të Lushnjes.

Siç është mësuar nga dëshmitarë të drejtëpërdrejtë, kriminelët ballistë i kishin nxjerrë me bajonetë njërin sy. Por nuk qenë mjaftuar me kaq. Pasi e patën vrarë, nuk patën lejuar që ta varrosnin!

*     *     *

Ka fe, ka edhe atdhe. Altari i kishës është shumë më i vogël, se Altari i atdheut. Papa Ilia doli nga kisha dhe iu ngjit maleve jo për të braktisur shënjtorët, por për t’i ndihmuar Ata në rrugën për të garantuar drejtësinë e vërtetë. Pikërisht në këtë rrugë ai u bë bashkëudhëtar i tyre në udhën e zotit për një qellim vërtet të shënjtë: çlirimin e atdheut.

Në qoftë se dikush i falet fesë vetëm me përgjërim, ai ka bërë diçka. Në qoftë se dikush i falet fesë me vepra konkrete në dobi të popullit, ai ka bërë shumë. Në qoftë se dikush i falet fesë duke derdhur deri edhe gjak për Atdhe, ai ka bërë gjithçka.

Papa Ilia bëri gjithçka për Shqipërinë. Dhe u shpall e mbeti përjetë Dëshmor i Atdheut.

 

May 11, 2019 13:09
Komento

7 Komente

  1. fshatari pafshat May 11, 13:33

    Te lumte mendja dhe pena qe ti rradhit dijet kaq bukur e mire, per Myzeqene: Hambar i Patriotizmit per Liri e Drejtesi, kudo e per te gjithe shqiptaret. Borxh do te te mbeten, o Dhimiter, myzeqaret, per jete. Rrofsh sa me gjate, edhe qe te shkruash sa me shume. Nuk zbrazet asnjehere – HAMBARI.

    Reply to this comment
  2. Myzeqari May 11, 15:57

    Eshte gjynah, qe Papa Ilia Zegali nuk eshte shpallur Hero i Popullit. Sakrifikoi aq shume, ne lufte u plagos se pari dhe muaj me vone edhe u vra nga ballistet e Hamit Matjanit. Çdo gje ia kushtoi vetem Atdheut. Nje shkrim i denje per kete klerik atdhetar.

    Reply to this comment
  3. Shoku May 11, 17:23

    Torturat e ballisteve ndaj priftit partizan me yllin e kuq ne balle, me risollen ne kujtese nje bisede me nje mikun tim nga nje fshat i Ndernenasit, Hamil.
    Pyetjes, pse dole partizan e nuk shkove me ballistet, ai mu pergjegj.
    – Jo ty befsha ! Ti i ke degjuar dhe lexuar bemat e ballisteve,por une i kam pare me syte e mi poshtersite e tyre. Kam par gjakun kur rridhete nga veshi i nuses ,sepse ballisti i zhvati vethet e florinjte. Kam pare vet kur digjnin shtepite e familjeve te partizaneve . Bemat e tyre duane nete dimri te tregohen….
    Torturat e ballisteve ndaj priftit Ilia Zegalit jane nje deshmi tjeter. A i di Agron Tufa dhe ai Celua keto ? A do shkruajne ndonje liber “Krimet e ballisteve kunder popullit e atyre qe luftonin per clirimin e vendit ? Nderime per Ju zoti Dhimiter qe po shkruani per bijte e shquar te Myzeqese si per ata qe luftuan per clirimin e vendit dhe per ata qe luftuan per ndertimin e vendit ne te gjitha fushat e jetes.

    Reply to this comment
  4. demo May 13, 00:57

    Prej ketij paskan mesuar,qe ja shkulnin mjekren me pinca ne degen e brendshme te Vlores kryepeshkopit te pare shqiptar,te KOASH at Visarjon Xhuvanit?

    Reply to this comment
  5. Genti May 13, 06:36

    Qe kur Ylli i kuq ishte apo eshte simbol i Shqiptarise?? Edhe shkaben dekrenore e shemtuan duke i vene yllin e shejtanit persiper, por e hoqem njehere e mire qafe ate yll pas 90-es.

    Ky prifti ka qene ndonje psikopat qe ka zgjedhur profesionin e gabuar. Se po te ishte tamam prift e dinte shume mire qe pentagoni pese cepesh eshte shenja e satanisteve.

    Reply to this comment
  6. Optimisti May 13, 18:43

    Ata që patën si simbol yllin qoftë të kuq apo të bardhë, në luftë e dytë botërore, shpëtuan njerzimin nga hordhitë e të çmëndurit, fyhrerit të rajhut të tretë,Hitler. Njerëz që patën si simbol yllin nuk pranuan thënien hajmali te hitlerianëve: “Ekzistojnë apo nuk ekzistojnë popuj të tjerë në botë, për ne ka rëndësi se sa ata do të jenë skllevër të kulturës gjermane” dhe u bashkuan në një aleancë që përfshiu njerëzit më të devotshëm, më të përparuar, më kurajozë të botës, edhe priftin myzeqar papa Ilia Zegalin. Kush janë psikopatët në këtë rast, ata që luftuan me simbol yllin e kuq apo të bardhë nazifashizmin dhe dhanë jetën në këtë luftë, apo dikush që hedh baltë mbi ta? Këta që po vjellin kaq vrer mbi luftën antifashiste që është lufta më e madhe e njerzimit përparimtar bërë ndonjëher në histori, më ngjajnë me një gjarpër të shkretëtirës që vjell kaq shumë vrer sa helmon edhe vehten.
    Të më thoj kryeministri im, në qoftë se i dërguari i Mitat Frashërit, Hamit Matjani, vrasësi i Ilia Zegalit, që zbarkoj i armatosur deri në dhëmbë për të sjell “lirinë e demokracin” do të kishte patur sukses, çfarë do të kishte ndodhur pëveç një kasaphane si ato të epokës së Timurlegut të barbarëve mongol në vendin tonë? Politikanë e qeveritarë mos keni shkarë në anën e së keqes që nerëzimi përparimtar lau hesapet që para 70 vjetësh? Mos do të çoni pranë busteve të vllezërve Frashëri edhe kockat e ballistit Hamit Matjani?

    Reply to this comment
  7. Populli May 14, 22:23

    Shqiperine e çliruan partizanet me yllin e kuq ne bustine dhe jo ballistet me shkaben ne kapele. Ballistet kane qene bashkepunetor te pushtuesve te huaj. Papa Ilia Zegali pat qene nje idealist i shkelqyer, qe, sikunder edhe Baba Faja Martaneshi e mjaft te tjere kontribuoi deri edhe me gjak per atdheun. Ylli i kuq eshte ne flamurtin e shume shteteve te botes. Duhet te jesh injorant qe te mos nderosh kete yll. Yll fare!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*