Papa Ilia Zegali, prifti që u vra me yllin partizan në ballë

August 4, 2014 19:12

Papa Ilia Zegali, prifti që u vra me yllin partizan në ballë

Në kuadrin e 70-vjetorit të çlirimit

Rrëfimi i Kliti Jani Nushit

 

Në qoftë se dikush i falet fesë vetëm me fjalë, ai ka bërë diçka. Në qoftë se dikush i falet fesë me vepra konkrete në dobi të popullit, ai ka bërë shumë. Në qoftë se dikush i falet fesë duke derdhur deri edhe gjak për atdheun, ai ka bërë gjithçka. Dhe ndërsa kujtojmë rënien Dëshmor të Papa Ilia Zegalit, logjika na bën të shprehemi me bindje: a nuk e dërgoi edhe feja këtë klerik drejt martirizimit?

 

Në këtë 70-vjetor të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, ka një rizgjim të kujtesës së studiuesve të historisë dhe të atyre që e bënë atë luftë të lavdishme që e radhiti vendin tonë në anën e fitimtarëve të mëdhenj SHBA, Bashkimit Sovjetik dhe Anglisë. Një nga këta është dhe historiani lushnjar Kliti Jani Nushi. Para disa ditësh më ra në dorë një libër interesant i tij me titullin intrigues “Trim Ilia me yll në ballë”. Në kopertinën e librit është fotografia e një prifti, ndërsa parathënien e ka shkruar gazetari Dhimitër Shtëmbari. E pyeta menjëherë Dhimitrin se ç’është ky libër. Dhe përgjigja e tij ishte befasuese: Është një libër kushtuar një prifti martir, Ilia Zegalit. Është rast unikal se si një prift dha jetën me yllin e kuq partizan në ballë.

E lexova me kënaqësi dhe hyra në një atmosferë të çuditshme, dyshuese dhe mosbesuese në të njëjtën kohë. Atëherë vetvetiu më lind pyetja që bën edhe Dhimitër Shtëmbari: Në këtë monografi Papa Ilia Zegalin e shohim edhe si partizan me pushkën krahut. Dhe ndokush mbase mund të belbëzojë me vete e nën zë: Ç’fetar paska qenë ky prift, që, dalë nga godina e kishës, qenkësh rreshtuar partizan?! Për më tepër, ç’klerik paska qenë ky njeri, kur në kamillafin e tij paska vënë deri edhe yllin e kuq të partizanit?! Është një histori e rrallë dhe shumë mbresëlënëse që në atmosferën e këtij 70-vjetori të çlirimit na ndihmon të kuptojmë më mirë të vërtetën e asaj lufte fitimtare dhe të idealistëve të vërtetë që e shkruan atë histori me gjakun e tyre. Por edhe na bën më të ndërgjegjshëm për të nderuar dhe mbajtur të gjallë kujtimin e martirëve të lirisë. Në rrëfimin e Kliti Nushit, bashkë me veprimtarinë e shquar të Papa Ilia Zegalit, parakalojnë para syve tanë edhe atdhetarë të shquar si Babë Dudë Karbunara, Heroi i Popullit Ali Demi, kuadro të shquar të luftës partizane si Spiro Moisiu, Xhorxhi Robo, për të Vazhduar më tej me Kolonelin e mirënjohur Josif Zegali, Viktor Zegali e personalitete të tjera të kohës, të cilët shkëlqejnë përballë figurave të errëta si Hamit Matjani, Isa Manastirliu e ballistët bashkëpunëtorë të pushtuesve fashistë.

Prandaj, për të mos e zgjatur, le të hyjmë në rrëfimin e autorit Kliti Jani Nushi.

Përgatiti për botim: Xhevdet Shehu

 

 

Kush ishte Ilia Zegali?

Ilia Zegali ka lindur në vitin 1893 në fshatin Mazhaj të rrethit të Lushnjës. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit në greqisht, ku mësues kishte Thanas Nushin. Më tej vazhdoi shkollën greke në Manastirin e Ardenicës, ku mësues kishte Jani Mingën, i cili më pas do të njihej dhe nderohej si Mësues i Popullit. Më tej, familja me mundim dhe me shpenzimet e saj do ta dërgonte në gjysmëgjimnazin grek të Beratit, ku Ilia Zegali mori mësime nga atdhetari i shquar dhe luftëtari i paepur i arsimit shqip, Jorgji Karbunara, i cili historikisht njihet me emrin Babë Dudë Karbunara. Me kujdesin e posaçëm të të Babë Dodës dhe të mësuesver të tjerë atdhetarë, djaloshi nga Mazhaj mësoi edhe këndim e shkrim shqip, duke u mbrujtur në të njëjtën kohë me idetë më përparimtare të kohës që në thelb kishin idetë e rilindësve të mëdhenj. Bashkëmoashtarët e Ilia Zegalit tregonin se djaloshi nga Mazhaj çdo mëngjes na zgjonte me recitimet e tij në gjuhën shqipe dhe na i ngrinte zemrat peshë. Dashuria për librin u bë pjesë e pandarë jetës së Ilias në bangat e shkollës, në familje dhe në shoqëri. Kur ishte vetëm 13 vjeç tek ai do të linte gjurmë arrestimi i të atit, ikonom Theodhori Zegali. Nga ajo kohë kujtohet ky episod: Ilia shkoi nga Berati në Lushnjë për të vizituar të atin në burg. Për këtë iu desh të bënte një ditë mungesë në shkollë. Kur u kthye në shkollë, Babë Dudë Karbunara e kishte pyetur se përse kishte munguar.

-Mungova sepse i shkova babit në burg në Lushnje… E kanë arrestuar sepse e quajnë nxitës e organizator të një demonstrate bujqish….

Mësuesi atdhetar e pat ledhatuar Ilian dhe duke e parë në sy i tha:

Shumë mirë kini bërë që i keni shkuar në burg. Dhe të jeni krenar për babin që keni! Në fund të fundit ai ka bërë detyrën si shqiptar. Ju po e shikoni se ç’po ngjet në Shqipërinë tonë të gjorë! Deri edhe gjuhën e nënës nuk po na lënë ta mësojmë…

Ilia armatoset

Ilia Zegali u armatos gjatë një aksion i të organizuar për lirimin e bagëtive të fshatarëve të Mazhajt, aksion që përfundoi jo vetëm me marrjen e bagëtive të grabitura, por edhe me çarmatosjen e ushtarëve austriakë. Kjo armë u përdor gjatë. Me ‘austriaken’ në krah Ilia mori pjesë në mbrojtjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjes në janar të vitit 1920. Me po këtë armë në krah dhe me nagantin në brez ai mori pjesë aktive në Revolucionin demokratiko-borgjez të qershorit të vitit 1924. Me po këtë armë mori pjesë edhe në Lëvizjen e Fierit në gusht të vitit 1935, lëvizje që kishte si synim rrëzimin e monarkisë së Zogut. Por një ditë austriakja i mbeti pa fishekë. Nagantin e siguruar gjatë luftimeve që çuan në kurorëzimin e Revolucionit të qershorit 1924 nuk e hoqi asnjëherë nga brezi. Me të luftoi edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, deri sa mbeti Dëshmor i atdheut. Mbas çlirimit naganti i tij iu dorëzua muzeut historik të rrethit të Lushnjes për t’u ruajtur si relike.

Kurorëzimi prift

Ilia Zegali u kurorëzua prift në vitin 1928. Mbas kësaj u emërua famullitar në kishën e Fierit, ndërsa më vonë u caktua prift  në Manastirin e Shën Kollit të fshatit Mbyet pranë Fierit. Mitropolia e Shenjtë e Beratit, që ishte në dijeni të veprimtarisë së të atit, por edhe të vetë Ilias, bashkë me urdhrin e emërimit kishte dërguar në qendrën e zëvendësmitropolitit të Fierit edhe jetëshkrimin e hollësishëm të priftit Ilia Zegali. E caktuan aty pasi në Fier qeveria një vegël të bindur të sajën, zëvendësdhespotin. Kështu, edhe pse rrobën e klerikut, Ilia Zegali do të vihej nën mbikëqyrjen e rreptë të shtetit të kohës si ish fanolist. Epitropi i Fierit që kryente edhe detyrën e zëvendësdhespotit, mbasi u njoh me dokumentet e tij, bashkë me organet përkatëse të shtetit filluan syrvejimin e priftit të sapoardhur. Nuk vonuan t’i sajojnë e t’i grumbullojnë ‘fakte’ nga më të ndryshmet, vetëm e vetëm pse kishte qenë antizogist. Dhe erdhi një ditë, kur ata ia vunë përpara ‘faktet’ duke e akuzuar se bënte politikë në vend të predikimit fetar. Po Papa Ilia ishte aq i zgjuar sa u hodhi poshtë të gjitha duke folur për gjendjen tejet të mjerueshme të jetesës së njerëzve. Kanë ngelur proverbiale fjalët e tij: Më thoni cili zot më pengoka mua të them të vërtetën?!

Arrestimi dhe internimi

Por ky qëndrim i Papa Ilias. Nuk vonoi shumë dhe atë e pushuan nga puna. Madje nuk u mjaftuan me kaq. Ilian e arrestuan dhe e internuan në Manastirin e Shën Gjonit në Elbasan. Por arrestimi i tij ngjalli zemëratë te njerëzit e thjeshtë të cilët u ngritën edhe në protesta, ku veç besimtarëve morën pjesë edhe kolegë të tij nga Fieri, Lushnja dhe Elbasani. Kundër arrestimit shkroi edhe gazeta ‘Vullneti’ e Elbasanit më 4 nëntor 1930 nën titullin “një prift që internohet në Shëngjon të Elbasanit dhe përcillet me gjindarmë”. Internimi i Papa Ilia Zegalit bëri jehonë të madhe thuajse në të gjithë krahinën dhe në krahina të tjera, pasi për të u shkrua në shtyp dhe lajmet përhapeshin shpejt. Si rezultat i një presioni në rritje, papa Ilia mbeti përfundimisht klerik. Gjatë gjithë jetës ai qëndroi një fetar që nuk e ndau asnjëherë luftën për fe nga lufta për atdhe. Ndaj dhe kur u kthye sërish në manastirin e Mbyetit  u prit me gëzim të veçantë nga banorët e fshatit. U prit me lule. Buçitën kambanat e Shën Kollit dhe u organizua një meshë e veçantë. Fshatarët shtruan dreka e darka për mirëseardhjen e At Ilias. Me ditë të tëra vazhduan këngët e vallet nëpër shtëpitë e fshatarëve, ku këngëtari kryesor ishte vetë prifti.

 

Për Papa Ilian di më shumë se për tim atë

Nga Dhimitër SHTËMBARI

Ndërsa bisedonim kohë më parë në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare të  kryeqytetit me intelektualin e shquar, të ndjerin Kolonel Josif Zegali, mbaj mënd të më ketë pyetur: “Po ju, Dhimitër, përse nuk botoni ndonjë libër?”. Dhe, ndërkohë, afroi pranë meje disa fletë të shtypura me kompjuter. Pa pritur t’i jap ndonjë përgjigje, m’u drejtua sërish: “Unë tani jam i moshuar, por se ç’kam një diçka përbrenda që më zjen… Dëshiroj të botoj, ndër të tjera, edhe një lloj enciklopedie për armën e Xhenios … Kam biseduar edhe me ata të Akademisë së Shkencave për të parë mundësinë e ndonjë sponsorizimi…”

E dëgjova me shumë respekt atë njëri, që, siç thotë populli, e kishte kokën plot, dhe nuk ia ktheva menjëherë përgjigjen. Në çast vetëtimthi më lindi një mendim disi i çuditshëm: “Ja, mund të botoj ndonjë libërth kushtuar jush, si një oficer që keni mbaruar “Shkëlqyer”, me Medalje Ari, Akademinë Ushtarake në ish Bashkimin Sovjetik, si një inxhinier i Xhenios që keni përgatitur e zbatuar mjaft  projekte shumë interesante ushtarake” … Por nuk fola. Zgjodha heshtjen. Dhe, siç ngjet jo rrallë, mendimi më fluturoi te një figurë atdhetare, që më pati ngacmuar që në rininë e hershme: te figura atdhetare e Papa Ilia Zegalit.

– Në qoftë se do të nis të shkruaj diçka, – iu përgjigja, – dëshira ma do që të botoj një monografi për atdhetarin e shquar, Papa Ilia Zegalin …

Vura re që Josifit i shndritën sytë. Befas u shkëput tërësisht nga librat dhe fletët e shumta që kishte përpara, u kthye nga unë dhe, impulsiv siç ishte, m’u drejtua:

– Shprehesh kështu për të më bërë qefin mua, apo …

– Jo, – i drejtohem, – shprehem në këtë mënyrë, sepse për Papa Ilian di shumë më tepër gjëra, se sa për vet babain tim.

– Çohu të shkojmë diku për të pirë kafe! – më “urdhëroi” Kolonel Josifi.

U ngritëm dhe shkuam te Kafe “Ardenica”. Dhe aty, pranë filxhanit të kafes,  humbëm në një bisedë të ngrohtë e tepër të këndshme. Aty mësova edhe historinë e shkuarjes së tij për studime të larta në Itali.

E vërteta është, se mendimi për përgatitjen e monografisë kushtuar klerikut të shquar atdhetar Papa Ilia Zegali më pat lindur vite më parë. Dhe erdhi rasti që fillin e atij mendimi të parë ta shthyrë aq mirë e aq bukur historiani i njohur myzeqar, Kliti Jani Nushi. Monografia “Trimi Ilia me yll në ballë” është një himn që i këndohet atdhetarit të mirënjohur myzeqar, Papa Ilia Zegali. Me ndihmën e madhe të djalit të Papa Ilias, Themiut, autori  ka mundur ta sjellë klerikun e shquar nga Mazhaj, ashtu të gjallë, përmes bëmash vërtet atdhetare. Duke shfletuar librin, në përfytyrimin e kujtdo krijohet figura e një  njeriu tepër të veçantë.

Papa Ilia që në vogli kishte marrë arsim e edukatë kleriku, por thellë shpirtit të tij rrinte zgjuar vetëdija atdhetare. Ai vërtet mbante veshur rrason e zezë të fetarit, por brenda qenies së tij qëndronte veshur rroba e bardhë e qytetarit të ndershëm. Ai vërtet seli kryesore të tij kishte kishën, por ai shenjtorët i shikonte edhe te njerëzit e thjeshtë të popullit. Ai e njihte shumë mirë Ungjillin e shenjtë, por po kaq mirë ai njihte edhe “ungjillin” e shkruar prej urtësisë së popullit. Ja përse ai nuk vinte asnjëherë kufij kur vinte puna për të respektuar e nderuar fe e Atdhe. Ai vazhdimisht i ngrinte sytë nga qielli drejt Mëshirëmadhit, por po kaq herë ai i drejtonte sytë edhe drejt popullit të thjeshtë, te mendimi i të cilit kuptonte shenjtërinë e vërtetë. Kleriku i shquar myzeqar, Papa Ilia Zegali, është dhe mbetet një figurë e përmasave kombëtare, që nuk e ngatërroi në asnjë rast moralin fetar me politikën. Ai nuk u bë asnjëherë postiqe, ku të qenë ulur politikëbërës të çdo rangu, përkundrazi, siç tregohet edhe në këtë monografi, ai e kuptonte kishën  si një institucion, ku predikohej vetëm e vërteta, prej së cilës, natyrshëm, buronin Drejtësi e Mirësi. Duke u qëndruar përherë larg intrigave, që, mjerisht, gatuheshin tinëzisht edhe skutave të disa manastireve, Papa Ilia Zegali mundohej t’u kujtonte besimtarëve të thjeshtë të popullit, se Shenjtori më i madh është vetë Njeriu pa vese e pa cene. Përgjigja vjen e thjeshtë: Ka fe, por ka edhe Atdhe. Altari i kishës është shumë më i vogël, se Altari i Atdheut. Papa Ilia doli nga kisha dhe iu ngjit maleve jo për të braktisur shenjtorët, por për t’i ndihmuar Ata në rrugën për të garantuar Drejtësinë e vërtetë. Pikërisht në këtë rrugë ai u bë bashkudhëtar i tyre në Udhën e Zotit për një qëllim vërtet të shenjtë: çlirimin e Atdheut. Në qoftë se dikush i falet fesë vetëm me fjalë, ai ka bërë diçka. Në qoftë se dikush i falet fesë me vepra konkrete në dobi të popullit, ai ka bërë shumë. Në qoftë se dikush i falet fesë duke derdhur deri edhe gjak për atdheun, ai ka bërë gjithçka. Dhe ndërsa kujtojmë rënien Dëshmor të Papa Ilia Zegalit, logjika na bën të shprehemi me bindje: a nuk e dërgoi edhe feja këtë klerik drejt martirizimit?

 

Vijon nesër

Nesër do të lexoni:

Si e priti Papa Ilia pushtimin e Shqipërisë dhe lidhja me luftën nacionalçlirimtare

Kujtimet e Kolonel Josif Zegalit për Papa Ilian para dhe gjatë luftës antifashiste

Arrestimi, torturimi dhe vrasja makabre e Papa Ilia Zegalit nga banditët e Hamit Matjanit

August 4, 2014 19:12
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*