Papunësia me statistikat e reja, 21 për qind

February 10, 2014 09:17

Papunësia me statistikat e reja, 21 për qind

“Standardet ndërkombëtare mbi punësimin dhe papunësinë kanë ndryshuar në tetor të vitit të kaluar pas 31 vjetësh. Norma e papunësisë bazuar në metodën e vjetër ishte rreth 13%. Me standaret e reja, papunësia në Shqipëri është 21%.”

Papunësia në Shqipëri pritet të jetë në shifra të tjera nga ato të deklaruarat deri më tani me 13 për qind. Kjo pasi INSTAT do të përdorë shumë shpejt një metodë tjetër për llogaritjen e saj, sipas standardeve të fundit të Organizatës Botërore të Punësimit. Fahrad Mehrani, konsulent i INSTAT, u shpreh në një intervistë televizive se “standardet ndërkombëtare mbi punësimin dhe papunësinë kanë ndryshuar në tetor të vitit të kaluar pas 31 vjetësh. Kështu që është natyrale që INSTAT, i cili do të ndjekë standardet ndërkombëtare të adoptojë ato më të fundit. Norma e papunësisë bazuar në metodën e vjetër ishte rreth 13%.

Me standaret e reja, papunësia në Shqipëri është 21%.”. I kontraktuar nga INSTAT si konsulent për përmirësimin e statistikave zyrtare, Mehrani thotë se metoda e re pasqyron më mirë realitetin e Shqipërisë. Ai argumenton se përse kjo shifër do të jetë gati dy herë më e lartë. “Arsyeja kryesore lidhet me trajtimin e personave që punojnë për të siguruar jetesën, veçanërisht në bujqësi. Këta janë fermerë që prodhojnë kryesisht për veten e tyre, jo për të shitur. Në Shqipëri janë rreth 300 mijë të tillë.

Deri tani këta quheshin si të punësuar. Por, me standardin e ri kjo kategori nuk konsiderohet si e punësuar. Ajo pjesë e tyre që bën presion në treg duke kërkuar punë, do regjistrohen si të papunë dhe janë rreth 40 mijë të tillë”, shpjegon Mehrani. Por, të punësuarit në bujqësi janë vetëm një pjesë e problemeve në tregun e punës. Sipas të kontraktuarit të INSTAT, “paralelisht janë dhe të punësuarit me pak orë që duan të punojnë më shumë. Gjithashtu është edhe kategoria e të dekurajuarve. Në standardet e reja këto përkufizime janë qartësuar dhe po ashtu edhe mënyra se si llogariten. Nëse i shtojmë dhe këto dy kategori në shifrën e papunësisë në Shqipëri ajo shkon 40%. Pra, totali i njerëzve që janë të papunë ose të nënpunësuar ose të dekurajuar është rreth 40%.”
Si ka qenë shkalla e papunësisë dhe si është llogaritur ajo?

Shkalla e papunësisë është raporti midis numrit të të papunëve te regjistruar dhe numrit të popullsisë aktive, forcës së punës. Forca e punës përbën pjesën e popullatës e cila është në moshë pune, në Shqipëri nga mosha 16 deri në moshën e pensionit, dhe është në kërkim të vazhdueshëm për punë. Niveli më i lartë i papunësisë 22.3 për qind është shënuar në vitin 1993 në vitet e para të pluralizmit politik, ndërsa niveli më i ulët në vitin 1996, 12.4 për qind. Edhe pse shkalla e papunësisë ka qenë në ulje gjatë dhjetë viteve të fundit, ky nivel nuk e ka arritur ende atë të vitit 1996. Në vitin 2009, vihet re një rritje e shkallës së papunësisë me 0.6 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm.

Sipas FMN, shkalla e papunësisë në Shqipëri në vitin 2010 vlerësohej të ishte rreth 12.5 për qind. Sipas të dhënave të deritanishme niveli i papunësisë në Shqipëri mbetet i pandryshueshëm në të pestin tremujor me radhë, edhe kur tashmë është pranuar se ekonomia shqiptare ka ecur në nivele të ulëta në kufirin e 1 për qindëshit. Por të dhënat e INSTAT vetëm në fund të vitit folën se në tremujorin e tretë të këtij viti papunësia në ekonomi qëndroi përsëri 12.8 për qind. Përkundrazi, në tremujorin e tretë, sipas INSTAT, patëm një rritje të numrit të të punësuarve në sektorin privat të ekonomisë. Instituti i statistikave raporton se numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor u rrit me 2.3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 5.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për sa i takon sektorit publik dhe bujqësisë, shifrat nuk kishin asnjë përditësim krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Të dhëna të tilla shënojnë një paradoks, pasi ndonëse ekonomia shqiptare në dy vitet e fundit po rritet në rreth një të katërtin e potencialit të saj, shkalla e papunësisë nuk po rritet. Përkundrazi, papunësia sot është rreth 1 pikë përqindje më e ulët krahasuar me vitin 2010, kur rritja ekonomike ishte rreth tre herë më e lartë. Madje, sipas INSTAT, rritja e punësimit është shoqëruar edhe me rritje të pagave, që vitin e kaluar u rritën 7.3 për qind me bazë vjetore. Rritja e pagave dhe e punësimit, në kushtet e rritjes së dobët të prodhimit, sjell rritje të kostove të punës për njësi dhe ndikon në uljen e marzheve të fitimit. I vetmi shpjegim është se bizneset nuk po shkurtojnë vende pune dhe po pranojnë një ulje të eficiencës dhe të fitimeve, të paktën përkohësisht. Por duket që mënyra e re e përllogaritjes statistikore do na afrojë shifra të reja.

 

February 10, 2014 09:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim