Paqja e brishtë 

November 11, 2017 13:19

Paqja e brishtë 

11 Nëntori i vitit 1918, ka hyrë në histori si dita e armëpushimit të një prej konflikteve më të përgjakshme në kontinentin e vjetër. Por, teksa përpiloheshin traktatet dhe klauzolat e tyre nga kampi fitues, bashkë me to dukej se po parashkruhej rinisja e një konflikti të ri. Paqja e imponuar nën kornizat shtrënguese, nuk arriti të mposhtë dot fuqinë e nacionalizmave, që e shndërruan 11 Nëntorin në një fitore të rreme të paqes, një pushim të thjeshtë mes dy konflikteve, një lloj ndalimi i përkohshëm, për t’iu rikthyer sërish ringjalljes së makthit në kontinent.

Sot, Evropianët jetojnë në paqe. Por, 11 Nëntori është aty, për të rikujtuar brishtësinë e një armëpushimi, që rezultoi në një paqe të gënjeshtërt.

Çka përkujtohet sot, është një ditë zie për Evropën. Ajo çka festohet është pikërisht miqësia që arriti të ndërtohej më pas, mes armiqve të vjetër të përhershëm. Miqësi, që rezultoi në një bashkëpunim logjik e të frytshëm, duke hapur etapën e parë të paqes së zgjatur në kontinent. Etapë, që duhet theksuar se nuk shfaqet krejtësisht e stabilizuar nga nuancat e penetrimeve nacionaliste, nën hijen e ekstremeve dhe populizmave, që kanë marrë zhvillim kohët e fundit në Evropë. Duke shkaktuar tronditje të të drejtave themelore, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit.

Por, a do të mund Evropa të jetë e suksesshme në dhënien e një perspektive të re përkujtimeve të luftës së Parë Botërore ? Ky është edhe shqetësimi, që shfaqet përmes apelit të fundit të nënshkruar nga një sërë historianësh dhe njerëz të penës në përkujtim të armëpushimit të 11 Nëntorit, i publikuar nga rrjeti evropian i gazetave “LENA”.

DITA, e sjell për Ju të plotë:

Letër nga Evropa: 1918-2018, një manifest

“Kjo luftë duhej t’i jepte fund të gjitha luftërave. Kur rreth njëqind vjet më parë, më 11 nëntor 1918, Lufta e Parë Botërore mbaroi në Frontin Perëndimor, dukej se po vinte një epokë e re,  një epokë e karakterizuar nga paqja, demokracia dhe të drejtat e njeriut, nga vetë-përcaktimi kombëtar dhe mirëkuptimi ndërkombëtar.

E drejta e grave për të votuar, kishte filluar marshimin e saj triumfues. Lidhja e Kombeve u krijua për të zbatuar të drejtën ndërkombëtare. Dhe për shumë njerëz jashtë Evropës, premtimi i vetëvendosjes kishte zgjuar shpresën për një fund të kolonializmit.

Mjerisht, të gjitha palët fituesit dhe humbësit, shtetet e vjetra dhe të reja kombëtare, kanë shpërdoruar mundësinë e tyre për të krijuar një kuadër paqësor të qëndrueshëm, në Evropë dhe në mbarë botën. Njëzet vjet më vonë, pushtimi gjerman i Polonisë shkaktoi konfliktin e dytë të madh, që ishte edhe më shkatërrues, vrasës dhe kriminal.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Aleanca Transatlantike e ndihmoi Evropën Perëndimore të fitonte kohë për një zhvillim paqësor dhe të qëndrueshëm; me integrimin evropian, ajo krijoi një projekt paqeje dhe pasurimi, duke mësuar nga tmerret e së kaluarës së afërt.

Por sot, pothuajse tridhjetë vjet pas rënies së diktaturave komuniste dhe bashkimit të kontinentit, demokracia, integrimi evropian dhe vetë paqja janë sërish nën kërcënim. Shumë nga tensionet dhe luftërat aktuale rikujtojnë ato konflikte, që marrëveshjet e paqes të nënshkruara pas vitit 1918, duhej të zgjidhnin. Gjithçka që mbeti e pazgjidhur në atë kohë, përbën një aktualitet alarmues sot.

Në fund të fundit, historiani dhe diplomati zviceran Pol Uidmer kishte ndoshta të drejtë kur deklaroi në vitin 1993: “Teksa Evropa i ka menaxhuar mjaft mirë pasojat e Luftës së Dytë Botërore, ajo ende po përpiqet të kapërcejë ato të Luftës së Parë Botërore.”

Rusia e Putinit ka vështirësi të pranojë pavarësinë e Ukrainës, e shpallur për herë të parë në vitin 1917 dhe akoma më të vështirë të pranojë zhvendosjen e saj drejt Perëndimit.

Kjo vlen edhe për Gjeorgjinë dhe shtetet baltike, të cilat u shpallën gjithashtu të pavarura për herë të parë pas Luftës së Parë Botërore.

Sistemi ndërkombëtar i vendosur në Lindjen e Afërt dhe Lindjen e Mesme, pas vitit 1918, nuk ka rezultuar i qëndrueshëm. Turqia, vuan më shumë se kurrë nga dhimbja fantazmë e humbjes së rëndësisë, pas fundit të Perandorisë Osmane. Njerëzimi po jeton sërish në një botë kritike, të paqëndrueshme dhe shumë-polare,  si pas vitit 1918.

Të gjitha këto çështje, do të vazhdojnë të jenë në aktualitet në vitin 2018. Shumë vende evropiane do të festojnë qindvjeçarin e pavarësisë dhe fitores së tyre, ndërsa të tjerët do të kujtojnë humbjet, si edhe pasojat e tyre. Në Lindje dhe në Perëndim, lëvizjet populiste që janë skeptike ndaj demokracisë përfaqësuese dhe integrimit evropian, janë në zhvillim të plotë. Një valë e re nacionaliste po del në horizont. 

A do të kemi sukses në dhënien e një perspektive të re evropiane, përkujtimeve të fundit të Luftës së Parë Botërore?

Nuk bëhet fjalë vetëm për të kujtuar viktimat dhe pasojat e një lufte të tmerrshme. 

Ajo që nevojitet është njohja e rëndësisë së paqes në Evropë dhe në botë, si dhe rëndësia e së drejtës ndërkombëtare universale dhe demokracisë kushtetuese. Përpjekja e parë për t’i dhënë formë vlerave të saj në botë, pas vitit 1918, dështoi. Një përpjekje e dytë u promovua pas vitit 1945, me themelimin e Kombeve të Bashkuara dhe miratimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Në Evropë vetëm gjysma perëndimore, përfitoi fillimisht. Në fund të Luftës së Ftohtë, këto vlera themelore dukej se më në fund po imponoheshin.  

Sot, megjithatë, ato janë padyshim nën presion, pothuajse kudo. 

Qindvjeçari i fundit të Luftës së Parë Botërore dhe i përpjekjeve të pas 1918-s, për të krijuar një kornizë të qëndrueshme të paqes, është koha e përkryer për të dërguar një sinjal të qartë në favor të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes, si edhe në favor të sundimit të ligjit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.

Ky është edhe apeli ynë ! ” 

 

DITA

November 11, 2017 13:19