Para dhe politikë

August 24, 2017 20:03

Para dhe politikë

Evropa kërkon të vëzhgojë në mënyrë të kujdesshme investimet e mëdha strategjike të huaja, që bëhen në territorin e saj. Qëllimi, është të lokalizojë motivacionet politike, që fshihen pas tyre. Gjatë semestrit të parë të këtij viti, ka pasur 117 riblerje, blerje të pjesshme apo shkrirje në  territorin evropian, që përkthehet në një nivel prej 26.5 miliardë euro. Shifra, që kanë shkaktuar një gjendje alarmi tek tre vendet e mëdha të BE-së, Gjermani, Francë dhe Itali, të cilat i kanë kërkuar Komisionit Evropian të veprojë për të bërë të mundur, mbrojtjen e sektorëve strategjikë evropianë nga investimet e vendeve të treta dhe të synojë një reciprocitet më të mirë në qasjen ndaj tregjeve të huaja.

Në një komunikim politik, që i transmetohej institucionit evropian, tashmë të bërë publik nga shtypi evropian, këta tre vende të Unionit theksojnë se, Evropa ndoshta është shumë mikpritëse, për të mos thënë pasive. Sipas tyre, ajo i lë vendet e huaja të investojnë gjerësisht në sektorët e tyre kyç, ndërkohë që këta vende, hartojnë kushte shtrënguese, duke e bërë të pamundur për kampionët e tyre kombëtarë, të veprojnë në mënyrë reciproke.

Çështja e reciprocitetit, nuk shfaqet rishtazi, pasi ka qenë prej vitesh objekt diskutimesh, tek grupet e ekspertëve të BE-së. Por, se në lidhje me ngritjen e një mekanizmi të tillë, ka vlerësime frenuese që gjykojnë se ai mund të jetë kompleks dhe potencialisht kundër-produktiv.

Ndërsa në lidhje me vlerësimin e investimeve të huaja në BE, tashmë 13 vende anëtare, kanë venë në jetë një sistem kombëtar kontrolli të investimeve të huaja, për të parë nëse ato prezantojnë një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare, apo ndaj objektivave të politikave publike. Por, ndonjëherë kontrolli nuk është i mjaftueshëm. Kështu vitin e kaluar, Gjermania pavarësisht mjeteve në dispozicion dhe tentativave, nuk arriti dot të pengonte kampionin e saj kombëtar të robotëve Kuka, të kalonte nën pavijonin kinez.

Gjermania, Franca dhe Italia tashmë i kërkojnë Komisionit që të luajë rolin e një kulle vrojtimi apo vëzhgimi. Por, duke qenë se, Komisioni nuk gëzon kompetenca që mundësojnë të drejtën e vetos, ai mund të jetë thjesht, një mjet këshillues në dispozicion të shteteve, përballë investime të huaja, që i kanë të ekspozuara qartë motivacionet e tyre politike.

Një vëmendje e veçantë, do të jepet kur ndërmarrja e huaj në fjalë është pjesërisht publike; apo nëse ajo ka mundësi të bëjë blerjet e saj pranë industrive evropiane drejtpërsëdrejti, apo në mënyrë të tërthortë falë granteve; apo nëse ajo propozon një çmim të ekzagjeruar, në raport më çmimet e aplikuara në treg. Analiza do të synonte të përcaktonte nëse riblerja, ka si qëllim t’i shërbejë një strategjie politike industriale të një vendi të tretë. Berlini, Roma dhe Parisi, duan gjithashtu që shtetet të mund të bllokojnë një investim të huaj në tokën e tyre, në rast të një pabarazie në trajtim. Pra, nëse ata gjykojnë se rregullat e lojës, nuk janë të ngjashme, kur ndërmarrjet e tyre kërkojnë të investojnë brenda fushave të tyre të interesit.

Komisioni ka nisur reflektimin e tij prej javësh dhe ka premtuar se, do të veprojë në këtë fushë me nisjen e shtatorit, duke e përfshirë këtë iniciativë në fjalimin e përvitshëm të Junkerit mbi Gjendjen e Unionit. Gjithsesi, opsionet ngelen të hapura. Nga njëra anë, pritet që të shkohet drejt zbatimit të platformës, që propozon treshja e mësipërme e vendeve anëtare, dhe nga ana tjetër mund të shfaqet një terren edhe më ambicioz, që i imponon vendeve të harmonizojnë mjetet kombëtare në dispozicion dhe duke iu ofruar atyre njëkohësisht, një opinion me natyrë detyruese. Por, gjithçka pritet të shfaqet më e plotë me nisjen e shtatorit dhe fjalimin mbi Gjendjen e Unionit.

DITA

August 24, 2017 20:03