Parabola e shtetit “H”

August 11, 2019 19:00

Parabola e shtetit “H”

Nga Moikom Zeqo

Parabola për shtetin “H”, -pa  mohuar analogjitë e pashmangshme  me shtetet e tjera.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik u krijuan një numër shtetesh të rinj brenda ish-territorit të dikurshëm perandorak.

Një republikë e tillë e re, diku pranë ujërave të Kaspikut, mes stepave dhe shkretëtirave, është edhe shteti “H”.

Le ti shmangemi kurthit të identifikimit-  çdo gjë që thuhet më poshtë është e vërtetë.

Madje mund të them se asnjë fantazi nuk mund të jetë sipërore në raport me të Vërtetën.

Shteti “H” është relativisht i vogël.

Popullsia nuk i kalon 300 mijë vetë.

Presidenti që sundon quhet Kirsan Ilyumzhinov.

Etnia e popullsisë nuk është homogjene.

Përgjithësisht janë kalmukët, por dhe disa etni të tjera me origjinë nga India e largët, madhe dhe persona nga Finlanda dhe ishujt e Malajzisë.

Shteti “H”, që në disa doracakë gjeografikë është i quajtur edhe si Kalmukia është shteti më i çuditshëm dhe më i pabesueshëm në botë.

Në kryeqytetin e tij të quajtur Elista është monumenti 25 metra i lartë në bronx i babait të revolucionit, Leninit.

Por shkëmbinjtë e malit përballë janë relievet e mëdha që princi Buda, madje dhe të Dalai Lamas, ku thuhet, se e ka vizituar këtë vend, kur ishte plotësisht i panjohur në vitin 1913.

Ajo që të habit në shtetin “H” është fakti se duhej të qe potencialisht një vend interesant, por për një habi të trishtueshme nuk është aspak i tillë.

Shteti “H” nuk ka as industri dhe as traditë bujqësore.  Por ka një trill dhe një traditë tregtare, në shesh të hapur njerëzit shesin temjan dhe tespie budiste, libra fetarë të afro 300 profetëve të Lindjes, kusi bronxi për të gatuar gjak ariu dhe tigri, prej të cilit mund të distilohet një alkool dehës por dhe vdekjeprurës i quajtur Orsup.

Shiten edhe gazeta, që botohen me alfabet të veçantë, që afron më tepër me hieroglifet.

Shteti “H” quhet republikë për një arsye rutinore.  Presidenti Kirsan ka qenë komunist, është diplomuar në Universitetin e Moskës me një tezë haluçinante që shpjegonte lidhjet midis lojës së shahut dhe ideologjisë komuniste.

Kjo tezë u prit me indiferencë në mjediset akademike, por për arsye që nuk dihen mirë nga informacioni që gazetari anglez Xhemjs Ursor, që botoi një shkrim sensacional në gazetën “New York Times”, u konsiderua si një herezi e fshehtë dhe e kamufluar antikomuniste.

 

Shteti “H”, ish pjesë e Federatës sovjetike, nuk ka ndryshime të mëdha.

As politika por as ekonomia nuk janë të ndryshueshme dhe të lëvizshme.

Gjithçka mishërohet mrekullisht dhe vulgarisht vetëm tek figura e Presidentit Kirsan.

Ai është gjithçka,- por edhe asgjë.

Është një ide organizuese,- madje e vetme.  Konsiderohet si njeri gjenial dhe njeriu që praktikon një proces të quajtur “asgurda” që mund të përkthehet si “zhvillimi i zgjuarsisë”.

Presidenti Kirsan ka shkruar dhe ka aprovuar vetë një kushtetutë tejet të thjeshtë.

Në të gjitha anët e shtetit “H” ai ka vendosur një numër të madh pasqyrash anës rrugës dhe nëpër sheshe si dhe tabela gjigante shahu.

Teoria e tij juridike është konkrete deri në pamëshirësi.

Ai mendon se populli i tij edukohet dhe mbijeton midis pasqyrave dhe tabelave të shahut.

Pasqyrat kanë forcën e njohjes.

Miti i Narcizit në këtë vend nuk ka kuptim negative,- por pozitiv.

Njerëzit shihen në pasqyra për të kuptuar se cilët janë, madje dhe se sa janë.

Pasqyrat janë atribut vetëm i të gjallëve,- të vdekurit e kanë humbur këtë mundësi të hatashme.

Por pasqyrat janë një shpikje e thjeshtë.

Vetëm dyfishojnë imazhet dhe asgjë më tepër.

Presidenti Kirsan i cili është në këtë post që në vitin 1993 është vërtet një gjeni.

Ai mendon se fushat e mëdha të shahut që janë kudo janë mënyra më e përjetshme për mbijetimin e shtetit “H”.

Mësimi i shahut është i detyrueshëm për të gjithë shtetasit, madje fëmijët mësojnë lëvizjet e lojës së shahut më para sesa ët mësojnë alfabetin hibrid dhe të vështirë të gjuhës.  Fushat e shahut në këtë kuptim janë gjithçka.

 

Presidenti Kirsan shpesh fjalimet dhe mesazhet e tij i jep me anë të figurave të shahut p.sh. D4 do të thotë unitet dhe amëshim, A5 do të thotë përkushtim ndaj identitetit dhe kuptohet ndaj presidentit Kirsan, kurse C3 do të thotë lufët kundër komploteve, injorancës dhe përçmimit.

 

Njerëzit në shtetin “H” janë shumë të varfër por ndoshta dhe të lumtur.

Vendin e kanë parë vetëm pak turistë,- kjo republikë e vogël është gati anonime për mediat elektronike dhe Geographical Society.

 

 

Rusët dikur këtu kanë zotëruar çdo gjë.

Nuk dihet pse rusët tregojnë një indiferencë kriminale për shtetin “H”.

Nuk mund të thuhet me siguri se me çfarë dhe si jetojnë banorët e shtetit “H”.

 

Monedha e vendit quhet Somkirgizo.

Nuk është e këmbyeshme me monedhat e botës Dollarin, Euron, Jenin etj.

Të tëra kartëmonedhat kanë të stampuar Presidentin Kirsan si dhe simbolin heraldik të fushës së shahut.

 

Ky shtet është krejtësisht real, por habitërisht i harruar.  Presidenti Kirsan është më i dituri,- ose ndoshta i vetmi njeri i ditur.

Ai flet me admirim për Leninin por edhe për Budën, për  më tepër ai është takuar disa herë me jashtëtokësorët.

Në një intervistë të rrallë që në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse një bisedë e zbardhur me diplomatin Grigor Kisley, nëpunës i parëndësishëm i UNESKO-s ndodhet ky dialog:

 

-Vërtet i keni takuar jashtëtokësorët?

 

-I kam takuar disa herë.

Mos mendoni se jam i marrë.

Gruaja ime më ka thënë njëqind herë të mos flas për këto gjëra.

 

-Si President që jeni a duhet të flisni për këtë gjë?

 

-Po e di, duhet të kem më shumë kujdes, por nëse rrezikoj që gjysma e botës të tallet me mua, do të thotë që jam njeri i sinqertë.

 

-Pra ju jeni i bindur se keni parë jashtëtokësorët?

 

-Tri herë, madje një herë kam udhëtuar me ta në një anije kozmike.

Më kujtohen shumë mirë, por pamjen e kam të mjegullt.

 

-Mund të na i përshkruani?

 

-Janë pak a shumë si ne por mund të ndërrojnë formë.

 

-Ju thatë se keni biseduar me ta?

 

-Jo me gjuhë konkrete por me anë të mendimeve.

Jemi kuptuar shumë mirë.

 

-Keni menduar ndonjëherë ti kërkoni ndihmë jashtëtokësorëve?

 

-Po talleni?

Është e vërtetë që më pëlqen të rri me ta por nuk flasim kurrë për problemet e Tokës.

 

 

Presidenti Kirsan është i qetë dhe i sigurt.

Thuhet që jashtëtokësorët kanë mësuar kodin e jetëgjatësisë.  Ai është i bindur se mund të jetojë treqind vjet, natyrisht përherë president.

 

***

 

Ky sinops hap shumë shtigje arsyetimi.

 

Së pari vërtetohet se dhe në shekullin XXI-të jo të gjitha viset e planetit nuk janë të njohura apo të studiuara siç duhet.

 

Së dyti e përgjithshmja është mitizuar si pasojë e globalizmit të vrazhdë.

 

Më shumë spikat origjinaliteti i rastësisë.

Metoda krahasimtare është thjesht një rutinë dhe nuk duhet mbivlerësuar.

 

Së treti simbolet e pasqyrave, të kutive të shahut,- por dhe ekzistenca e padyshimtë e jashtëtokësorëve japin mundësinë unike që një popull të jetë sinteza e një njeriu dhe ndërsjelltas.

Kureshtjet e padobishme të gjeografëve, apo hulumtimet e çmendura të gazetarëve në këtë vend e humbasin fuqinë.

 

 

 

Presidenti Kirsan e ka shkruar një libër të quajtur “Marbum”  që përkthehet “Lëvizjet”.

Ai ka parasysh jo lëvizjet konkrete të sendeve por lëvizjet e padukshme.

Ai është i pari dhe i vetmi njeri në planet që ka zbuluar dhe shkruar doktrinën ideologjike dhe politike të shahut, ku ka përcaktuar se struktura mendore e kësaj loje është përherë një infinit lëvizjesh, të palëndëta, por që në mënyrë kauzale, pa asnjë utopi përgatitëse përkufizojnë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Në këtë doktrinë të hatashme ka shumë hollësira.

 

Fjala vjen koncepti i opozitës është i pavërtetueshëm, kurse kontrasti midis dy forcave të përfaqësuara nga gurët e zinj dhe gurët e bardhë të shahut është një ide që e sfidon kontradiktën, duke e paraqitur si një unitet të pashkatërrueshëm, përderisa loja e gurëve të zinj dhe gurëve të bardhë mund të realizojë shumë fitore dhe disfata, gjithmonë të ndërsjellta, gjithminë rastësore, kurse vetë gurët e shahut mbeten përgjithmonë.

 

Sinopsi i këtij tregimi duket se anon nga metafizika.

Konkretja dihet që e helmon shpirtëroren.

Nga kjo pikëpamje shteti “H” paraqet një sfidë, që në të ardhmen mund të bëhet gjithashtu globale.

Të papërfillur nga një heshtje e padenjë, populli i shtetit “H” dhe Presidenti Kirsan paraqesin megjithatë një shëmbëlltyrë.

Kjo shëmbëlltyrë vërtet është diku, lokalizohet në brigjet e Kaspikut,- por jo në koordinata të sigurta dhe përfundimtare gjeografike.

Bota globale vuan nga perandorizmi dhe unifikimi.  Bota globale është tregu global.

Kjo sjell një varfëri të hatashme dhe një rrafshim të individualiteteve, qoftë të individëve qoftë dhe të popujve.

Por shteti “H” është një përjashtim i vockël,- mjerisht i papërfillshëm.

Por shteti “H” nuk mund të lihet në harresë.

Mund të përgojohet,- por e ka një bërthamë inkadeshente serioziteti.

 

Sepse është një alternativë. (1999)

 

August 11, 2019 19:00
Komento

2 Komente

  1. Tomorri August 18, 06:47

    Kur nuk merresh dot me hallet e sotme te popullit,do merresh me UFO-t e Kaspikut!

    Reply to this comment
  2. Kasbi August 19, 00:56

    O tomorr nuk e ka per ufo e Caspikut por per ata te shtetit SH

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin