Paradokse shqiptare të jetës së përditshme

August 12, 2019 14:03

Paradokse shqiptare të jetës së përditshme

Nga Fatos Tarifa

Çfarë shkruaj më poshtë janë konstatime dhe reagime personale të miat ndaj disa dukurive që i ndeshim në jetën tonë të përditshme. Unë hezitoj t’i quaj ato “patologji”, pasi dukuri të tilla i ndeshim kaq rëndom, sa ato nuk mund të konsiderohen si përjashtime, ose devijime nga një gjendje e shëndetshme apo normale e mendësisë sonë “kolektive”. Ato janë, paradoksalisht, pjesë e kësaj mendësie. Shembujt që sjell më poshtë për të argumentuar këtë që them janë të ndryshëm, por ata, në fakt, ilustrojnë të njëjtën ide.

Kështu ndodh në të gjithë botën

Për shkak të natyrës së punës që bëj dhe të interesimeve të mia intelektuale, nga koha në kohë, sipas rastit, ndjek emisione televizive në të cilat trajtohen çështje politike, shoqërore e kulturore që më interesojnë. Natyrisht, kam dëshirë të dëgjoj mendimet e kolegëve të mi dhe të kujtdo që është i ditur dhe i mirinformuar në atë fushë për të cilën flet. Jo rrallë, sidoqoftë, jam i interesuar të dëgjoj mendime të studiuesve të rinj, me dëshirën dhe me shpresë që këta të sjellin jo vetëm një frymë të re në debatin shoqëror, si opinionbërës, por edhe njohuri dhe argumente të reja, të cilat, eventualisht, mund të ndihmonin për hartimin e politikave më të mira kulturore e sociale, nëse politikanët dhe politkbërësit tanë do të kishin veshë të dëgjonin dhe vullnetin për t’i ndryshuar shumë gjëra për mirë.

Në mjaft raste, sidoqoftë, mbetem i zhgënjyer-mjaft herë madje shumë i zhgënjyer-nga njerëzit që ftohen në debatet që zhvillohen në studiot televizive, nga ato çfarë ata thonë dhe nga mënyra si sillen në studio përballë publikut që i sheh dhe i dëgjon. Një pjesë e mirë e njerëzve që ftohen të debatojnë në këto studio jo vetëm nuk janë ekspertë të çështjeve për të cilat diskutohet, por as kanë arsimin e duhur për të qenë sado pak të informuar e të dobishëm me atë çka thonë. Një pjesë janë narcisistë e fodullë-edhe pse janë të rinj në moshë-dhe kategorikë në opinionet që shprehin, me një mendje të ngushtë e të mbyllur përballë larmisë së dukurive shoqërore dhe realiteteve komplekse në të cilat jetojmë.

Siguria me të cilën flasin njerëz të tillë merr shumë herë nota groteske, sidomos kur i dëgjon të thonë se: “kështu ndodh në të gjithë botën”, ose “në të gjithë qytetet europianë”, ose “nuk ka vend në botë në të cilin…” bla-bla-bla. Ajo çfarë më indinjon më tepër është se shumica e këtyre njerëzve kanë një eksperiencë jetësore shumë të varfër jashtë vendit të tyre dhe, pra, janë krejtësisht të paaftë të gjykojnë se si “ndodh në të gjithë botën” (asgjë nuk ndodh kudo njëlloj), apo se si janë “të gjithë qytetet europianë” (sikur ata të ishin të gjithë njëlloj).

Në njërin nga këta emisione, një djalë i ri, që s’dukej t’i kish mbushur të tridhjetat, që kish studiuar për arkitekturë dhe që, nga dialekti dukej se ishte nga fshatrat e Devollit, fliste për zhvillimin urbanistik të Tiranës me një “kompetencë” të tillë, që do i bënte të ndiheshin keq edhe arkitektët më të famshëm të kohës sonë, si Rem Koolhaas, Frank Gehry, Renzo Piano apo Jean Nouvel. Ç’gjë e shëmtuar! Një djalë kaq i ri, i sapo dalë nga auditorët e Universitetit Politeknik të Tiranës, me vetëm 3-4 vite eksperiencë në profesionin e tij dhe që, pa dyshim, nuk ka mundur të shohë dot më shumë se Ohrin, Shkupin, Selanikun apo Romën, fliste sikur të ishte një “globetrotter” dhe një urbanist apo arkitekt i klasit të parë!

Të gjitha teoritë

Në një tjetër emision, në të cilin isha ftuar edhe unë të flisja për çështjen e qëndrimit ndaj trashëgimisë kulturore, kisha përballë një djalë po aq të ri në moshë sa dhe arkitekti në episodin e mësipërm. U prezantua si sociolog, njëlloj si unë, edhe pse nuk e njihja dhe s’kisha dëgjuar kurrë për të. Por kur, në debat e sipër, e kundërshtova për pikëpamjet që shprehu, ky “sociolog” i ri që, siç mësova më vonë, as nuk jep mësim në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe as e ushtron në ndonjë farë mënyre profesionin e sociologut, krejt pa modesti më tha: “Profesor, ju dhe unë jemi sociologë dhe e dimë mirë se në teorinë sociologjike…” bla-bla-bla.

Doja ta pyesja djaloshin në fjalë se cilës nga të 165 teoritë mbi shoqërinë i referohej ai, por ia vlente vallë? Kallirit që është bosh nuk i vë dot kokrra. Njëlloj të krekosur e mendjebosh e kam parë atë “sociolog” të flasë edhe në emisione të tjerë, për çdo lloj subjekti. Ka të tjerë që, njëlloj si ky “sociolog”, thonë se “çdo teori provon se…” bla-bla-bla. Do të ishte më e saktë të thoje se “Bibla thotë se…” bla-bla-bla.

 Kthim në “udhën e Zotit”

Një ndër episodet më surprizues e më groteskë që më ka ndodhur në jetën time akademike dyzet e kusur vjeçare është ky: Një kolegu im, pedagog i matematikës, që mban titullin Profesor (tani në pension), më ka thënë se kishte arritur që, me anë të një formule matematikore, të parashikonte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2016, si dhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, një vit më vonë, më 2017. Me mirësjellje i shpreha në atë kohë kolegut tim skepticizmin tim, si sociolog, sa i përket aplikueshmërisë së metodës matematikore për parashikime të kësaj natyre, që kanë të bëjnë me sjelljen elektorale të miliona njerëzve, sjellje e cila nuk mund të faktorizohet në asnjë mënyrë të parashikueshme e të matshme.

Pak kohë më vonë, i njëjti profesor matematike më tha me shumë entuziazëm se kishte arritur që, me anë të një formule matematikore (të ishte vallë e njëjta formulë si ajo e parashikimit të zgjedhjeve), kishte arritur të shpjegonte përse njerëzit besojnë te Zoti. I vura në dukje kolegut tim se propensiteti i njerëzve për të besuar ose jo në një fe të caktuar nuk është një dukuri që mund të shpjegohet ose të matet matematikisht. Mbaj mend, madje, që i thashë se, jo si ateist që jam, por si një njeri i shkencës, unë e konsideroj një abuzim përdorimin e një metode shkencore, siç është matematika, në shpjegimin e një dukuri që s’ka të bëjë aspak me shkencën, siç është feja. Ndoshta e teprova duke i “shpjeguar” kolegut tim të moshuar se askush nuk lind me idenë e Zotit, as me idenë e figurave gjeometrike, siç besonte gabimisht Dekarti. Idenë e Zotit dhe besimin tek një fe e caktuar, i thashë, njerëzit (por jo të gjithë) e krijojnë në varësi të rrethanave e të mjedisit shoqëror në të cilin ata rriten, socializohen e jetojnë.

Reagimi i profesorit të matematikës, ishte shokues për mua atë ditë, po aq sa është një kujtim argëtues sot. Profesori më tha: “Djalë i mbarë, kthehu në udhën e Zotit!”

 

 

August 12, 2019 14:03
Komento

1 Koment

  1. Qinushi August 12, 22:05

    Kthehu në udhën e Zotit djalë i mbarë, se ne kameleonet e PPSH-se sot jemi kthyer ne antikomuniste te flakte. Ne faqezinjte e kemi ulur me kohe steken e komunistit hileqar, dhe tashme kemi vite qe ngreme lart e me lart ate te fashistit. Pardesyte e bardha qe mbajme akoma veshur na beri peshqesh i madherishmi Ramiz. Flamuri i ateistit te cmendur e beri punen e vet, tani e ka radhen flamuri i besimtarit te terbuar. Bashkohu me ne djalë, edhe pse marrëzitë dhe trapllëqet tona s’kanë të sosur. Unë si pordhësor matematike të rekomandoj të ndjekësh qorrazi rrugën tonë të lavdishme. Partia para Shqipërisë – thotë shoku Edver. Ai është idhulli im, kështu që s’ka asnjë llogjikë pse të mos jetë dhe i yti. Edhe pse pensionist, falë tij unë sot jam në krye të akademisë së zgjebsave. Eja se do ta gjejme dhe ty ndonjë vend sorrash… oh sorry vend pëllumbash doja të thoja.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin