Paradoksi, nipçja dëmtohet më shumë nga dajaku i gjyshes se nga incidenti

August 16, 2016 13:20

Paradoksi, nipçja dëmtohet më shumë nga dajaku i gjyshes se nga incidenti

 

Lojërat Olimpike të Rios nuk kanë kaluar pa shkaktuar pasoja edhe në lagjen “Ali Demi” në kryeqytetin shqiptar. Burime për Gojët e Liga bëjnë me dije se gjyshja lokale Shazije Huri kishte nxjerrë në lulishten poshtë pallatit për të lozur, nipçen e vet Gardhosh Huri, 5 vjeçar, tifoz i thekur i kampionit tonë të flakjes së çekiçit, Xhefri Qerpiku.

 

Porosia e gjyshes, e cila po plekste çorape bashkë me shoqet në stolin aty pranë, ishte preçize dhe pa vend për dykuptimësi: “Gardhi i nënës, luaj me kujdes se po u vrave, të kopanisa mirë, more vesh?” Por iluzioni i gjyshes, se duke pasur idhull një flakës çekiçësh, nipi do rrinte ulur pa lëvizur, nuk zgjati shumë.

Burime alidemse thonë se 5 vjeçari që siç mund të merret me mend, nuk ka takat të flakë çekiçë, kishte lidhur një palë pinca të vogla me spango dhe po imitonte idhullin e tij. Por fija e pincave iu rrotullua në kyçin e dorës duke e shtrënguar disi, dhe fëmija thirri, “o gjyshe, u vrava”.

 

Kaq u desh që gjyshja e alarmuar, të çohej vrrik dhe, pasi u sigurua se dëmtimi i Gardhoshit ishte minimal, nisi të vërë në jetë premtimin. “Të thashë se do vriteshe?”, bërtiti gjyshja shembullore, duke ja skuqur mirë prapanicat të voglit. “Të thashë të bësh kujdes?”, shtoi ajo duke marrë një thupër të hollë që ja përcëlloi këmbët. Në vijim, procesi edukativ gjyshor shkaktoi edhe një seri shenjash të tjera tek nipçja i pabindur, që nuk mund të krahasoheshin me zararin modest të flakjes së pincave.

 

Nën vështrimin miratues të kolegeve gjyshe, të cilat historikisht kanë qenë pro fjalës së urtë “druri ka dalë nga xheneti”, Shazije Huri vijoi edhe për pesë minuta të tjera kopanisjen. Burimet nga vendngjarja bëjnë me dije se në fund të seancës, Gardhosh Huri e kishte harruar me 100% dhimbjen e shkaktuar nga incidenti fillestar.

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Sporti i flakjes së pincave nuk ekziston.

August 16, 2016 13:20
Komento

2 Komente

  1. Mark uk August 16, 22:29

    kush asht kjo plaka mos asht gjyshja e zahos

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*