Paralajmërimi i 81-it

Agim Vinca April 6, 2016 11:27

Paralajmërimi i 81-it

Në mbrëmjen e 11 marsit 1981 ishte për vizitë tek unë, në Ulpianë, poeti Zeqir Gërvalla, një nga njerëzit me të cilët shoqërohesha në atë kohë. As Zeqa, as unë, njëri ish-i burgosur politik, kurse tjetri pedagog universiteti, nuk dinim se ç’po ndodhte jo më larg se dy-treqind metra më tutje: në mensën e studentëve, ku fillimisht qe përmbysur një pjatë dhe pastaj pat shpërthyer një demonstratë.

Në lajmet e orës 19.30, në RTP-në e kontrolluar nga aparati partiak dhe shtetëror, u fol shkurt, fare shkurt, për këtë ngjarje, e cila u quajt “revoltë me karakter social”, që kishte si shkas cilësinë e dobët të ushqimit në restorantin e studentëve.

Ndonjë zë i vetmuar politikani, jo të rangut të parë, që kishte marrë guximin të thoshte se duhej parë në mos prapa “kërkesave sociale” fshiheshin edhe ato politike, qe heshtur nga kolegët e tij me pozita më të larta, të cilët ishin të interesuar ta ruanin “qetësinë”, në të vërtetë pozitat e veta, qoftë edhe duke i fshehur problemet e shoqërisë.

Kosova në vitet ’70 të shekullit të kaluar po kalonte nëpër një periudhë qetësie relative, por e qetë nuk ishte. Lëvizje kishte sidomos në mesin e të rinjve. Po ndodhte, pak a shumë ajo që kishte ndodhur me Shqipërinë në fillim të shekullit XX, në kohën e Hyrrietit (1908-1912), kur ishte mbajtur qëndrimi: të përfitohej nga mundësitë që ofronte Hyrrieti, alias Kushtetuta, por pa hequr dorë kurrsesi nga ideja e çlirimit të plotë të vendit.

Është e vërtetë se me Kushtetutën e vitit 1974 qe avancuar pozita kushtetuese e Kosovës në krahasim me periudhën e mëparshme, por çështja e Kosovës dhe çështja shqiptare në përgjithësi, vazhdonte të mbetej një pikë nevralgjike dhe një problem i pazgjidhur. Ishte krijuar një mendësi, e nxitur sigurisht nga udhëheqja politike kosovare, tepër luajale ndaj regjimit jugosllav që identifikohej me emrin e shefit të saj absolut(ist), J. B. Titos, se Kosova “veç emrin nuk e kishte republikë”, por koha do të tregonte se kjo nuk ishte e vërtetë, as në planin e brendshëm e as në atë të jashtëm. Mjafton të kujtojmë, fjala vjen, faktin që Komisioni i Badinterit, i formuar në kohën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në fillim të viteve ’90, do të konstatonte se Kosovës, ndryshe nga njësitë e tjera të federatës, Sllovenia, Kroacia etj., nuk i takonte e drejta e shkëputjes, sepse nuk ishte republikë! Statusi ambivalent i Kosovës: “element konstitutiv i Federatës”, por “në kuadër të Republikës së Serbisë”, pra “edhe-edhe” ose “as-as”, ishte një zgjidhje gjysmake, që si e tillë paraqiste rrezik potencial për konflikt.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se pas vitit 1968 dhe sidomos në vitet ’70 Kosova pat arritur një prosperitet në arsim, shkencë, kulturë e, deri diku, edhe në infrastrukturë, por ajo vazhdonte të ishte ekonomikisht krahina më e prapambetur e Jugosllavisë dhe më e eksploatuara; papunësia dhe varfëria ishte e madhe: shqiptarët mërgonin në Perëndim për bukën e gojës si “përkohësisht të inkuadruar në botën e jashtme”; në Kosovë, më shumë se në trevat e tjera, vepronte kriteri famëkeq i “përshtatshmërisë moralo-politike” në punësimin e njerëzve, në përzgjedhjen e kuadrove e, madje, edhe në regjistrimin e studentëve, ndërsa burgjet vazhdonin të ishin përplot me të burgosur politikë shqiptarë, të cilët i vuanin dënimet të shpërndarë në krejt Jugosllavinë në kushte të tmerrshme dhe trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore.

Kosova e atyre viteve vlonte nga lëvizjet, sidomos në mesin e të rinjve e studentëve, kurse numri i organizatave politike ilegale, që vepronin brenda e jashtë vendit dhe që kërkonin përmirësimin e gjendjes ekonomike, shoqërore dhe politike, por edhe avancimin e statusit politik të Kosovës, ishte gjithnjë e më i madh.

Përpjekjet e krijimit të një vetëdijeje të re kombëtare, që do t’i kapërcente kufijtë e komoditetit së krijuar te një pjesë e popullsisë dhe sidomos e inteligjencies, nuk kishin pushuar në Kosovë dhe në viset shqiptare në ish-Jugosllavi gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Në planin politik, këto përpjekje kishin një synim të artikuluar qartë në programet e organizatave politike ilegale dhe në organet e tyre: çlirimin e viseve të robëruara shqiptare në ish-Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me “shtetin amë”, nga i cili ishin ndarë padrejtësisht.

Burgjet e mbushura me të burgosur politikë shqiptarë dhe revoltat ciklike (1945, 1968, 1981 etj.) ishin dhe janë dëshmia më e mirë se populli shqiptar nuk ishte pajtuar dhe nuk do të pajtohej kurrë me padrejtësitë historike që i qenë bërë në të kaluarën, e aq më pak me diskriminimin që i bëhej si pasojë e mbetjes nën sovranitetin e huaj.

Pikërisht në vitin kur u soll dokumenti aq i mburrur me emrin “Kushtetuta e vitit 1974”, qe burgosur për herë të tretë simboli i rezistencës shqiptare në ish-Jugosllavi, veprimtari Adem Demaçi, bashkë me 15 të tjerë (kësaj here, madje, si thoshte vetë “baca Adem”, ndryshe nga dy herët e tjera, pa bërë asgjë!) dhe qe dënuar me 15 vjet burg! Por ideatorët dhe ekzekutorët e këtij vendimi i kishin bërë hesapet pa hanxhinë: kishin harruar se Adem Demaçi edhe nga burgu ishte burim frymëzimi i Lëvizjes, që kishte si emblemë emrin dhe veprën e tij, andaj edhe i atyre që dolën në rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të Kosovës më 11 e 26 mars dhe më 1 e 2 prill, sikundër edhe në vitin 1968 dhe përgjatë viteve ’80, deri në çlirimin e plotë të Kosovës.

Në këtë kontekst sociopolitik shpërtheu demonstrata e 11 marsit, që kishte marrë shkas nga një insekt i gjetur në pjatën e gjellës. “Duam kushte”, “Kushte për studentët”, “Duam barazi”, “Barazi me të tjerët” – u dëgjua në mbrëmjen e 11 marsit nga turma që ishte nisur në drejtim të qytetit, por u pengua nga forca të shumta policore.

Pas 11 marsit erdhi 26 marsi, ditë kjo kur në Prishtinë, në dy pika të saj, zhvilloheshin dy ngjarje paralele, krejt të kundërta me njëra-tjetrën. Në njërën, te Teatri Krahinor, zhvillohej ceremonia e pritjes së stafetës së Titos, ku, krahas fytyrave zyrtare, shihej edhe ajo e rektorit të Universitetit, kurse në tjetrën, te konviktet e studentëve, brenda hapësirës së rrethuar me forca të shumta policore, milicët e ardhur nga Serbia po bënin kërdinë mbi studentët, protestues e joprotestues, një masakër e vërtetë.

Me shpejtësi të rrufeshme u përhap lajmi mbi sjelljen brutale të policëve serbë ndaj të rinjve shqiptarë, djem e vajza. Në qytet qarkullonin rrëfime rrëqethëse.

Më 1e 2 prill protesta mori përmasat e një lëvizjeje të gjerë popullore, që, përveç rinisë shkollore e studentore, përfshiu edhe shtresat e tjera të popullsisë, në radhë të parë punëtorët dhe u shtri në të gjitha qytetet e Kosovës me epiqendër kryeqytetin e saj, Prishtinën, kurse kërkesat u bënë edhe më të qarta e më të vendosura: “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë”, “Duam të drejtat tona”,  “Poshtë robëria, rroftë liria”, “Kërkojmë zhvillim ekonomik të Kosovës”, “Mjaft shtypje e shfrytëzim”, “Trepça është jona”, “Barazi”, ndërsa kërkesë mbi kërkesat qe, sigurisht, parulla: “Kosova Republikë”.

Në demonstratat e vitit 1981 pati dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur, kurse numri i të burgosurve dhe të keqtrajtuarve nga organet e sigurimit shtetëror ishte jashtëzakonisht i madh, aq sa në vitin 1989, sipas të dhënave zyrtare, ky numër arriti në rreth 700 mijë vetë, që do të thotë më tepër se gjysma e popullsisë. Jo vetëm burrat dhe gratë, por edhe të miturit dhe fëmijët u bënë shumë herë pre e represionit.

Shteti Shqiptar, i tillë çfarë ishte, i mbështeti demonstratat e rinisë shqiptare të Kosovës dhe kërkesat e tyre dhe e gjykoi dhunën e represionin brutal të pushtetit jugosllav mbi demonstruesit paqësorë. Kjo mbështetje, sikurse edhe vetë demonstratat, shërbyen si pretekst për ndërprerjen e bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë, e cila u akuzua për indoktrinim të të rinjve shqiptarë në ish-Jugosllavi me ideologjinë e Partisë së Punës.

Demonstratat u cilësuan me epitetet “armiqësore, nacionaliste, separatiste, irredentiste”, deri edhe “shoviniste” dhe u kualifikuan si “kundërrevolucion”. Filloi procesi famëkeq i diferencimit politik, që zgjati plot dhjetë vjet. Nga profesorët e Universitetit të Prishtinës dhe intelektualët e tjerë anembanë Kosovës, madje edhe nga fshatarët e punëtorët, kërkohej që demonstratat të gjykoheshin si “nacionaliste” etj., ashtu siç ishte vendosur në Beograd, në Kryesinë e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, filial i të cilit ishte edhe Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Por a ishin ato në të vërtetë të tilla?

Në një artikull të botuar në gazetën “Liria”, organ i Grupit Revolucionar të Kosovës (GRK), të quajtur më vonë Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK), autori H. H. (iniciale prapa të cilave fshihej veprimtari Hydajet Hyseni), njëri nga prijësit e demonstratave të ’81-shit, duke iu përgjigjur akuzave për “nacionalizëm e shovinizëm”, shkruante: “Ç’nacionalizëm e ç’shovinizëm kishte në grevat dhe demonstratat që bëri populli në Kosovë? Ç’nacionalizëm e ç’shovinizëm kishte në parullat kundër papunësisë, kurbetit e ngritjes së çmimeve? Ç’kishte nacionaliste e shoviniste në kërkesën e drejtë për kthimin në Kosovë të të burgosurve kosovarë, ose në kërkesën që Kosova dhe viset e tjera shqiptare të çlirohen nga zgjedha koloniale, që Krahinës së Kosovës t’i jepet statusi i republikës në kuadër të Federatës Jugosllave? Ç’e keqe u erdhi popujve të tjerë në Kosovë e Jugosllavi nga demonstratat që u bënë dhe ç’të keqe do t’u sillte atyre realizimi i kërkesave të drejta të demonstruesve?” – pyetje këto që preknin thelbin e problemit: karakterin paqësor e liridashës të demonstratave dhe kërkesat e drejta të atyre që morën pjesë në to. Pasonte përgjigjja: “Asnjë, bash absolutisht asnjë të keqe nuk u sjell popujve të tjerë në Kosovë dhe në Jugosllavi lufta e popullit të Kosovës për të drejta e liri”.

Ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë e tronditën Jugosllavinë e atëhershme, aq sa mund të thuhet se shënuan fillimin e fundit të saj, por ato patën jehonë të gjerë edhe në botë. Jehona e tyre në botë qe e madhe; përmasat dhe kërkesat e tyre, por edhe dhuna që u ushtrua mbi protestuesit nuk zbrisnin nga faqet e para të shtypit. Mund të thuhet se me këto demonstrata për herë të parë pas një kohe të gjatë dilte me forcë çështja e pazgjidhur kombëtare në Jugosllavi dhe sidomos pozita e shqiptarëve, që përbënin popullatën e tretë në federatën jugosllave, pas serbëve dhe kroatëve. Janë të paharrueshëm sidomos artikujt e reporterit të njohur gjerman Viktor Majer dhe të disa gazetarëve të tjerë evropianë (Austri, Gjermani, Itali, Francë etj.); artikulli i studentit italian, në të vërtetë arbëresh, Demetrio (Dhimitër) Patituçi në revistën italiane “Espresso”, që sillte pamje të gjalla nga vendi i ngjarjes, Prishtina e atyre ditëve dhe komentet e vazhdueshme të “Zërit të popullit”, që ndiqeshin me të madhe nëpërmjet Radio-Tiranës dhe Televizionit Shqiptar nga shqiptarët këndej kufirit, deri në çastin kur organet shtetërore jugosllave bënë çmos, duke harxhuar mjete të mëdha materiale, për ta penguar këtë komunikim.

Demonstratat e vitit 1981 e ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës dhe e bënë atë pjesë të agjendës së diplomacisë perëndimore, edhe nëse nuk gëzuan përkrahje eksplicite. Vëmendjen e opinionit botëror e tërhoqi posaçërisht parulla “Kosova-Republikë”, që ishte edhe kërkesa kryesore e demonstratave.

Kjo kërkesë, historikisht e drejtë dhe politikisht reale, i pat mbështetur me shpinë për muri autoritetet jugosllave. Nuk gjenin asnjë argument valid logjik, as shkencor, as historik, as politik, as juridik, as demografik e as tjetërfare që ta kundërshtonin kërkesën “Kosova Republikë”; krejt çka bënin s’ishte veçse propagandë dhe politikë e keqe ditore.

Shkohej deri aty, madje, sa thuhej se Republika ishte kundër interesave të vetë shqiptarëve dhe të Kosovës si “njësi e barabartë e federatës” dhe në vend që kjo kërkesë të shtrohej seriozisht në tryezën e bisedimeve, kërkohej ngushtimi i të drejtave të shqiptarëve dhe heqja e autonomisë së ’74-s, gjë që edhe ndodhi, me forcë, në mars të vitit 1989.

Demonstratat e vitit 1981, pavarësisht nga ikonografia marksiste-leniniste, kishin karakter në radhë të parë kombëtar. Ato ishin shprehje e aspiratave të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi për çlirim kombëtar. Lëvizja ilegale në Kosovë nuk mund të kishte ideologji tjetër nga ajo e shtetit amë. Do të ishte ireale të kërkohej diçka e tillë, ashtu siç është ahistorike të gjykohen ngjarjet e para 35 vjetëve me kriteret e sotme. Se çështja kombëtare ishte preokupim parësor i Lëvizjes dëshmon edhe një detaj: parulla e njohur: “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!”, në materialet e GRK-së shndërrohet në: “Popuj të shtypur të botës bashkohuni!”.

Është e kuptueshme deri diku që vlerësime të disfavorshme për ngjarjet e vitit 1981 të kenë ish-shërbëtorët e regjimit jugosllav, por është absurd i vërtetë kur akuza për kinse organizimin e demonstratave nga Serbia vijnë nga njerëz që pretendojnë se i kanë takuar Lëvizjes!

Është mëkat të flitet kështu për njerëzit që u dolën përballë tankeve dhe që u kalbën burgjeve: një gjeneratë e tërë!

Organizatorët e demonstratave të ’81-shit dhe ata që morën pjesë në to nuk ishin aventurierë, por atdhetarë. Ata ishin lulja e rinisë sonë e jo “plehu i Kosovës”, siç i pat quajtur, për turp, një funksionar i lartë politik. Ata nuk luftuan për poste e privilegje, por për të drejtat dhe lirinë e popullit të vet. “U ngritët ju, viganë, fisnikë/ me korrektesë e madhështi/ ngaqë kërkuat Republikë/ u shtypët si në monarki”, pat shkruar shkrimtari ynë i madh, me famë botërore, Ismail Kadare, ndërsa vogëlsia ime, në një poezi të krijuar në ato vite, duke u identifikuar me botën shpirtërore të djemve që për hir të idealit e kalonin rininë nëpër burgje, pata shkruar: “Ne ishim bij të kësaj toke/ Me plagë e halle shumë/ Lindëm në ditë të stuhishme/ U rritëm në net pa gjumë./ Ne jetën e donim shumë, s’ka dyshim/ Dhe për të luftonim/ Po jeta jonë kish një qëllim:/ Botën ta ndryshonim./ Dhe mos kujtoni se i donim më pak/ Vashat tona të bukura si flutura të kuqe/ Po ne këmbyem puthjet me plagë/ Dhe parqet i këmbyem me burgje./ Se dashuria për këtë tokë/ Më e madhe se gjithçka ish./ Ajo na bëri të hidhemi në flakë/ Dhe të mbyllemi në mure qelish./ Ne nuk lindëm trima me fletë/ Po luftën tonë s’e ndalëm. / Trima na bëri kjo tokë e sertë;/ Rininë asaj ia falëm”.

A kishin iluzione djemtë e ’81-shit? A e mbiçmonin forcën e tyre dhe a e nënçmonin, pak a shumë, atë të kundërshtarit? Sigurisht që po. Edhe pse në përgjithësi politikisht të pjekur e realistë, ata kishin edhe gabimet dhe iluzionet e tyre. Por, cila forcë revolucionare gjatë historisë, që u përpoq ta ndryshonte rrjedhën e saj, nuk i pati ato?

Pasi derdhën tonelata sharjesh kundër djemve dhe vajzave të ’81-shit kur ishin në pushtet, të cilin e humbën, megjithatë, pasi u shtrydhën si limoni, nuk mund të pritej që t’i lavdëronin ato ish-pushtetarët dhe ndjekësit e tyre në rrethanat e reja të krijuara pas rënies së sistemit të vjetër. Tani ata dolën me tezën se demonstratat e vitit 1981 kishin qenë jo vetëm “të parakohshme” e “të dëmshme”, por edhe të organizuara nga shërbimet e huaja (ruse, bullgare etj.) apo edhe nga vetë Serbia! Për më tepër, këto demonstrata, sipas tyre, e kishin ndërprerë procesin e shndërrimit paqësor të Kosovës në Republikë nën udhëheqjen e tyre (ndërkohë që s’arritën ta ruanin as autonominë!) dhe si të tilla i kishin bërë shërbim të keq Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi. Në mohimin që i bëjnë karakterit politik dhe kombëtar të demonstratave ish-pushtetarët, të gjallë e të vdekur, shkojnë aq larg sa thonë se në to nuk u dëgjua më shumë se dy-tri herë parulla “Kosova-Republikë”!

Përgjigjen më të mirë, shkencërisht të argumentuar, kësaj tendence – tendencës së zhvlerësimit të demonstratave të vitit 1981 nga ish-politikanët kosovarë, ia ka dhënë veprimtari i devotshëm i Lëvizjes, zoti Mehmet Hajrizi, në librin e tij Historia e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, botuar në Tiranë në vitin 2008, ndërsa martiri Ukshin Hoti, me formim politikolog, i revoltuar nga kjo lojë e rrezikshme dhe e neveritshme, në një rast pat thënë: “O perëndi, mos e ndotni botën e ëndrrave të vitit 1981 me dallaveret e kohës”.

Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë ishin shprehje e një atdhetarizmi e idealizmi të kulluar. Dhe jo vetëm kaq. Ato ishin vazhdimësi e përpjekjeve për çlirim kombëtar të shqiptarëve të mbetur nën sundimin serb e jugosllav dhe kishin një program politik të studiuar mirë, edhe pse fillimi i tyre, me atë pjatën proverbiale të 11 marsit në Qendrën e Studentëve, ishte spontan (nëse në histori ndodh diçka rastësisht).

Demonstratat e mars-prillit të vitit 1981 hapën një epokë të re në historinë e Kosovës: epokën e luftës për çlirimin e plotë të saj. Pa këto demonstrata, të cilat u lanë me gjak nga dora e pushtetit serb e jugosllav në Beograd dhe zgjatimi i tij në Prishtinë, nuk do të kishte ndodhur as kryengritja e armatosur e UÇK-së në fund të shekullit (kujto parullën: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”) dhe Kosova nuk do të ishte kjo që është sot: e lirë dhe e pavarur.

Agim Vinca April 6, 2016 11:27