Paranoja, të gjithë do të prezumohen të fajshëm

October 19, 2017 19:20

Paranoja, të gjithë do të prezumohen të fajshëm

Të gjithë shtetasit e vendeve të treta dhe jo vetëm, që janë të përjashtuar nga detyrimi për marrjen e një vize për të hyrë në zonën Shengen, shumë shpejt do t’iu duhet të kërkojnë një Autorizim Udhëtimi për të hyrë në të. Sistemi i ri evropian i autorizimit dhe i informimit të udhëtarëve (ETIAS), do të lejojë kontrolle paraprake të të gjithë udhëtarëve pa viza.

Sipas projekt-rregullores së miratuar këtë të enjte, nga eurodeputetët e Komisionit të Lirive Civile, shtetasit e vendeve të treta, që nuk kanë nevojë të pajisen me viza, për të hyrë në zonën Shengen do t’iu duhet: të plotësojnë një formular elektronik me të dhënat e tyre personale (emri, data dhe vendi i lindjes, gjinia, dhe kombësia); të plotësojnë informacione në lidhje me dokumentet e tyre të udhëtimit (vlefshmëria, vendi i dorëzimit); të japin adresën e vendbanimit të tyre; të tregojnë vendin e parë evropian në të cilin do të hyjnë; të japin informacion për çdo dënim të karakterit të rëndë penal; të informojnë mbi qëndrimet në zonat e konfliktit, si edhe të japin informacion mbi vendimet administrative, që i kanë detyruar të lënë një vend, në harkun kohor të 10 viteve të fundit.

Autorizimi i Udhëtimit do të kushtojë 10 euro, por disa udhëtarë do të përjashtohen nga kjo taksë (personat me moshë nën 18 vjeç dhe më shumë se 60 vjeç, anëtarë të familjes së qytetarëve të BE-së, studentë apo kërkues shkencorë që udhëtojnë për qëllime akademike) dhe do të jetë e vlefshme për disa vite (ose deri në fund të skadimit të dokumentit të udhëtimit).

Ata udhëtarë, që paraqesin risk të lartë në kuptimin e sigurisë, apo të migrimit të parregullt, do t’iu refuzohet hyrja në hapësirën Shengen.

Por, si do të funksionojë ky mekanizëm ?

Pas plotësimit të formularit përkatës, kërkesa për Autorizim Udhëtimi do të jetë në mënyrë automatike e verifikuar me të gjithë bazën e të dhënave, duke përfshirë edhe sistemin e informimit Shengen, sistemin e hyrje-daljes, si edhe bazat e të dhënave të Europolit dhe të Interpolit, për të siguruar, ndër të tjera që dokumenti i udhëtimit nuk ka humbur, as nuk është i vjedhur dhe se, askush nuk kërkohet me qëllim arrestimi.

Udhëtari, mund të ftohet të plotësojë informacione shtesë, dhe në mënyrë të jashtëzakonshme mund edhe të ftohet për intervistë. Nëse hyrja do t’i refuzohet, ai do të jetë i informuar për arsyet si edhe mbi të drejtën, që ai gëzon për një ankim të mundshëm, duke përfshirë edhe ankimin juridik. Në të gjithë rastet, autoriteti kufitar ka kompetencë të plotë për vendim final, që të lejojë apo të ndalojë hyrjen në territorin e Unionit. Të gjithë transportuesit ajrorë, tokësorë, detarë do t’iu duhet gjithashtu të verifikojnë, nëse shtetasit e vendeve të treta, kanë në zotërim dokumentin, që i autorizon të udhëtojnë. Ky dokument që autorizon udhëtimin, do të jetë i vlefshëm për disa vite, apo deri në skadimin e dokumentit të udhëtimit, me të cilën është bërë kërkesa online. Gjithsesi, autorizimi i udhëtimit nuk do të ofrojë një të drejtë automatike hyrje, pasi këtë kompetencë finale do ta gëzojë autoriteti kufitar.

Rregullorja e mësipërme, u aprovua ditën e sotme nga Komisioni i Lirive Civile. Ky komision ka mbështetur gjithashtu mandatin e negocimit dhe në momentin që ky mandat negocimi do të konfirmohet nga Parlamenti Evropian në seancë plenare, negociatorët e PE-së, mund të nisin negociatat me ministrat e BE-së, për formën përfundimtare të legjislacionit.

Aktualisht ka më shumë se 60 vende dhe territore, ndër të cilat edhe Shqipëria, shtetasit e të cilëve mund të udhëtojnë pa viza në BE dhe sistemi mendohet të jetë funksional, në vitin 2020.

Paranojë ?

ETIAS, do të jetë një sistem elektronik, që do të lejojë krijimin e një regjistri të dhënash, i azhurnuar në formë sistematike për të gjithë qytetarët, që nuk kanë nevojë për vizë kur hyjnë në zonën Shengen. Miratimi përfundimtar i tij do t’i shtohet diapozitivave të tjera, që prekin qarkullimin në tokën e BE-së, siç është edhe PNR, që u miratua gjatë vitit të kaluar.

Por, a po shkohet drejt një klime paranoje, ku në emër të sigurisë krijohen pareshtur mekanizma, që grumbullojnë në mënyrë masive të dhëna individuale, edhe pse këto mekanizma nuk kanë rezultuar të suksesshëm në parandalimin e akteve, që cenojnë sigurinë evropiane ?

Organizmat, që merren me mbrojtjen e të drejtave themelore, kanë shfaqur vazhdimisht shqetësimin mbi karakterin e krijimit të këtyre mekanizmave.

Amnesty International në raportin e saj vjetor, do të kritikonte politika të tilla në një sërë vendesh anëtare, me fokus kryesisht më të lartë ndaj Francës. Por, edhe Shoqata Evropiane për mbrojtjen  e të Drejtave të Njeriut (SHEDNJ), e cila ka kohë që ka shfaqur shqetësimin e saj në lidhje me politikat e vazhdueshme shtrënguese në emër të sigurisë, e vlerëson këtë situatë si një klimë paranoje ku të gjithë: udhëtarë, migrantë dhe të huaj do të prezumohen të fajshëm.

Sipas saj, propozimi për krijimin e një sistemi hyrje-dalje, është një element përmes një serie të gjatë tekstesh evropiane, që lidhen me krijimin e sistemeve të informimit. Me pretekstin e thjeshtëzimit të kalimit të kufirit, këto baza të dhënash, përdoren gjithashtu sot për qëllime sigurie. Larg të qenit të parëndësishme, këto të dhëna sigurojnë një mosbesim, madje një kriminalizim të të “huajit”, tashmë të perceptuar si një kërcënim për sigurinë. Krijimi i vazhdueshëm i mekanizmave të tillë, nën presionin e autoriteteve ligj-zbatuese, po sjell evoluime të papërputhshme me mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të dhënave me karakter personal të shtetasve jo-evropianë.

Shqetësimi i mbrojtësve të të drejtave themelore, shkon drejt faktit se, përballë këtyre politikave që shënjestrojnë shtetasit e huaj, rritet klima e dyshimit ndaj tyre. Se, nën hijen e një përmirësimi të administrimit të kufijve, institucionet evropiane zgjedhin rrugën e “sigurimit të gjithanshëm”, duke konsideruar çdo kalim kufiri, si një kërcënim potencial ndaj sigurisë evropiane. Kjo logjikë, sipas tyre, mbështet stigmatizimin e të huajve, që tashmë konsiderohen si një rrezik. Duke hyrë kështu në një logjikë “parandaluese” që justifikon gjithnjë e më shumë krijimin e teknologjive të sigurisë që nuk rezultojnë të jenë efikase, pra kryesisht bazat e të dhënave, të shndërruara në mjetin e “para-shikueshmërisë” të sjelljeve me risk. Sipas tyre, kemi rrëshqitur në një univers “masash parandaluese të ekzagjeruara” dhe konstatimi është alarmues për të ardhmen e së drejtës për jetë private dhe mbrojtjen e të dhënave me karakter personal.

SHEDNJ, ka shprehur prej kohësh keqardhjen e saj për zgjedhjen e vendeve anëtare, që preferojnë politika mosbesimi ndaj të huajve kundrejt politikave të mikpritjes, duke deklaruar se : “Nëse vendet anëtare, zgjedhin të kriminalizojnë dhe jo të përqendrohen në harmonizimin e procedurave të trajtimit për personat që kërkojnë mbrojtje, kjo është një zgjedhje politike, që është jashtëzakonisht e dëmshme për të drejtat themelore.”

Megjithatë, duket se asgjë nuk mund të frenojë avancimin e mëtejshëm të mekanizmave që në emër të sigurisë cenojnë liritë dhe të drejtat themelore.

DITA

October 19, 2017 19:20