Pse u fundos euro në 2017

December 31, 2017 10:17

Pse u fundos euro në 2017

 

Euro e mbylli 2017-n në nivelin e 133 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, teksa mesatarja për gjithë vitin arriti në 134.1 lekë. Ky është niveli më i ulët në 9 vjet, që prej 2009-s, kur monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me  132.1 lekë. Më pas euro u forcua, duke u stabilizuar për 5 vjet radhazi (2011-2015) në nivelin e 140 lekëve.

Kërkesa e madhe për valutë, e nxitur dhe nga transferimi i fitimeve të kompanive të huaja, kryesisht të telekomunikacionit dhe oferta e kufizuar për të ishin arsyet kryesore që e mbajtën euron në ekuilibrin e 140 lekëve, ndërsa rolin e stabilizatorit me tregjet ndërkombëtare e mbajti dollari, që shënonte dhe luhatjet më të mëdha, duke u rritur kur euro binte në mënyrë që të ruante raportet e kryqëzuara në tregjet ndërkombëtare.

Leku fitonte pikë lehtë ndaj euros gjithnjë në verë dhe në fundvit, si rrjedhojë e efekteve sezonale (turizmit dhe prurjeve të emigrantëve), por pa iu larguar shumë nivelit të 140 lekëve, analizon Monitor.

Thyerja e ekuilibrit të euros filloi në gjysmën e dytë të vitit 2016, sidomos pas muajit tetor, kur monedha e përbashkët humbi pikë me shpejtësi, për të arritur nga rreth 139 lekë në fillim të vitit në 135 lekë në dhjetor. Hyrja e lartë e valutës që filloi të vinte nga ekonomia informale, (viti 2016 shënoi një nivel të lartë të kultivimit të hashashit, që u mboll në prill-maj dhe u korr në shtator-tetor dhe filloi të shitej në tetor), rriti dukshëm ofertën për euro në tregun e brendshëm.

Janari 2017 filloi me një nënçmim të lekut, teksa euro u ngjit në nivelin e 137 lekëve, si rrjedhojë e transferimit të fitimeve nga kompanitë e huaja. Por, kjo zgjati shumë pak. Rritja e ofertës për valutë bëri që euro të binte me shpejtësi, duke zbritur në nivelin e 133 lekëve në maj.

Zgjedhjet dhe pika më e ulët e vitit

Në 18 qershor u arrit marrëveshja mes liderit të PD-së, Lulzim Basha, dhe atij të PS-së, Edi Rama, për të hyrë bashkarisht në zgjedhje. Nga ajo ditë deri në zhvillimin e zgjedhjeve euro shënoi një rënie të fortë. Në 27 qershor, 2 ditë pas zgjedhjeve, me hapjen e bankave, euro arriti në nivelin më të ulët të vitit 2017, prej 131.98 lekë , duke reflektuar hedhjen e sasive të mëdha të monedhës së përbashkët në treg, në një periudhë kur nuk ka efekte sezonale.

Më pas monedha e përbashkët filloi të rritej, për të rënë sërish në muajt e verës, si rrjedhojë e shtimit të turistëve, që shënuan rekord këtë vit, por pa arritur nivelin e paszgjedhjeve (niveli më i ulët në verë ishte 132.29 lekë për një euro).

Në shtator euro iu rikthye tendencës duke u rritur, teksa tregtia u gjallërua dhe kërkesa për valutë u forcua. Në ditët e fundit të vitit, euro ra sërish, duke zbritur nën 133 lekë, po si rrjedhojë e efekteve sezonale,  për t’u rritur sërish me afrimin e vitit të ri.

Një tjetër dukuri e konstatuar në 2017-n ishte forcimi i monedhës vendase para datës 20 të çdo muaji, teksa kompanitë e huaja, sidomos TAP, që këtë vit ishte në kulmin e investimeve, këmbente eurot për të paguar sigurimet e punonjësve. Edhe eksporti i shërbimeve është përmirësuar vitin e fundit, duke sjellë më shumë valutë, një tjetër faktor që ka rritur prurjet e monedhës së përbashkët, duke neutralizuar efektin e thellimit të deficitit tregtar.

Megjithatë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deficiti i llogarisë korente (bilanci i parave që hynë dhe dalin nga vendi) për 9 mujorin ishte -519 milionë euro, me një përmirësim prej 116 milionë eurosh nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, që nuk arrin të shpjegojë forcimin e ndjeshëm të lekut. Kjo shumë është e barabartë me volumin e këmbimeve valutore në vetëm pak ditë!

Për krahasim, në 2013-n, deficiti i llogarisë korente u përmirësua me 176 milionë euro për 9 mujorin, por euro jo vetëm nuk ra, por u forcua me 1.5 lekë mesatarisht atë vit (nga 138.8 lekë në 140.3 lekë).

Në linjë me euron, edhe dollari ka qenë në rënie të ndjeshme gjatë vitit 2017, duke zbritur nga gati 130 lekë në janar në 111 lekë në fund të 2017-s, përfundon analizën revista Monitor.

Karikatura shoqëruese nga Medi Belortaja, Dita

December 31, 2017 10:17
Komento

2 Komente

  1. ??? December 31, 10:45

    Nga momenti qe Shqiperia merr ftesen ne Maj 2018 deri ne anetaresimin ne BE Euro duhet te bie ne 500 lek, keshtu qe kur leku te konvertohet me Euro Shqiptaret te behen me te pasur. nje rroge 300mije lek tani eshte 230 euro, kurse me kursin 500 lek i bie 600 euro.

    Reply to this comment
  2. info analitike December 31, 13:29

    A e keni pietur Bedriun, Viktorin, Netin se perse ka rene euro? Shikoni se ata jane me eksperte nga keta qe me siguri duhet te jene njerez te Saliut qe vetem shajne arritjet spektakolare te qeverise se kriepsikopatit. Disfatiste qe ne vend qe te lavderojne kete arritje te suksesshme ndaj invazionit te valutes armike shkojne dhe shpjegojne arsyet. Per ne militantet ka rendesi rezultati dhe jo menyra se si arrihet ai, sepse ne partia na ka mbrujtur me shpirt liberal-demokratik e tolerancen e kemi si udherrefyes.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*