Paratë e luftës/ Armët bullgare ndezin konfliktet e Lindjes së Mesme

December 21, 2015 13:11

Paratë e luftës/ Armët bullgare ndezin konfliktet e Lindjes së Mesme

Në tetor të vitit të kaluar, vëzhguesit e avionëve dalluan me interes se një avion i madh Boeing 747 Jumbo, i markuar si avion mallrash nga Arabia Saudite, filloi uljen në aeroportin e kryeqytetit të Bullgarisë, Sofie.

“Një avion saudit mallrash nuk ka ardhur kurrë këtu… së paku për 20 vitet e fundit,” shpjegoi Stephan Gagov, një vëzhgues i vjetër avionësh nga Bullgaria.

Fluturimet u bënë kaq të shpeshta sa Gagov filloi një temë mbi ta në një forum në internet për vrojtuesit e avionëve, duke përdorur frazën “linja e rregullt” si titull. Vrojtuesit raportuan se panë këta avionë të uleshin dy herë në tetor, një herë në nëntor, katër herë në dhjetor dhe nga një herë në mars dhe maj të këtij viti.

Avioni gjigand mbërriti nga Xhedah, u ngarkua me mall dhe fluturoi drejt qytetit saudit të Tabuk, rreth 100 kilometra larg kufirit me Jordaninë, sipas vrojtuesve të cilët përdorin faqe interneti për gjurmimin e fluturimeve.

Gagov vlerëson se këta avionë mund të mbajnë diku mes 60 dhe 80 tonë mallra në çdo udhëtim. Ai nuk mundi të shohë se çfarë gjendej brenda kutive, por kishte bindjen se malli i transportuar qe i rëndë.

Pasi fluturimet saudite ndaluan, avionë mallrash nga Abu Dhabi filluan të mbërrijnë. Airbus A330F dhe Boeing 777F të kompanisë Etihad Cargo zbritën në Sofie pesë herë mes qershorit dhe gushtit të këtij viti. Edhe më vonë, më 19 tetor, një avion Airbus 330F i Etihad Cargo fluturoi nga Abu Dhabi për në qytetin bullgar të Burgasit dhe më pas për te baza ajrore Al Dhafra, një bazë ushtarake në jug të kryeqytetit të Emirateve.

Autoritetet saudite, të Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe ato Bullgare nuk kanë publikuar informacion mbi përmbajtjen e këtyre ngarkesave. Por Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, mund të zbulojë se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë blerë sasi të mëdha armësh dhe municionesh nga Bullgaria përgjatë dy viteve të fundit dhe se është pothuajse e sigurtë që këto armë u përdorën nga forcat vendase që ata mbështesin në luftën e Sirisë, e ndoshta edhe në konfliktin në Jemen.

Raporti vjetor i Bullgarisë mbi eksportet e industrisë së mbrojtjes, i cili u publikua në gusht të këtij viti por nuk mori mbulim mediatik, thotë se qeveria miratoi më shumë se 85 milionë euro shitje pajisjesh ushtarake dhe municionesh te Arabia Saudite më 2014, nga të cilat, shitje me vlerë 29 milionë euro u përfunduan deri në fund të vitit.

Qeveria e Bullgarisë i ka thënë gjithashtu BIRN-it se ka lëshuar leje për shitje të armatimeve për Emiratet e Bashkuara Arabe edhe këtë vit.

Bullgaria prodhon dhe ka rezerva të armatimeve të stilit sovjetik. Analistët thonë se ka shumë pak gjasa që Arabia Saudite apo Emiratet t’i blejnë këto armatime për forcat e veta, të cilat përdorin armatimet moderne perëndimore dhe për rrjedhojë, ka shumë gjasa që ata blenë municionet për fraksionet vendase që ata mbështesin në Siri dhe Jemen, ku armët e modelit sovjetik përdoren gjerësisht.

Një ish zyrtar ushtarak me njohuri mbi këtë çështje i tha BIRN-it se blerjet e sauditëve u transportuan me avionin që u pa nga vrojtuesit e avionëve dhe se ato kishin për destinacion luftëtarët e opozitës në Siri, ndërsa eksportet e mëvonshme ka gjasa janë dërguar për t’u përdorur në Jemen.

Përgjatë vitit të fundit, edhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë blerje armatimesh në Bullgari si pjesë e një programi me vlerë 500 milionë dollarësh për të trajnuar dhe pajisur forcat opozitare në Siri, program që tashmë është ndërprerë.

Luftëtarë të opozitës dhe analistë të pavarur i kanë thënë gjithashtu BIRN-it se armët bullgare po përdoren në Siri, ku më shumë se 250 mijë njerëz janë vrarë dhe më shumë se 11 milionë të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre që kur lufta shpërtheu në vitin 2011.

Në kohën e komunizmit, Bullgaria – një vend me vetëm 7 milionë banorë – ndërtoi një industri të stërmadhe armatimesh, duke punësuar 110 mijë njerëz dhe duke krijuar aktivitet ekonomik prej deri në 1.5 miliardë dollarë (1.3 miliardë euro) në valutë të fortë çdo vit. Regjimi bleu teknologji sovjetike për të prodhuar armë të lehta dhe municione. Vendi akumuloi rezerva të mëdha për të mbështetur ushtrinë e vet me personel prej 100 mijë vetësh si dhe u përgatit për mundësinë e një mobilizimi të përgjithshëm.

Gjatë sundimit të vet 45 vjeçar, partia komuniste e Bullgarisë zhvilloi lidhje të forta tregtare me Lindjen e Mesme dhe Afrikën, lidhje që janë ruajtur edhe nga shumë tregtarë, përfshirë ata që merren me tregtinë e armatimeve.

Biznes fitimprurës

Duke vëzhguar përmes syzeve të tij të mëdha, Nikolay Nikolov përmend si kalimthi se ai qe ulur një herë në të njëjtën tavolinë me Karlos Çakallin, militantin famëkeq marksist i cili qe aktiv në Lindjen e Mesme dhe në Europë gjatë viteve 1970 dhe 1980.

Nikolov, një pseudonim për të mbrojtur identitetin e tij, ka qenë aktiv në tregtinë e armëve prej 25 vjetësh.

“Çdokush merr një pjesë,” thotë ai, përfshirë zyrtarët e qeverisë dhe ndërmjetësit. “Komisionet shkojnë disa herë më shumë se sa vlera e marrëveshjes për armët. Nëse diçka kushton 10 milionë, çmimi final shkon në 35 milionë.”

I ulur në një kafene të vogël në qendër të Sofies, ku ai pëlqen të takohet dhe të bëjë bizneset e veta, Nikolov pi cigare njëra pas tjetrës dhe është plot kujtime.

I pyetur për shitjet e armëve në Lindjen e Mesme, ai tregon një ngjarje ku zvarriti valixhet përplot me para përmes shkretëtirës arabe.

Pas rënies së komunizmit më 1989, prodhimi i armëve në Bullgari ra me shpejtësi. Vlera zyrtare e eksporteve të armatimeve ra në 111 milionë euro në vitin 2006. Por pas kësaj, shitjet filluan të rriten sërish dhe në vitin 2014 arritën në 403 milionë euro, sipas shifrave zyrtare. /BIRN/

December 21, 2015 13:11
Komento

1 Koment

  1. Beni December 21, 15:17

    Ata I ruajten fabikat kurse ne ishkaterruam.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*