Paratë jashtë bankave, zbardhen shpenzimet pa kriter gjatë fushatës

Redaksia Online August 17, 2013 09:00

Paratë jashtë bankave, zbardhen shpenzimet pa kriter gjatë fushatës

Edhe pse partitë politike nuk i kanë zbardhur ende paratë me të cilën bënë fushatën elektorale të zgjedhjeve që lamë pas, treguesit e bankave të nivelit të dytë flasin për shpenzime fantastike të kryera gjatë muajit maj, kohë në të cilën kulmoi fushata për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, te cilat ju referohet revista “Monitor”, bëjnë të ditur se në maj të këtij viti është konstatuar një rritje e ndjeshme e parasë jashtë korporatave depozituese, që është zgjeruar me rreth 4 për qind, çka nënkupton se rreth 6 miliardë lekë, apo 44 milionë euro janë hedhur në qarkullim vetëm në një muaj. Sjellja e këtij treguesi ishte jashtë normalitetit, pasi në muajt e mëparshëm ndryshimet e nivelit të parasë jashtë banke kanë qenë të ulëta. Një shumë e tillë parash e tërhequr nga bankat në një periudhë kaq të shkurtër flet në këtë mënyrë për të gjithë fushatën zgjedhore që i kalonte parametrat e normales, e ku njëkohësisht kriza ekonomike ishte ulur këmbëkryq në vendin tonë. Në një kohë kur sipërmarrja kërkonte të merrte paratë për punët e kryera, e kur këto shënonin vlerën e 280 milionë eurove, në një kohë kur thesari i shtetit më shumë se një herë rezultoi bosh, duke vonuar pagat e buxhetorëve, fushatës zgjedhore nuk i mungoi asnjë detaj luksi. Përtej këtij paradoksi të dhënat e zbardhura nga Banka e Shqipërisë, dëshmojnë se paratë e tërhequra dhe “dëshira” e shfrenuar për të qenë të parët në fushatë, nuk japin percpetimin e vërtetë të deklaruar publikisht, por tërheqje parash pa kriter. Kjo situate normalisht që ka ndikuar si në rritjen e çmimeve ashtu dhe në zhvlerësimin e monedhës. Leku është kuotuar në nivelet më të dobëta të vitit përgjatë muajit majit, duke arritur në mbi 140 lekë, ndërkohë që efektet në çmime u konstatuan në qershor, kur inflacioni u rrit në mënyrë të pazakontë (duke pasur parasysh që në këtë periudhë tradicionalisht ai ulet për shkak të daljes së produkteve sezonale) nga 2.1 për qind në maj në 2.3 për qind në qershor. Tërheqja e elektoratit për të qenë pjesë e votimeve në njërën apo tjetër forcë politike ka qenë tendencë e dukshme e tërheqjes së parave nga bankat e nivelit të dytë, ku përtej deklarimeve për krizë, paratë janë tërhequr, duke shpresuar që në fund të zbardhen nga forcat politike që u bënë pjesë e garës elektorale.

Redaksia Online August 17, 2013 09:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*