Parodia e koncesionit 1 miliardë euro

Aida Nako March 17, 2013 20:01

Parodia e koncesionit 1 miliardë euro

Koncesioni i Devollit, Çfarë ndodhi këto ditë me një nga 5 kontratat më të rëndësishme në fushën e energjetikës: Tërhiqet nga projekti kompania EVN AG. Por “DITA” zbulon se kontrata e nënshkruar në vitin 2008 ishte një “paçavure” e vërtetë me gabime të rënda. Botohet për herë të parë një procesverbal i Komisionit të Ligjeve në Kuvend, që zbulon karagjozllëkun e qeverisë me investimin që ministri Ruli e quajti projekti i shekullit

 

Ajo çka nisi si një projekt madhor me vlerën e frikshme 1 miliardë euro, po përfundon si një parodi, nga ato skeçet e dikurshme të fundvitit. Një lajm i rëndësishëm kaloi thuajse pa bujë dy ditë më parë. Kompania austriake EVN AG, e cila kishte 50 për qind të aksioneve të projektit për ndërtimin e hidrocentraleve të Devollit, deklaroi se ka vendosur t’ia shesë këto aksione partnerit të vet, norvegjezëve të “Statkraft A.S, një lëvizje që do të ketë “një efekt negativ pas taksave në bilanc prej afro 20 milionë eurosh. Projekti  i Devollit premtonte 1 miliard euro investime dhe mijëra vende pune të krijuara në një nga zonat më të varfra në Shqipëri nga Cërriku në Gramsh e deri në zonën e Korçës.

 

Fillimi i punimeve u miratua me bujë nga vetë kryeministri Sali Berisha pak javë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, ndërsa Genc Ruli ish-ministër ekonomie e quajti dikur investimin e shekullit. Por një procesverbal i mbledhjes së Komisionit të Ligjeve në vitin 2010 zbardh një skenar të shkruar parodie. Le ta nisim me radhë.

 

Kontrata

Në vitin 2008 nënshkruhet kontrata mes Ministrisë së Ekonomisë dhe dy kompanive për projektin 1 miliardë dollarë të hidrocentraleve mbi Devoll. Më pas në vitin 2009, kjo kontratë kalon filtrin e Komisionit të Ligjeve dhe merr miratim në parlament. Por diçka e papritur ndodh në vitin 2010, një vit e gjysmë pas miratimit total të kontratës në parlament, kontrata rivjen sërish për t’u “korrektuar”. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë në komision, problemi ishte se gjatë përkthimit të kontratës nga anglishtja me qëllim botimin në fletoren zyrtare, përkthyesit “kishin bërë disa gabime”. Por deputetët në komision zbuluan se “gabimet” që duhej të ndryshoheshin në fakt ishin shtesa të tëra me paragrafe në kontratë, madje përkthyesi përveç fjalëve kishte “ngatërruar” edhe shifra në disa raste. Procesverbali i zbardhur ngjason me skenarin e ndonjë komedie, në mënyrë të paprecedentë deputetët janë mbledhur dhe diskutojnë për lapsuset, ndryshimet dhe arnimet e një kontrate, jo sikur të ishte kontrata 1 miliardë dollarësh e koncesionit, por sikur të ishte një kontratë për shitje makaronash.  Por qershia mbi tortë ishte kontrata origjinale në anglisht. Ndërsa deputetët e opozitës kërkonin kontratën origjinale në anglisht për të bërë vetë krahasimin me gabimet, nga kreu demokrat i komisionit vjen përgjigja solemne se : nuk ishte nevoja për kontratën në anglisht.

 

 

Procesverbali i diskutimeve në Komisionin e Ligjeve për kontratën me EVN AG

  

Drejton mbledhjen:

Ilir Rusmali – kryetar komisioni

Rendi i ditës:

1. Miratimi i procesverbalit.

2. Projektligji “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 10083, datë 23.02.2009 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, dhe EVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropoëer, sh.a., si bashkëkoncensionarë për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll në Republikën e Shqipërisë””.

Marrin pjesë:

Ilir Rusmali, Eduard Halimi, Viktor Gumi, Enkelejd Alibeaj, Dashnor Sula, Edi Paloka, Arenca Trashani, Gent Strazimiri, Paulina Hoti, Ylli Lama, Astrit Bushati, Fatos Hoxha, Aldo Bumçi, Nasip Naço, Mesila Doda, Pandeli Majko, Bashkim Fino, Fatmir Xhafaj, Arben Isaraj, Damian Gjiknuri, Dashamir Peza, Ermonela Felaj, Vasilika Hysi, Saimir Tahiri, Shegush Ligori, Tom Doshi, Armando Subashi.

Të ftuar:

Zamir Stefani – jurist në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Nertila Sadedini – drejtoreshë e Menaxhimit të Projekteve në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

 

HAPET MBLEDHJA

Ilir Rusmali – Kalojmë te pika e parë e rendit të ditës që është propozimi i projektligjit “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 10083, datë 23.2.2009 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, dhe AVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropoëer, sh.a., si bashkëkoncensionarë për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll në Republikën e Shqipërisë””.

Nga Ministria e Ekonomisë kanë ardhur zoti Zamir Stefani dhe zonja Nertila Sadedini për të prezantuar këtë projektligj. Fjalën e kanë ata për të bërë një prezantim shkurtimisht të projektligjit.

Nertila Sadedini(përfaqësuese e ministrisë)Unë jam drejtoreshë e Menaxhimit të Projekteve në Ministrinë e Ekonomisë. Ku konsiston propozimi për ndryshimin e ligjit? Së pari, kemi një rregullim ligjor për sa i përket afatit, po të bëjmë një kronologji. Kontrata e koncesionit u nënshkrua nga palët në datën 19.12.2008, u ratifikua nga Parlamenti nëpërmjet ligjit nr.10083, datë 23.2.2009 dhe u publikua në Fletoren Zyrtare nr. 28, datë 17.3.2009. Ky rregullim ligjor ka të bëjë me atë që hyrja në fuqi duhet të ishte në Fletoren Zyrtare në datën 1.4.2009, ndërkohë që gabimisht është bërë më 31.3.2009. Po të bëhet llogaritja 17 mars edhe 15-ditëshit i binte më 1 prill, ndërkohë që është publikuar në Fletoren Zyrtare më 31 mars.

Pandeli Majko – Unë dua më shumë sqarime, lidhur me një fakt të thjeshtë që ka të bëjë me relacionin dhe me atë që na shpjeguat ju. Nuk më duket se kontrata që keni sjellë sot ka të bëjë thjesht me një shtyrje apo rregullim date. Ajo që na keni thënë në relacion është se ne kemi të bëjmë me një histori të çuditshme. Më lejoni ta konsideroj të çuditshme. Në datën 19.12.2008 është miratuar nga Qeveria një kontratë e cila më pas ka kaluar në Qeveri. Në Parlament ka kaluar me kontratën e miratuar në datën 23.02.2009. Tani, zonjë dhe ju përfaqësuesi tjetër i ministrisë, na vini këtu dhe na thoni se, pasi është firmosur kontrata në datën 19.12.2008 dhe është miratuar nga Qeveria dhe Parlamenti nga shkurti i vitit 2009, ju keni parë se në kontratë ka disa probleme, që kanë të bëjnë me faktin se kontrata e përkthyer në gjuhën shqipe ka diferenca me kontratën në anglisht. Më korrigjoni, nëse unë dua të verifikoj çudinë time për këtë histori të çuditshme: na keni sjellë një ndryshim ku në disa raste ka ndryshim thelbësor. Unë si ligjvënës gjithçka mund ta mirëkuptoj, por të vini këtu e të thoni se ndryshimet në kontratë janë si pasojë e moskonvergimeve mes gjuhës angleze në kontratë të firmosur nga pala e Qeverisë dhe palës kontraktuese, këtu ka një problem shumë të madh. Ju lutem flisni qartë, përse keni sjellë një kontratë të ndërruar në mënyrë thelbësore? Duhet ta kishit paraqitur si është kontrata në anglisht dhe si e keni sjell në shqip. Mos na vini këtu në pozitë të vështirë, pavarësisht se është mëngjes dhe fillim jave, ju lutem, duhet të kishit ardhur të përgatiturA mund të na jepni shpjegime për atë që sapo thashë?

Nertila Sadedini – Kontrata ka probleme me hyrjen në fuqi dhe pjesa tjetër është përshtatja e plotë e versionit të kontratës së dërguar për publikim në Fletoren Zyrtare, që përmban disa mospërputhje për sa i përket versionit anglisht me atë në shqip. Kontrata bazë është miratuar në anglisht, por botimi në Fletoren Zyrtare është bërë në gjuhën shqipe. Kjo është iniciativa që kemi marrë si institucion, përshtatja e versionit anglisht me atë shqip. Arrij të them se ky ndryshim nuk sjell asnjë pasojë për Qeverinë, thjesht kemi të bëjmë me një përkthim të.

Ilir Rusmali – Falemnderit, zonja Sadedini!

Që të jemi të qartë ne, ju jeni duke thënë: “Neni 2 i projektligjit, që ju na keni sjellë këtu, nuk ka asnjë devijim nga versioni anglisht i kontratës, i cili është versioni zyrtar”?

Nertila Sadedini – Nuk ka asnjë devijim dhe nuk sjell asnjë pasojë juridike. Është bërë thjesht përshtatja, janë rregulluar gabimet e përkthimit.

Ilir Rusmali – Fjalën e ka zonja Hysi.

Vasilika Hysi – Falemnderit, zoti kryetar!

Një vit e gjysmë nuk keni pasur mundësi ta lexoni këtë kontratë, apo kjo kontratë nuk ka filluar të zbatohet?

Ju thatë se nuk sjell ndryshime, por po të shikoni, në pjesën më të madhe të projektligjit, ju keni shtesa të tëra paragrafësh. Ju thoni: “Në seksioni kaq, shtohet ky paragraf”. Këto janë harresa, apo janë me të vërtetë shtesa? Kontrata është përkthyer gjysmake, apo janë shtesa të reja?

Nertila Sadedini – Është një iniciativë, e cila është marrë nga ne për ta rregulluar këtë gabim. Ne mbrojmë interesat e shtetit në këtë moment.

Vasilika Hysi – Nuk është plotësim, korrigjim kontrate, por është një nismë për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptar, tani ta marr vesh, a është korrigjim i asaj që është bërë para një vit e gjysmë, apo janë ndryshime për të rregulluar interesat më mirë, se nuk kanë qenë të mbrojtura?

Nertila Sadedini – Është një përputhshmëri e variantit anglisht me variantin shqip dhe ju garantoj se nuk sjell asnjë pasojë juridike.

Saimir Tahiri – Kam një pyetje, përgjigjen e së cilës kam shumë dëshirë ta marr të mirëqenë, për vetë faktin se sot po përputhim draftet. Pyetja ime ka të bëjë me pikën 11 të nenit 2, ku thuhet: “Në seksionin 1 të kontratës së koncesionit, në përkufizimin NBK minimale e nevojshme, shifra 1% zëvendësohet me 10%.”. Në këtë rast, përkthyesi nuk ka përkthyer saktë numrat? Si ta kuptoj këtë? Ose përkthyesi nuk njeh numrat, ose, në të kundërt, këtu ndryshojnë termat e kontratës. Pra, pyetja ime konkrete është: ka qenë injorant përkthyesi? Dhe, që ne të mos ju lejojmë të fyeni inteligjencën e kolegëve të maxhorancës, a mund të na sqaroni se kush e ka përkthyer? Pra, cili është autoriteti që e ka përkthyer? Cili e ka certifikuar? Cili ka marrë guximin ta çojë draftin me gabime në Parlament? Se mirë që përkthyesi ngatërruaka fjalët, por tani na ngatërruaka edhe shifrat dhe kjo është e papranueshme.

Nertila Sadedini – Atëherë, në variantin anglisht ka qenë 10%, ndërkohë që është shkruar gabim te varianti shqip, 1%.

Ermonela Felaj – Në fakt, ne vazhdojmë t’i referohemi së njëjtës pyetje, sepse është e qartë që nuk kemi të bëjmë thjesht me një projektligj që vjen si rezultat i mospërputhjeve të versioneve në anglisht dhe shqip të ligjit, por me një ndryshim të termave të kontratës. Nuk është vetëm një shifër që është ndërruar, por janë shumë të tilla. Fjala vjen, unë po shoh pikën 24 të nenit 2, ku thuhet: “Në fund të fjalisë së fundit të seksionit përkatës, shuma 10 500 euro bëhet 10 500 000 euro.”. Është e turpshme që justifikohet në këtë mënyrë ky projekt që ka ardhur sot.

Zamir Stefani (përfaqësues i ministrisë)– Zotërinj deputetë,

Në kontratën origjinale në gjuhën angleze, në nenin përkatës, thuhet shprehimisht: “Çdo lloj interpretimi për mospërputhje, mosmarrëveshje etj., do të jetë në variantin anglisht.”. Deri në momentin e ratifikimit në Parlament, çdo gjë ka shkuar për bukuri, çka do të thotë se gabimet janë bërë vetëm kur kontrata është përkthyer për t’u botuar në Fletoren Zyrtare. U kontrollua nga koncensionari, i cili, me të drejtë, kërkoi të bëhej një rregullim i gabimeve si rezultat i përkthimit për botimin në Fletoren Zyrtare. Pra, çka është firmosur ndërmjet autoritetit kontraktues, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si përfaqësuese e shtetit shqiptar, dhe koncensionarit është e rregullt, e saktë dhe ligjore, sipas tekstit që ju, të nderuar deputetë, keni përpara. Edhe shifra 10 000 euro, për rregullimin e rrugëve, kuptohet që në pamje të parë që është një lapsus. Është bërë gabim kur është botuar në Fletoren Zyrtare.

Pandeli Majko – Unë mendoj se nuk ka vlerë të diskutojmë pa pasur kopjen e kontratës në gjuhën angleze. Pa diskutim kjo është një kontratë shumë e rëndësishme. Edhe herën e parë që e kemi diskutuar, e kemi votuar jo me një dorë, por me të dyja duart, si opozitë. Por në këtë rast mendoj se çështja ka ndryshuar. Është shumë e vështirë për të na bindur se përkthimi nga shqip në anglisht i 1-shit është 10. Duhet të na mirëkuptoni në këtë drejtim.

Ilir Rusmali – Falemnderit, zoti Majko!  Ka diskutime të tjera nga kolegët?

Dakord. Do t’i mbyll unë diskutimet. Të nderuar kolegë, unë ju ftoj që ta miratojmë këtë projektligj, sepse ne jemi njerëz që veprojmë në mirëbesim. Ta miratojmë këtë projektligj, sepse në betejën tonë politike nuk duhet ta zhvillojmë te një kontratë koncesioni me fitime të jashtëzakonshme për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Pandeli Majko – Unë nuk arrij ta kuptoj, zoti kryetar, sesi ju thatë që kërkesat tona ishin legjitime dhe nuk i kaluat ato.Këtu kemi të bëjmë me një nga pesë kontratat më të rëndësishme në fushën e energjetikës. Unë nuk ju them që ta vendosni veten në vendin tonë, sepse ne kemi distanca të mëdha për momentin politik që po kalojmë, por, ju lutem, për dhjetë sekonda mendojeni që në një nga pesë kontratat më të rëndësishme në fushën energjetike, dhjeta përkthehet një dhe vijnë këtu mbi 30 korrigjime në emër të përkthimit në anglisht. Pra, a nuk ka të drejtë opozita të dyshojë që këtu kemi të bëjmë me një skandal të një natyre tjetër dhe jo me një ndryshim përkthimi?

Ilir Rusmali – Zoti Majko, ju do ta merrni kopjen në anglisht. Duke qenë se jeni njohës shumë i mirë i kësaj gjuhe, kur ne të shkojmë në seancë plenare, ju do të diskutoni dhe, nëse jeni ai që ju njoh unë, do të dilni në mbështetje të këtij projektligji dhe do t’u konfirmoni shqiptarëve se ky projektligj, me variantin anglisht që është miratuar, nuk ka asnjë diskordancë. Por, atëherë, do t’ju lutesha që t’u kërkoni falje përfaqësueseve të ekzekutivit që sot u keni rënë më qafë kot. Ata po jua thonë çiltërsisht që kanë korrigjuar një defekt të përkthimit, të cilin nuk e korrigjonim dot me mjete të tjera.  Falemnderit, zonja dhe zotërinj të ekzekutivit, që ishit sot me ne dhe na ndihmuat në sqarimin e këtyre çështjeve.  Falemnderit! Me kaq ne mbyllim pjesën e turbullt të mbledhjes së komisionit. (Marrë me shkurtime nga parlament.gov.al)

Aida Nako March 17, 2013 20:01
Komento

4 Komente

  1. Jonuz March 17, 21:35

    Pershendetje. Nga diskutimet duket qarte mashtrimi i bere nga Demokratet. Le te sjellin Kontraten Origjinale Anglisht dhe ta botojne nese jane kaq te ndershem.
    Kurse Deputetet e PS te mos flene gjume por te luajne rolin e duhur. ne kete rast te kerojne botimin e Kontartes Orgjinlae pasi nuk ka perkthyes ne bote qe ben gabime si at qe thuehn me larte. Mashtrimi eshte teper i trashe nga Zoti Rusmali per te justifikuar korrupsionin e radhes kete radhe duke u justifikur me perkthyesin e pasakte!

    Reply to this comment
  2. dordoleci March 17, 22:00

    Vlera e kesaj kontrate i ben karshillek prodhimit te brendshem bruto.

    Nga sqarimet e perfaqsusve te ministris kuptohet se fillimisht ka patur vetem version anglisht kontrate. Pra, perfaqesuesit e ministris e kan ditur anglishten aq mire sa te firmosin kontraten vetem anglisht, ku ne kto lloj kontratash ka terma gjuhsore qe mezi i kuptojn dhe specjalistet gjuhsor. Pastaj kjo kontrat esht derguar anglisht ke avokati i shtetit? i cili gjithashtu e di shum mir anglishten. Pastaj eshte derguar ne mbledhje qeverie ku gjith ministrat e njofin mir anglishten. Pastaj esht derguar ne parlament ku te gjith 140 deputetet e njofin shum mir anglishten dhe mbasi e lexuan me vemendje e miratuan. Pastaj e cuan per perkthim dhe perkthyesi beri gabimet. Edhe kontrata me e qelbur me te huajt pergatitet qe ne fillim ne dy gjuh shqip dhe anglisht. Ndersa kjo vetem anglisht. Si i paraqitet parlamentit shqiptar nje kontrat ne gjuh te huaj kete se mar vesh.

    Reply to this comment
  3. BAY ATEA Ca. March 17, 22:35

    Z. Ilir , ( i Burgosur) Rusmali, c’ lidhje kane me perkthimin numerat e arithmetikes Arabe, ato jane njesoj si per TY qe ke Fytyre Daun , nga pamje je komplet Forme Tipike e nje Idioti dhe per cdo indivit ne kete rruzull toksor. Mbase Anglezet perdorin numra qe njeh Ti me pamje Idioti dhe i deshifrojne hajdutet e qeverise se Sali Babes me 40 hajdute. Beju njehere gjini asnjajese , se burre nuk dao te behesh dot kurre, dhe lexo te zezin mbi te bardhe , O Kllaun e Lolo i sali Palles.

    Reply to this comment
  4. white&black March 18, 09:59

    Fjalet e dija qe perktheheshin por sot mesova qe edhe shifrat mund te perkthehen. Por kur behet fjale per 1 miliard euro, Ruli & Co do gjejne menyren per te vjedhur sepse nuk besoj qe te jene bere gabime te pafajshme nga perkthyesi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin