Partizani, në Durrës për të mos humbur terren

March 8, 2014 10:23

Partizani, në Durrës për të mos humbur terren

Partizani luan në Durrës sot kundër Teutës, ku do të kërkojë të kthehet me çdo kushte te fitorja, ndërkohë që një javë më parë u nda pa gola me Skënderbeun. Skuadra e Marcio Sampaios mban vendin e tretë aktualisht në renditje dhe fitorja mund ta çojë një pozicion më sipër, në rast se Kukësi nuk merr tri pikët kundër Tiranës në “Qemal Stafa”. Vendi i dytë do të thotë edhe short më i mirë në fazën e tretë, ndaj portugezi thotë qartë se skuadra e tij shkon në “Niko Dovana” me synimin për të marrë fitore dhe jo për t’u kënaqur me një barazim. “Teuta është një nga ekipet më të forta të kampionatit, por ne kemi menduar për çdo detaj”, thotë Sampaio. “Kemi informacion të mjaftueshëm për kundërshtarin dhe sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm, për të mos u ndëshkuar. Por, shpresojmë që të kthehemi me tri pikë. Nuk shkojmë për të marrë barazim, asnjëherë nuk do të isha dakord me këtë. Nëse shkojmë për një pikë, atëherë do të humbim. Ne shkojmë për fitore”. Partizani është vetëm një pikë poshtë Kukësit, megjithatë renditja mund të ndryshojë shumë në rast humbjeje, ndaj Sampaio kërkon përqendrim të madh, duke shprehur edhe vlerësim pozitiv për atë çka të kuqtë japin në fushë. “Shoh se Partizani po përmirësohet dhe po rritet ndeshje pas ndeshjeje, por është shumë e rëndësishme që të mos humbasim terren. Ndeshja e parë me Teutën ndryshon shumë nga e dyta, sepse edhe skuadrat kanë ndryshuar shumë”, thotë portugezi, duke iu referuar fitores 3-0 që të kuqtë arritën në fazën e parë në “Qemal Stafa”. Që atëherë, të skuadrat kanë bërë shumë ndryshime në organikë, pas merkatos së janarit, përfshirë këtu edhe në drejtim. Sampaio i kthehet edhe takimit të fundit, barazuar me Skënderbeun, duke fajësuar gjyqtarin, ndonëse nuk i sheh si të qëllimshme gabimet. “Sigurisht që në ndeshjen e fundit nuk shënuam, por nëse shikoni kronikën e ndeshjes, anësori dha një jashtë loje që nuk ishte i tillë. Arbitri ishte në të njëjtën linjë me lojtarin e Skënderbeut dhe Memelli erdhi nga pas mbrojtësve. Një rast tjetër është ai i Maliqit, që u pengua në vijën e zonës së rreptësisë, por nuk mund të them nëse ishte penallti. Nuk po kërkoj alibi për mungesën e fitoreve, por këto janë fakte”, thotë Sampaio, duke ngritur një pretendim që, të paktën në rastin e golit të anuluar, nuk qëndron, pasi pamjet televizive treguan qartë që pozicioni i Memellit ishte i parregullt.

 

 

 

March 8, 2014 10:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*