Partosh-Fisher: Emigracioni nuk është alarmant. Pasojë e gjendjes ekonomike dhe lëvizjes së lirë

Muhamed Veliu April 25, 2015 15:03

Partosh-Fisher: Emigracioni nuk është alarmant. Pasojë e gjendjes ekonomike dhe lëvizjes së lirë

Gabriel Partosh, analist në “The Economist Intelligence Unit” në Londër”, Bern Fisher, historian dhe Eriona Canaj eksperte në UET për çështjet e azilit në vendet e zonës Shengen, duke folur për Top Channel për fenomenin e largimit të shqiptarëve drejt vëndeve të BE-s, arrijnë në përfundimin e përbashkët se nuk jemi përballë një situate e cila ndodh për herë të parë.

“Unë mendoj se kjo është duke u perceptuar si diçka negative, duke u komentuar se lidhet me mos rritje të mjaftueshme të ekonomisë, siç shumë njerëz do të dëshironin. Do të doja ta shikoj këtë në një këndvështrim më të gjerë. Shqipëria nuk është një vend anëtarë i BE-së që mund të eksportojë krah të lirë pune. Ne shohim se vendet ish-komuniste të  Europës Lindore tashmë anëtare të unionit, të cilat vlerësohen me demokraci të stabilizuar dhe ekonomi të shëndetëshme, me mijëra qytetarë nga këto vende emigrojnë në Angli  dhe Gjermani. Do ta quaja një fenomen normal pasi njerëzit lëvizin në ato vende ku ka punë, standarde të larta jetese mbi të gjitha, mundësi më të mëdha. Këtu nuk kemi asgjë të jashtëzakonshme, por natyrisht në Shqipëri pas zhvillimeve në vitet ‘90-të kemi parë nje valë të tmerrshme largimi njerëzish që kalonin Adriatikun. Tani kjo shihet nën një dritë negative, por dua ta theksoj është diçka normale e cila do të vazhdojë të ndodhë për aq kohë sa njerëzit janë të lirë dhe këtu Shqipëria është prej atyre vendeve me të drejtë lëvizje të lirë e pa viza, e bën lëvizjen shumë më të lehte. Të gjesh punë në Perëndim tani është më e lehtë sesa shumë vite më parë” – thotë Partosh.

Historiani Bern Fisher thotë se largimi lidhet me një problematikë ekonomike e cila e ka zanafillën jo sot, por në të shkuarën.

“Natyrisht është diçka shqetësuese. Kam parë shifrat në të shkuarën të cilat sugjerojnë se emigracioni ka ekzistuar gjatë një periudhe të gjatë. Nëse e mbaj mend mirë do të thosha se shifrat vitet e fundit janë ulur dhe tani janë rritur përsëri. E shikoj si vijimin e pafuqisë së shtetit në krijimin e një sistemi ekonomik dhe që njerëzit të jetojnë një jetë normale. Nga ajo që arrij të kuptoj, pasi për këtë çështje nuk kam bërë një kërkim konkret kohët e fundit për të kuptuar se cilët janë këta njerëz që largohen, kam mësuar se ata vijnë nga zona me avantazhe të pakëta zhvillimi, mbase si pasojë e injorimit nga autoritetet qendrore në Tiranë për shumë vite me radhë. E si pasojë e grumbullimit të problemeve të tyre, kjo i inkurajon ata të dorëzohen përballë këtij realiteti duke kërkuar një jetë më të mirë diku tjetër. Është natyrisht për të ardhur keq dhe shpresoj se kjo do të angazhojë qeverinë dhe opozitën për të punuar së bashku në krijimin e një ekonomie të shëndoshë” – deklaron Fisher.

Eriola Canaj, profesore në UET mendon  se kemi të bëjmë me fluks masiv duke mos u dakortësuar me epitetet e përdorura ditët e fundit për këtë ngjarje.

“Unë do të shihja si një fluks masiv, jo si një eksod. Në fakt shifrat janë paksa shqetësuese, sepse kanë kapur shifrën 600 e mos 1000 e më shumë edhe pse një pjesë e mirë e këtyre po i kthejnë direkt në portet apo pikat kufitare. Në këtë këndvështrim jemi vërtet në shifra shqetësuese. Këto shifra janë shqetësuese përsa i përket vetëm afatit kohor sepse kemi një fluks masiv që largohen në ditë. kjo është shqetësuese nga kjo pikëpamje, jo për shkak të viteve apo afati kohor të krahasuar me vitet e mëparëshme. Unë do të thoja që nuk është azil, jemi në termat e emigrantit ekonomik, kërkojnë një jetë më të mirë dhe jo për shkak të diskriminimit”- thotë Canaj.

Gabriel Partosh dhe Bern Fisher ishin referues në konferencën “Tranzicioni Shqiptar”, zhvilluar nga UET.

Muhamed Veliu April 25, 2015 15:03
Komento

1 Koment

  1. Kris 1 April 26, 03:10

    na u mbush mendja se tashti keto gjera jane pasoja te se kaluares ndersa ne kohe te Sales ishin te qeverise.Keta nuk jane as historiane e as analiste por xhepiste qe flasin me mire per ate qe i paguan me shume.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*