Pas 27 vitesh, nis ivestimi në rrjetin e ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve në Shkozë

June 30, 2017 11:59

Pas 27 vitesh, nis ivestimi në rrjetin e ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve në Shkozë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të përgjegjshëm në përdorimin e ujit të pijshëm në këto ditë thatësire, si dhe ta kursejnë atë. Gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen për përmirësimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në Shkozë, Veliaj u shpreh se banorët e Tiranës duhet të bëjnë kujdes me ujin e pijshëm, pasi moti shumë i nxehtë dhe i thatë ka sjellë probleme në furnizimin me ujë.

 “Po hyjmë në një periudhë shumë të nxehtë dhe thatësire, ndaj u kërkoj të gjithë banorëve që të tregojnë kujdes me ujin e pijshëm. Është e vërtetë, Tirana ka ujin e pijshëm më të lirë në të gjithë Shqipërinë, por kjo nuk është arsye që ta shpërdorojmë atë. Këtë thirrje ua drejtoj gjithë banorëve, edhe atyre që jetojnë në pjesë të tjera më të ulëta të Tiranës, pra më larg Dajtit, të cilët spërkasin me ujë rrugën, bahçen e tyre, trotuarin, lajnë tapetet, ujisin dhe vadisin me ujë të pijshëm, që të tregojnë pak më shumë kujdes. Kur secili tregon kujdes mbetet më shumë ujë për fqinjin, për nipat dhe mbesat, që e kanë ndoshta shtëpinë në një cep tjetër të Tiranës. Na duhet kujdes nga të gjithë”, tha Veliaj.

 Ndërkaq, zona përballë ish-uzinës së Autotraktorëve, nga Shkoza e Sipërme deri në Lanabregas, do të ketë një rrjet të ri ujësjellësi dhe kanalizime të ujërave të zeza. Bashkia e Tiranës dhe UKT kanë nisur një nga investimet më të mëdha që do të sjellë përmirësim të cilësisë së shërbimit dhe të furnizimit me ujë të afro 4 mijë banorëve që jetojnë në një zonë që përbëhet nga familje të ardhura kryesisht nga rrethet. Kryebashkiaku Veliaj theksoi faktin se investimi do të ndikojë direkt si në furnizimin më të mirë me ujë të banorëve, ashtu edhe në menaxhimin e situatës së ujërave të zeza dhe të bardha në kohë shirash.

 “Jam shumë i kënaqur që pas 27 vitesh ndërhyjmë në një zonë e cila nuk ka njohur investime prej vitesh. Është një zonë, e cila është populluar vitet e fundit, me banorë nga të gjitha anët e Shqipërisë, që me punën dhe djersën e tyre kanë bërë këto investime. Më vjen mirë që në pjesën më të madhe kemi ecur me legalizimet, po mbas legalizimeve duhet të vijë urbanizimi. Urbanizim nënkupton të paktën ujin. Uji është hapi i parë sepse pa ujë s’ka jetë. Pas ujit vjen asfalti, ndriçimi dhe të gjithë investimet e tjera të bashkisë”, tha Veliaj.

 Ai shtoi se ashtu si edhe në shumë investime të tjera që po kryen Bashkia e Tiranës në zona të tjera, edhe këtu punimet do të vazhdojnë gjatë gjithë verës, duke shfrytëzuar kohën e pushimeve kur Tirana ka më pak lëvizje. “Do të sigurohemi që kur njerëzit të vijnë nga vera të gjejnë, jo vetëm një zonë të urbanizuar, jo vetëm të ketë më shumë ujë të pijshëm, jo vetëm asfalt, por edhe ndriçim, gjelbërim dhe mos të ndihet një zonë që është në periferi, ndryshe nga një zonë që është në qendër të Tiranës. Në këto dy vite kemi bërë urbanizim, shtrim kanalizimesh, ujëra të zeza, ujëra të bardha, ujë të pijshëm si asnjëherë më parë”, tha Veliaj.

 Ai kërkoi mirëkuptimin e banorëve për shqetësimin që mund të shkaktojnë ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës gjatë kryerjes së punimeve për realizimin e këtyre investimeve të cilat shkojnë në interes të qytetarëve. “Dua të falënderoj banorët për durimin, këto do të jenë disa muaj vere me mjete të rënda, të tregojmë pak kujdes edhe për trafikun, por më mirë që i bëjmë këto punë sa është vera dhe sa na mban koha që kur të fillojnë shirat, kur të fillojë moti i keq, të kemi gjithë kanalizimet dhe të evitojmë edhe përmbytjet, por edhe problematikat me ujin”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë kanë ndërmarrë dy projekte të mëdha të ndërtimit të rrjeteve të rinj të ujësjellësit dhe atij të kanalizimeve në zonën e Shkozës së Sipërme deri në Lanabregas, që përfshin një sipërfaqe deri në 53 hektarë. Linja aktuale nuk arrin të furnizojë normalisht me ujë banorët, sidomos në katet e larta. Ndaj linja e re e ujësjellësit do të marrë ujë nga Depoja e Gurores në Dajt, dhe është konceptuar në dy pjesë me tuba çeliku. Është përllogaritur që linja e re e ujësjellësit të sigurojë një furnizim për 7816 banorë për një periudhë 25 vjeçare. Gjithashtu, projekti i ndërtimit të linjës së re të shkarkimit të ujërave të zeza dhe ato të shiut do të ndikojë në përmirësimin e situatës së banorëve të kësaj zone. Linja e re e kanalizimeve është projektuar me katër kolektorë, të cilët mbledhin ujërat e zeza dhe ato të shiut në zonë.

June 30, 2017 11:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*