Pas Ukrainës dhe Moldavisë, BE intensifikon marrëdhëniet me Gjeorgjinë

December 12, 2014 12:55

Pas Ukrainës dhe Moldavisë, BE intensifikon marrëdhëniet me Gjeorgjinë

Parlamenti Europian pritet që javën e ardhshme të ratifikojë Marrëveshjen e Asocimit, BE -Gjeorgji, të nënshkruar  më 27 qershor 2014. Marrëveshja parashikon një asocim politik të ngushtë dhe një integrim ekonomik, të fokusuar kryesisht në hapjen progresive të tregjeve përkatëse. Ratifikimi i kësaj marrëveshje, vjen pas marrëveshjeve të asocimit, tashmë të ratifikuara me Ukrainën dhe Moldavinë. Gjatë votimit, që pritet të kryhet të enjten e ardhshme, do të adoptohet edhe një rezolutë shoqëruese, që do të shprehë opinionin e PE-së, mbi ngjarjet e fundit në Abkazi dhe Osetinë e Jugut, si edhe mbi marrëdhëniet me Rusinë.

Federata Ruse ka nënshkruar më 24 nëntor, një marrëveshje ushtarake “Traktati mbi Aleancën dhe Partneritetin Strategjik” me rajonin e shkëputur të Gjeorgjisë, Abkhazinë. BE ka shprehur vazhdimisht shqetësimin e saj mbi shkatërrimin e përpjekjeve, që po bëhen për stabilizimin dhe situatën e sigurisë në rajon. Unioni vlerëson, se marrëveshja e fundit ushtarake e nënshkruar mes Rusisë dhe Abkhazisë, si edhe marrëveshjet e mëparshme, dhunojnë sovranitetin e Gjeorgjisë dhe integritetin territorial të saj, bien ndesh me ligjet ndërkombëtare dhe angazhimet e Federatës Ruse.

Ndërkohë ditën e djeshme (11 dhjetor) Komisioneri për Çështjet Ekonomike dhe Financiare të BE-së, francezi Pierre Moscovici, ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për Ndihmën Makro-Financiare (MFA), prej 46 milion euro me Gjeorgjinë. Kjo MFA e nënshkruar, synon të fuqizojë balancën e pagesave dhe pozicionin buxhetor, si edhe të mbështesë reformat që synojnë reformimin e qeverisjes ekonomike, rritjen e gjithëpërfshirjes sociale dhe të promovojë një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik të Gjeorgjisë me Bashkimin Europian.

MFA është një instrument i BE-së, reagues ndaj krizave për vendet fqinje partnere, që po hasin pengesa të rënda me balancimin e pagesave, si edhe shërben si një mekanizëm plotësues i ndihmës, që akordohet nga FMN. Ndihma që akordon MFA, financohet nëpërmjet marrjes së huave nga BE në tregun e kapitaleve. Kjo MFA, është e dyta nga dy operacionet financiare të premtuara nga BE, gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve të zhvilluar në Bruksel, më 2008, menjëherë pas ngjarjeve të konfliktit ushtarak me Rusinë. MFA e parë prej 46 milion euro, e gjitha në subvencione, është implementuar në mënyrë të suksesshme përgjatë viteve 2009-2010. 

Nën optikën e nenit 49 TEU, Gjeorgjia si çdo shtet tjetër, mund të aplikojë për t’u bërë anëtare e Unionit, me kusht që të respektojë principet e demokracisë, liritë fondamentale dhe të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, si edhe të sigurojë sundimin e ligjit. Pavarësisht shkëputjes së një pjese të territorit, Marrëveshja e Asocimit në princip, mbulon tërësisht territorin e njohur ndërkombëtarisht të Gjeorgjisë, në përfitim të tërë popullsisë si edhe shërben si një kuadër për zhvillim të qëndrueshëm dhe demokraci në Gjeorgji./it

December 12, 2014 12:55
Komento

1 Koment

  1. plaku i mocem December 12, 13:44

    Europa sikur eshte e lodhur me zgjerimin,c’ne te shkoje deri ne Gjeorgji?.Ballkanin perndimor e ka tek dera e shtepise dhe i ben sehir! Une nuk i kuptoj keto veprime te Unionit!.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*