Pas Zvicrës, Franca në referendum anti-imigracion

March 10, 2014 21:35

Pas Zvicrës, Franca në referendum anti-imigracion

Referendumi i 9 shkurtit, mbi kufizimin e imigracionit në Zvicër dhe rifutja e kuotave për qytetarët e BE-së, kanë shkaktuar një reaksion zinxhir në marrëdhëniet dypalëshe. Megjithëse ka tre vjet kohë për të aplikuar në praktikë rezultatin e referendumit, Zvicra ka deklaruar, se do të refuzojë gjithashtu edhe nënshkrimin e marrëveshjes së qarkullimit të lirë me Kroacinë, vendi i fundit i anëtarësuar në BE.

Reagimi penalizues nga ana e BE-së, ka përfshirë pezullim të pjesëmarrjes zvicerane në dy programe bashkëpunimi, programi Europian i kërkimit “Horizont 2020” dhe programi i shkëmbimit Universitar, “Erasmus+”, buxheti i të cilave arrin në miliarda dollarë. Janë pezulluar gjithashtu negociatat ndërkufitare me Zvicrën mbi elektricitetin. Komisioni Europian është shprehur, se populli zviceran mund të mos përfitojë së shpejti nga qarkullimi i lirë i personave në gjirin e BE-së, dhe se shoqëritë zvicerane mund të përballen në të ardhmen, me pengesa të ndryshme mbi tregjet evropiane. Nga ana e saj, qeveria federale zvicerane, pas rezultatit të referendumit, ka shpërndarë menjëherë diplomatët e saj në Europë (Bruksel, Gjermani, Austri), për të minimizuar dëmet e shkaktuara.

Në këtë frymë reflektimi politik duket se, është organizuar edhe protesta zvicerane 3 javë pas referendumit, më 2 mars, nga 60 parti politike dhe organizata, kundër rezultatit të referendumit dhe kundër ‘vetë-mbylljes’ zvicerane. Protestuesit tërhoqën vëmendjen edhe mbi një tjetër iniciativë zvicerane, e konsideruar më radikale, ‘Ecopop’. Një referendum, që do të zhvillohet brenda këtij viti, në Zvicër, mbi vendosjen e kufirit prej 0,2% të imigracionit me synim kufizimin e rritjes demografike në vend.

Çdo iniciativë politike apo qytetare, që ndërmerret mbi tema të tilla të ndjeshme, nuk kalon pa shkaktuar një efekt reflektimi dhe në vende të tjera të BE-së, ku faktorë politikë të ndërthurur me ato socialë, të ndikuar edhe nga situatat paraelektorale, propozojnë ide aplikimi të njëjta në terren. Në Britani, Norvegji dhe Francë u ekspozua i njëjti reflektim, pro idesë së një referendumi mbi imigracionin, në ndjekje të shembullit zviceran.

Në Francë, ky reflektim, gjeti një mbështetje të veçantë politike, nga Fronti Nacional, një parti e ekstremit të djathtë dhe ksenofobe, e cila po renditet në krye të sondazheve paraprake politike, si për zgjedhjet lokale franceze, po ashtu edhe për ato evropiane. Fronti Nacional, po gjendet gjithashtu i favorizuar, nga një klimë politike, ku nga njëra anë socialistët po humbasin terren, me në krye Presidentit francez Hollande, ku niveli i mbështetjes popullore, ka arritur në shifrën rekord prej vetëm 17% dhe me një UMP nga krahu tjetër, që po goditet nga skandalet e përgjimit mbi Sarkozinë.

Referendumi francez dhe mbështetja politike

Ideja për zhvillimin e një referendumi anti-imigracion, duke iu referuar modelit zviceran, u propozua publikisht nga kreu i “Frontit Nacional”, Marine Le Pen dhe deputeti i UMP-së Christian Estrosi. Estrosi, deputet dhe Bashkiak i Nice, aktualisht në fushatë për rizgjedhjen e tij, deklaroi pozicionimin pro referendumit, duke argumentuar se, problemi qëndron në nivel evropian kryesisht me rregullat e Shengenit, që janë të pafavorshme për Francën. Estrosi propozoi idenë e shtrimit të një pyetje të tillë, me anë të një referendumi, në të njëjtën ditë me zgjedhjet evropiane, më 25 maj.

Por, megjithëse anëtarë të UMP-së, janë shprehur pro referendumit, duket se qëndrimi partiak nuk ndjek të njëjtën linjë politike. Kjo duket edhe në mos shprehjen e saj publikisht, për mbështetjen e manifestimit pro këtij referendumi, që u zhvillua dje, më 9 mars në Paris.

Politikat e UMP-së në lidhje me imigracionin, duket se nuk shkojnë tërësisht në një refuzim total dhe mbyllje të mundësive të imigrimit, por, gjithsesi UMP kërkon ashpërsim të ndjekjes së politikave në këtë fushë, nëpërmjet reformimit. Sipas UMP-së, PS është e paralizuar nga kontradiktat e saj në lidhje me këtë çështje dhe se Fronti Nacional, nuk ka interes në gjetjen e zgjidhjeve ndaj këtij problemi. UMP kërkon reflektim në 4 akse: Reformim të Shengenit dhe kontroll më të mirë të kufijve; Ashpërsim të politikave ndaj imigracionit klandestin, ndaj dhënies së kombësisë franceze dhe shkurtim të procedurave të azilit; një Francë më pak tërheqëse në aspektin social, çka bën thithjen e imigracionit; dhe ashpërsim në rrugën e integrimit dhe natyralizimit.

Ndërsa logjika e ofruar nga Presidentja e ‘Frontit Nacional’, Marine Le Pen, konsistonte në disa prej linjave që politikisht mbron kjo parti e ekstremit të djathtë: prioritet kombëtar; zotërim nga Franca të kufijve kombëtarë; vendosje po nga Franca të përzgjedhjes së imigracionit, apo sipas kontekstit dhe një kufizim tërësor të tij.

Partia Socialiste shprehu qëndrimin e saj, menjëherë pas deklaratave publike të Le Pen dhe Estrosi, duke i kundërshtuar ato si të padenja. Në pozicionimin e saj, PS denonconte rrëshqitjen e UMP-së ndaj terrenit të ekstremit të djathtë, duke shkaktuar në këtë mënyrë edhe një tërheqje të elektoratit të tyre drejt këtij terreni.

Manifestimi i 9 marsit, pro Referendumit

Manifestimi i djeshëm, me temë ‘‘Jo zhvendosjeve të mëdha dhe Jo islamizimit”, organizohej nga ‘Riposte Laïque’, dhe “Résistance Républicaine’ në partneritet me ‘Bloc Identitaire’. Manifestimi pati gjithashtu mbështetjen e tridhjetë shoqatave, që përfshijnë lëvizje dhe grupime politike.

“Riposte Laïque” (Kundër-përgjigjja Laike) është një gazetë version online e krijuar nga ish animatorë të gazetës online “Respublica” dhe mbështetet nga patriotë të së majtës dhe të djathtës, që sipas saj, nuk pranojnë islamizimin e vendit të tyre dhe heshtjen bashkëpunuese të së majtës dhe së djathtës, përballë rrezikut islam. Synimi i publikimit të saj online, është mbrojtja e principeve laike dhe republikane. Gazeta i atribuon sistematikisht një sërë artikujsh, islamofobisë së hapur. Që prej tetorit 2012, kjo gazetë botohet edhe nga shoqata zvicerane “Kundërpërgjigja laike zvicerane”.

“Résistance Républicaine” (Rezistenca Republikane), është një shoqatë apolitike, me themelues që i përkasin krahut të majtë dhe të djathtë, me fokus mbrojtjen e vlerave laike dhe republikane të kërcënuara nga progresi i islamit.

Protesta e 9 marsit, mbështetej gjithashtu edhe nga lëvizje politike, që i përkasin krahut të ekstremit të djathtë, siç është “Bloc Identitaire” , një lëvizje politike e krijuar më 2003, që ka si ideologji të saj, ruajtjen e vlerave identitare dhe të civilizimit evropian, duke u pozicionuar në mënyrë radikale kundër islamit. Sipas ‘Bloc Identitaire’ manifestimi i 9 marsit, duhet t’i çojë një sinjal të fortë qeverisë, se tashmë populli francez, dëshiron që të konsultohet mbi çështjen e imigracionit.

Manifestimi pro Referendumit, në thelb kërkonte që: qytetarët francezë të vendosin mbi çështjen e imigracionit dhe jo politikat e Brukselit, apo klasa politike franceze; të refuzohet vendosja e gjuhës arabe në shkollë; të refuzohet imponimi i ushqimeve ‘halal’; të refuzohet ndërtimi i xhamive; të refuzohet vënia e shamive për gratë myslimane; të refuzohet ardhja në masë e imigrantëve nga Lampedusa dhe nga kufijtë e Shengenit; mohimi i së drejtës së votës për imigrantët, etj.

Kuadri ligjor francez i ndryshëm nga ai zviceran

Në Zvicër, referendumi i 9 shkurtit, lindi nga një procedurë e “iniciativës popullore”. Kjo e drejtë ekziston në tre nivele të politikës kombëtare: në nivel federal, për të propozuar ndryshimin e Kushtetutës dhe në nivel kantonesh dhe komunash, për të propozuar modifikimin e një ligji ekzistues ose krijimin e një ligji të ri. Për të mundësuar një referendum, një ‘grup iniciative’ i përbërë nga 7-27 qytetarë, që kanë të drejtë vote, duhet të hartojë një projekt. Pas verifikimit të ligjshmërisë së saj, kanë 18 muaj kohë për të mbledhur të paktën 100 mijë firma. Në momentin që ky kusht plotësohet, projekti mund t’i nënshtrohet referendumit, pra kalon në votim popullor.

Por, kjo e drejtë ka një tjetër karakter ligjor në Francë. Kuadri ligjor, që i përshtatet më shumë kuadrit zviceran është “e drejta e iniciativës së përbashkët”, që shpeshherë konsiderohet si “iniciativa popullore”. Kjo e drejtë lejon, po si në Zvicër organizimin e një referendumi, por kushtet për t’u plotësuar, janë larg atyre zvicerane.

Në Francë, ndryshe nga Zvicra, nuk janë qytetarët, por parlamentarët (duhet 1/5 e totalit, d.m.th, 185 deputetë), që janë në iniciativë të propozimit ligjor. Për më tepër UMP dhe PS janë shprehur kundër iniciativës ligjore për kryerjen e një referendumi. Vetëm në një moment të dytë, kjo gjë mund të kërkojë mbështetjen e qytetarëve (nga ku kemi termin, iniciativë e përbashkët). Referendumi kërkon mbledhjen e firmave e të paktën 1/10 e qytetarëve, të regjistruar në listat elektorale (pra rreth 4,5 milion) dhe kjo brenda një hapësire kohore relativisht të shkurtër, brenda tre muajsh.

Referendumi francez kundër imigracionit, duket një iniciativë e vështirë për t’u konkretizuar, për sa i përket aspektit ligjor-politik, nëse marrim në konsideratë bllokun pengues UMP+PS. Nga ana tjetër, logjika e mbështetjes në firma, nga qytetarët francezë në një afat të përcaktuar kohor, prej 3 muajsh, ngjason me një mision thuajse të pamundur, nëse i referohemi rasteve analoge. Peticioni i hedhur nga UMP më 2012, kundër të drejtës së votës për të huajt, mezi i kalon 200 mijë vota edhe sot e kësaj dite. Iniciativa për Referendum anti-imigracion dhe manifestimet mbështetëse, duket se anojnë më tepër drejt një logjike elektorale, ku përtej pamundësisë reale për konkretizimin e tij, përfitimet politike, ekspozohen si karburanti i nevojshëm i një politike makiaveliste. (im.ta)

 

March 10, 2014 21:35