Pasanikë shqiptarë por… të panjohur

November 17, 2017 23:20

Pasanikë shqiptarë por… të panjohur

Çapajev Gjokutaj

 

Mbrëmë në kafe folëm gjatë për të pasurit. Shkak u bë një konstatim i Qaniut.

– Po shihja listën e 10 biznesmenëve më të pasur në Shqipëri, – ia nisi ai, – dy prej tyre ishin pa fotografi. U bëra kurioz dhe kërkova në google. Ishte thuajse e pamundur të gjeje fotot e tyre, madje edhe informacioni verbal ishte me pikatore dhe i pasigurt. Ç’i thoni ju kësaj? Të bësh miliona e të mos jesh person publik!?

– Epo vend me shumicë myslimane jemi. S’para i honepsim surretet, – shpotiti Ilmiu.

– Mbase janë modestë e u pëlqen të rrinë në hije, – hamendësova unë.

– Leri profkat, – ma priti Lilua, – thuaj ujku mjegull do. Sa më i padukshëm të jetë, aq më lehtë e gjen prenë.

– Cinikë mbetët gjithë jetën, – ndërhyri Naqja.- Tjetri rropatet, bën biznes të hajrit, punëson qindra vetë. Ne e përgojojmë. Jo po t’i damkosim, t’i quajmë gjakpirës e t’i shpallim kulakë. Zili rrjepacakësh!

Gradualisht nervozizmi u pak, biseda u shtrua dhe ramë thuajse në një mendje: të jesh ndër më të pasurit e vendit dhe të mbetesh i panjohur për publikun, dëshmon se jo një, por një vargan me gjëra çalojnë.

Mbase kjo lidhet me gazetarinë bulevardeske, që mbizotëron mediat tona. Çmon gallatën e jo vlerat. Bën persona publikë ca politikanë sherxhinj , ca këngëtarë mediokër, ca llapaqenë  ekranesh dhe nuk shquan ç’ndodh përtej bulevardit a unazës.

Mbase lidhet me pëlqime personale. Jo të gjithë kanë qejf të jenë persona publikë. Ka njerëz që prej natyre priren të rrinë në hije. Ka të tjerë që e zgjedhin për strategji. Kjo ndodh sidomos në ambjente që janë dyshuese dhe kanë prirje të  demonizojnë pasurinë dhe pasurimin.

Dhe ne, si shoqëri priremi t’i demonizojmë të pasurit. Kemi një barrë me arsye për ta bërë këtë. Fillojnë nga mentaliteti bolshevik që i koncepton si shushunja, vijnë tek fakti që 25 vjet të shkuara ishim të gjithë pa prona dhe përfundojnë te gjëma: privatizimet u bënë me mëndjelehtësi e makutëri, ca të paktëve u ra bixha dhe shumica mbetën me gisht në gojë.

Në një vend normal vështirë që i pasuri të mbetet në hije. Pasuria ecën krah për krah me bamirësinë dhe, të heqësh nga pasuria jote e ta ndash me të varfërit, është akt që ngjall vëmendje dhe admirim publik.

Po ka të ngjarë që edhe në këtë pikë bëjmë përjashtim. Pasunarët tanë nuk para shquajnë për bamirësi. Mbase ngaqë nuk e kemi dhe aq shumë në traditë filantropinë. Por mbase edhe ngaqë pasunarët i kemi të rinj.

Brezi i parë i borgjezëve, atyre që ngrihen nga hiçi, është brezi i Harpagonëve e Gobsekëve. Pas minimumi 3-4 brezash vijnë Bill Gates-it dhe Warren Baffett-ët.

Dhëntë zoti që edhe të pasurit tanë të ndajnë e të bëhen bamirës sa më shpejt. Por me ç’thonë bathët… dita do jetë e largët. Treg i vogël, shpirt i varfër, tahma e madhe. Shkretëtira gjëmbaçë rrit.

– I qatë hallet e pasunarëve?! Tani tundni qindarkat e kafes, se vajti vonë e më pret Goni, – na ndërpreu kamarjerja, që ndërkohë kishte hequr përparësen.

Nga cikli ‘Kafe për llafe’ 

 

 

November 17, 2017 23:20
Komento

4 Komente

  1. gjermani i fundit November 19, 10:31

    ne fakt Bill Gates dhe Buffet jane pasanike te brezit te pare, e ngriten vete, nuk e trasheguan. Por bejne pjese tek pasaniket qe u pasuruan nga mundesite e medha qe ofron gjeniu i mendjes, ne teknologji Bille Gates, ne cirkuitin e finances Warren Buffet dhe plot te tjere si keta. Mesa di, ne Amerike nuk taksohet fondet e bamiresise, apo diçka e tille kur kontribuon ne sporte, etj. Shqiptaret e kane ne natyre filantropine, psh e shikon kur nxiton sekush te qerase nje kafe, ose shpesh kur i japin borxh te afermve pa interes. Eshte nje dhunti e jona qe akoma po i reziston zakoneve te botes.

    Reply to this comment
  2. intelektuali November 19, 10:55

    Mileti pa breke thote e lutet:

    ZOTI I SHTOFTE PASURINE BIZNESMENEVE SHQYPTARE QE TE BEHEN BAMIRES SI ROCKFELERET E AMERIKES DHE TE NA HEDHIN NDONJE LEK!

    por:

    Zot i Madh ne Qiell pergjigjet:

    O MILET PO KU JANE BEZNESMENET TUAJ SE NUK I SHIQOJ FARE QE T’I BEKOJ ME SHKOP MAGJIK?

    Mileti ne ethet e bamiresise nga Zoti i thote:

    PO JA EDI RAMA PIKETOI ZAMIR MANEN APO SAIMIR MANEN, JO PISIN E HABILAJVE SAIMIR TAHIRIN SE DO TE ISHTE MEKATE.

    Zoti ne Qiell hap tefterin e mekateve dhe pergjigjet:

    ZAMIR MANE I KA SHITUR KOKEKUQES VLLAHUTINI NJE VILE NE FARKE DUKE MASHTRUAR ME CMIMIN NE AFERE AMORALE TEJET KORRUPTIVE.

    Mileti i depresionuar nga pergjigja e Zotit lutet serish:

    PO KASTRATI I KARBURANTEVE DHE AI TROPOJANI I KULCEDRAVE PREJ BETONI?

    Zoti hap serish tefterin e mekateve dhe pergjigjet ne forme lakonike:

    KETA DINSOSAURE PO JA LE MINISTRIT AHMETI QE T’I VERIFIKOJE DHE T’I TATOJE ME TAKSEN PROGRESIVE TE EDVINIT QE KA PERFUNDUAR SI KOKOSHI NE NJE THELE.

    Reply to this comment
  3. hoteni.....serioz November 19, 17:36

    shoku çapajev :nuk eshte puna se te pasurit jane shushunja …por nuk pasurohesh, po s’qe shushunje dhe te pasurohesh duke bere “biznes” me ligje te bere nga SHIUSHUNJAT . ps. a te mbushet mendja, se shushunjat e sotme do pesojne …se shpejti me keq se sushunjat e kaluara ?

    Reply to this comment
  4. vasili November 20, 10:32

    Ralle kam lexuar,nje shkrim te tille,ku ndihet frymemarrja e ketij vendi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*